Lajmet

Hyn në fuqi rregullorja e re e “Prishtina Parking”

Kështu njofton komuna e Prishtinës.

Publikuar

Sot do të hyjë në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve të Prishtinës. Sipas njoftimit të Prishtina Parking, banorët rezidentë duhet të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking dhe në kontaktin që do ta realizojnë, do të informohen nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

“Nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro. Nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë. Të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar. Deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat)”, thuhet në njoftim.

Lajmet

Irani paralajmëron se do të ndryshojë doktrinën bërthamore nëse i “kërcënohet ekzistenca”

Publikuar

nga

Irani mund të detyrohet të ndërtojë armë bërthamore nëse Izraeli kërcënon ekzistencën e tij, paralajmëroi një këshilltar i liderit suprem të vendit.

“Ne nuk kemi marrë vendim për të ndërtuar armë bërthamore, por nëse ekzistenca e Iranit kërcënohet, nuk do të kemi zgjidhje tjetër përpos ta ndryshojmë doktrinën ushtarake”, deklaroi Kamal Kharrazi, një këshilltar i liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

“Në rast të ndonjë sulmi ndaj objekteve tona bërthamore nga regjimi sionist, politika jonë parandaluese do të ndryshojë”, u raportua të ketë thënë ai.

Khamenei e ndaloi zhvillimin e armëve bërthamore përmes fetvas, ose dekretit fetar, në fillim të viteve 2000. Ai tha se kjo është “haram” ose e ndaluar në Islam. Por në vitin 2021, ministri i atëhershëm i inteligjencës iraniane tha se presioni perëndimor mund ta shtyjë republikën islamike të kërkojë armë bërthamore.

Irani është duke pasuruar uranium deri në 60 për qind të pastërtisë, ndërsa uraniumi i shkallës së armëve është pasuruar në rreth 90 për qind. Nëse materiali aktual bërthamor në dispozicion do të pasurohej më tej, ai do të mjaftonte për dy armë bërthamore, sipas një standardi zyrtar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA)./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Komploti për vrasjen e Zelenskyt, Ukraina shkarkon kreun e Gardës Shtetërore

Publikuar

nga

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, shkarkoi të enjten kreun e gardës shtetërore, dy ditë pasi dy anëtarë të saj u akuzuan për komplot për ta vrarë presidentin.

Presidenti Zelenskiy nxori një dekret për shkarkimin e zotit Serhiy Rud. Nuk ka njoftime se kush do ta zëvendësojë atë.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha këtë javë se kishte ndaluar dy kolonelë të shërbimit të rojës shtetërore, nën akuzat për komplot për të vrarë zotin Zelenskiy dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

SBU-ja tha se atentatet do të kishin qenë një “dhuratë” për Presidentin Vladimir Putin ndërsa ai u betua të martën për një mandat të ri. Agjencia ukrainase e sigurisë tha se dy të ndaluarit ishin rekrutuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) dhe i kishin dhënë Moskës të dhëna sekrete.

Dy të arrestuarit, tha SBU-ja, ishin ngarkuar me detyrën për gjetur dikë në rojën presidenciale, i cili do ta merrte peng zotin Zelenskiy dhe më pas do ta vriste. Nuk ka të dhëna se në cilën fazë ishte zbuluar komploti. Moska nuk ka komentuar lidhur me deklaratat e SBU-së.

Presidenti Zelenskiy tha vitin e kaluar se shërbimet ukrainase të sigurisë kishin zbuluar dhe asgjësuar të paktën pesë komplote ruse për ta vrarë atë.

SBU-ja tha se grupi spiun planifikoi gjithashtu të vriste kreun e kësaj agjencie, Vasyl Maliuk dhe kreun e agjencisë së zbulimit ushtarak, Kyrylo Budanov./VOA

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Shkallë e ulët e lindshmërisë në Kore të Jugut

Publikuar

nga

Lideri i Koresë së Jugut njoftoi të premten se e ka në plan të krijojë një ministri të re për ta trajtuar si “urgjencë kombëtare” shkallën e ulët të lindshmërisë teksa vendi po përballet me përkeqësim të krizës demografike.

Në një prononcim televiziv, presidenti Yoon Suk Yeol tha se do të kërkojë bashkëpunim nga ana e parlamentit për ta krijuar Ministrinë e Kundërplanifikimit të Natalitetit të Ulët.

“Ne do të mobilizohemi me të gjitha kapacitetet për të tejkaluar shkallën e ulët të lindshmërisë, e cila mund të konsiderohet si emergjencë kombëtare”, tha ai.

Në konferencën e parë për media që nga gushti i vitit 2022, Yoon pranoi se administrata e tij ka dështuar në përpjekjet e saj për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ai u zotua se gjatë tri viteve të ardhshme të mandatit të tij do të angazhohet për të përmirësuar ekonominë dhe për të adresuar lindjet e ulëta./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Netanyahu: Do të luftojmë me thonj

Publikuar

nga

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, duke shprehur frikë se një gjë e tillë do ta thellonte katastrofën humanitare në enklavën palestineze.

Të mërkurën, Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah, duke e rritur trysninë ndaj Netanyahut.

Por, në një komunikatë për media të enjten, Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.

Edhe zëdhënësi i lartë i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, u përpoq ta ulë rëndësinë e ndikimit në praktikë të mungesës së furnizimit me armë nga SHBA-ja.

“Ushtria ka municione për misionet që i ka planifikuar, edhe për misionet në Rafah, gjithashtu. Ne kemi çfarë na nevojitet”, tha Hagari.

Izraeli vazhdimisht ka kërcënuar se do ta pushtojë Rafahun, ku rreth 1.3 milion palestinezë – mbi gjysma e popullsisë – kanë kërkuar strehim.

Ky qytet, në jug të Gazës, është gjithashtu edhe qendra kryesore e operacioneve humanitare, të cilat janë penguar jashtëzakonisht shumë nga mbyllja e dy pikëkalimeve kryesore të Gazës këtë fundjavë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe Bashkimi Evropian – ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.

Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Ushtria e Izraelit thotë se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa e marrë kontrollin e qytetit Rafah./REL

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara