Lajmet
Hungaria – “portë hyrëse” e Kinës në Evropë
Published
5 years agoon
By
Betim GashiNjë projekt kundërthënës për një universitet kinez ka rikthyer shqetësimet për rritjen e ndikimit të Pekinit në Hungari dhe ka risjellë në qendër të vëmendjes lidhjet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me Kinën.
Muajin e kaluar, Hungaria ka nënshkruar një marrëveshje strategjike me Universitetin Fudan, për hapjen e një kampusi në Budapest, më 2024.
Marrëveshja do ta sjellë universitetin e parë kinez në Bashkimin Evropian, e për të cilin Qeveria hungareze thotë se do t’i rrisë standardet e arsimit në Hungari.
Por, mungesa e transparencës për projektin dhe zbulimi se Qeveria hungareze po planifikon të marrë një hua të madhe kineze për të ndërtuar kampusin, kanë shkaktuar polemika.

“Derisa Qeveria të sigurojë zbulimin e plotë të të gjitha detajeve të projektit, ne nuk kemi asgjë për të negociuar, që do të thotë se ne nuk do ta japim pëlqimin për ndërtimin e universitetit kinez”, tha për Radion Evropa e Lirë kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony.
Karacsony është një nga kritikët më të zëshëm të projektit. Sipas tij, kampusi i planifikuar vë një barrë të padrejtë financiare mbi taksapaguesit, ndërsa qeveria refuzon t’i zbulojë të gjitha “vendimet, kontratat e lidhura ose në përgatitje, si dhe marrëveshjet strategjike” për planet me Fudanin në Budapest.
Dokumentet e siguruara në fillim të prillit nga Direkt36 – një medium hungarez i gazetarisë hulumtuese – tregojnë se kostot paraprake të ndërtimit të kampusit Fudan janë 1.8 miliard dollarë – më shumë sesa shpenzimet e Qeverisë hungareze për të gjithë sistemin e saj të arsimit të lartë në vitin 2019.
Shteti planifikon të financojë rreth 20 për qind të projektit nga buxheti i tij qendror, ndërsa pjesa tjetër e parave do të sigurohet nga një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze.
Sipas dokumenteve, ndërtimi do të kryhet duke përdorur kryesisht materiale dhe punëtorë kinezë.
Universiteti Fudan, po sipas dokumenteve, ka rënë dakord që Korporata Inxhinierike e Ndërtimit e Kinës – kompania më e madhe e ndërtimit në botë – të konkurrojë për kontratën fitimprurëse.
Zona ku qeveria dëshiron të ndërtojë Universitetin Fudan është zgjedhur më herët për të ndërtuar një Qytet Studenti, që do të siguronte strehim dhe lehtësira të tjera për studentët hungarezë.
Karacsony tha se ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qytetit planifikojnë të organizojnë një referendum për të bllokuar ndërtimin e universitetit.
“[Marrëveshja e bashkëpunimit strategjik] i jep Kinës ndërtesa të mëdha falas. Ajo i shërben zgjerimit të kompanive kineze në Evropë”, tha Karacsony.
Kampusi i propozuar i Universitetit Fudan është manifestimi i fundit i zgjerimit të Kinës në Hungari – gjë që ka nisur prejse Orban është kthyer në pushtet në vitin 2010 dhe ka nisur politikën “Hapja Lindore”
Me këtë politikë synohet kultivimi i lidhjeve të ngushta me Pekinin dhe Moskën, që do të krijonin investime dhe mundësi të reja për Hungarinë, pas krizës globale financiare.
Investimet kineze në Hungari dhe në Evropën Qendrore, në përgjithësi, janë materializuar ngadalë, por Orban ka kultivuar një marrëdhënie të fortë me Pekinin gjatë viteve.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka folur me Orbanin në telefon, më 29 prill. Xi e ka vlerësuar udhëheqësin nacionalist për politikat e tij miqësore ndaj Kinës dhe bashkëpunimin e thellë gjatë pandemisë së koronavirusit, si dhe e ka ftuar atë të vizitojë Pekinin.
“Hungaria është – dhe do të mbetet – pjesa kryesore për angazhimin kinez në Evropën Qendrore dhe kjo është bërë edhe më e vërtetë gjatë pandemisë”, tha për Radion Evropa e Lirë Paul Stronski, nga Instituti Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare.
“Për kinezët, Hungaria është porta hyrëse për në pjesën tjetër të Evropës”, tha ai.
Një hapje e re
Gjetja e balancës së duhur midis gjesteve miqësore ndaj Pekinit dhe ruajtjes së besimit të aleatëve perëndimorë ka qenë një tipar unik i politikës së jashtme të Hungarisë.
Por, ecja nëpër këtë litar të hollë është bërë gjithnjë e më e vështirë për Budapestin gjatë pandemisë.
Vendimi i Qeverisë së Orbanit për të ecur përpara me kampusin Fudan ka ngjallur shqetësime në Uashington. Ambasada e SHBA-së në Budapest ka shprehur rezerva për projektin.
“Hapja e mundshme e kampusit të parë të Universitetit Fudan në Evropë është arsye për shqetësim, pasi Pekini ka një histori të dëshmuar të shfrytëzimit të institucioneve të arsimit të lartë për të fituar ndikim dhe për të ngufatur lirinë intelektuale”, ka thënë Ambasada amerikane në një deklaratë për gazetën hungareze Magyar Hang.
Budapesti gjithashtu e ka gjetur veten në qendër të disa incidenteve me BE-në.
Pas sanksioneve të dyanshme në mars midis Kinës dhe BE-së për abuzime të të drejtave të njeriut në rajonin kinez Ksinjiang, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, i ka cilësuar masat si “të pakuptimta” dhe “të dëmshme”.
Disa ditë më vonë, ministri kinez i Mbrojtjes, Wei Fenghe, ka qëndruar në Budapest dhe ka shfrytëzuar rastin për t’i dënuar sanksionet e BE-së dhe për të vlerësuar qasjen pajtuese të Hungarisë, duke thënë se Pekini “gjithmonë e ka konsideruar Hungarinë si një vëlla të mirë”.
Budapesti gjithashtu raportohet se ka bllokuar një deklaratë të BE-së në muajin mars, që kritikonte ligjin e ri të sigurisë në Hong Kong.
Hungaria është po ashtu i vetmi vend anëtar i BE-së që nuk ka pranuar shqetësimet e mundshme për sigurinë, që paraqesin kompanitë kineze, si Huawei, për rrjetet mobile 5G
Në Budapest ndodhet baza më e madhe e prodhimit e Huaweit jashtë Kinës dhe një qendër e re rajonale e kompanisë për kërkime dhe zhvillim.
Politikanët e opozitës në Hungari kanë shprehur shqetësime për kampusin e propozuar të Universitetit Fudan, duke vënë theksin mbi problemet e mundshme të borxhit dhe mungesën e mundshme të lirisë akademike në institucion.
Katalin Cseh, anëtare e Parlamentit Evropian nga Lëvizja Momentum e Hungarisë, i tha Radios Evropa e Lirë se ajo i ka kërkuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të parandalojë krijimin e kampusit në Budapest, për shkak të rreziqeve më të gjera që mund të paraqesë ai për bllokun.
“Pekini ka nevojë për ‘kuaj të Trojës’ brenda BE-së dhe Qeveria hungareze e ofron Hungarinë vullnetarisht për këtë rol”, tha Cseh.
“Është një rrezik i madh kur një vend i vendos interesat e Kinës mbi interesat e komunitetit evropian, ose mbi interesat e veta”, shtoi ajo.
Midis Kinës dhe BE-së
Tamas Matura, profesor në Universitetin Corvinus në Budapest dhe themelues i Qendrës së Evropës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike, tha se këto veprime duhen parë si gjeste politike ndaj Pekinit dhe jo si ndryshime substanciale politike.
“Në kuadër të betejës së Orbanit me BE-në, ai ka nevojë për një vëlla të madh si Kina”, tha Matura për Radion Evropa e Lirë.
Orbani ka përkrahur atë që e quan “demokraci joliberale” në Hungari. Organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, në raportin vjetor të publikuar në muajin prill, e ka veçuar Budapestin për një “përkeqësim të pashembullt të demokracisë gjatë dekadës së fundit”.
Partia Fidesz e Orbanit është pezulluar nga Partia Popullore Evropiane e Parlamentit të BE-së. Dhe, pas kritikave dhe shqetësimeve të BE-së për sundimin e ligjit në Hungari dhe keqpërdorimin e fondeve të bllokut, vëzhgues si Matura thonë se kryeministri po i përdor marrëdhëniet e tij me Kinën për qëllime të brendshme.
“Asnjë nga këto ide nuk vijnë nga Kina, ato vijnë nga ana e Hungarisë, por natyrisht se Pekini është i lumtur me to”, tha Matura.
Në vitin 2020, Hungaria ka marrë nga Kina një hua 20-vjeçare, në vlerë prej 1.9 miliard dollarësh, për të ndërtuar një hekurudhë, që do të lidhte Budapestin me Beogradin, por projekti mbetet i diskutueshëm, për shkak të vonesave dhe mungesës së transparencës.
Në prill të vitit 2020, Parlamenti i Hungarisë ka votuar për t’i dhënë qeverisë kompetenca të jashtëzakonshme, mbi premisën e luftimit të pandemisë, por institucioni ligjvënës po ashtu ka votuar për t’i mbajtur të gjitha detajet e projektit hekurudhor si të klasifikuara, duke thënë se një gjë e tillë është e domosdoshme për të siguruar kredinë nga Banka Export-Import e Kinës.
Kjo ka bërë që disa kritikë në Hungari t’i vënë në dyshim përfitimet e vërteta nga projekti.
Shqetësimet janë rritur edhe më shumë, pasi kontrata për punën ndërtimore i është dhënë një konsorciumi në pronësi të miliarderit Lorinc Meszaros, njeriut më të pasur të Hungarisë dhe mikut të Orbanit që nga fëmijëria.
Hungaria është vendi i vetëm anëtar i BE-së që ka miratuar edhe vaksinën kineze kundër koronavirusit Sinovac dhe atë ruse Sputnik V, edhe pse këto dy vaksina nuk kanë marrë dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Ky veprim duket se i është shpaguar Orbanit, i cili po përpiqet të rrisë mbështetjen përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022
Deri më 2 maj, Hungaria ka vaksinuar plotësisht 21.5 për qind të popullsisë – gati dyfishin e mesatares së BE-së – dhe ka nisur t’i lehtësojë kufizimet nga koronavirusi.
“Mund të ketë një ndjenjë të kënaqësisë tani me Qeverinë hungareze”, tha Matura.
“Një kënaqësi që lidhjet me Pekinin janë shpaguar, kur atyre u është dashur ndihmë për të luftuar pandeminë…”, shtoi ai.
Marrëveshja strategjike me Universitetin Fudan ka përkuar gjithashtu me ndryshimet e fundit në menaxhimin e universiteteve hungareze, të cilat jo vetëm që transferojnë miliarda në asetet shtetërore të të afërmve me kryeministrin, por gjithashtu mund t’i lejojnë Orbanit dhe mbështetësve të tij të ushtrojnë kontroll afatgjatë mbi arsimin publik në vend.
Njoftimi për Fudanin është bërë edhe pasi Universiteti i Evropës Qendrore – i themeluar nga miliarderi George Soros dhe i konsideruar si një nga institucionet kryesore pasuniversitare të Hungarisë – është detyruar të mbyllet në vitin 2018, pas miratimit të amendamenteve të Ligjit për arsimin e lartë.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka thënë në tetor të vitit 2020 se veprimi kundër universitetit shkel angazhimet e Hungarisë nën Organizatën Botërore të Tregtisë dhe shkel dispozitat e Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore, sa u përket lirive akademike.
Pavarësisht këtij vendimi, Universiteti i Evropës Qendrore mbetet i vendosur në Vjenë.
E gjithë kjo e lë Hungarinë në një kryqëzim derisa përgatitet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, tha Stronski.
Ndryshimet në politikat e brendshme dhe të jashtme të Hungarisë, gjatë dekadës së fundit, janë udhëhequr kryesisht nga Orban dhe nëse ai dhe partia e tij Fidesz humbin në vitin 2022, shumë prej këtyre ndryshimeve mund të përmbysen shpejt.
“Të qenët e Orbanit në detyrë gjatë dekadës së fundit i ka lejuar kinezët të investojnë në të dhe po ashtu në elitën hungareze”, tha Stronski.
“Nëse qeveria i ndërron duart, nuk ka siguri që kjo politikë e Kinës do të mbetet kështu”.
“Nuk ka shumë mbështetje në Hungari për këto politika pro-kineze, përtej Qeverisë aktuale të Orbanit”, tha Stronski.
You may like
Vendi
Caktohen numrat e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit
Published
7 hours agoon
May 16, 2026By
UBTNews
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka hedhur shortin për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Sipas shortit të tërhequr nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje në fletëvotim do ta ketë numrin 116, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të garojë me numrin 125.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë numrin 113, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të paraqitet me numrin 128. Ndërkaq, Partia Socialdemokrate në zgjedhje do të garojë me numrin 129.
Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor të këtij viti.
Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 ulëse në Kuvendin e Kosovës do të garojnë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë.
Kujtesë
Ditari: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 16 maj 1993-1998?
Published
8 hours agoon
May 16, 2026By
UBTNews
Lajmet e datës 16 maj pasqyrojnë jetën reale në Kosovë, në këtë periudhë shumë të rëndë. Nga represioni i përditshëm në fillimvitet e nëntëdhjeta deri te lufta e vitit 1998.
(Foto: Pas gati dhjetë ditësh, u mor vesh se Bahri Fazliu ishte vrarë më 5 maj në kufirin Shqipëri-Mali i Zi, afër fshatit Vuthaj)
16 maj 1994
Lajm i plotë:
Policia plagosi Zekë Hajrizin në oborrin e tij
Më 14 maj, rreth orës 11:00 në fshatin Strofc, policia serbe plagosi në oborrin e tij Zekë Hajrizin (38). Policia shtiu me automatik në Zekën derisa ai po bënte përpjekje për të ikur. Njoftohet se Zekë Hajrizi po kërkohej nga policia që prej dy javësh, nën pretekst se duhej të dorëzonte armën pa leje. Mirëpo ai nuk iu kishte përgjigjur thirrjes për t’u paraqitur në stacionin e policisë në Vushtrri.
Policia pasi e plagosi e dërgoi Zekën në stacionin e policisë në Prilluzhë e më vonë në stacion të policisë në Vushtrri.
Janë keqtrajtuar edhe anëtarët e familjes, duke përfshirë edhe babain Brahim Hajrizin (80) dhe të ëmën Nailen (75).
Anëtarët e familjes së të plagosurit kanë shkuar në spitalin e Mitrovicës për t’u interesuar, por përgjegjësit e atij spitali kanë deklaruar se Zeka nuk është pranuar në spital.
Supozohet se i plagosuri ende mbahet në stacionin e policisë.
Fshati Strofc i komunës së Vushtrrisë ka qenë objekt i ekspeditave të shpeshta ndëshkuese të forcave serbe. Më 14 maj, kur u plagos Zekë Hajrizi, policia bastisi dhe torturoi anëtarët e familjes së Selman Hasanit (djemtë Sokolin, Istrefin, Shabanin dhe Ilmiun), si dhe Ilmi Ademin (me të meta psikike) dhe të miturin Bekim Ademi (16).
Lajme të tjera:
Kryetari Rugova viziton disa vende evropiane
Të shtunën përfundoi “Mitingu i poezisë ’94”
“Deili Telegraf”: Presidenti shqiptar kërkon zgjidhjen e çështjes së Kosovës
Represioni në Kosovë
Nga shtëpia e shëndetit në Suharekë u dëbuan 11 punëtorë
Beogradi i shqetësuar për natalitetin e lartë të shqiptarëve në Kosovë
Drama shqiptare e TPK-së nuk merr pjesë në takimet “Joakim Vujiq”
Ballkani duhet t’u takojë vendeve të rajonit
Shqiptarët u akuzuan për marrëdhënie të këqija ndërnacionale në Medvegjë
Kosova është nën kontrollin e rreptë policor e ushtarak të Serbisë
16 maj 1995:
Lajm i plotë:
Ushtria serbe vrau një shtetas të Shqipërisë dhe plagosi një tjetër
Të shtunën (më 13 maj) në orën 17,30, në rajonin e piramidës kufitare D-14/2, rreth 30 metra thellësi të territorit të Shqipërisë, dy ushtarakë serbë vranë me armë zjarri Ferid Ramadan Vllaçën, 31-vjeçar dhe plagosën Meflan Halilhoxhën 48-vjeçar nga fshati Pakishtë, rrethi i Kukësit.
Në njoftimin e TVSH-së thuhej se ishin takuar ekspertët e dy vendeve dhe se ata kishin konstatuar se të dy bashkëfashtarët ishin qëlluar në befasi dhe pa asnjë shkak derisa kullosnin bagëtinë në territorin shqiptar.
Këtë e vërtetuan edhe provat materiale në vend të ngjarjes, njollat e shumta të gjakut rreth 30 metra në thellësi të territorit shqiptar si dhe një numër gëzhojash të armëve automatike në përdorim të ushtrisë serbe pesë deri gjashtë metra në thellësi të territorit shqiptar.
Lajme të tjera:
UE – me forca speciale për raste krizash
Ushtrime të përbashkëta të forcave speciale detare shqiptare e amerikane
Procesi ndaj Nevzat Halilit vazhdon pasnesër
Edhe dy ish-policë mohuan akuzën në Gjilan
Gjykimi i ish-policëve shqiptarë në Prizren vazhdon më 25 maj
Vazhdon paraburgimi i veprimtarëve në Kaçanik
Përfundoi Festivali i dhjetë i filmit shqiptar
Në Stokholm mbahet seminari për çështjen shqiptare në Ballkan
Dy mësimdhënës të SHMT “M. Beçikemi” në Vushtrri u dënuan me nga 10 ditë burg
Bastisje të policisë serbe në komunën e Podujevës
Java e rinisë evropiane në Strasburg
Përkujtohet shkrimtari Rexhep Elmazi
Beogradi përpiqet të krijojë problemin e paqenë të serbëve në Shqipëri
Gazetat serbe paralajmërojnë vendosjen e 10 mijë refugjatëve serbë në Kosovë
Pandeli Majko: “Për Kosovën të gjithë jemi të një mendimi”
Mitrovicë: Një shqiptarë u mor për herë të tetë në polici
Në Kosovë një rast i etheve hemorragjike
16 maj 1997:
Lajm i plotë:
Vrasja e qytetarit nga Gurbardhi i Malishevës ende e pasqaruar
Pas vrasjes në rrethana të pasqaruara me armë zjarri më 13 maj të Kapllan Isuf Berishës (50), nga Gurbardhi i Malishevës, KI i Degës së LDK-së në Malishevë, sjell informata plotësuese.
I ndjeri në ditën kritike kishte dalë në fushë dhe nga persona të panjohur vritet me tre plumba nga pushka e gjuetisë, ndërsa trupi i tij është gjetur të nesërmen rreth orës 5:00.
Të afërmit e të ndjerit theksojnë se nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, pasi ai nuk kishte raporte të këqija me askënd.
Të përkujtojmë se viteve të fundit, policia serbe ka bastisur disa herë shtëpinë e të ndjerit Kapllan I. Berisha, si dhe e ka keqtrajtuar fizikisht me pretekst të kërkimit të armëve.
Pardje, policia serbe ua ka konfiskuar pushkët e gjuetisë katër vetave, ndërsa pronarët e tyre i ka urdhëruar që të paraqiten në polici. Bëhet e ditur se policia ka gjetur dy nga tre gëzhojat e plumbave me të cilët është vrarë Kapllani.
Lajm i plotë
Dhuna e përditshme në Kosovë
Gjilan: – Më 6 maj, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve kërkoi në shtëpitë e tyre babë e bir Nazim e Jakup Halitin nga Dobërçani.
Po këtë ditë, në stacionin e policisë serbe në Gjilan u mor në pyetje Sadri Daku, kryetar i Nëndegës VII të FR të LDK-së në Gjilan. Ai nga inspektorët serbë u pyet për një vizitë të tij kohë më parë në Shqipëri, si dhe u pyet për aktivitetin e Forumit të Rinisë. Atij iu kthye pasaporta e cila i qe marrë kohë më parë, ndërsa nga inspektorët serbë u kërcënua se në rast se vazhdon të merret me aktivitet do të likuidohet!
Pardje, në të ashtuquajturën bisedë informative u thirr edhe Naip Rexhepi, nënkryetar i Nendegës së LDK-së në Malishevë. Meqë ai nuk gjendej në shtëpi, policët serbë urdhëruan nënën e tij që Naipi të paraqitet në polici.
Lipjan: – Dje, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpinë e Elvis Selimit (20) në Banullë të Lipjanit. Meqë ai nuk gjendej në shtëpi, policia urdhëroi anëtarët e familjes së tij që Elvisi të paraqitet në stacionin e policisë serbe në Lipjan.
Njoftohet se Elvis Selimi është keqtrajtuar rëndë.
Istog: – Më 11 maj, policia serbe, me pretekst të dorëzimit të armëve mori në shtpinë e tyre babë e bir Hajriz e Hamdi Idrizajn nga Zhakovci, të cilët u dërguan në stacionin e policisë serbe në Istog. Nga Hamdiu policia kërkoi edhe një thikë, ndërsa më vonë edhe e keqtrajtoi fizikisht.
Po këtë ditë, në postkomandën e policisë serbe në Rakosh u mor në pyetje edhe Izet Haxhijaj nga Rakoshi.
Më 14 maj, policia mori në pyetje edhe Nexhmedin Haxhiaj (25) nga Rakoshi, i cili pa kurrfarë shkaku është keqtrajtuar fizikisht.
Pardje policia serbe mori në pyetje Nazmi Bytyçin, arkatar i KKF-së në Istog. Ai është pyetur kryesisht për punën e tij në KKF të Istogut, si dhe është urdhëruar që të paraqitet sërish më 16 maj në polici.
Vushtrri: – Dje, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ishte në familjet e vëllezërve Beqir, Shaqir e Shaban Begu në Vushtrri. Ata u kërcënuan se nese nuk i dorëzojnë armët, policia do t’i kërkojë sërish.
Më 11 maj, policia serbe me pretekst se i ka dëmtuar pyjet, ishte në shtëpinë e Shaqir Asllanit në Beçuk. Ai u urdhërua që të paraqitet në polici së bashku me djalin e tij Sabriun, të cilët në polici u maltretuan rreth katër orë.
Mitrovicë: – Nga 30 prilli deri më 10 maj të këtij viti për çdo të dytën ditë është urdhëruar që të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë, Jetullah Hajdrai (42) nga lagjja Tavnik e Mitrovicës. Njoftohet se z. Hajdari po thirret me pretekst të dorëzimit të armëve.
Malishevë: – Gjatë muajit të kaluar policia sebe postkomandës së Kijevës dhe ajo e Rahovecit, me pretekst të kërkimit të armëve ishin në katër familje shqiptare.
Bëhet e ditur se në Drenoc të Malishevës janë bastisur dy familje, me të njëjtin pretekst, ndërsa gjatë muajit që shkoi policia ka kërkuar dhe ka mbajtur në stacionin e policisë nëntë veta nga kjo komunë.
Lajm i plotë:
Një qytetar nga Panorci i Malishevës u mor 25 herë në polici
Banush Sahitaj (60) nga Panorci, tash një kohë është në shënjestër të policisë serbe dhe ai deri tash është marrë në polici dhe është keqtrajtuar fizikisht rreth 25 herë, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Njoftohet se vitin e kaluar qytetarët serbë e malazezë ia kanë prerë mbi 1 hektar pyje, me pretekst se hapësira pyjore nuk ishte e tij!
Lajm të tjera:
Konferencë me gazetarë e kryetarit të Republikës dr. Ibrahim Rugova
Biseda rreth arsimit shqip në UNESCO
PE kërkon hapjen e Zyrës Informative në Prishtinë
KMDLNj: Në Kosovë, gjatë prillit, u vranë 3 dhe u keqtrajtuan 272 persona
Në Prishtinë filloi dënimi me burg i shqiptarëve që kanë blerë prona serbe
Parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin e zgjedhjeve, socialistët nuk morën pjesë në votim
Në Shqipëri krijohet Bashkimi për Demokracinë
U identifikua viktima e vetme e gjetur nga tragjedia e Otrantos
Shefi i ushtrisë serbe qëndroi në brezin kufitar me Shqipërinë
Festivali i recituesve “Presheva ’97” do të mbahet nga 22-24 maj
Mbahet Mitingu i 34-të i Poezisë
Tërmet në Shqipëri
Nga Instituti i Zveçanit inxhinierët shqiptarë largohen nga vendet e tyre të punës
16 maj 1998
Ora 14:30:
Lajm i plotë:
Forcat serbe vranë dy shqiptarë në Çitak të Skënderajt
Rifat Çitaku (55) dhe nipi i tij Muhameti (24) nga fshati Çitak u vranë dje rreth orës 10:00 nga pjesëtarët e forcave serbe që udhëtuan me një konvoj prej rreth 100 automjetesh nga Mitrovica në Skënderaj e pastaj në Rakosh të Istogut. Gjysh e nip u vranë pas shpine duke ikur nga pjesëtarët e forcave serbe.
Fadil Geci, kryetar i nëndegës së LDK-së në Llaushë i tha QIK-ut se forcat serbe ndërmorën dje prej orës 10 deri në 18:00 një aksion kundër fshatrave Çitak e Padalishtë. Z. Geci tha se për pasojat e aksionit në Padalishtë nuk ka të dhëna, ndërsa policia ka hyrë në fshatin Çitak dhe ka plaçkitur shtëpitë. Beqir Çitakut, i janë marrë dy vetura kombi Volsvagen me regjistrim dhe dokumente në rregull dhe çdo gjë e vlefshme në shtëpi. Beqirin e kanë marrë në stacion dhe e kanë kërkuar djalin e tij Naserin dhe i janë kërcënuar se gjoja në shtëpinë e tij po mban terroristë.
- Geci tha se janë gjtuajtur me armë shtëpitë e Hysen, Bajram, Shaqir, Sadri, Hamdi, Halit dhe Hajzer Çitakut.
Në një njoftim të Degës së LDK-së në Skënderaj thuhet se policët serbë vepruan në fshatin Çitak në stilin e hajnave, duke vjedhë çdogjë me vlerë nga shtëpitë e Zenel Sadik Loshit, Adem Tahir Shalës, Imer Hasan Shalës, Xhevdet Kadri Loshit, Gani Shalës, Haxhi Metë Zeqirit dhe Alush Qazim Loshit, të cilit ia plaçkitën veturën e tipit “Golf dysh”.
Në këtë njoftim thuhet se me plumbë pushkësh është goditur shtëpia e Demë Hasan Loshit, por për fat të mirë nuk është vrarë kush.
Në shtëpinë e Adem Shalës, pas kryerjes së aksionit, policia serbe me shkronja shqipe ka shkruar “UQK”. Dyshohet se në mesin e policëve ka pasur edhe kolaboracionistë shqiptarë nga komuna e Istogut.
Varrimi i dy personave të vrarë do të bëhet sot në varrezat e fshatit Çitak në ora 15.
Lajme të tjera:
Nuk është i saktë pohimi i mediumeve serbe për tre shqiptarë të vrarë në Rakosh
Granatime të fshatrave Kopiliq, Turiçec e Vojnikë
Thyerje të lokaleve zejtare në Skënderaj
Gjendje e rëndë në Deçan – sërish të shtëna drejt Baballoqit
Në hyrje të Podujevës policia keqtrajton kalimtarët
Nuk lejohet hyrja e kamionëve me mall në Kosovë
Snajperistët serbë u vendosën në një shtëpi të pabanuar në afërsi të Rahovecit
Rahovec: Policia serbe kidnapoi familjen shtatanëtarëshe të Zeqir Krasniqit
Në Rahovec nuk u mbajt protesta gjithëpopullore
Policët serbë shtinë në drejtim të fëmijëve
Kaçanik: Midis fshatrave Gërlicë e Epërme dhe Gabrricë policia serbe ka shtënë me armë zjarri
Lajm i plotë:
Bahri Fazliu u vra më 7 maj në Plavë
Në zonën e kufirit me Shqipërinë, në Plavë, më 7 maj është vrarë Bahri (Rrahman) Fazliu nga fshati Llaushë i komunës së Podujevës.
Siç njoftoi mbrëmë Televizioni Shqiptar, Bahriu ishte anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në njoftim thuhej se ai ra heroikisht duke luftuar me forcat e agresorit serb.
Në njoftim thuhet se varrimi i tij do të bëhet në vendlindjen e tij, në Llaushë të Podujevës, pranë eshtrave të vëllait të tij Fahriut, i cili po ashtu ra heroikisht në vitin 1989, ndërsa për këtë opinioni do të njoftohet me kohë.
Organet e ushtrisë jugosllave Bahri Fazliun e kishin identifikuar si Fatmir Gashi. Trupi i tij pa jetë është mbajtur disa ditë në morgun e spitalit në Berane të Malit të Zi.
Ndërkohë, gazeta “Bujku” njofton sot se trupi i pajetë i Bahri Fazliut është varrosur pardje në varrezat e fshatit Vuthaj të komunës së Plavës me të gjitha nderimet tradicionale të shqiptarëve të kësaj ane.
Lajme të tjera:
Në protestën gjithëpopullore në Prishtinë morën pjesë rreth 100 mijë shqiptarë
Aeroplanët vëzhgues amerikanë “avaks” mbi territorin e Maqedonisë
Në Gostivar u varros polici maqedonas që ka luftuar në Drenicë
Shtatëvjeçari i plagosur – në shok dhomë
Të shtëna sporadike në Morinë, Ponoshec e Smolicë
Drejtuesit e Zyrës së Republikës së Kosovës në Bruksel u prit Senatin e Belgjikës
Raport mbi shkeljen e të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë gjatë muajit prill 1998
Të shtëna të policisë serbe midis fshatrave Gërlicë e Epërme dhe Gabrricë
UPSUP e çmon të papranueshëm dialogun pa ndërmjetësim ndërkombëtar
Civilët serbë keqtrajtuan dy të rinj shqiptarë
Policët serbë rrahën Bekim Sumën në Han të Elezit
Lajmet
Prof. Blerim Canaj në “InsidePolitics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave
Published
1 day agoon
May 15, 2026By
UBT News
Në podcastin “InsidePolitics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.
Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.
“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.
Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.
Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.
Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.
Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.
“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.
Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.
Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.
“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.
Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.
Aktualitet
Vizita e Marta Kos në Prishtinë: BE kërkon stabilitet politik, Kurti insiston në statusin e kandidatit
Published
1 day agoon
May 15, 2026By
UBTNews
Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka zhvilluar vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, ku ka përcjellë një mesazh të qartë për spektrin politik që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe për të formuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të qershorit. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kos u prit fillimisht nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe më pas zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, komisionarja Kos vuri theksin te rëndësia e stabilitetit të brendshëm për procesin e integrimit evropian. Ajo bëri një thirrje të qartë për të gjithë aktorët politikë që të gjejnë një mënyrë për të kthyer stabilitetin institucional dhe kërkoi që, pas formimit të Kuvendit të ri, liderët të bashkohen për të zgjedhur edhe presidentin e ri përmes kompromisit.
Kos vlerësoi se Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane dhe deklaroi se nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën. Megjithatë, ajo tërhoqi vërejtjen se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka krijuar një vit të humbur më 2025, duke ngadalësuar reformat kyçe dhe duke rënduar buxhetet shtetërore. Vizita e saj vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 7 qershor, të cilat janë të tretat me radhë që nga fillimi i vitit 2025.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi takimin si produktiv dhe të drejtpërdrejtë, duke e shfrytëzuar rastin për të ngritur sërish çështjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me bllokun.
Kurti kujtoi se kanë kaluar mbi 40 muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe se mbështetja publike për BE-në në vend qëndron vazhdimisht rreth 90%, duke qenë ndër më të lartat krahasuar me vendet e tjera. Ai po ashtu paralajmëroi se vakumi që lë Bashkimi Evropian në rajon synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeq që minojnë vlerat evropiane dhe rrezikojnë sigurinë e përbashkët, prandaj kërkoi që BE-ja të shtyjë përpara unitetin e brendshëm për avancimin e merituar të Kosovës.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat që nga aplikimi i saj më 15 dhjetor të vitit 2022. Përveç krizës së brendshme politike, një nga pengesat kryesore për përparimin e saj mbetet mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtetet anëtare të bllokut, që janë Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Kjo ishte vizita e parë e Marta Kosit në Kosovë që nga marrja e mandatit të saj në Komisionin Evropian më 1 dhjetor 2024. Që nga ajo kohë, ajo kishte vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit, ndërsa mungesa e një vizite në Prishtinë gjatë vitit 2025 ishte arsyetuar nga zyrtarët evropianë me krizën politike dhe mungesën e institucioneve funksionale.
Caktohen numrat e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit
Ditari: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 16 maj 1993-1998?
Prof. Blerim Canaj në “InsidePolitics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave
Vizita e Marta Kos në Prishtinë: BE kërkon stabilitet politik, Kurti insiston në statusin e kandidatit
Drake publikon tre albume njëherësh, në mesin e tyre edhe një artiste shqiptare
REL: Shqipëria bëhet gati për të dërguar trupa në Gazë
Trump dhe Xi mbyllin samitin pa marrëveshje konkrete tregtare
Vdes Alush Gashi, një nga themeluesit e LDK-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë
Sorrentino: një botë vetëm me artistë do të ishte më e lumtur
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
-
Lajmet3 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
