Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.
Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.
Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.
Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.