Një protestë është thirrur për sot, më 15 gusht, para objektit të Gjykatës Themelore në Gjilan – disa ditë pas vrasjes së trefishtë që ndodhi në këtë qytet.
Qendra sociale “Përpjekja” tha se këtë protestë po e thirrin “kundër sistemit të kalbur të drejtësisë”. Protesta është paralajmëruar për në orën 19:00.
“Sistemi i drejtësisë po vret”, thuhet në thirrjen për protestë.
Më 10 gusht në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një vrasje e trefshitë. Tre persona të dyshuar vazhdojnë të jenë në arrati.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e këtij rasti tragjik.
Sipas gjykatës, Mefail Shkodra – i dyshuari kryesor për vrasjen e trefshitë – ka pasur në të kaluarën tri lëndë penale.
Pas rastit në Gjilan ka pasur reagime nga përfaqësues të institucioneve. Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet kompetente që sa më parë t’i kapin autorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Deri më tash janë suspenduar katër zyrtarë policorë.
Gjykata Themelore në Gjilan tha më herët se ndaj personit të dyshuar, Mefail Shkodra, nuk ka lëndë aktive në këtë institucion. Sipas njoftimit të gjykatës, Shkodra ka pasur tri lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues.
Ndërkaq, sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, gjykata tha se nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.
Gjykata Themelore në Prishtinë tha më vonë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha për KosovaPress se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës.
Ndërkaq, Ministria i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor që të nisin procedurat disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të përfshirë.