Lajmet

Hovenier: Ka ende punë për zgjedhjet e reja në veri

Kjo për t’u krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri.

Published

on

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë se është afër depërshkallëzimi i situatës në veri, përkundër që dje kryengociatori kosovar Besnik Bislimi dhe emisari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak potencuan se kanë arritur një pajtueshmëri për disa hapa fillestarë për arritjen e një zgjidhjeje në veri.

Megjithatë, ai nënvizoi nevojën që de-eskalimi i situatës në veri të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që t’i hapet rrugë zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Përkitazi me këtë, ambasadori Hovenier, në një konferencë për medie, pas pjesëmarrjes në një aktivitet arsimor në Pejë, tha se pala kosovare duhet të pranojë planin trepikësh të BE-së për deeskalim, derisa përsëriti nevojën për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri.

Por theksoi se ka ende shumë punë për të bërë për t’u krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri.

“Gjithçka që mund të them është se nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara është shumë e rëndësishme, dhe mund ta përsëris atë që kemi thënë disa herë, që është shpresa për të parë një depërshkallëzimin e plotë në veri. Ne duam të kthehemi në atë që është vërtet e rëndësishme, puna për të parë zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët, dhe kjo do të thotë se ne duam të shmangim pika të tensionit apo kriza të reja që pengojnë përpjekjet tona për të parë zbatimin e kësaj marrëveshjeje vërtet të rëndësishme strategjike në të mirë të Kosovës, në dobi të sigurisë rajonale… Por ekziston gjithashtu nevoja për t’u kthyer në zgjedhje të reja për katër kryetarët e komunave dhe katër kuvendet komunale në veri, me pjesëmarrjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës në veri… Ka ende shumë punë për t’u bërë, për të krijuar kushtet për zgjedhje të reja në veri, dhe kështu kam hezituar t’ju jap një afat, por sigurisht mendoj se kjo duhet të merret si çështje urgjente”, tha ai.

Krahas kësaj, ambasdori Hovenier, tha nuk mund të ndajnë përqindjen e përgjegjësisë për tensionet në veri, por tha se Qeveria e Kosovës me disa vendime i ka kontribuar përshkallëzimit të situatës atje.

Megjithatë, shtoi se edhe Serbia është përgjegjëse për tensionimin e situatës në veri.

“Ajo që do të thosha është se nuk jam i sigurt se po caktojmë përqindje të përgjegjësive për situatën në veri. Jam në dijeni në lidhje me shqetësimet tona për disa nga zgjedhjet e bëra nga Qeveria e Kosovës në fund të majit që mendojmë se kanë kontribuar shumë në përshkallëzimin e tensioneve në veri. Unë nuk do të them se vetëm Kosova është përgjegjëse për situatën në veri, nuk është, dhe pjesë e bisedës sonë me Beogradin dhe me akterët e tjerë është se si të depërshkallëzojmë situatën, por pyetja se cilat janë mjetet tona për të inkurajuar Beogradin të bëjë atë që duhet të bëjë është një pyetje për kolegun tim në Beograd dhe jo për mua”, tha ai.

Ai theksoi se Kosova mund të ushtrojë sovranitetin e plotë në tërë territorin e vendit, por veriu është më i komplikuar. Për atë, sipas tij, duhet një koordinim më i madh me partnerët ndërkombëtarë për të evituar tensionet atje.

“Unë do të them se Shtetet e Bashkuara mbeten po aq të përkushtuara sa kanë qenë ndonjëherë për ta parë Kosovën të arrijë objektivat e saj, dhe ajo që dua të them me këtë është se ne qëndrojmë të fortë, sapo thashë në komentet e mia më herët sot, pas një Kosove sovrane, të pavarur, demokratike, multietnike që zë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe ne po bëjmë shumë punë për ta çuar përpara. Kjo do të thotë gjithashtu se Kosova përfundimisht do të ushtrojë sovranitetin e saj, veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe kështu mënyra se si Qeveria e Kosovës apo qeveritë e ardhshme të Kosovës e menaxhojnë situatën në veri, është diçka shumë e ndjeshme, dhe është diçka që ne duam të sigurojmë që të koordinohemi ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të shmangim tensionet ose momentet e krizës që imponojnë punën tonë afatgjatë së bashku për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët se a do të merren masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë për mosrespektim të marrëveshjes bazë me Kosovën, ai tha se për këtë çështje mund të flet përfaqësuesi i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escboar.

“Unë jam ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, flas shumë për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës duke përfshirë pasojat për Kosovën apo mundësitë e fundit për Kosovën, apo mundësitë e arritura për Kosovën në lidhje me punën me partnerët e saj. Unë dhe preferoj ta mbaj kështu. Pra, pyetja se çfarë mund të bëjnë ose jo Shtetet e Bashkuara në lidhje me Serbinë, mendoj se është një pyetje që duhet drejtuar z. Escobarit, i cili është i dërguari special i SHBA-së për rajonin, ose ambasadorit Hill në Beograd”, deklaroi Hovenier.

Ndërkaq, sa i përket rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe javë më parë, ambasadori Hovenier tha se i është gëzuar lirimit të tyre pa kushte, por nuk dha një qëndrim se a janë rrëmbyer ata brenda territorit të vendit.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të thonë më shumë sesa ka thënë publikisht KFOR-i dhe çfarë ka thënë publikisht komandanti i KFOR-it për rrethanat. Unë do të them nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, ne jemi shumë të lumtur që ata tre policë janë kthyer në shtëpi me familjet e tyre… Ata duhej të liroheshin pa kushte dhe ne jemi shumë të kënaqur që kjo ndodhi”, shtoi ai.

Në anën tjetër, pasi u pyet nga gazetarët ambasadori Hovenier, foli edhe në lidhje me audio-incizimet ku janë përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Slavko Simiq, si dhe është përmendur Milan Radojiçiq.

Hovenier nuk ka pranuar të flasë shumë, por ka theksuar se Radojçiq është në Listën e zezë të ShBA-së.

“Nuk mund të flas për politikën e brendshme me implikimet, mund të them vetëm se shpeshherë liderët politikë në parlamente bëjnë biseda të rëndësishme me akterët e opozitës për të arritur rezultate, vetëm kaq mund të them. Për sa i përket  z. Radojiciq pasi që ju përmendët emrin e tij, dua të përsëris se duket se ka një keqkuptim se çfarë do të thotë të caktohesh nga Thesari i Shteteve të Bashkuara, sepse ai është caktuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara, dhe ne kemi një deklaratë publike nga Thesari i Shteteve të Bashkuara që thotë se ky individ është dikush që ne e kemi caktuar, i cili i është nënshtruar sanksioneve të Shteteve të Bashkuara si rezultat i konstatimit tonë se ai është i lidhur me krimin e organizuar. Ne besojmë se ai është i lidhur me krimin e organizuar, ai është caktuar dhe kjo do të thotë se llogaritë e tij bankare që ai mban në Shtetet e Bashkuara janë të ngrira, kjo do të thotë se kushdo që bën biznes tregtar me të mund të jetë subjekt i pasojave të departamentit të Thesarit të shtetit gjithashtu”, përfundoi ai.

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara