Lajmet

Hoti-Muratit: Mungesa e rezultateve të ka bërë agresiv

Sipas Muratit, deputetët e LDK-së duhet të diskutojnë mes vete pasi ndajnë qëndrime të ndryshme.

Published

on

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përsëri sot e mori fjalën ministri i Financave Hekuran Murati.

Ai tha se për marrëveshjen për reforma në asistencë sociale me Bankën Botërore deputetët e LDK-së duhet të diskutojnë mes vete pasi ndajnë qëndrime të ndryshme.

“Në njërën anë deputeti Hoti thotë se nuk miratojmë marrëveshje për transfere sociale kurse anën tjetër zotëri Zemaj thotë se kjo marrëveshje nuk është për transfere sociale, por për çështje tjera… U përmend çështja e Trustit, pra më tregoni se thatë që do të mbështeten familjet me asistencë sociale ata që punojnë pak e studentët e pensionistët. Sa (para) kanë në Trust familjet me asistencë sociale zero, sa ka trust një student? Zero ka Trust, një pension zero. Pra sa kanë (para në) Trust ata që punojnë me pagë minimale. Mund t’i kenë 100 euro”, tha ai.

Murati madje kërkoi një sqarim juridik nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri rreth vendimit të Apelit për energjinë elektrike.

“Më tregoni saktë i nderuar jurist deputeti Tahiri a është anuluar apo pezulluar vendimi, sepse ju thatë se është anuluar. Si jurist, ju lutem tregoni se e keni merituar titullin dhe nuk e keni vetëm sa për sy e faqe?”, tha ai.

Pas kësaj, Tahiri ia rikujtoi ministrit Murati se ai nuk është jurist me profesion, ndërsa shtoi se qytetarët me vendimin e Apelit nuk do ta paguajnë energjinë me tarifa të shtrenjta.

“Vetëm po të korrigjoj nuk jam jurist. E rëndësishme është që qytetarët nuk do t’i paguajnë tarifat e shtrenjta që i keni përcaktuar ju, me organin tuaj të quajtur ZRRE dhe bashkë me presidenten Osmani kjo është më e rëndësishmja që qytetarët nuk do t’i paguajnë energjinë elektrike me tarifat e vjetra. Tendenca për haraç në formë ligjore që në fund doli të jetë jo ligjore që t’iu shtrenjtohet rryma 450 mijë familjeve në Kosovë, sot i nderuar ministër Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Themelores për të mos implementuar vendimin”, tha ai.

Pas kësaj reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i cili iu drejtua deputetit të PDK-së, duke i thënë se po përpiqet të shantazhojë me greva dhe protesta.

“Është hipokrizi e paprecedentë. Përsëri po na flet dhe po na lexon vendimet që nuk janë marrë ende nga gjykata. Kjo çështje e energjisë elektrike është fall. Ç’është e vërteta nuk qëndron, nuk ka vendim. Po flet për një masë të përkohshme”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti u shpreh se është hera e parë që një ministër i Financave sjell në Kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për të marr kredi për asistencë sociale. Ai tha se mungesa e rezultateve Muratin e kanë bërë agresiv.

“Është hera e parë që një ministër i Financave të sjellë në Kuvend një marrëveshje për të marrë kredi për asistencë sociale në kushtet kur nuk ka asnjë nevojë nuk mund ta krahasosh me vitin 2020, sepse ka pasur minus 6 milionë të hyra për shkak të mbylljes nga pandemia…Kam përshtypjen që mungesa e rezultateve të kanë bërë ministër shumë agresiv, ti ke qenë bashkëpunëtor imi”, tha ai.

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara