Aktualitet

Hoti: Integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ‘’Vjena dialogu për të ardhmen 2020’’ me moton “Ekonomia takon politikën në botën digjitale’’.

Në këtë forum ku u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit, Hoti tha se përkundër pandemisë Covid-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast shefi i Qeverisë theksoi se beson fuqishëm se pas zotimeve në Samitin e Sofjes, javën e kaluar, integrimi i tregut është hapi i parë drejtë pajtimit politik të rajonit. Duke nënvizuar se qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyçe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në BE, të gjithë rajonit.

Kosova, tha kryeministri Hoti, është e vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe pret qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik, shtoi ai.

Shefi i Qeverisë në Forumin Ekonomik të Vjenës, theksoi se Kosova pret që integrimi rajonal i Ballkanit Perëndimor të përmirësoj perspektiven drejt zgjerimit të BE-së dhe jo të zëvendësojë atë. Ai nënvizoi se, bashkëpunimi multilateral ekonomik kërkon zotime të përbashkëta për tregun e përbashkët, ide kreative dhe projekte të përbashkëta ekonomike.

Hoti foli edhe për projektet konkrete të bashkëpunimit multilateral me të cilat promovohen katër liritë: shërbimet, kapitali, idetë si dhe liria e dijës dhe e hulumtimit.

Duke komentuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, po ashtu Hoti theksoi se Kosova është e përkushtuar që të rrisë kapacitetet absorbuese, të thellojë bashkëpunimin me këto vende, partnerët ndërkombëtarë dhe Komisionin Evropian, me qëllim që të përfitojë nga projektet për investime./UBTNews

Vendi

Kurti nis takimin me Abdixhikun, në përpjekje për zhbllokimin e institucioneve

Published

on

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur takimin konsultativ me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku në takim është shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ndërkohë, Kurti ka marrë pjesë në takim së bashku me nënkryetaren e LVV-së, Arbërie Nagavci, dhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Para takimit, Kurti është shprehur optimist se bisedimet me LDK-në do të mund të kontribuojnë në ecjen përpara dhe në konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

“Do të shohim se si do të mund të ecim përpara bashkë që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive”, ka deklaruar Kurti.

Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të partive politike për tejkalimin e ngërçit institucional dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i hapte rrugë funksionalizimit të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Asociacioni i Komunave paralajmëron protestë para Qeverisë më 1 shtator

Published

on

By

Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që më 1 shtator, në orën 11:00, të organizojë një protestë përballë ndërtesës së Qeverisë në Sheshin “Skënderbeu”.

Përmes një njoftimi zyrtar në Facebook, AKK bëri të ditur se protesta organizohet për mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe për kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe detyrimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive. Po ashtu, kërkohet zbatimi i normës së përvojës së punës prej 0.5 për qind nga buxheti qendror, financim i drejtë për komunat dhe ndalimi i ndërhyrjeve të nivelit qendror në autonominë lokale.

Lidhur me këtë vendim, Asociacioni i Komunave të Kosovës deklaroi zyrtarisht: “Protesta do të jetë paqësore, institucionale dhe jopartiake, në mbrojtje të interesave të Komunave dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Vendimi ka nxitur edhe reagime të ndryshme mes krerëve të komunave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një reagimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë për qasje totalitare dhe për ndëshkimin e komunave që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se komuna e tij nuk do të marrë pjesë në këtë protestë, duke deklaruar se Rama nuk mund të flasë në emër të të gjithë kryetarëve të komunave. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Lumbardh Dellova shkëlqen në debutim: Përfshihet në formacionin e javës në Turqi

Published

on

By

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Lumbardh Dellova, ka ecur me hapa të sigurt drejt suksesit që në ndeshjen e tij të parë zyrtare në futbollin turk. Paraqitja e tij impresione me fanellën e Amedsporit i ka siguruar një vend me meritë në formacionin më të mirë të javës së parë të kampionatit.

Në përballjen ku Amedspori triumfoi me rezultat të thellë 3-0 ndaj Erzurumsporit, 27-vjeçari kosovar ishte një nga figurat qendrore në fushën e lojës. Përveç stabilitetit dhe sigurisë absolute që tregoi në repartin defensiv, Dellova dha një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në fazën sulmuese duke asistuar te goli i parë i skuadrës së tij.

Sipas platformës së specializuar të statistikave, Sofascore, Dellova u vlerësua me notën e lartë 8.2. Statistikat e tij gjatë 90 minutave dëshmojnë kontrollin e plotë që pati në lojë: ai kompletoi 72 pasime me një saktësi të lartë prej 91 për qind, si dhe krijoi tri pasime kyçe për bashkëlojtarët e tij.

Kjo paraqitje startuese jo vetëm që e vendos Dellovën në mesin e lojtarëve më të dalluar të raundit të parë në Turqi, por dëshmon edhe formën e tij të shkëlqyer në prag të sfidave të ardhshme si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Rusia paralajmëron Mbretërinë e Bashkuar për “pasoja” pas përdorimit të dronëve britanikë në sulmet brenda territorit rus

Published

on

By

Rusia ka paralajmëruar Mbretërinë e Bashkuar për “pasoja” pas konfirmimit se dronët e prodhuar në Britani janë përdorur në sulmet e fundit ndaj objektivave ushtarake dhe industriale në Rusia. Në një deklaratë zyrtare, Ambasada e Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar e akuzoi Britaninë se “po zgjedh me vetëdije përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, duke shtuar se “sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt… aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.

Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj Moskvës dhe në zona të tjera thellë brenda Rusisë, duke synuar veçanërisht rafineritë e naftës dhe qendrat logjistike të gjigantit të shitjeve online Wildberries. Lidhur me këtë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se qëndrojnë “krahas Ukrainës” dhe shtoi: “Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e kësaj qeverie për t’iu kundërvënë agresionit rus, në Ukrainë dhe kundër Mbretërisë së Bashkuar e aleatëve tanë”.

Rusia e ka kërcënuar edhe më parë Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në furnizimin e Ukrainës me teknologji dronësh dhe raketa “Storm Shadow”. Ambasada ruse tha se “veprimet e Londrës do të sjellin pashmangshmërisht pasoja për të cilat do të duhet të përgjigjet”, por pa dhënë detaje mbi llojin e masave që po shqyrton Moska. Faza e fundit e luftës ka prekur drejtpërdrejt furnizimet me karburant në Rusi dhe ka goditur ekonominë e saj.

Mbretëria e Bashkuar është ndër mbështetëset më të mëdha ndërkombëtare të Ukrainës që nga nisja e pushtimit ushtarak në shkurt 2022. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se Britania mbetet e përkushtuar për të siguruar pajisjet e nevojshme që Ukraina të mbrohet nga pushtimi ilegal i presidentit rus Vladimir Putin. Ndërkohë, Ukraina ka përdorur javët e fundit edhe teknologji vendore të dronëve dhe raketave, përfshirë raketën e lundrimit FP-5 Flamingo.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, forcat ukrainase kanë lëshuar qindra dronë drejt rajonit të Moskvës. Guvernatori rajonal Andrey Vorobyov njoftoi se një vajzë 10-vjeçare u lëndua dhe një depo e platformës Wildberries u dëmtua. Në të njëjtën kohë, 17 persona u vranë nga sulmet ruse në Ukrainë, përfshirë 10 viktima në një fshat në verilindje të vendit.

Dy kompani britanike njihen për prodhimin e dronëve të dërguar në Kiev. Një burim ushtarak konfirmoi për BBC-në se dronët e Mbretërisë së Bashkuar janë përdorur në sulmet e fundit brenda Rusisë, të cilat raportohet se kanë shkaktuar mbi 35 miliardë stërlina dëme ekonomike. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pat deklaruar në vitin 2024 se dronët me komponentë britanikë u përdorën për të sulmuar territorin rus, përfshirë një depo karburanti në rajonin e Rostov-it. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara