Lajmet
Historia e veçantë – Si u bë Suedia vendi më i rrezikshëm në Evropë?
Janë disa aspekte që kanë ndikuar.
Published
5 years agoon
By
UBT newsNga Paulina Neuding “Word Crunch”
Nils Grönberg ishte vetëm 19 vjeç kur u qëllua për vdekje, me një plumb në gjoks dhe një tjetër në fytyrë. Imazhet e trupit të tij të pajetë të shtrirë përtokë në një nga lagjet më të pasura të Stokholmit – zona rezidenciale shumë moderne Hammarby Waterfront – u përhapën me shpejtësi në mediat sociale.
Shumë suedezë e dëgjuan lajmin nga fëmijët e tyre. Nils Grönberg, ose “Einár” siç e quante ai veten, ishte një nga artistët më të njohur në Suedi. Dhe ndërsa suedezët e shtresës së mesme vazhdojnë të shpresojnë që fëmijët e tyre të qëndrojnë larg asaj që po ndodh midis bandave kriminale, vrasja e Einár-it vërtetoi edhe një herë se ky është një kaos, nga i cili mund të preken të gjithë.
Shumë prindër u befasuan kur zbuluan se fëmijët e tyre, kishin teoritë e tyre të ndërlikuara se kush ishte autori i vrasjes, bazuar tek ajo që ata dinin nga tekstet e reperit të njohur mbi konfliktet në botën e krimit në Stokholm. Dhe banorët e Hammarby-it, nuk ishin të parët që zbuluan se edhe të pasurit e kanë të vështirë të shmangin dhunën e bandave.
“Reperi gangster suedez”, mund të tingëllojë si një personazh i Sacha Baron Cohen. Por kjo rrymë muzikore është shumë e lidhur me luftërat midis bandave kriminale në vend. Me tekste të dhunshme, të cilat vështirë se mund të dallojmë nga mesazhet rekrutuese të Shtetit Islamik, repi përdoret për të ndërtuar markat e bandave kriminale, dhe për të treguar aftësinë e tyre për të ushtruar dhunë.
Einár, që kishte shumë precedentë penale, pavarësisht moshës së tij të re, bënte rep mbi pistoletën e tij Glock, mbi vrasjen e “minjve”, dhe madje shfaqej me granata dore në një nga videoklipet e tij. Reperi “Cuz”, që shfaqet në të njëjtën video, ishte dënuar më parë me 2 vite burg.
Pavarësisht kësaj ai është fotografuar me aktivisten e mjedisit Greta Thunberg. Por Einár dallohej nga reperët e tjerë gangsterë, pasi ai ishte fëmijë i 2 prindërve me origjinë suedeze, pjesë e elitës kulturore të vendit. Nëna e tij është një aktore e njohur, dhe vetë Einár mori pjesë kur ishte fëmijë në një shfaqje në Teatrin Mbretëror Dramatik në Stokholm.
Ai përmendte si frymëzim reperin e famshëm amerikan Eminem. Por ishte viktimë e dhunës së bandave edhe para ekzekutimit. Vitin e kaluar ai u rrëmbye, u abuzua seksualisht, u rrah dhe u fotografua nga një grup tjetër reperësh gangsterë, të cilët u përpoqën ta zhvatnin, duke kërkuar një shpërblim prej më shumë se 250.000 paund britanikë, teksa shpërndanë në mediat sociale foto poshtëruese për të.
Po ashtu u raportua mbi një përpjekje për të vendosur një bombë para shtëpisë së Einár. Por në përputhje me rregullat e gangsterëve, Einár refuzoi të merrte pjesë në hetimin e policisë dhe gjyqin që pasoi. Një nga të dyshuarit në komplotin e rrëmbimit dhe zhvatjes kundër Einár, u shpall artisti i vitit nga Radio Suedeze (SR).
Por ai nuk mundi të merrte pjesë në mbrëmjen gala për të tërhequr çmimin, pasi ishte në paraburgim. Më vonë, ai u mburr për këtë fakt në një nga këngët e tij. Sipas policisë, Einár ishte i lidhur me “Hijenat e Hasbit”, një grup kriminal që është aktualisht në një konflikt të armatosur me një grup rival mbi trafikun e drogës.
Përplasje të tilla përputhen me një model të njohur në Suedi, në ato që autoritetet i quajnë si zonat “e cenueshme” të Suedisë. Jordbro në periferi të Stokholmit, është një lagje e tillë. Në pranverën e vitit 2019, dy parukierë sirianë hapën një sallon në sheshin qendror të zonës.
Ata u vizituan shumë shpejt nga gangsterët vendas, të cilët u kërkuan një “taksë”. Parukierët refuzuan, e raportuan ngjarjen në polici, dhe dy persona u dënuan për zhvatje. Por ngacmimet vazhduan. Salloni u sulmua, dhe xhamat e tij u thyen. Ndërsa historia bëri bujë në media, anëtarët e komunitetit lokal u dyndën tek parukierët duke e simpatizuar qëndrimin e tyre.
Edhe kryetarja e bashkisë, socialdemokratja Meeri Wasberg, shkoi për të shprehur mbështetjen e saj ndaj tyre. Por kërcënimet vazhduan edhe gjatë kohës që ajo ndodhej në sallon. Wasberg shkroi më vonë në Facebook:“Gjatë kohës që isha ulur atje, një i ri me kapelë futi kokën brenda, dhe u tha parukierëve se duhet ta mbyllin sallonin brenda 1 ore… Ai nuk tha se çfarë do të ndodhë nëse nuk e bënin këtë. Por kjo mund të merret me mend”.
Kur televizioni TV4 dërgoi një gazetar në zonë për të investiguar mbi atë ngjarje, ai u sulmua në mes të sheshit. Pra duket se bandat kriminale janë më të forta se shteti suedez. Në fund policia u detyrua t’i këshillojë parukierët të qëndrojnë larg lagjes Jordbro.
Që atëherë sirianët janë shpërngulur dikur tjetër, dhe tani mund ta vizitojnë lagjen e tyre të vjetër vetëm nën shoqërimin e policisë. Ata vazhdojnë të jetojnë nën mbrojtjen e policisë. Po sa histori të tilla mbeten të pa rrëfyera, vetëm sepse viktimat nuk guxojnë që të rrezikojnë të paguajnë të njëjtin çmim?
Policia publikon një herë në vit një listë me zonat e rrezikshme si Jordbro, duke i ndarë ato në “cenueshme”, “veçanërisht të pambrojtura”, dhe “zona të rrezikuara”, në total rreth 60 zona. Këto janë zona të karakterizuara nga kriminaliteti i lartë, nga mosgatishmëria e banorëve për të marrë pjesë në proceset gjyqësore, dhe nga fakti se grupet kriminale konkurrojnë shtetin për kontrollin e territorit.
Politologu dhe shkrimtari Peter Santesson ka bërë një zbulim të jashtëzakonshëm, që është konfirmuar edhe nga studiues të tjerë, gjatë kohës që po përpilonte një listë të zonave në Suedi, ku përqindja e banorëve që nuk kanë lindur në Suedi, është më e lartë se 30 për qind.
Pasi eliminoi listën e zonave pranë kufirit dhe rezidencat studentore, ai vuri re se indeksi i tij sasior, përputhej në mënyrë të përsosur me listën e policisë mbi zonat më të rrezikshme. Kësaj të fundit i mungonte vetëm një lagje, zona e Valstës. Variablat si masa e integrimit, cilësia e shkollimit, dhe burimet e policisë mund të ndryshojnë në zona të ndryshme. Por numri i madh i emigrantëve në një zonë, është i lidhur ngushtë me paligjshmërinë dhe sundimin e bandave.
Ky është një lajm i keq për një vend që ka pranuar më shumë refugjatë për frymë në vitet e fundit, se sa çdo vend tjetër në Evropë, dhe që ka pasur shumë shpresë për gjetjen e mjeteve efektive në integrimin e tyre. Njëzet për qind e popullsisë së Suedisë ka lindur jashtë vendit, dhe kjo përqindje është rritur me një ritëm të shpejtë.
Kjo shifër ishte vetëm 11 për qind në vitin 2000. Sipas një studimi të vitit 2018 nga kriminologu Amir Rostami, shumica e të përfshirëve në krimin e organizuar janë emigrantë të gjeneratës së parë ose të dytë. Rostami identifikoi 15.000 individë të përfshirë në krimin e organizuar, një numër shumë i madh për një vend me vetëm 10 milionë banorë.
Janë këta kriminelë dhe bandat e tyre të organizuara, ata që prodhojnë dhunës e shtuar me armë dhe shpërthimet e bombave. Sipas një studimi të fundit nga Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit, Suedia ka aktualisht normat më të larta të dhunës vdekjeprurëse nga armët nga pothuajse 24 vende evropiane të anketuara, me 4 të vrarë për 1 banorë, krahasuar me mesataren evropiane që është vetëm 1.6.
Dhe kultura e re e sulmeve me bomba në Suedi, nuk ka asnjë shembull të afërt në Perëndim. Vetëm këtë vit, në Suedi ka pasur mbi 110 sulme me eksploziv. Kjo është arsyeja pse gazeta më e madhe gjermane, Bild, e ka quajtur kohët e fundit Suedinë si “vendin më të rrezikshëm të Evropës”.
Kjo është edhe arsyeja pse suedezët e përmendin në mënyrë të përsëritur në sondazhe krimin, si shqetësimin e tyre kryesor. 90 për qind e të anketuarve në një sondazh të fundit nga Universiteti i Goteborgut, kërkuan dënime më të ashpra për bandat kriminale./abcnews.al
Lajmet
Gjendet e një personi pa shenja jete në Pejë
Published
34 minutes agoon
August 7, 2026By
UBTNews
Një person është gjetur pa shenja jete në Pejë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit të saj.
Sipas raportit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës burrë, shtetas i Kosovës.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes”. /E.A/
Lajmet
Arrestohet një person për ngacmim seksual në Shtime
Published
44 minutes agoon
August 7, 2026By
UBTNews
Një person është arrestuar në lidhje me një rast të ngacmimit seksual, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh.
Sipas raportit policor, i dyshuari burrë është arrestuar pasi ka kryer veprën penale të ngacmimit seksual ndaj viktimës grua, shtetase e Kosovës.
Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /E.A/
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 gusht 1993-1998?
Published
1 hour agoon
August 7, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Esad Mekuli
7 gusht 1993
Vdiq dhe u varros Esad Mekuli
Dje, në Prishtinë, në moshën 76 vjeçare, vdiq poeti shqiptar Esad Mekuli, varrimi i të cilit, në praninë e shumë qytetarëve të Prishtinës dhe të viseve tjera shqiptare, u bë sot në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Esad Mekuli u lind më 17 dhjetor 1916 në Plavë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Pejë, ndërsa Fakultetin e Veterinarisë në Beograd, ku edhe u doktorua më 1955.
Poeti Esad Mekuli në kulturën shqiptare mbeti në radhë të parë si poet e përkthyes letrar. Ai gjatë jetës së tij u mor edhe me veprimtari botuese e shkencore.
Esad Mekuli filloi të shkruante poezi që në vitet ’30. Vëllimin e parë dhe më të rëndësishmin, Për ty, e botoi pas një krijimtarie njëzetvjeçare, më 1955. Më 1966 botoi përmbledhjen Dita e re, më 1971 Avsha Ada, më 1973 Vjersha. Redaksia e Botimeve “Rilindja, më 1981, ia botoi poezitë e përmbledhura me titullin Brigjet.
Poezia e Esad Mekulit u botua edhe në gjuhë serbokroate, turke, e gjuhë të tjera të huaja.
Poeti Esad Mekuli ka meritën e madhe në themelimin e revistës së parë letrare në Kosovë, Jeta e Re, të cilën e redaktoi që nga fillimet më 1949 deri më 1974. Ai ishte përkthyes i zellshëm i letërsisë shqipe në gjuhë serbokroate dhe i letërsive të popujve të ish-Jugosllavisë në gjuhën shqipe.
Poeti Esad Mekuli ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovë, një kohë kryetar i saj. Poashtu, ai një kohë ishte kryetar i Klubit të Punëtorëve Letrarë (më vonë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës). Akademik Esad Mekuli ishte kryeredaktor i Redaksisë së Enciklopedisë së Jugosllavisë për Kosovën.
Trupi i Esad Mekulit sot për herë të fundit doli nga shtëpia e tij në orën 12,30 dhe u vendos në lokalet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Prej orës 14 deri në 15 kufomës së të ndjerit iu bënë homazhe.
Pas ceremonisë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, që u mbajt me kërkesën e Esadit, Esad Mekuli u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës në orën 16,30. Në përcjelljen e fundit të Esad Mekulit morën pjesë shumë shkrimtarë e punëtorë publikë të Kosovës dhe qytetarë të Prishtinës dhe të viseve të tjera shqiptare. Në ceremoninë e varrimit folën akademik Idriz Ajeti dhe Adem Demaçi.
7 gusht 1995
Forcat kroate asgjësuan republikën e vetëshpallur serbe në Krainë
Zyrtarët e Kroacisë deklaruan sot se u asgjësua e ashtuquajtura republikë serbe në Krainë në Kroaci.
Mediumet e huaja njoftuan se sot në mëngjes u çlirua edhe Glina, vendi i fundit që kishte mbetur në duart e kryengritësve serbë në Kroaci.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman vizitoi mes tjerash edhe Kninin, ish-kryeqendrën e serbëve kryengritës.
Në kështjellën e Kninit, që kishte qenë moti seli e mbretit kroat, tash sërish valon flamuri i Kroacisë.
Tugjman tha dje se me këtë fitore, si edhe me fitoren e para disa ditëve në Grahovë të Bosnjës, Kroacisë i hapen mundësitë për “rregullimin e kufinjve” të saj.
Edhe në qytetet tjera të çliruara dje qëndruan zyrtarë të lartë kroatë.
Zagrebi duket i përgatitur që pas fitores ushtarake të vendos shpejtë dhe në mënyrë efikase pushtetin në viset që ishin mbajtur nën okupimin serb katër vjet.
Gjatë ditës së djeshme në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë u takuan të dy ushtritë, ajo kroate dhe ushtria boshnjake që çau rrethimin pas mbi 1.200 ditësh në Bihaq.
Gjerenali musliman Dudakoviq tha për Televizionin Kroat se këto dy ushtri e kanë edhe planin për veprim në të ardhmen. Ai la të nënkuptohej se ekziston plani për çlirimin definitiv dhe të tërësishëm të Bosnjë-Hercegovinës.
Populli kroat po e feston këtë fitore të shkëlqyer mbi kryengritësit serbë, mirëpo në pamjet që u transmetuan mbrëmë në televizionin kroat, megjithatë nuk shiheshin gjurmë të ndonjë lufte të ashpër.
Në emisionin e sotëm të radios “Dojçe Veles” u citua një lajm në një gazetë angleze, e cila, siç thuhej në njoftim, e posedon një shkresë të kryetarit Tugjman për ndarjen e Bosnjës në mes të Kroacisë dhe të Serbisë.
Thuhet se shkresa ishte e majit të këtij viti dhe kishte lindur gjatë një ceremonisë së kremtimit të përvjetorit të Luftës së Dytë Botërore.
Sipas asaj shkrese, edhe Banja Lluka do t’i takonte Kroacisë, ndërsa disa qytete boshnjake lindore do t’i takonin Serbisë.
Edhe mediumet tjera të huaja ditëve të fundit e kanë ilustruar shpesh luftën kroate me pamje nga takimi i kryetarit Tugjman me kryetarin serb Millosheviq në Karagjorgjevë më 1991.
Pavarësisht prej kësaj, drejt Bosnjës, përkatësisht Banja Llukës po ecin mengadale dhjetëra mijëra refugjatë serbë.
Operohet me shifrën prej 50 mijë deri në 150 mijë refugjatë.
Autoritetet e Kroacisë kanë kërkuar që refugjatët serbë të dorëzojnë armatimin, ndërsa deri sot në mëngjes nuk është arritur ndonjë marrëveshje për këtë.
Në një njpoftim thuhej se një aeroplan ushtarak kroatë ka shti me armë në kolonën e refugjatëve, por ky lajm nuk është vërtetuar.
Lidhur me këtë çështje mbrëmë me zyrtarët kroatë bisedoi edhe Jasushi Akashi.
Ndërsa ministri i jashtëm kroat Graniq, lidhur me situatën më të re dhe me pikëpamjet e palës kroate e njoftoi dje në Bruksel ministrin e jashtëm spanjoll Solana dhe funksionarët e lartë të Bashkimit Evropian.
Ndërsa sekretari shtetëror amerikan Kristofer tha dje se ofensiva kroate lehtëson zgjidhjen e çështjeve në rajon. Pas fitores kroate, është shtuar presioni në palën serbe për të kërkuar dhe gjetur zgjidhje me bisedime.
Supozohet se refugjatët serbë do të vendosen në Banja Llukë dhe se atyre nuk do t’u lejohet hyrja në Serbi.
Në një njoftim nga Zagrebi thuhej se Millosheviqi do t’i frikësohet zemërimit të refugjatëve serbë, të cilët e ndjejnë veten të tradhëtuar, prandaj nuk do t’i lejojë të depërtojnë në Serbi.
Ndërsa në Bosnjë vazhdon konlikti në mes udhëheqjes politike të së ashtuquajturës Republikë serbe e Bosnjës, me në krye Karaxhiqin dhe të shtabit ushtarak me në krye gjenerelin Mlladiq.
Ushtarakët e kanë përkrahur deri më tash gjeneralin Mlladiq, ndërsa kuvendi serb në Bosnjë e përkrahu mbrëmë Karaxhiqin.
Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë puçi ushtarak, pasi Mlladiqi ka përkrahjen e Millosheviqit.
Kurse për fatin e kryetarit të Republikës së Krainës, Millan Martiq ende nuk dihet asgjë e sigurtë. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë plagosur ose vrarë.
Në këtë mënyrë, fati i tre serbëve të akuzuar për krime kundër njerëzimit është krejtësisht i zymtë.
Ndërsa gazetat dhe politikanët, duke mos mshehur gëzimin për disfatën e ekstremistëve serbë dhe të politikës agresive serbe regjistrojnë se ra përfundimisht miti mbi ushtrinë e pathyeshme serbe.
7 gusht 1997
U zbulua përmendorja e Hasan Ramadanit në Shajkofc të Podujevës
Me rastin e trevjetorit të vrasjes së Hasan Ramadanit, në varrezat e Shajkofcit të Podujevës u zbulua përmendorja e këtij dëshmori të vrarë në shtëpinë e vet gjatë një sulmi të forcave okupuese serbe.
Ishin të pranishëm anëtarët e familjes së dëshmorit, banorë të fshatit Shajkofc dhe të fshatrave për rreth, prindërit e të afërmit e dëshmorëve të komunës së Podujevës, përfaqësuesit e Kryesisë së Degës së LDK-së, përfaqësues të Degës së PPK-së dhe përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të Podujevës dhe të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, Beqir Mulolli, sekretar i Aktivit të LDK-së në Shajkofc përkujtoi se Hasan Ramadani sakrifikoi jetën për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të mbrojtur nderin e kësaj toke. Lindjet e dëshmorëve janë të dhembshme, por krenare. Andaj ne këtu në këtë përvjetor edhe njëherë po i bëjmë nderime veprës së madhe të këtij dëshmori. Veprat e këtilla nuk mund të përshkruhen me fjalë, por vetë e dhëna se jemi tubuar këtu tregon se populli nuk i harron dëshmorët që kanë rënë për liri. Veprat e Hasan Ramadanit, Ali Ajetit, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut e të tjerëve, janë amaneti për të gjithë ne që më me vendosmëri të luftojmë në jetësimin e idealit të tyre për të cilin ata sakrifikuan atë më të çmueshmen, jetën.
Zbulimin e përmendores, për të cilën dhanë ndihma financiare mërgimtarët tanë në Gjermani e Austri, e bëri dr. Rexhep Gjergji, anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Dr. Rexhep Gjergji përkujtoi përshtypjet e tij nga pamjet rrënqethëse këtu e tri vjet më parë në shtëpinë e oborrin e të ndjerit Hasan Ramadanit. Ai tha se fjalët janë të pafuqishme para veprës, rezistencës dhe rënies heroike.
Dr. Gjergji tha mes tjerash se politika e Kosovës ka punuar dhe do të punojë që të ketë sa më pak vrasje të shqiptarëve. Mirëpo, tërhoqi ai vërejtjen, në emër të ruajtjes së qetësisë së rrejshme politike nuk bën të hiqet dorë nga rezistenca e vendosur kundër dominimit serb në Kosovë.
Të pranishmit e shumtë pastaj bënë homazhe pranë varrit të Hasan Ramadanit.
Të përkujtojmë se për shkak të djegies së shtëpisë së mëparshme dhe gjendjes së rëndë të familjes që mbeti pa kulm mbi krye pas sulmit të forcave serbe, në organizimin e LDK-së, me kontributin vendësve të Hasan Ramadanit, të qytetarëve të Kosovës e mërgimtarëve tanë dhe të pronarëve të disa ndërmarrjeve, për familjen e të ndjerit është ngritur një shtëpi dykatëshe.
7 gusht 1998
Gjakovë: 27 fshatra të pastruara etnikisht
Duke cituar dëshmitarë nga terreni, KI i Degës së LDK-së në Gjakovë njofton se, ndonëse me një intensitet të ulët, luftimet kanë vazhduar në fshatrat e Rekës së Keqe dhe në anën e Dushkajës të komunës së Gjakovës, ndërkohë që vërehet një ripozicionim i forcave të rezistencës vendore dhe njësive të UÇK-së.
Në njoftim thuhet se që nga fillimi i sulmeve të forcave serbe popullata është shpërngulur tërësisht nga fshatrat: Koshare, Batushë, Molliq, Brovinë, Popoc, Morinë, Ponoshec, Shishman, Nec, Smolicë, Stubëll, Berjah, Nivokaz, Dobrosh, Sheremet, Ramoc, Cërmjan, Gërgoc, Zhabel, Bardhaniq, Jabllanicë, Krelan, Rakovinë, Meqe, Zylfaj, Pnish, Goden.
Zhvendojse të popullatës ka edhe nga fshatra të tjera, prej nga janë shpërngulur një pjesë e madhe e popullatës, kryesisht gra, fëmijë e pleq.
Shumë fshatra të këtyre anëve, si në Dushkajë ashtu edhe në Rekë të Keqe, shtëpive dhe pronave të shqiptarëve po iu del edhe më tutje tymi dhe flaka dhe kjo pjesë mund të llogaritet tanimë si “tokë e djegur”. Vetëm nga këto fshatra, rreth 40. 000 banorë janë zhvendosur në qytet, në fshatra pak më të sigurta ose ende lëvizin në malet dhe luginat përreth, ku tash dhjetë ditë jetojnë në kushte tepër të rënda dhe rrezikohen nga katastrofa humanitare.
Përkundër përpjekjes së popullatës tjetër dhe subjekteve politike, në Gjakovë situata po keqësohet gjithnjë, sepse hyrjet dhe daljet në qytet janë të bllokuara dhe forcat serbe po ushtrojnë një kontroll të rreptë.
7 gusht 1998
Deçan: Janë boshatisur krejtësisht 12 katunde
Në Deçan shtëpitë e padjegura në fillim të luftës, po digjen me radhë. Brenda këtyre ditëve janë djegë shtëpitë e Sylë Kuçit, Smajl Ibërhysajt, Ukë Iberhysajt, Ramë A. Cacajt dhe Nezir Gramocajt.
Djegiet e tilla qesin në shesh demagogjinë dhe cinizmin serb mbi gadishmërinë e tyre për lejimin e kthimit të të ikurve.
Në komunën e Deçani janë 12 fshatra të boshatisura tërësisht dhe 4 të tjera pjesërisht. Këto fshatra para luftimeve kishin 2400 shtëpi. Sipas të dhënave, më se 60 për qind e tyre janë të djegura dhe të demoluara rëndë, ndërsa 30 për qind më lehtë.
Ka të dhëna për 42 persona të vrarë që s’janë varrosur. Dyshohet se ata janë varrosur në një varrezë masive. Në komunën e Deçanit konsiderohen të zhdukur 92 persona.
Në mesin e të vrarëve, 19 janë femra dhe 5 fëmijë.
Dje në malet e Radishevës u varrosën shtatë shqiptarë
Dje në malet e Radishevës, me nderime e dhembje të mëdha u varrosën shtatë shqiptarë nga fshatrat Radishevë e Kotorr të Skënderajt, të cilët para 13 ditësh u vranë duke luftuar me ushtarë e civilë të armatosur serbë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë.
Njoftohet se dje janë varrosur Beqir Mujë Hajrizi (65) dhe djemtë e tij Azem Hajrizi (32) e Faik Hajrizi (28) nga Kotorri, pastaj Shyqri Azem Ahmeti (56), Haxhi Imer Ahmeti (56), Sabit Sadri Ahmeti (27) dhe Alban Muhamet Ahmeti (17) nga Radisheva.
Të përkujtojmë se këta shqiptarë janë vrarë me armë në dorë, duke i mbrojtur trojet e tyre gjatë një mësymje të forcave serbe në këtë anë.
5 të vrarë gjatë sulmeve të forcave serbe në fshatrat e Drenicës
Gjatë sulmeve njëjavore kundër Rezallës e disa fshatrave tjera të Drenicës forcat serbe qëlluan me artileri të rëndë dhe me raketa tokë-tokë, por forcat e Ushtrisë Çlirimtare i përballuan këto sulme. Pas përpjekjeve të shumta, forcat serbe depërtuan deri në fshatin Likoc, por pas disa orësh u detyruan të tërhiqen në drejtim të fshatit Morinë, njofton kryetari i Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Skënderaj, Murat Musliu.
- Musliu tha se gjatë sulmeve të forcave serbe u vranë në shtëpitë e tyre: Ilmi (Veli) Kadriu (51) nga Likoci, i cili ishte me të meta psikike, Sokol Aruqi (60) nga Rezalla, një grua e sëmurë nga lagja Zabelaj e Rezallës dhe dy të rinjë nga Abria e Epërme, të cilët nuk janë identifikuar ende për shkak se trupat e tyre janë karbonizuar nga zjarri i shkaktuar nga raketa.
Gjatë këtyre aksioneve forcat serbe kanë djegur pothuaj në tërësi fshatrat: Polac, Kryshec, Morinë, Rezallë, Açarevë, Ticë e Pllozhinë, ndërsa në Likoc kanë djegur lagjet Zymeraj, Veselaj e Topallaj, të cilat gjenden në qendrën e fshatit, duke përfshirë edhe shkollën, Shtëpinë e Kulturës, ambulancën e SHHB “Nëna Terezë” dhe të gjitha dyçanet tregtare e punëtoritë zejtare.
- Musliu njofton se dhjetarë mijëra banorë të fshatrave të sulmuara nga forcat serbe kanë shkuar në drejtim të Mitrovicës e të Vushtrrisë, ndërsa shumica e tyre gjenden nën qiellin e hapur. Vetëm në livadhet afër fshatit Vërbovc gjenden mbi 30. 000 banorë të zhvendosur nga kjo anë, kryesisht fëmijë, gra e pleq, ndërsa se banorët e fshatrave përreth po bëjnë të pamundurën për sigurimin e ushqimit e të ujit të pijshëm për ta.
Lajmet
Ekstradohet nga Gjermania një i kërkuar për vjedhje të rëndë
Published
1 hour agoon
August 7, 2026By
UBTNews
Një shtetas i Kosovës i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar sot nga Gjermania për në Kosovë, pas bashkëpunimit mes autoriteteve të të dyja shteteve.
Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, i dyshuari u arrestua nga autoritetet gjermane pasi ndaj tij kishte një fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Procedura e ekstradimit u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim me njësitet përkatëse policore. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar organeve kompetente për procedim të mëtejshëm ligjor. /E.A/
KB Sigal Prishtina përforcohet me dy lojtarë të rinj, vazhdon edhe me Liri Zenelin
Gjendet e një personi pa shenja jete në Pejë
Arrestohet një person për ngacmim seksual në Shtime
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 7 gusht 1993-1998?
Ekstradohet nga Gjermania një i kërkuar për vjedhje të rëndë
Monodramë, Dokumentarë dhe Muzikë: Çfarë shënoi ditën e tretë të “Etno Fest”
Audrey Nuna firmos me “Republic Records”, nis një kapitull të ri në karrierën muzikore
Katër të lënduar në një aksident trafiku në aksin Gjilan-Koretishtë
Driton Kuka kujton 10-vjetorin e arit olimpik të Majlinda Kelmendit: Ajo ditë e madhe në Rio de Janeiro
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport4 days agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Sport7 days agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Aktualitet3 days agoBE-ja kërkon kufij më të fortë pas kalimeve të emigrantëve në Ceuta

