Biznismenët Elon Musk dhe Jeff Bezor janë në ‘luftë’ për titullin “Njeriu më i pasur në botë”. Megjithatë, nëse marrim parasysh historinë, ndikimi i tyre zbehet nëse krahasohen me njeriun më të pasur të të gjitha kohërave – mbretin afrikan i quajtur Mansa Musa. Ai ishte ish-sundimtar i Perandorisë Mali në Afrikën Perëndimore.
Musa I u lind në vitin 1280. Ai e mori titullin “Mansa” (që e ka kuptimin “sulltan” apo “sundimtar” në gjuhën mandinka), pasi mori fronin në vitin 1312. Ai erdhi në pushtet pasi paraardhësi i tij dhe vëllai, Mansa Abu-Bakr, abdikoi të shkonte në një ekspeditë rreth Oqeanit Atlantik – një udhëtim nga i cili nuk u kthye më kurrë.
Perandoria e Malit u zgjerua nën sundimin e tij dhe shtrihej 2 mijë milje nga Oqeani Atlantik deri në kufijtë e sotëm të Nigerit.
Ishte një nga perandoritë më të mëdha në Afrikën Perëndimore. Gjuha dhe ligjet ndikuan në kulturën aktuale të vendit.
Pasuria e perandorit Mansa Musa erdhi nga burimet natyrore të regjionit, të cilat ishin ari dhe kripa.
Në shekullin e 14-të, Perandoria e Malit kishte gati gjysmën e arit në botë. Dhe pothuajse çdo pjesë i takonte perandorit Mansa Musa. Siç deklaroi një specialist, perandori i Malit kishte qasje të pakufizuar në burimet më të çmuara të kohës. Edhe qendrat tjera tregtare ishin të vendosura në territorin e sundimtarit Mansa Musa, kështu që ai krijoi të ardhura edhe nga ato biznese.
Pasuria e tij neto është 400 miliardë dollarë. Një profesor i tha BBC-së në një intervistë se “rrëfimet bashkëkohore rreth pasurisë së Musait do t’ju lënë pa frymë sa është pothuajse e pamundur të kuptosh se sa i pasur dhe i fuqishëm ishte ai me të vërtetë”.
Mansa Musa ishte edhe filantropist. Sipas rrëfimeve historike, Mansa Musa u dha ar njerëzve të varfër që takoi gjatë rrugëtimit të tij dhe gjithashtu tregtoi arin për suvenire kur kaloi nëpër Kajro dhe Medinë.
Historiani i lashtë Al-Umari shkroi për bisedën e tij me një emir nga Kajro, i cili takoi Mansa Musa-n. Ai tha se mbreti afrikan zgjodhi të fliste përmes një përkthyesi, ndonëse edhe vetë e fliste rrjedhshëm gjuhën arabe./UBTNews
Paris Saint-Germain ka triumfuar ndaj Aston Villës me rezultatin 2-1 në finalen e Superkupës së Evropës, një sukses ky që po e dërgon trajnerin Luis Enrique drejt rekordeve të reja në futbollin botëror.
Në këtë përballje, Khvicha Kvaratskhelia hapi serinë e golave për parisienët, Brian Madjo barazoi përkohësisht shifrat për Aston Villën, ndërsa goditja e saktë nga Désiré Doué siguroi fitoren 2-1 dhe trofeun për kampionët në fuqi.
Për timonierin e PSG-së, ky është trofeu i 13-të në krye të gjigantit francez që prej marrjes së drejtimit në verën e vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe, spanjolli ka fituar nga tri herë kampionatin dhe Superkupën e Francës, nga dy herë Kupën e Francës, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Evropës, si dhe një herë Kupën Ndërkontinentale.
Me triumfin e fundit, Enrique arrin kuotën e gjashtë trofeve evropianë në karrierën e tij si trajner (tri Superkupa Evropiane dhe tri Liga të Kampionëve).
Sipas rrjetit të statistikave Opta, me gjashtë trofe evropianë, Luis Enrique u është afruar vetëm dy emrave që qëndrojnë mbi të në historinë e futbollit evropian: Pep Guardiolës me 7 trofe dhe Carlo Ancelottit me 10 sosh. /E.A/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet më 14 gusht 2026, në orën 11:00.
Kërkesa u dorëzua në Zyrën e Sekretarit nga anëtari i PDK-së, Përparim Gruda, dhe i është adresuar kryesuesit të seancës, deputetit më të vjetër në moshë, Avni Dehari.
“Në emër të partisë i bëj thirrje deputetit Kurti ta lejojë Deharin ta thërrasë seancën. Deharit nuk i takon ta japë asnjë vlerësim politik, ka rol teknik për ta thirrur seancën dhe për ta realizuar atë”, deklaroi Gruda pas dorëzimit të kërkesës.
Në letrën e protokolluar, PDK thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Subjekti politik sqaron se, sipas jurisprudencës kushtetuese, tejkalimi i afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e institucionit legjislativ, prandaj vonesat e mëtejshme vetëm sa e thellojnë bllokadën politike.
Po ashtu, PDK i rikujton kryesuesit se roli i tij si deputeti më i vjetër është i kufizuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit vetëm në lehtësimin e ecurisë së seancës. Në letër potencohet se ai nuk ka kompetencë të vendosë mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike se kur duhet të vazhdojë ky proces.
“Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato mund e duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”, nënfundohet në letrën e PDK-së. /E.A/
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet të mblidhet sot për të diskutuar rreth zhvillimeve më të fundit politike në vend.
Kjo mbledhje vjen menjëherë pas ngjarjeve të së mërkurës në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe nga radhët e Aleancës qëndruan në sallën plenare duke i kërkuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari, thirrjen e seancës konstituive.
Përveç zhvillimeve në Kuvend, sipas raportimeve në media, temë e diskutimeve brenda grupit parlamentar të LDK-së pritet të jetë edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
LDK-ja e ka pasur në fokus edhe më parë këtë temë, me deputetë të saj që kanë deklaruar publikisht synimin se pozita e kreut të shtetit duhet t’i takojë këtij subjekti politik. /E.A/
Një shtetas i Serbisë është shoqëruar në stacionin policor në Kamenicë, pasi dyshohet se me një veturë me targa të Serbisë ka kaluar ilegalisht kufirin.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës 18:55, në fshatin Novosellë.
I dyshuari ishte së bashku me dy pasagjerë kur është ndaluar nga autoritetet.
Me vendim të gjykatës, të dyshuarit i janë sekuestruar dokumentet, ndërsa më pas është liruar./A.K/