Lajmet

Historia e Marigosë që qëndisi flamurin e Pavarësisë

Sjellim në këtë ditë një shkrim të antropologut Jakov Milaj.

Published

on

Historia e gruas që besohet se qëndisi flamurin, të cilin Ismail Qemali e ngriti më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë. Aktiviteti politik e shoqëror i Marigo Pozios, që vdiq e vetmuar në Tiranë, pasi kishte humbur fëmijët dhe bashkëshortin nga turbekulozi.

Sjellim në këtë ditë një shkrim të antropologut Jakov Milaj (1911-1997) të botuar në revistën Përjekja Shqiptare e Branko Merxhanit. Shkrimi është publikuar në numrin 13 të janarit 1938 të kësaj reviste, vetëm pak kohë pasi ishte shënuar 25-vjetori i Pavarësisë Kombëtare.


Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar

Nga Jakov Milaj
E ëma e një shoku t’im ruan me kujdes, në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndshi me dimensionet 70 X 40 cm. Eshtë i kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë rreth e rrotull, me një shqipe të bukur nga pjesa e gjerë, e me një fytyrë…., të qëndisur me dorë në zemër të shqipes.

Nga pjesa e ngushtë e trekëndëshit shkruhet me germa ari: Rroftë Shqipëria.
Si ky flamur ka me qindra nëpër familjet vlonjate. I ka punuar Zonja Marigo. Kush e ka e ruan si sytë e ballit. E mbante, dikur, të fshehur në ndonjë cep që s’i binte në sy gjindarmit fesë-kuq; më pas, të ekspozuar në krye të odës së miqve; tashi që ka nisur të vjetërohet, e ka palosur, e ka mbledhur mirë dhe e ruan si ujët e pakët që mos të shkyhet.
Esht pema e një epoke entuziazmi, puna a një farkëtareje të idesë kombëtare.

Vlore, një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe.

Ata që kanë hyrë e dalë në një shtëpl të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël e buzëgaz.

E zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave tyrke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë.

Dinte shumë gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.

Kam përpara sysh shumë fotografi të saj: diku ajo duket e zymtë a e menduar, diku ka një qeshje ironike në buzë, diku spikat shenja e gëzimit. Këto kuadro përbëjnë, në mënyrën e tyre, termometrin e veprës nacionaliste: herë ngrihet pse punët shkojnë mbarë, herë ulet pse dalin pengesa, paraqiten rreziqe, bëhen gabime.

Por kurdoherë, në thellësinë e syve që lëshojnë xixa gjallërije, fshihet një farë gëzimi, gëzimi që ajo pret: është e sigurt se Shqipëria do të dalë më vehte e do të shkojë përpara. Shumë vjet më pas, gazeta e saj “Shpresa Kombëtare” do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë:
Do vinjë prapë, do vinjë
Do vinjë vera, behari;
Bima, lule ta mbinja,
Të marrë shpirt Shqipëtari.
Retë e zeza do përdahen,
Do shkojnë koha e ftohtë,
Lotët në vite do thahen,
Se do vinj diell i ngrohtë.
(Shpresa Kombëtare: Viti 1, Nr. 6 — 25 Maj 1921)

Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përvec kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio.

Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit, interesohej për çështjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, mirrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve.

Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi, qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk men së punuari për cështjen kombëtare. Eshtë bashkëpuntore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës; është salloni ku autorët e Shqipërisë së porsalindur lexojnë me zë të lartë, ashtu siç bënin poetët frëngj të shekullit të 18, veprën e tyre ndërtonjëse të shkruar sido kudo.

Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë: të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit.

Në krye të vitit 1914, themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” (“Populli”, Viti 1, Nr, 3 — 18 Prill 1914), në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.

Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzierë në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman von Ëied, që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në lufte me tanët e me të huajt. Shqipëris i ishin njohur kufijt që më 1913 prej Konferencës së Londrës, por shtetet fqinjë nuk e pranonim vendimin e Fuqive të Mëdha.

Grekët kishin dale në prefekturat e Korcës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin e dëshpëruar shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plënk e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpira të rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijëra muhaxhirë.

Një gjendje e këtille, që as burrat s’po i bënin dot ballë, me gjithë se po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjes Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte dicka të dobishme për Atdhen e mjeruar.

Për të ngrohur zemrat e vlonjatëve u paraqit një rast i mirë: mbreti Ëilhelm i Parë, një muaj mbasi arriti në Shqipëri, i mallëngjyer prej mjerimit të muhaxhirëve të ndjekur prej Grekëve, desh të vizitojë Vlorën. Zonja Mango do t’i përgatiste një pritje madhështore nga ana e organizatës femërore të porsakrijuar.
Mustafa Quill, gazetari dëshmor, e përshkruan për bukuri, në një reportazh të gjatë, këtë pritje.

“Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë t’ardhur prej Hollande, e konsujt e Austris e të Italisë kishin zënë vendin qendror. Pranë tyre vinte grupi i madh i grave, të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e nëpër kraharorët e të cilave ishin qepur kordela të kuqe e të zeza. Porsa u duk, në horizontin e hapët jahti mbretëror, një mori barkash të vogla, mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij.

Kur jahti u ndal nja njëqind metra larg toke, vetëm një barkë e vogël u drejtua kah shkallët dhe disa gra u ngjitën në të. Mbreti e Mbretëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqësinë e shoqëerisë “Shpresa Kombëtare”. Zonja Marigo, kryetarja e këtij grupi, e mallëngjyer pse po shihte të vërtetuar ëndrrën e saj të sa e sa vjetëve, me lot ndër sy i dorëzoi Mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura.

Mbretëresha e puthi në ballë. Në tokë Sovranët u pritën me brohoritje të papërshkruarshme. Jani Minga mbajti një fjalim të mallëngjyeshëm. Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt prej saj dhe e tërhoqi vetë Mbretin gjer sa e coi në banesën që i ishte caktuar”. (“Popull”, Viti 1, Nr 3, 18 Prill 1914).

Kjo vizitë mjaftoi për t’u ngjallur entusiazmin grave të Vlorës. Zonja Marigo, e pagëzuar me një puthje mbretërore në ballë, fitoi fuqi të reja për të vazhduar misionin që i kishte ngarkuar vetvehtes.

Vepra më e mirë për kohën kur një mori njerëzish, të plagosur në luftë e të sëmurë, janë duke vdekur urije e së ftohti nëpër ullinjt e Vlorës, ishte ndihma për muhaxhirët. Edhe përpara se të vinin në Vlorë

Sovranët, ajo kishte mundur të mbledhë dicka: 3804 groshë. Mbretëresha Sofije, për të përkrahur këtë inisiativë, i dhuron Zonjës së Syrja Bej Vlores — kryetare a shoqërisë — edhe 3000 franga ari bashkë me disa topa basme e pëlhure. (Mbreti, mbasi vizitoi të gjithë muhaxhirët me radhë, nëpër banesat a tyre të shkreta iu fali atyre 1000 napolona).

Nis, atëherë, fushata e ndihmave më me nxehtësi. Zonja Marigo, bashkë me dy a tri gra të tjera, shkon shtëpi më shtëpi, trokiti derë më derë për të kërkuar lëmoshë. S’le grua pa kapur. Te dyert e pacelura pret nga një gjysëm ore e nga një orë më këmbe, gjer sa ato cilen. Gjithkush kontribuon me dicka.

Dikush jep dhjetëshin për muhaxhirët, dikush kacidhen. E me dhjetëshe e me kacidhe mblidhet një shumë e madhe: 21.813 groshe. (Në këtë shumë nuk hyn ndihma e Mbretëreshëes, por vetëm ndihmat e vogla bashkë me të ardhurat e llotarisë që u hodh për një qostek të falur nga Zonjëza Bukroshe Qazim Kokoshi)

Lista e ndihmëtarëve, edhe e atyreve që për mungesë groshi, kishin dhënë vetëm nga njëzet e nga tridhjetë para, botohet në fletoren “Populli”. (Populli, Viti I, Nr. 11, 20 Qershor 1914).

Eshtë lista e vuajtjeve të kësaj zonje nacionaliste: qindra emra, do të thotë qindra dyer të trokitura, qindra shtëpi të vizituara; punë që kërkon djersë, sidomos kur kryhet ndër ditët e fundme të majit. Gratë e Vlorës mendonin që fushata e tyre të përhapej në të gjithë Shqipërinë e nëpër kolonitë shqiptare; e prandaj kishin dërguar një tok letrash, të thjeshta e të porositura, nëpër të katër anët e botës. Në gazetën “Populli” pas listës së ndihmëtarëve, shënohet lista e letrave të dërguara, e më në fund, Zonja Marigo përshkruan llogarinë se si u shpenzuan të hollat e mbledhura.

Po e botoj tekstualisht këtë pjesë:
Shuma e të hollave grosh 20.801
Nga qosteku qe dhuroi vajza e Z. Qazim Kokoehit 1.012
Gjithsej 21.813
Ndihmat që u dhanë prej Zotërinjve të Vlorës:
10 qese misër i dhuroi Nëna e Qazim Kokoshit.
Të holla 15.000
Për 10 shtresa dhe 10 krenka (jastikë) 70 kut nga 2.20 gr 175
U dërguan në Kaninë për të prishurat e krahinës së Delvinës:
Basma 129 kut nga 1.30 grosh 225
Basma 79 kut nga 1.23 105
Mashemir 54 kut nga 2.20 135
Humai topa 4 nga 0.455 180
Për kalin që shpuri plackët në Kaninë 20
Harxhet e shtypit 300
Për letra 29.50
Prej shumës së të hollavet 21.813 grosh u harxhuan 16,169.50
Kusuri 5.643.50 gr. do t’i paraqitet këto ditë bashkë me statutin M. së sajë Mbretëreshës, dhe si të kqyret nga M. S. Mbretëresha, do të formohet Shoqëria e rregullshme dhe pastaj tu lutemi bashkatdhetarëve tona që dëshirojnë përparimin e Atdheut të marin pjesë në këtë shoqëri.
Gjithë zonjave e zotërinjve që patën mirësinë e na ndihmuan u falemi fort nderit. Zonjave Shqipëtarka brenda e jashtë Shqipërisë që u cuam letra pas listës që po botojmë, u lutemi fort të na përkrahin me ndihmat e tyre.

Zonjat e Vlorës që s’na ndihmuan si Z-za K. G. dhe Za N. E. që u fshehën dhe Z. Dr. P. (të gjithë inicialet përfaqësojnë emra që janë shkruar të plotë në original) që si na mbajti një orë ne porta, mezi na hodhi 20 gr., u themi që meqë neve nuk u suallëm si dinkardashët e tyre Grekët, që kur vinin kërkonin nëpër Shqiptarët e viseve që kishin shkelur e u thoshin jepni 4-5 napolona; dhe ato të ngratat Shqiptarka që kishin burrat në kurbet, dhe s’u ndodheshin të holla, i shtrëngonin të shisnin bakëret, ose bagëtinë dhe jo vetëm këtë punë, po shumë herë (dhe përse, që t’u vrasin vëllezërit dhe t’u djegin mallë), pra pse me fisnikëri u kërkonim të na ndihnin sa të duan, na u fshehën e s’na dhanë?

Por kohët e veprimit kaluan shpejt e shpejt. Rebelët e Shqipërisë së Mesme e dëbuan Mbretin Wilhelm i Parë prej vendit tonë, mbasi i vranë trimat më të mirë. Po n’atë kohë plasi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të Huaja. Shoqërija e “Shpresa Kombëtare” u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga ana e Mbretëreshës Sofije që do të ishte kryetare nderi.

Zonja Marigo hyn prapë në shtëpinë e saj të vogël për të pritur e përcjellë miqt e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë turbullimi nuk i kalon të pes a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerin jashtë Shqipërije fuqitë e huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar.

Zonja Marigo, porsa e sheh Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqërija “Shpresa Kombëtare, u formua më 21 Janar 1921 (Mbrojtja Kombëtare Viti 1, Nr. 16, 23 Janar 1921) dhe menjëherë mori një vendim të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zbvillimin e femrës shqiptare. Zonja Marigo J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjigjshme.

Kam lexuar vetëm një numër të kësaj fletoreje të botuar mbi letër ngjyrë trandafili; në krye titulli “Shpresa Kombstare” formon një gjarpër në trajtën e gërmes “S” të shtritur. Nën të vijnë artikujt, të ndarë në tri shtylla, përmbajtja e të cilëve, po të merret parasyshë koha në të cilën janë botuar dhe niveli kultural i femrës shqiptare të vitit 1921 që kishte kryer shumë shumë, vetëm një shkollë fillore propagande në gjuhë të huaj, është mjaft e mirë.

Shifet qartë se Zonja Marigo ka pasur dhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve, edhe një farë shije në gazetari. Fletorja “Shpresa Kombëtare” vazhdoi botimin vetëm për pak muaj. Kur entuziami që kishte grumbulluar të gjithë gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqërija u shpërnda dhe fletorja u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk mund të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përvec pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë.

Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahte veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë cështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në fund, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe mëlcinë e Zonjës Marigo.

E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë humbi edhe dritën e syve dhe, pesë a gjashtë vjet më parë, vdiq në Tiranë në një gjendje të vuajtëshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, Kristo Floqi.

Ky është fundi i tmerrshëm i një idealisteje të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë ia kushtoi cështjes Kombëtare. Por me gjithë këtë, emri i saj do të harrohej krejt, sikur ndonjë polemikë gazetash ose ndonjë shënim i pakontrolluar reviste kulturale mos të parashtronte pyetjen: Cili flamur qe ai që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor, prej Ismail Qemalit?

Gjithkush, gjer më sot, është përgjigjur sipas qejfit. Disa duan të thonë se flamuri i parë që valoi në Vlorë qe ai që Don Aleandro Castriota u pat falur bejlerëve të këtij qyteti. “Hylli i Drtës” kujton se Ismail Qemali, duke ardhur prej Viene, u ndal në Kotorr dhe atje Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjithfarë maset, i dha nji flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbasi i pat thanë Plaku: nuk e due as tepër të madh, as tepër të vogël. (Hylli i DrItës, Nr. II, Nanduer 1937)

Të dyja këto, pretendime janë të pathemelta. Kërkush nga ata që kanë marrë pjesë në Kongresin e Vlorës, përvec të interesuarve, nuk përmendin gjëra të këtilla. Mbeten vetëm dy hipoteza, në të cilat

Zonja Marigo figuron, në mos si qëndisësja, së paku si kustodja e Flamurit Kombëtar: u ngrit flamuri i dërguar prej Amerike nga shoqërija “Besa Besë”, apo ai që punoi me duart e veta Zonja Marigo?

Zoti Kol Rodhe, në këto ditë, pati mirësinë të më dërgojë një letër të gjatë në të cilën përshkruan një histori të mahniteshme qi duhet ta njohë cilido Shqiptar: Në verën e vitit 1911, me pretekst se do të mjekohej, Zonja Marigo shkon në Korfuz (sikurse kishte shkuar, më parë edhe nëpër qytete të tjera) dhe aty ndeshet me të gjithë përfaqësonjësit nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek për të hyrë së bashku e me pushkë në dorë në Shqipëri që të nisnin luftën kombëtare.

Midis këtyre ishin dhe përfaqësonjësit e Amerikës, të dërguar nga shoqërija “Besa Besë”. Këta, dhe posacërisht Kola me të vëIlain e Thoma Katundit, i dorëzuan Zonjës Marigo një flamur të qëndisur n’ar e në mëndafsh që, “me gjithë shtizën dhe me një shkabë të celikteë kishte kushtuar 140 dollarë”.

Ndërsa 13 vetët që përbënin cetën e Amerikës vuanin nëpër bodrumet e Gjirokastrës, Zonia Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën teshat e përditëshme, nga frika se mos ia gjejnë rojtarët e doganës që teshat e asaj i kontrollonin më imët nga cdo gjë tjetër. Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për t’a ngritur më 28 nëntor, në ballkonin e Xhemil Beut. (Përshkrimin e Z. Rodhe po e shkurtoj e po i shtoj ndonjë episod të mbledhur nga persona të tjerë.)

Të njëjt mendim me Kol Rodhen janë edhe shumë nacionalistë të tjerë, ndër të cilët edhe Zoti Qazim Kokoshi. Por Kristo Floqi ka shkruar ne fletoren “Arbënia”, ka nja dy vjet, se flamurin kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta Zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregtari

Diamanti si mbas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin. Midis atyreve që kanë dijeni mbi faktin, Zoti Kristo Floqi përmend edhe Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza lsain e Ymer Radhimën.

Këtë hipotezë të dytë e përkrah edhe shërbetorja që Zonja Marigo, ka mbajtur pranë vehtes gjatë gjithë jetës së saj. Kjo di shumë sende nga jeta e Zonjës dhe i kujtohet së si qëndron puna e flamurit që u ngrit në Vlorë.

“Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu — më tha Zonja Thina Ferra — e ka pikturuar me hoje të zezë vetë Marigoja. Bile, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thaj sa më parë. “Shpejt, Thinë, më thoshte e ndjera Zonjë, pse Ismail Beu e do për tashi pas drake”.

Flamuri i Amerikës që suallëm prej Korfusi i është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhe’s, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korcë. Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak si i zbardhur, në bojë të specit.

Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndare popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë të zezë dhe iu vulosnim qylafët a bardhë të gjithë lebërve që muarën pjesë në manifestime.

Nga gjithë sa thamë më sipër, duhet besuar se flamuri që u ngrit në Vlorë qe punuar nga Zonja Marigo. Fjalët e Thinës sidomos, duhen marrë në konsideratë, pse, brenda tyre nuk fshihet asnjë ambicje a paragjykim. Kjo flet vetëm mbi sa ka parë me sytë e ka dëgjuar me veshët e saj.
Por, edhe në mos qoftë e vërtetë se flamuri që u ngrit për herën e parë ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së Zonjës Mango, ësht krejt e sigurtë se, të paktën, ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqiptare sa here i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja ose të kërkohej prej autoriteteve turke.

Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk është blerë nëpër tregtarë, por është punuar prej dorës së një Shqiptarke, qoftë kjo edhe n’Amerikë, që shkriu jetë e pasuri për lirin e Atdheut.

Gjithkujt i bëhet të besojë se Vincens Prendushi (O.F.M.) ka pasur parasyshë Zonjën Marigo duke qëndisur flamurin kombëtar, kur ka shkruar në “Gjeth e Lule” romancën e tij të pavdekshme: Grueja Shqyptare.
Përpjekja Shqiptare, nr 13, janar 1938

Aktualitet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 9 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

9 prill 1993

Lajm i plotë:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova tha në konferencën për gazetarë se në Kosovë po merr hov një valë e re e represionit. Me dënimin e përfaqësuesve të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që vijnë në Kosovë dhe me njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë, Kosovës i kërcënohet një izolim dhe bllokadë e plotë. Kryetari Rugova kërkoi që çështja e shqiptarëve në Maqedoni të shqyrtohet në OKB në kuadër të bisedimeve për Maqedoninë. Shqyrtimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është një formë parandaluese e shpërthimit të konfliktit, theksoi dr. Rugova.

Gjatë javës që shkoi u shënua edhe një viktimë e torturës së policisë serbe, Ali Ramë Zeqaj nga Bokshiqi i Klinës vdiq nga torturat e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, tha në fillim të konferencës për gazetarë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Aksioni ndëshkues i policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, po zgjat ende. Gjatë javës që shkoi pati lëvizje të shumta të ushtrisë dhe të policisë serbe në Kosovë. Represioni i policisë serbe u koncentrua sidomos ndaj deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, ndaj udhëheqësve të Degëve të LDK-së dhe ndaj aktivistëve të Këshillit për Vetëfinansim të Kosovës që bën financimin e arsimit në Kosovë dhe që është një organ që funksionon mirë në Kosovë, theksoi dr. Rugova. Në vazhdim ai dënoi plaçkitjet e firmave të shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë, ndërsa dërgimin e të rinjve shqiptarë me dhunë në ushtri dr. Rugova e vlerësoi si një dukuri të rrezikshme. Dr. Rugova tha se mbajtja rektorit të Universitetit të Prishtinës prof. dr. Ejup Statovcit dhe arrestimi i profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Adnan Shabani po bëhen me qëllim që të provokohen studentët dhe Universiteti i Prishtinës që po funksionon në kushte tepër të vështira.

Kryetari Rugova tha se ka reaguar zyrtarisht ndaj burgosjes së anëtarëve të organizatës humanitare “Ekuilibre”, e cila dëshiron të jetë e pranishme dhe të ndihmojë në Kosovë. Është bërë e qartë se regjimit serb i pengon prania e delegacioneve të ndryshme, prania e gazetarëve dhe e përfaqësuesve të organizatave humanitare, e madje, e, edhe e njerëzve. Në këtë mënyrë Serbia synon izolim të plotë, material, shpirtëror dhe politik të Kosovës. Ne, si edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Frëncës e dënojmë këtë burgosje të dy humanistëve të kësaj organizate të rëndësishme humanitare, theksoi dr. Rugova.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se pranimi i Maqedonisë në OKB, me emrin ish-republika jugosllave e Maqedonisë, nuk i ndryshon pozicionet e partive politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe në territoret etnike shqiptare lidhur me pozitën e shqiptarëve, si element shtetformues i Maqedonisë, në bazë të vullnetit politik të shprehur në referendum. Ne vlerësojmë, tha më tutje dr. Rugova, se pa një marrëveshje me shqiptarët, për Maqedoninë nuk ka ardhmëri të mirë. Kryetari Rugova kërkoi që çështja e shqiptarëve në Maqedoni, të vihet në rend të ditës në Këshilin e Sigurimit të OKB-së, në kuadër të bisedimeve lidhur me Maqedoninë.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se njohja e Maqedonisë do të ketë pasoja edhe për Kosovën. Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit që të ndihmojë qarkullimin e njerëzve nga Kosova nëpër Maqedoni. Kufiri me Maqedoninë nuk bën të shndërrohet në kufi primitiv, pasi, ashtu, do të bëhej i pamundur qarkullimi i njerëzve nga Kosova, me çka do të bëhej një bllokadë e plotë e Kosovës në këtë situatë, theksoi dr. Rugova.

Kryetari i Kosovës përsëriti edhe njëherë kërkesën që çështja e Kosovës të vihet urgjent në rend të ditës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqyrtimin e çështjes së Kosovës në OKB, tha dr. Rugova, e konsiderojmë si një formë parandaluese të shpërthimit të konfliktit.

Duke u përgjigjur në një pyetje të gazetarëve që lidhej me gjoja ofrimin e dialogut nga ana e kryetarit të Kuvendit të Serbisë gjatë një vizite në Kosovë, dr. Rugova përsëriti qëndrimin se bisedimet me palën serbe duhet të zhvillohen me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht në kuadër të Konferencës së Gjenevës. Përvoja e deritashme e bisedimeve me palën serbe për probleme të caktuara në Kosovë, është e keqe. Qe një kohë të gjatë po bëhen bisedime për arsimin në Kosovë në kuadër të Konferencës së Gjenevës, por, pa asnjë rezultat, tha kryetari i Kosovës. Duke u përgjigjur në një pyetje tjetër që lidhej me letrën e Lordit Ouen dërguar dr. Rugovës. ai tha se është shpresdhënës premtimi i bashkëkryetarit të Konferencës së Gjenevës se do të veprohet me qëllim të eliminimit të represionit në Kosovë dhe se ky problem do të shqyrtohet në kuadër të Konferencës së Gjenevës. Ne kësaj i dhëmë rëndësi, pasi jemi në një situatë kur ka marrë hov një valë e re e represionit të Serbisë në Kosovë. Ndërsa, lidhur me situatën në Bosnë, dr. Rugova tha se pala serbe dëshiron përfitim në kohë, implikimin e Rusisë si edhe krijimin e kushteve për transkancione të ndryshme lidhur me hartat,prandaj po shtyn momentin e nënshkrimit të Planit të Vensit dhe Ouenit.

 

Lajme të tjera:

Konferencë për shtyp e përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës

Radio-Kroacia: Agresioni serb filloi në Kosovë

Dagllas Hërd: Serbia e Madhe – kurrë

Klaus Kinkel: Nënshkrimi i planit përmes kërcënimeve kundër Serbisë

Ushtarët gjermanë kanë të drejtë të angazhohen ushtarakisht në Bosnjë

U arrestua dr. Adnan Shabani

U rrahën dhe u keqtrajtuan disa banorë të Stari Tërgut

Në ankand publik oborri i Shkollës Fillore

Maqedonia u pranua në OKB

Rreth 150 mijë shqiptarë në Greqi

 

 

9 prill 1994

Lajmet kryesore:

Koment i “Bujkut”: Pavarësia e Kosovës nuk e rrezikon Serbinë

Anketa e “Zërit” për dialogun eventual shqiptaro-serb: Vetëvendosja për Kosovën – kusht për bisedime

Represioni në Kosovë

Në Skënderaj persona të panjohur thyen lokalet e SHH “Nëna Terezë”

Kërkohet Sadie Zymer Rexha

 

 

9 prill 1997

Lajmet kryesore:

Vlerësime rreth tryezës së Nju Jorkut

  1. Bërns: S’ka marrëdhënie me Serbinë pa u ndryshuar politika ndaj Kosovës

Reagimet e shtypit serb për tryezën e Nju-Jorkut

Elizabet Ren: Gjendja në Kosovë është dramatike

Në Saradran të Istogut nxënësi vrau nxënësin

Në Beograd arritën kufomat e mercenarëve të vrarë serbë në luftën e Zairesë

Serbia pa ligj të vetadministrimit lokal për shkak të Kosovës

Bastisje me pretekst të armës

Një delegacion i serbëve të Kosovës në Londër

Fitues i “Kurorës së Artë” në Strugë është poeti libanez Ali Ahmed Seid-Adonis

 

Lajm i plotë:

Azilkërkuesin shqiptar e vrau një algjerian

Prishtinë, 9 prill (QIK)

Pardje, Qendra për Informim e Kosovës, duke iu referuar agjencisë AFP, njoftoi për mbytjen me thikë të dielen në mbrëmje të një azilkërkuesi shqiptar në lokalitetin Recklinghausen në Gjermani.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Lipjan njofton sot se i mbyturi është nga fshati Dobrajë e Madhe e kësaj komune dhe quhet Esat Bahtiri (23).

Lajmin në familje e përcolli axha i Esatit, Ragipi, i cili gjithashtu ndodhet në Gjermani. Ai theksoi se i ndjeri është goditur me thikë dhe ka pësuar lëndime vdekjeprurëse nga një grup algjerianësh, gjithashtu azilkërkues në Gjermani. Rrethanat që sollën deri te ky akt tragjik nuk janë bërë të njohura.

Esat Bahtiri ka shkuar në Gjermani para dy vitesh dhe gjatë kësaj kohe ka ndihmuar vazhdimisht familjen e tij, e cila vdekjen e Esatit e priti më dhembje të madhe. Vdekja e për familjen e tij është edhe më e rëndë, pasi para një viti kjo familje humbi edhe një djalë tjetër trembëdhjetëvjeçar, i cili vdiq tragjikisht.

Esati është azilkërkuesi i tretë nga Dobraja e Madhe që u kthye në arkivol brenda një periudhe njëvjeçare. Vetëm tri ditë më parë në këtë fshat u varros Ramë Gashi, i cili humbi jetën tragjikisht në Zvicër.

 Foto: Nikollas Bërns, diplomat amerikan

Continue Reading

Lajmet

Dita e Kushtetutës së Kosovës

Published

on

By

18 vjet më parë, Kosova u bë me aktin më të lartë juridik, dokumentin bazë të shtetësisë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke i dhënë fund qeverisjes së Kosovës në bazë të rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244.

17 shkurti i vitit 2008 shënoi Kosovën në hartat politike të shteteve të pavarura ndërsa dy muaj më pas Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila më 15 qershor të po atij viti hyri në fuqi.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet për këtë ditë do të pushojnë më 9 prill, e enjte.

Continue Reading

Vendi

UBT lanson Global Virtual Campus, një model i ri i arsimit pa kufij

Published

on

By

UBT ka lansuar zyrtarisht konceptin më të ri inovativ në fushën e arsimit, Global Virtual Campus, një platformë që synon të transformojë mënyrën se si ofrohet edukimi në nivel global, përmes partneritetit strategjik me EON Reality.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model është një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të qasshëm për të gjithë.

Në këtë kontekst, Global Virtual Campus është një koncept dhe model i ri, modeli i së ardhmes, që mundëson ofrimin e të njëjtës përmbajtje dhe të njëjtës cilësi kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, pa humbur kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Pra, kjo qasje e aksesueshmërisë dhe përballueshmërisë, kudo dhe në çdo kohë, është thelbi i Global Virtual Campus, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi deklaroi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet më të vlerësuara globalisht në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, ndërmarrësia dhe shkenca.

Ai nënvizoi se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është i akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council, si dhe gëzon një validim të fortë në raport me sistemin amerikan të arsimit.

“Ne besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizi, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka mundësuar ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.

Global Virtual Campus synon të ofrojë përmbajtje dhe standard të njëjtë edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.

Video e plotë

Continue Reading

Vendi

Kryesia dështon të miratojë rendin e ditës: Mospajtime për rezolutën e luftës

Published

on

By

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.

PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.

Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.

Continue Reading

Të kërkuara