Kulturë

Hiqni dorë nga këto lloj mesazhesh

4 arsye të forta pse duhet të hiqni dorë nga këto lloj mesazhesh.

Published

on

Nëse jeni një nga ata njerëzit që respektoni me përpikmëri shenjat e pikësimit, jeni për t’u vlerësuar, por na duhet t’ju themi që ndoshta duhet ta bëni një përjashtim kur shkruani me mesazhe dhe komunikoni me njerëz të afërt (sepse padyshim që nuk po flasim për komunikimet formale).

E kemi fjalën për mesazhet kur i shoqëroni tekstet me pikë në fund. Disa arsye pse mund t’i shmangni janë:

1. Dukesh më pak i/e sinqertë.

“Shihemi atje!!!” vs “Shihemi atje.”

Në rastin e parë, fjalia duket më e sinqertë – sikur me të vërtetë mezi po prisni ta takoni dikë. Në rastin e dytë, përcillet një ton i ftohtë komunikimi. Një studim i disa prikologëve nga Universiteti Binghamton zbuloi se mesazhet pa pika perceptohen si më të sinqerta. Nëse doni të përdorni patjetër shenjën e pikësimit në fund, mund ta zëvendësoni me pikëçuditëse për t’u dukur më të lumtur ose të shtoni emoji pas pikës.

2. Dukesh pasivo-agresiv/e.

Ndonëse mund të mos jetë qëllimi juaj, një fjali e shkurtër me pikë në fund mund të duket si pasivo-agresive. Pika në fund sikur nënkupton diçka tepër përfundimtare, të prerë. Duke qenë se bëhet fjalë për komunikim virtual dhe për fjalinë e fundit të një teksti me shumë fjali, pika nuk shërben për asgjë sepse kuptohet qartë ku mbaron teksti.

3. Dukesh indiferent/e.

Ne nuk mund ta shohim njëri-tjetrin kur shkëmbejmë mesazhe, prandaj duke qenë se na mungon kjo e dhënë, hamendësojmë për tonin e komunikimit ose gjendjen shpirtërore të tjetrit. Përgjigjet me pika në fund duken më pak entuaziaste, sikur mbyllin diskutimin.

4. Dukesh shumë formal.

Përdorimi i pikave mund ta bëjë mesazhin të duket si email. Pra, shumë zyrtar.

Burimet: Bright Side, Science Direct

Lajmet

Gjilani mirëpret edicionin e 9-të të Festivalit Ndërkombëtar “Rising Stars”

Published

on

Në Gjilan është mbajtur edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, një ngjarje që mblodhi artistë të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe e ktheu qytetin në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit kulturor e artistik.

Festivali bëri bashkë rreth 100 konkurrentë nga 15 shtete, si dhe mbi 200 mysafirë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në aktivitetet artistike gjatë disa ditëve.

Nata finale u karakterizua nga performanca të nivelit të lartë, ndërsa u shpallën edhe fituesit kryesorë të këtij edicioni. Çmimet kryesore u ndanë për pjesëmarrës nga Rumania, Malta dhe Italia.

Organizatorët vlerësuan se festivali vazhdon të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe të promovojë talentet e reja muzikore, duke e vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme artistike.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars” u mbështet nga Ministria e Kulturës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy vjet pa Ismail Kadarenë, gjeniu i letërsisë shqipe dhe botërore

Published

on

Sot, më 1 korrik 2026, shënohen dy vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe dhe botërore.

Kadare, i lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër, u konsiderua gjerësisht si prozatori më i shquar shqiptar, me një krijimtari të gjerë që përfshin romane, tregime, poezi, drama dhe ese. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës, duke e bërë atë një nga ambasadorët më të njohur të letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Gjatë karrierës së tij letrare, Kadare trajtoi tema universale si totalitarizmi, liria, historia dhe identiteti kombëtar, shpesh përmes një gjuhe simbolike dhe alegorike. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Kështjella”, “Prilli i thyer” dhe “Pallati i ëndrrave”, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë evropiane.

I formuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, Kadare u kthye në një zë të veçantë letrar që sfidoi kufizimet e kohës dhe solli një vizion kritik ndaj sistemeve totalitare. Pas viteve ’90, ai jetoi mes Francës dhe Shqipërisë, duke vijuar të botojë dhe të mbetet një nga autorët më të lexuar shqiptarë në botë.

Kadare u nderua me çmime të shumta prestigjioze ndërkombëtare, mes tyre “Man Booker International Prize” (2005), “Princesa de Asturias” për Artet (2009) dhe Çmimin “Jerusalem” (2015). Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë, një nga institucionet më të larta akademike evropiane.

Dy vjet pas ndarjes së tij nga jeta, vepra e Ismail Kadaresë vazhdon të lexohet, studiohet dhe të mbetet një nga trashëgimitë më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe evropiane të shekullit XX dhe XXI./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Saranda Bogujevci viziton provën gjenerale të Operës së Kosovës para premierës së veprave të Puccinit

Published

on

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka vizituar sot provën gjenerale të Operës së Kosovës, në prag të premierës së diptikut të kompozitorit italian Giacomo Puccini, e cila do të shfaqet më 1 korrik.

Gjatë vizitës, ministrja përcolli nga afër fazën përfundimtare të përgatitjeve, duke ndjekur punën e orkestrës, solistëve dhe ekipit realizues, të cilët po finalizojnë detajet e këtij produksioni të rëndësishëm artistik.

Sipas Ministrisë së Kulturës, ky produksion do t’i sjellë publikut në Prishtinë dy vepra të rëndësishme të repertorit operistik botëror, duke pasuruar jetën kulturore dhe artistike të vendit.

Premiera e 1 korrikut konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm për zhvillimin e operës në Kosovë, duke dëshmuar përkushtimin e institucioneve dhe artistëve për avancimin e artit skenik dhe muzikor, si dhe për sjelljen e produksioneve cilësore para publikut kosovar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve performon për herë të parë në Londër

Published

on

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve do të ngjitet për herë të parë në skenën e Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë trashëgiminë kulturore shqiptare në zemër të Londrës përmes një shfaqjeje artistike të veçantë.

Sipas njoftimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, performanca do të mbahet më 6 korrik në Shaw Theatre në Londër, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje që ndërthur traditën shqiptare me frymëzimin që poeti britanik Lord Bajron gjeti në Shqipëri.

Në këtë mbrëmje artistike, ansambli do të prezantojë një program të pasur me këngë dhe valle tradicionale, kostume autentike dhe tinguj karakteristikë të folklorit shqiptar, duke përcjellë historinë, traditat dhe identitetin kulturor të shqiptarëve para publikut ndërkombëtar.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thekson se shfaqja “Zëri i Trashëgimisë” synon të promovojë kulturën shqiptare përmes gjuhës universale të artit, duke shërbyer si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Zëri i Trashëgimisë është një ftesë për të zbuluar Shqipërinë përmes artit, një urë kulturore mes dy vendeve dhe një homazh për pasurinë e jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar”, thuhet në njoftimin e TKOB-së.

Kjo paraqitje shënon një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke sjellë në një nga skenat e Londrës pasurinë e folklorit dhe traditave shqiptare./atsh//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara