Lajmet

Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin në Ibër-Lepenc

Published

on

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.

“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë“, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.

Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e hodhi poshtë një gjë të tillë.

Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë së cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/’99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.

Sulmi u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe shtete të Bashkimit Evropian.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se nuk ka ndonjë paralajmërim për vendosjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë ruse.

Ai tha për RTS-në se ekziston shqetësimi nëse NIS, në duart e rusëve, në ndonjë mënyrë ndihmon financimin e luftës në Ukrainë dhe se këto janë çështje legjitime që duhet të shqyrtohen me kujdes.

“Mund t’ju them se, që kur rusët e blenë NIS-in, ka pasur një shqetësim të madh në lidhje me këtë, pasi është e vetmja rafineri në Serbi dhe që prej kohës kur është nën pronësinë shumicë të rusëve, kjo ka shqetësuar shumë njerëz për vite me radhë. Ky shqetësim është bërë edhe më i madh për shkak të faktit se Rusia vazhdon të zhvillojë një luftë barbare kundër Ukrainës“, tha Hill.

NIS-i është që nga viti 2008 në pronësi shumicë të kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft, dhe kompanisë amë të saj, Gazprom.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë vendosur Gazprom Neft-in në listën e zezë që nga viti 2014, pas aneksimit rus të gadishullit ukrainas të Krimesë.

“Do të shohim se cili do të jetë rezultati. Dua t’ju siguroj se, në asnjë mënyrë, vendimi përfundimtar nuk do të ndikojë në ekonominë serbe“, shtoi Hill.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 dhjetor se SHBA-ja planifikojnë të vendosë sanksione kundër NIS-it për shkak të pronësisë ruse dhe se këtyre sanksioneve do t’u bashkohet edhe Mbretëria e Bashkuar.

Një ditë më vonë, Vuçiq tha se ende nuk ka parë një dokument zyrtar për vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja kundër NIS-it, por se ekziston “një lloj konfirmimi zyrtar” që vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar për shkak të pronësisë ruse.

Departamenti i Shtetit më 16 dhjetor, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk publikojnë veprime të lidhura me sanksionet.

Në përgjigje thuhet se SHBA-ja “mbetet e përkushtuar për të penguar të ardhurat dhe rrjetet e furnizimit dhe financimit të Rusisë që përdoren për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

Beogradi, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe vazhdon t’i ruajë lidhjet me zyrtarët në Kremlin.

Serbia është kryesisht e varur nga Rusia në sektorin energjetik, megjithëse ka nisur diversifikimin e rrugëve dhe burimeve për furnizimin me gaz./REL/

 

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara