Aktualitet

Hetimi amerikan për origjinën e Coronavirusit

Sa e rëndësishme është që ta kuptojmë origjinën?

Published

on

Fillimisht e hedhur poshtë nga ekspertë për kujdes shëndetësor dhe zyrtarë qeveritarë, hipoteza se coronavirusi ka dalë aksidentalisht nga një laborator kinez, tani po merr vëmendje të re nga autoritetet amerikane.

Ekspertët kanë thënë se hetimi 90-ditor, i kërkuar më 26 maj nga presidenti amerikan Joe Biden, do të shtyjë agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara që të mbledhin më shumë të dhëna dhe të analizojnë ato që veçse kanë.

Ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, kanë bërë thirrje publike për hetime shtesë, ashtu sikurse shkencëtarë tjerë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Shumë shkencëtarë, përfshirë mjekun Anthony Fauci, kanë thënë se ende besojnë se virusi vjen nga natyra dhe është bartur nga kafshët te njerëzit. Hulumtuesit e virusit nuk kanë identifikuar publikisht ndonjë të dhënë të re shkencore që mund ta bëjë më të mundshme hipotezën për rrjedhje të coronavirusit nga laboratori.

Virologët kanë thënë po ashtu se ka pak mundësi që ndonjë përgjigje përfundimtare për origjinën e coronavirusit të bëhet publike në 90 ditë.

Puna për konfirmim të plotë të origjinës së viruseve në të kaluarën – siç kanë qenë SARS apo HIV/AIDS – kanë marrë vite apo dekada.

Çfarë janë duke analizuar agjencitë e inteligjencës?

Biden ka urdhëruar rishikim të atyre që Shtëpia e Bardhë i ka konsideruar “dy skenarë të mundshëm”, të bartjes së virusit nga kafshët te njeriu apo rrjedhja nga laboratori.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë është thënë se dy agjenci në komunitetin e inteligjencës – prej 18 të tillave – anojnë nga hipoteza për bartje të virusit nga natyra.

Një dokument që ka fituar vëmendje të re është nga Departamenti amerikan i Shtetit, i publikuar në ditët e fundit të administratës Trump. Në të theksohet se Shtetet e Bashkuara besojnë që tre hulumtues në Vuhan të Kinës kanë kërkuar trajtim mjekësor për sëmundje të frymëmarrjes në nëntor të vitit 2019.

Megjithatë raporti nuk është përfundimtar: origjina dhe shkalla e sëmurjes së stafit nuk dihet – dhe shumë njerëz në Kinë shkojnë vazhdimisht në spitale, jo për urgjenca, por për kontrolle rutinore.

Në dokument po ashtu theksohet se eksperimentet për ndryshim të viruseve dhe sëmundjeve – çka potencialisht mund të nxisin vdekje apo përhapje – janë bërë në një laborator në Vuhan me mbështetjen amerikane.

Megjithatë, drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetit, Franic Collins ka mohuar se ka pasur mbështetje amerikane në eksperimente të tilla në coronaviruse në Vuhan.

David Feith, i cili ka shërbyer si zëvendës-ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore dhe Çështjet në Paqësor gjatë administratës Trump, ka thënë se ka mbështetur thirrjen e Bidenit për rishikim tjetër.

“Në deklaratën e presidentit është nënkuptuar se ka më shumë për të analizuar dhe më shumë të dhëna për t’u mbledhur”, ka thënë Feith.

Mirëpo shefi i Inteligjencës Kombëtare ka mohuar të komentojë në këtë çështje, transmeton agjencia e lajmeve Associated Press.

Pse po i pengon Kina hetimet?

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, Kina është kritikuar për mungesë të transparencës.

“Dështimi për të dërguar inspektorët në teren në muajt e parë do të pengojë gjithmonë hetimet për origjinë të coronavirusit”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Kina është raportuar se ka detyruar disa gazetarë të largohen nga shteti në vitet e fundit dhe ka heshtur apo burgosur informatorët nga Vuhani dhe vendet tjera.

Mungesa e transparencës në Kinë është shumë e rëndësishme dhe sfidë tashmë e ditur. Mirëpo kjo gjë në realitet nuk tregon se diçka është duke u fshehur.

“Problemi qëndron në atë se kur ju bëni ndonjë njoftim (sikur thirrja e Bidenit për hetime) në një ambient tejet politik, kjo gjë e bën më pak të mundshëm bashkëpunimin nga ana e Kinës, në drejtim të gjetjes së origjinës së virusit”, ka thënë Yanzhong Huang, hulumtues i lartë për shëndet global në Këshillin për Marrëdhënie të Huaja.

Çfarë besojnë shkencëtarët sa i përket origjinës së virusit?

Argumenti më bindës për hetim të mundësisë së daljes së virusit nga laboratori, nuk bazohet në ndonjë të dhënë të re, por në faktin që mundësitë tjera të qarkullimit të virusit nuk janë të konfirmuara 100 për qind.

“Mundësia më e madhe ende është ajo se virusi ka dalë nga gjallesat e egra”, ka thënë Arinjay Banerjee, virolog në Organizatën për Vaksina dhe Sëmundje Infektive në Saskatchewan, Kanada.

Ai ka thënë se janë të zakonshme rastet kur virusi bartet nga kafshët në njerëz dhe se shkencëtarët tashmë kanë njohuri për dy coronaviruse të ngjashme që janë zhvilluar në lakuriqë dhe kanë shkaktuar epidemi kur njerëzit janë infektuar: SARS1 dhe MERS.

Megjithatë, rasti nuk është plotësisht i mbyllur.

“Ka mundësi e mundësi. Meqë askush nuk e ka identifikuar një virus në kafshë, që është 100 për qind identik me coronavirusin e ri, ende ka hapësirë për kërkime dhe për gjetje të mundësive tjera”.

Sa gjatë zgjat procesi i konfirmimit të origjinës së virusit?

Konfirmimi me 100 për qind siguri për origjinën e coronavirusit, nuk është proces i shpejtë, i lehtë dhe gjithmonë i mundshëm.

Shembull, shkencëtarët nuk e kanë konfirmuar kurrë origjinën e lisë, para se sëmundja të çrrënjosej përmes një programi global të vaksinimit.

Në rastet e sëmundjeve SARS, një prej të cilave shkaktohet edhe nga coronavirusi i ri, shkencëtarët kanë identifikuar viruse të tilla në shkurt të vitit 2013.

Më vonë gjatë vitit, shkencëtarët kanë zbuluar çka mund të ketë ndërmjetësuar sëmundjen: macet e llojit civet janë gjetur në tregjet e kafshëve në tregjet në Guangdong, Kinë.

Mirëpo deri më 2017, hulumtuesit nuk kanë gjetur burimin origjinal të këtij virusi në shpellat e lakuriqëve në provincën Yunnan të Kinës.

Sa e rëndësishme është që ta kuptojmë origjinën?

Nga perspektiva shkencore, hulumtuesit kanë gjithmonë dëshirë që të kuptojnë më shumë si zhvillohen sëmundjet. Nga perspektiva e shëndetit publik, nëse një virus kalon lehtësisht nga njeriu në njeri, zbulimi i origjinës nuk është thelbësor për hartim të strategjive për ndalje të sëmundjes.

“Pyetjet për origjinë dhe kontrollim të sëmundjes nuk përbëjnë të njëjtën gjë kur përhapja nga njeriu në njeri bëhet gjë e shpeshtë”, ka thënë Deborah Seligsohn, eksperte për shëndetin publik dhe atë të ambientit në Universitetin Villanova.

Republikanët kanë shtyrë përpara idenë për më shumë hetime të idesë se virusi ka dalë nga laboratori dhe fajësim të Kinës.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara gati 600,000 persona kanë vdekur me coronavirus, njëherësh numri më i lartë i viktimave në krahasim me shtetet tjera.

Çfarë ndodh pas 90 ditëve?

Shumë shkencëtarë besojnë se nuk ka mundësi që një hetim 90-ditor të japë përgjigje përfundimtare.

“Rrallë ndodh një gjë e tillë”, ka thënë Stephen Morse, hulumtues sëmundjesh në Universitetin Columbia.

“Edhe në rrethanat më të mira, rrallë ndodh të kemi aq shumë siguri”.

Çfarëdo gjetjeje ka mundësi të jetë politikisht shpërthyese, sidomos nëse do të ketë të dhëna që mbështesin apo hedhin poshtë ndonjërën teori.

Dhe dështimi për të arritur në përfundime, çka mund të jetë i pashmangshëm pas 90 ditëve, do të mund të forcojë teoritë konspirative.

Ndërkohë ekspertët si Huang nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, dyshojnë se Kina mund të izolohet edhe më shumë, çka potencialisht mund të komplikojë marrëdhëniet veçse të tensionuara me Shtetet e Bashkuara.

“Kjo gjë ka mundësi të bëjë edhe më sfiduese dhënin e lejes për një tjetër ekip që ta vizitojë Vuhanin, apo qasjen e pakufizuar në hetime atje”, ka thënë ai.

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Aktualitet

Netanyahu: Piloti tentoi ta rrëzonte aeroplanin gjatë fluturimit nga Dubai për në Izrael

Published

on

By

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se një incident i rëndë ka ndodhur në bordin e një aeroplani që po udhëtonte nga Dubai drejt Izraelit, ku njëri prej pilotëve sulmoi me thikë kolegun e tij dhe u përpoq të rrëzonte mjetin fluturues.

Përmes një deklarate zyrtare të lëshuar disa orë pas ngjarjes, Netanyahu konfirmoi se piloti sulmues është arrestuar nga autoritetet në Arabinë Saudite, ku aeroplani kreu ulje emergjente.

“Njëri prej pilotëve e goditi me thikë pilotin tjetër dhe, me sa duket, u përpoq ta rrëzonte avionin bashkë me pasagjerët e tij. Fola me një prej pasagjerëve izraelitë, i cili më tha se avioni kishte nisur të rrotullohej dhe filloi të humbiste lartësi. I përshëndes këta heronj, të cilët treguan zgjuarsi dhe guxim të jashtëzakonshëm. Të gjithë pasagjerët janë jashtë rrezikut. Piloti sulmues u arrestua dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet saudite”, deklaroi Netanyahu.

Sipas raportimeve të medieve izraelite gjatë ditës, piloti që ndërmori sulmin dhe tentoi rrëzimin e aeroplanit me pasagjerë është me shtetësi nga Omani. Autoritetet saudite po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Të kërkuara