Lajmet

Hetimet ndaj Faton Pecit, prokurorët i përgjigjen akuzave politike

Published

on

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim ndaj deklarimeve publike të bëra nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale, që përfshijnë intervistimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, në cilësinë e të dyshuarit.

“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.

Shoqata thekson se të gjithë prokurorët në Kosovë, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet.

“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjete për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike”, thuhet më tej në reagim.

Shoqata u bën thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial dhe të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve.

Kujtojmë se të martën, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës zhvilloi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe në zyrat e një kompanie private.

Sipas prokurorit të rastit, Admir Shala, hetimet lidhen me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, u intervistua në cilësinë e të dyshuarit.

Pas intervistimit të tij, reaguan disa zyrtarë të lartë të Qeverisë. Ministrja e Jashtme në detyrë dhe bashkëkryetare e GUXO, Donika Gërvalla, e cilësoi intervistimin e Pecit si “inskenim të gërditshëm” nga ana e kryeprokurorit Blerim Isufaj. Edhe vetë subjekti politik GUXO lëshoi një deklaratë ku ngriti dyshime mbi paanshmërinë e hetimeve. Në mbështetje të ministrit Peci doli gjithashtu edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Vendi

Policia konfiskon mbi 1200 palë xhinse në Banjskë

Published

on

By

Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar me konfiskimin e një sasie të madhe të mallit të kontrabanduar në zonën e fshatit Banjskë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, njësitet policore kanë vënë në ndjekje një automjet pa targa që lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugët malore, i cili më pas është gjetur i braktisur nga personat e dyshimtë.

Brenda veturës, policia gjeti 32 thasë me gjithsej 1217 palë pantallona xhins dhe mbi 300 rripa, të cilët po transportoheshin ilegalisht.

Përveç mallit, në automjet u gjetën edhe një palë targa të Serbisë, një radiolidhje dhe një kanistër me naftë.

Malli i konfiskuar i ka kaluar Doganës së Kosovës, ndërsa me udhëzim të prokurorit, rasti po vazhdon të hetohet.

Continue Reading

Aktualitet

Ultimatumi i Trumpit: “Irani mund të shkatërrohet brenda një nate”

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar paralajmërimin më të ashpër deri më tani ndaj Teheranit, duke kërcënuar me shkatërrim total të infrastrukturës kyçe nëse nuk arrihet një marrëveshje e menjëhershme. Gjatë një konference dramatike për media këtë të hënë, Trump njoftoi se Irani ka afat deri të martën në orën 20:00 për të plotësuar kërkesat amerikane dhe për të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Misioni “pothuajse i pamundur” i shpëtimit

Konferenca nisi me njoftimin për një operacion historik shpëtimi të dy ushtarakëve amerikanë, avioni i të cilëve (F-15) ishte rrëzuar në territorin iranian.

Operacioni përfshiu mbi 150 avionë dhe një “fushatë mashtruese” të inteligjencës për të ngatërruar forcat iraniane.

Njëri nga pilotët, i plagosur rëndë, mbijetoi 48 orë në terren armiqësor, duke mjekuar veten dhe duke u ngjitur nëpër shkëmbinj për të transmetuar vendndodhjen.

Trump pranoi se kishte kundërshtime nga zyrtarë ushtarakë për shkak të rrezikut të lartë, por ai e miratoi personalisht misionin, i cili përfundoi pa asnjë viktimë amerikane.

Kërcënimi për shkatërrim total

Trump ishte i prerë sa i përket hapave të radhës nëse Irani nuk zmbrapset nga bllokada e naftës:

“I gjithë vendi mund të shkatërrohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nesër,” deklaroi ai, duke iu referuar mundësisë së bombardimit të termocentraleve dhe urave.

I pyetur nëse këto goditje do të konsideroheshin krime lufte, presidenti u përgjigj shkurt: “Jo. Shpresoj të mos më duhet ta bëj.”

Teherani zyrtar i ka cilësuar fjalët e Trumpit si “retorikë arrogante”. Ata kanë refuzuar një propozim paqeje prej 15 pikash të ofruar nga Uashingtoni, ndërkohë që luftimet mes Izraelit dhe Iranit janë intensifikuar. Raportet e fundit flasin për të paktën 19 të vdekur nga sulmet ajrore pranë Teheranit.

Një moment tensioni në konferencë ishte kur Trump kërcënoi me burgim një gazetar (pa ia përmendur emrin) që kishte publikuar detaje për pilotin e bllokuar para se të përfundonte misioni. Ai argumentoi se rrjedhja e informacionit vuri në rrezik jetën e ushtarëve dhe sigurinë kombëtare.

Në qendër të konfliktit mbetet kontrolli i Ngushticës së Hormuzit. Trump theksoi se SHBA ka neutralizuar pjesën dërrmuese të forcave detare iraniane, por paralajmëroi se mjafton “një terrorist me një kamion dhe një minë uji” për të paralizuar transportin global të naftës.

Pavarësisht gjuhës së ashpër, Trump pretendoi se negociatat po vazhdojnë dhe se, sipas tij, shumë civilë iranianë e shohin ndërhyrjen amerikane si një “rrugë drejt lirisë” nga regjimi aktual.

 

Continue Reading

Vendi

Shtrenjtohet sërish nafta: MINT publikon çmimet tavan për të martën

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve në tregun e Kosovës për ditën e martë. Sipas të dhënave të reja, çmimi i naftës ka shënuar rritje, ndërsa benzina ka pësuar një rënie të lehtë.

Në bazë të vendimit të publikuar nga ministria, çmimet tavan për litër janë:

  • Nafta (Dizel): 1.88 euro (nga 1.86 sa ishte të hënën)
  • Benzina: 1.46 euro (nga 1.49 sa ishte të hënën)
  • Gazi: 0.74 euro

MINT njofton se do të vazhdojë të publikojë çdo ditë, deri në orën 10:00, çmimet maksimale të lejuara bazuar në mekanizmin e ri të rregullimit të tregut. Ky çmim llogaritet mbi mesataren e importeve të fundit, ku shitësit me pakicë lejohen të shtojnë deri në 12 centë mbi çmimin e furnizimit, ndërsa ata me shumicë deri në 2 centë.

Rritja e çmimeve në tregun vendor është reflektim i situatës së tensionuar në nivel global.

Që nga 28 shkurti, tregjet e naftës janë destabilizuar pas nisjes së konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Situata është rënduar veçanërisht pas vendimit të Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Kjo pikë strategjike është jetike për ekonominë botërore, pasi përmes saj kalon rreth 20 për qind e furnizimit global me naftë, duke shkaktuar kështu mungesa dhe rritje të menjëhershme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Marca: Lotët e një “luftëtari” – Si e gjunjëzoi Vedat Muriqi Real Madridin dhe emocionoi botën

Published

on

By

Gazetari i famshëm i prestigjiozes spanjolle “Marca”, i ka dedikuar një shkrim prekës sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, pas fitores dramatike të Mallorcas ndaj Real Madridit. Ai e përshkruan Muriqin jo thjesht si një futbollist, por si një njeri që triumfoi mbi dhimbjen e së shkuarës.

Fitorja e fundit e Mallorcas kundër gjigantëve të Real Madridit nuk do të mbetet në histori vetëm për pikët e arritura, por për imazhin që po bën xhiron e botës: Vedat Muriqin duke qarë mes fushës.

Sipas raportimit të Marca, sulmuesi nga Prizreni ishte heroi i mbrëmjes duke shënuar golin e fitores në sekondat e fundit. Por, në vend të një festimi pompoz, Muriqi u gjunjëzua në stadiumin “Son Moix” dhe shpërtheu në lot para mijëra tifozëve, duke çliruar gjithë barrën emocionale që mbante prej javësh.

Rrugëtimi mes sakrificave: Nga lufta në Prizren në majat e La Ligës

Gazetari i “Marca” ka gërmuar thellë në jetën e sulmuesit, duke kujtuar se forca e tij vjen nga një fëmijëri e kaluar mes tmerreve të luftës në Kosovë. Ai përshkruan se si Muriqi njohu urinë që në moshën 5-vjeçare dhe u detyrua të linte shkollën që në moshën 15-vjeçare për të punuar, me qëllimin e vetëm për të ndihmuar familjen dhe për të ndjekur ëndrrën e futbollit.

Ky karakter “luftëtari” u vërtetua edhe nga trajneri i tij, Demichelis:

“Muriqi po vuan, por ai është një luftëtar. Historia e tij tregon se ai di si t’i përballojë vështirësitë. Edhe pas gabimeve si ajo penallti ndaj Elches, ai gjeti forcën të ngrihej dhe të bënte këtë performancë të jashtëzakonshme.”

“Edhe unë jam njeri”

Për Muriqin, ky gol ishte një hakmarrje ndaj fatit pas një periudhe të errët, ku humbja e penalltisë me ekipin dhe dështimi i kualifikimit të Kosovës në Botëror e kishin rënduar psikologjikisht.

Pas ndeshjes, ai dha një deklaratë që i preku të gjithë: “Edhe pse nga jashtë mund të dukem i ashpër dhe i shëmtuar, unë jam gjithashtu njeri. Ndonjëherë emocionet dhe nervat më mposhtin.”

Me këtë fitore, Mallorca jo vetëm që u largua nga fundi i tabelës, por gjeti te Muriqi simbolin e shpresës për mbijetesë. Siç e mbyll artikullin gazetari i “Marca”, lotët e Muriqit janë prova se pas çdo luftëtari të madh, fshihet një zemër e ndjeshme që di të triumfojë mbi çdo pengesë.

Continue Reading

Të kërkuara