Lajmet

“Heronjtë e pandemisë” duan pagat dhe vazhdimin e kontratave

Këtë protestë të stafit mbështetës e kanë përkrahur edhe Sindikata e Infermierëve të Kosovës.

Published

on

Infermierët dhe mjekët që janë angazhuar gjatë pandemisë COVID-19, nga muaji marsi i këtij viti nuk janë paguar. Ata protestuan sot para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar që t’ju vazhdohet edhe kontrata të cilëve ju përfundon muajin e ardhshëm.

Me pankartat në duar që mbanin mbishkrimet “Ministër na kthen përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs në gjermanisht në orën 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë ne ishim arsyeja”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, ata kërkonin përgjigje për të dy kërkesat e tyre.

Përfaqësuesja e infermierëve në QKUK, Nurie Ukaj, u shpreh se përkundër që vazhdimisht kanë drejtuar kërkesa në MSh nuk kanë marrë ndonjë përgjigje rreth kërkesave të tyre. Sipas saj, disa prej stafit mbështetës janë detyruar ta bojkotojnë punën në pamundësi financiare.

“Qëllimi i organizimit të protestës sot është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë pa një përgjigje zyrtare, momentalisht me të gjithë stafin mbështetës nuk largohemi pa e marrë një përgjigje zyrtare…. Përafërsisht janë bërë tre muaj (që nuk kemi marrë rrogë)… Kemi bërë kërkesa e shkresa, kemi dërguar emaile, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje përveç dje kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihun krejt çka na ka thënë është se ka optimizëm por jo një përgjigje definitive… Punën e vazhdojmë njëjtë ka edhe disa kolegë të cilët e kanë bojkotuar punën arsyeja është pamundësia financiare për zhvillimin e mëtejshëm të punës… Jemi të angazhuar maksimalisht, ka kolegë që punojnë me kujdestari pothuajse njëjtë sikur ata të rregullt, nuk kemi diçka dallim pse ata janë të rregullt e ne jemi me afat të caktuar”, theksoi ajo.

Qëndresa Berisha, e cila është e angazhuar në procesin e vaksinimit, u shpreh se ka dy vite që me kontratë mbi vepër është duke punuar, derisa angazhimi i saj nuk po paguhet tash e tre muaj. Ajo tha se këto kanë qenë arsyet që tashmë ajo ka ndërprerë kontratën e punës me MSh dhe ka vendosur të vazhdojë angazhimin e saj profesional në Gjermani.

“Jemi që dy vite me kontratë mbi vepër ku për këtë protestë jemi dal shkaku kryesor është për shkak të pagesave, shkaku i dytë është për vazhdimin e kontratave tona që jemi duke u maltretuar që dy vite me kontrata mbi vepër, 3 muaj e 6 muaj. Gjithashtu pagesa 3 mujore që është vonuar që shumë prej nesh kanë obligime familjare e pagesa për banesa për gjëra personale. Kjo vonesë që është prej 3 muajsh dhe kjo (paqartësi për) vazhdimësi të kontratave për 2 vite ka shkaktuar që unë personalisht si infermiere të shkëpusë kontratën dhe të vendosi të punësohem në Gjermani”, theksoi Berisha.

Ilirian Demaj, i cili nga shtatori është i angazhuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive, tha se do të ishte e udhës që të informohen edhe për vazhdimin apo jo të kontratave të punës të cilat u skadojnë në qershor, me qëllim që të bëjnë një zgjidhje.

“Shkaku që ne sot po protestojmë është arsyeja e pagave së pari ku javën e ardhshme bëhen tre muaj fiks që nuk kemi marr pagat dhe arsye tjetër janë kontratat që skadojnë javën e ardhshme, disave iu skadojnë me 5 deri 6 qershor, kurse stafit të vaksinimit i skadon me 15 qershor dhe nuk kemi marr asnjë përgjigje. Do të ishte e arsyeshme që së paku 1 muaj përpara të dihet nëse do të ndërpriten kontratat ose do të vazhdojnë që secili prej nesh të bëjnë një zgjidhje pas asaj date”, u shpreh Demaj.

Këtë protestë të stafit mbështetës e kanë përkrahur edhe Sindikata e Infermierëve të Kosovës. Enlirak Duraku, nga kjo sindikatë, u shpreh se këto kërkesa të stafit mbështetës janë të arsyeshme, derisa kërkoi që ekzekutimin e pagave të tyre të ekzekutohen në kohë të duhur.

“Pagat e këtyre profesionistëve shëndetësorë, stafit mbështetës, të ekzekutohen në kohën e duhur pasi që ka mundësi që dikush mund të varet vetëm prej kësaj page. Pastaj, ekziston edhe çështja e kontratave të punës sepse fundja këta janë qytetarë tanë, janë profesionistë, sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për ta, këta kanë nevojë për punë, ndërsa pacientët kanë nevojë për kujdesin tonë maksimal. Andaj kërkesën e tyre për ekzekutim të pagave dhe vazhdim të kontratave pasi që është evidente që ka mungesa të mëdha në sistemin shëndetësor sidomos për infermierët dhe stafin mbështetës”, u shpreh ai.

Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësor, përfshirë mjekë e infermierë, Ministria e Shëndetësisë i kishte angazhuar gjatë pandemisë, por ata që nga muaji mars nuk morën paga. Ky staf mbështetës po ashtu nuk ka përfituar as nga shtesat financiare që janë paraparë për profesionistët shëndetësorë.

Lajmet

Shtatë të lënduar në një aksident në autostradën “Ibrahim Rugova”

Published

on

Shtatë persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e së mërkurës në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka njoftuar se rreth orës 17:50 ka pranuar informatën për aksidentin, në të cilin janë përfshirë një kamion dhe dy vetura.

Si pasojë e aksidentit, shtatë persona kanë mbetur të lënduar, por sipas informacioneve fillestare ata janë jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 17:54 kemi pranuar informatë për një aksident trafiku në autostradën “Ibrahim Rugova” saktësisht në Duhël – drejtimi për Prishtinë. Të përfshirë në aksident janë një kamion dhe dy vetura, ndërsa raportohet për 7 persona të lënduar, për momentin jashtë rrezikut për jetë”, ka njoftuar policia. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Google Street View mbërrin në Kosovë, publikohet pamja 360-gradëshe e vendit

Published

on

Kosova është bërë territori më i ri në Ballkan që është përfshirë në shërbimin Google Street View, duke sjellë pamje 360-gradëshe të rrugëve, qyteteve dhe destinacioneve turistike në mbarë vendin.

Pas rreth dy vjetësh fotografime, Google ka publikuar pamjet e realizuara nga korriku 2025 deri në maj 2026, duke mbuluar pjesën më të madhe të territorit të Kosovës.

Pamjet përfshijnë qytetet kryesore si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe shumë zona të tjera urbane e rurale.

Përdoruesit e Google Maps tashmë mund të eksplorojnë edhe destinacione turistike si Gryka e Rugovës, Parku Kombëtar i Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, si edhe zona pranë kufijve me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas raportimeve, Google ka përdorur kamera të gjeneratës së katërt dhe, në disa raste, kamera portative për të realizuar fotografimet edhe në kushte të vështira atmosferike.

Publikimi i Google Street View konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin e Kosovës në platformat digjitale dhe për rritjen e vizibilitetit të saj turistik dhe ekonomik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

LDK mban sot kuvendin e jashtëzakonshëm

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, i thirrur pas përfundimit të procedurave statutare dhe verifikimit të nënshkrimeve të delegatëve që kërkuan mbajtjen e tij.

Sipas njoftimit të partisë, është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës së delegatëve, duke i hapur rrugë mbledhjes së Kuvendit.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së do të mbahet në ora 18:00.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm vjen në një periudhë tensionesh të brendshme në LDK, pasi një grup delegatësh kërkuan shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke theksuar se partia duhet të marrë përgjegjësi politike pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Në njoftimin zyrtar, LDK ka theksuar se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me Statutin e partisë dhe se Kuvendi do të mbahet duke respektuar parimet e demokracisë së brendshme, transparencës dhe vullnetit të delegatëve.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme politike brenda LDK-së këtë vit, pasi delegatët do të diskutojnë për situatën në parti dhe hapat e mëtejshëm, ndërsa pritet të shihet nëse do të votohet për shkarkimin e Abdixhikut apo i njëjti do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë.

IHK njofton se temperaturat do të vazhdojnë të rriten.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12 dhe 15 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 29 deri në 36 gradë.

Era do të fryjë kryesisht e dobët, me shpejtësi 1–5 m/s.

Në disa zona, gjatë orëve të pasdites, mund të ketë erëra lokale.

Continue Reading

Të kërkuara