Lajmet
Qeverisë i kërkohet të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb në Kosovë
Marrëveshja finale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është ende larg e arritshme.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiQeverisë së Kosovës po i kërkohet të fillojë dialogun e brendshëm me komunitetin serb në vend. Përveç si zotim i kahershëm i kryeministrit Albin Kurti, kjo vlerësohet se do të lehtësonte integrimin e tyre dhe se do të krijonte përshtypjen se çka do të përmbante marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, në tryezën e organizuar të mërkurën nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), u tha se marrëveshja finale në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi është ende larg e arritshme.
Hulumtuesja në KDI-së, Violeta Haxholli, tha se në dy vitet e fundit s’ka pasur asnjë progres në dialog, megjithëse ka pasur takime të shpeshta.
“Është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të fillojnë një dialog të brendshëm me qytetarët e komunitetit serb. Kjo do të ndikonte që institucionet të merrnin kërkesa direkt nga tereni nga ky komunitet dhe të shohin cilat janë kërkesat apo këndvështrimet e tyre, qoftë mbi atë çka ka ndodhur në dialog, marrëveshjet që janë arritur, zbatimin e tyre dhe kërkesat e reja që mund të adresonin për integrimin e tyre… Në dy vitet e fundit dialogu Kosovë-Serbi ka pasur progresin më të ngadalshëm që nga fillimi i tij. Edhe pse ka pasur takime mes palëve, s’ka pasur dakordime ose marrëveshje që nga viti 2020, ku u arritën zotimet e Uashingtonit. Nga ajo kohë, dialogu ka pasur progres shumë të ngadalshëm dhe nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të re, apo dakordim të ri mes dy palëve. Kjo pavarësisht faktit se mbesin shumë çështje të pazgjidhura që prekin direkt edhe jetën e qytetarëve”, tha ajo.
Kërkesë të ngjashme për dialogun e brendshëm me serbët e Kosovës shfaqi edhe publicisti, Dukagjin Gorani. Ai vuri në pah edhe tabutë lidhur me zgjidhjet e mundshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shkëmbimin territorial.
“Nëse kjo është një zotim real dhe një zotim serioz, kjo është një pikënisje që përmes dialogut të brendshëm së paku të arrihet një përshtypje se çka ish dashur të përmbajë pakoja e zgjidhjes gjithëpërfshirëse. Ky dialog me komunitetin serb nuk ndodhi kurrë, së paku jo deri sot… Diskutimi për procesin e dialogut në parim nënkuptohet si ide e keqe për me fol në publik. Sot pa një zë të madh askush nuk del me fol në publik për këtë temë. Pasi reagimet e opinionit publik për këtë temë janë tabu. Tabu është edhe diskutimi për përmbajtjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tabu është edhe çfarëdo zgjidhje tjetër alternative nëse asociacioni nuk është i pranueshëm, tabu kanë qenë temat e shkëmbimeve territoriale”, theksoi Gorani.
Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Visar Ymeri u shpreh kritik ndaj Qeverisë së Kosovës për qasjen në dialog.
“Nuk e sheh nga perspektiva e së ardhmes, por nga perspektiva së tashmes që kryesisht është elektorale dhe perspektiva e së kaluarës e cila është një dozë e theksuar e ngrohjes së mendjeve dhe zemrave të njerëzve, e cila po ashtu ka qëllime elektorale. Kështu kurthohemi drejt një pamundësie absolute të realizimit të sovranitetit që flasim ne”, shtoi ai.
Përndryshe, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, sot u takuan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Alekasandër Vuçiq.
Vendi
UBT anëtarësohet në EURASHE, një prej organizatave më të rëndësishme evropiane të arsimit të lartë
Published
8 hours agoon
May 13, 2026By
ubtnews
UBT zyrtarisht është anëtarësuar në EURASHE (European Association for the Applied Sciences in Higher Education), një nga organizatat më të rëndësishme evropiane që përfaqëson institucionet e arsimit të lartë të orientuara drejt shkencave të aplikuara, inovacionit dhe zhvillimit profesional.
Me këtë anëtarësim, UBT i bashkohet rrjetit evropian të institucioneve të arsimit të lartë, duke forcuar edhe më tej pozicionimin e tij në arenën ndërkombëtare akademike.
Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se anëtarësimi në EURASHE përbën një moment të rëndësishëm për UBT-në dhe për Kosovën, pasi dëshmon kredibilitetin dhe seriozitetin institucional të UBT-së në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
“Anëtarësimi i UBT-së në EURASHE është një nder i veçantë për institucionin tonë dhe për Kosovën. Me këtë, UBT përmbush ciklin e anëtarësimeve në organizatat më të rëndësishme që kontribuojnë në politikat, zhvillimin, inovacionin, arsimin dhe kërkimin shkencor në Evropë dhe në botë. Ky është një konfirmim se UBT është një institucion serioz dhe kredibil, ndërsa njëkohësisht krijon mundësi të reja për pjesëmarrje aktive të stafit dhe studentëve tanë në zhvillimin e politikave evropiane, projekteve inovative dhe avancimin e arsimit të lartë”, tha Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT, përmes përvojës së tij në inovacion, teknologji dhe aplikime industriale, do të ketë rol aktiv dhe kontribuues në forumet dhe debatet evropiane që lidhen me të ardhmen e arsimit të lartë.
Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm për UBT-në në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimit akademik dhe pjesëmarrjes aktive në zhvillimet më të reja të arsimit të lartë në Evropë. Përmes këtij rrjeti, UBT do të ketë mundësi të kontribuojë në iniciativa evropiane, projekte inovative dhe politika që lidhen me arsimin, teknologjinë dhe tregun e punës.
Aktualitet
Sorensen prezanton planin e punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjatë takimeve në Bruksel
Published
11 hours agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar përmes platformës “X” se gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime të ndara dhe të detajuara në Bruksel me të dy kryenegociatorët, ku Kosova është përfaqësuar nga Agron Bajrami.
Gjatë këtyre diskutimeve, Sorensen ka paraqitur planin e punës mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke specifikuar hapat dhe angazhimet që priten gjatë muajve të ardhshëm.
Ky njoftim vë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të koordinuar agjendën e dialogut dhe për të siguruar progres në procesin e stabilizimit të raporteve mes dy vendeve në kuadër të kornizës së përcaktuar nga Brukseli, duke mbajtur takime të veçanta me përfaqësuesit e palëve për të shpjeguar në detaje ecurinë e planit të punës për periudhën vijuese.
Vendi
Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Published
11 hours agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15 vjeç të pacientëve në QKUK, duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore. Ky vendim erdhi pas padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën kontestohej ligjshmëria e kësaj pagese ditore.
Pas shqyrtimit të provave, Gjykata vlerësoi se Ministria ka tejkaluar autorizimet e saj ligjore dhe ka zgjeruar në mënyrë të palejuar nocionin e bashkëpagesës, pasi ky detyrim mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore.
Sipas aktgjykimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon obligime financiare pa bazë të qartë ligjore, duke pasur parasysh se prania e familjarëve është shpesh e domosdoshme për pacientët.
Edhe pse kjo tarifë nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi të paparashikuara më parë.
Lajmet
Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit
Published
13 hours agoon
May 13, 2026By
UBTNews
Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.
Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

UBT anëtarësohet në EURASHE, një prej organizatave më të rëndësishme evropiane të arsimit të lartë
Donald Trump mbërrin në Kinë për takim me Xi Jinping
Sorensen prezanton planin e punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjatë takimeve në Bruksel
Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK
Pakistani: Ndërmjetës apo oportunist?
Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit
Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”
Kanye West humb gjyqin për shkelje të të drejtave të autorit
Arijanet Muriç konfirmon largimin nga Italia: “Nuk do të luaj më për Sassuolon”
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
-
Lajmet3 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
