Lajmet

Haxhu kritikon opozitën, por nuk kursen as KPK-KGJ: Kundërshtojnë reformat

Sipas saj, konkurset e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës shpërfaqin pazaret brenda këtij sistemi.

Published

on

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se reformat në drejtësi po kundërshtohen nga sistemi i drejtësisë dhe opozita. Aleate të Gjykatës Kushtetuese, i konsideron partitë opozitare, për të cilat thotë se po ruajnë interesat e tyre. Sipas saj, konkurset e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës shpërfaqin pazaret brenda këtij sistemi.

Në një intervistë, Haxhiu flet edhe për kundërshtimet e disa deputetëve të pushtetit për Kodin Civil. Ajo thotë se gjatë vitit do të procedohet në Kuvend dhe se pret që të miratohet. Optimiste nuk është edhe për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, për çka deklaron se vetëm ekipet profesionale mund ta trajtojnë këtë rast.

Sistemi i drejtësisë është i pavarur vetëm në letër, thotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Teksa komenton raportet me Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, ajo konsideron se kjo po ndodhë për shkak të reformave.

“Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj që kështu do të përfundoj mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat, të cilat ne i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Kësisoj si me thënë, mendoj që të gjitha veprimet të cilat i kam bërë në këtë drejtim, gjegjësisht komunikatat kundër Ministrisë së Drejtësisë apo kundër deklarimeve të mia apo çfarëdo tjetër që ka mundur të bëjë KPK dhe KGjK kanë pasur për qëllim që të pengojnë reformat të cilat i ka nisur Ministria e Drejtësisë. Unë e kuptoj që ata mund të kenë qëndrimin e tyre në raport me çështjet, por unë besoj që është shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë që problemi ekziston. Problemi ku kemi mungesë besimi të qytetarëve në institucione është evident. Problemi ku kemi sistem të drejtësisë, i cili konsiderohet i pavarur vetëm në letër, po ashtu ekziston”, deklaron Haxhiu.

Problemet më të theksuara, siç thekson Haxhiu, janë brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Ajo konsideron se në konkurset e fundit janë shpërfaqur haptazi pazaret.

“Nuk ndodh rrallë herë, pra është jashtëzakonisht e shprehur që kur hapen konkurse për pozita të rëndësishme brenda sistemit prokurorial dhe po e veçoj, në veçanti po flas për sistemin prokurorial, sepse është problemi më i theksuar dhe është evident dhe pazaret duken sheshit. Kur dihen emrat se kush do të jetë në krye të institucioneve ende pa u shpallur konkurset. Dhe kështu ka ndodhur edhe me proceset e fundit. Ta zëmë ka ndodhur edhe me zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit në të kaluarën, ku ishte një proces që u kundërshtua nga gjithkush që e monitoroi këtë sistem dhe mënyra se si këshilli veproi në raport me atë çështje u kundërshtua fuqishëm nga gjithë partnerët, nga shoqëria civile, nga ne po ashtu. Por, po ashtu edhe në pozitat e fundit që kanë zgjedhur qoftë kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë apo për atë të Prokurorisë Speciale. Për mua nuk është çështje e cila nuk duhet diskutuar që për një pozitë që është kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ketë vetëm një kandidat, ndonëse kanë mundur që të kandidojnë më shumë se 50”, shprehet Haxhiu.

Ministrja Haxhiu shton se Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës është reformë e rëndësishme.

“Opozita ka zgjedhur që ta pengojë reformën në drejtësi. Unë kam përshtypjen që dëshiron të ruajë interesat e tyre që i ka për brenda njerëzve që i ka brenda sistemit prokurorial, të cilët edhe mund t’iu shërbejnë atyre, sepse në të kaluarën ne e kemi parë se si janë vendosur në pozita kyçe njerëzit me lidhje, me telefonata, me ndikime. Prandaj edhe opozita ka përpjekje konsideroj që të ruajë pozitat e tyre dhe të mos bëjë asnjë reformë në kuadër të sistemit prokurorial. Në këtë drejtim ne veçse e kemi opinionin e tretë të Komisionit të Venecias. Konsideroj që duhet të përbashkohemi rreth zbatimit të tij”, thekson Haxhiu.

Madje Haxhiu konsideron që opozita është bërë aleate e Gjykatës Kushtetuese.

“Opozita po e konsideron Gjykatën Kushtetuese si një aleat. Dhe jam kundërshtuar shumë me këtë deklaratë, sidomos nga opozita, por jo vetëm. Është goxha interesante se si opozita e sheh si shpëtim Gjykatën Kushtetuese për mos jetësim të reformave. Duke pasur parasysh që në kuvend nuk e kanë shumicën, përkundër faktit që nuk e kanë shumicën unë vazhdimësi ju kam bërë thirrje që nëse konsiderojnë që një nen, një rregullim, një çështje nuk është rregulluar në mënyrën se si do të duhej atëherë të bëjnë amendamente. Nuk ndodh që të bëjnë amendamente në projektligje”, shton ajo.

Tutje shton se Kushtetuesja nuk duhet të marrë një vit kohë për reforma të rëndësishme, por të trajtohen këto raste me prioritet. Jo vetëm nga opozita, por Kodi Civil nuk po gjen mbështetjen e as të deputetëve të shumicës.

“Është e rëndësishme që të kalojë, sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil. Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend. Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut… Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë”, shprehet Haxhiu.

Teksa flet për opozitën përmend edhe rastin e Astrit Deharit, ku thotë se përgjegjës, siç shprehet ajo, të vrasjes më të rëndë në Kosovë, janë të gjithë ata që kanë qenë para shtatë vitesh në qeveri.

“Konsideroj që është shumë e rëndësishme drejtësia për rastin Dehari. Drejtësia para se gjithash është borxh për familjen Dehari, për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vet jetën e Astrit Deharit dhe veprimtarinë e tij. Nuk mund thjesht të ketë një neglizhencë një krimi të rëndë, siç ka ndodhur ndaj Astritit, por me qasjen që kemi parë deri më tani në qoftë se nuk ka ndryshim dhe ekipe profesionale që do ta trajtojnë këtë rast, natyrisht që nuk mund të jem optimiste. Prandaj pres që kjo të ndryshohet në kuptimin që të kemi drejtësi për rastin Dehari”, shprehet ajo.

Haxhiu përmend prioritetet dhe planet për vitin 2024, ku shprehet se do të vazhdohet me procedimin e ligjeve që ndërlidhen me reformë në drejtësi.

“Gjashtë mujori i parë i këtij viti do të jetë me procedim të ligjeve që ndërlidhen me reformën e dytë në sistemin e drejtësisë. Pra, atë që e përmenda me fuqizimin e mekanizmave brenda sistemit që ndërlidhen me integritetin, disiplinën, transparencën, parandalimin e konfliktit të interesit, deklarimin e pasurisë, llogaridhënien, efikasitetin dhe të tjera. Konsideroj që këtu po bëhet një punë jashtëzakonisht e vlefshme nga përfaqësuesit e institucioneve por edhe nga ekspertët që po na mbështesin”, përfundon Haxhiu.

Ministrja Haxhiu zotohet se brenda mandatit të saj do të jetësohen premtimet e qeverisë për sistemin e drejtësisë.

Lajmet

Rumania rrezikon të humbasë 770 milionë euro nga fondet e BE-së

Published

on

Rumania rrezikon të humbasë rreth 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë një afat kyç për reformat e planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati i 31 gushtit lidhej me miratimin e një ligji të ri për pagat në sektorin publik, por partitë kryesore politike nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

Sipas burimeve të BE-së, mosrespektimi i afatit mund të çojë në zbritjen e rreth 770 milionë eurove nga 8.44 miliardë eurot që Rumania i ka ende në dispozicion nga fondet evropiane.

Shuma e rrezikuar përbën rreth 40 për qind të planit të përgjithshëm të rimëkëmbjes së Rumanisë, i cili kap vlerën prej 21.41 miliardë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare e fondeve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë, e cila duhet të dorëzohet deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se legjislacioni është pothuajse i përfunduar teknikisht dhe se mund të miratohet deri në fund të vitit.

Ai e ka cilësuar reformën si një proces të ndërlikuar, me pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, që është zhvilluar nën presion të madh kohor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga 1 shtatori

Published

on

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.

Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.

Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.

Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hoti nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president: “Nuk është çështje individësh, por parimesh”

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush këto kritere.

Hoti ka thënë gjithashtu se kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj. Sipas tij, partia nuk duhet të mbështesë një kandidat vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ai nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e votuesve.

“Nuk është çështje individësh, por çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Published

on

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara