Lajmet

​Harrohet zona ekonomike amerikane, Zeka: Kosova, partnere joserioze

Zeka kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë në promovimin e potencialeve që ka vendi për tërheqjen e investitorëve të huaj.

Published

on

Për t’u hequr masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të cilat po i sjellin dëme të mëdha vendit, institucionet duhet të tregohen më bashkëpunuese ndaj kërkesave nga komuniteti ndërkombëtar, pasi që duhet të dëshmohet se vendi është shtet serioz dhe që mund të mirëmbajë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera. Kështu vlerëson drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i cili kërkon nga qeveria të tregohet më e përkushtuar në takimet me përfaqësuesit e BE-së.

Në një intervistë, Zeka kërkon nga institucionet të bëjnë më shumë në promovimin e potencialeve që ka vendi për tërheqjen e investitorëve të huaj. Derisa shton se investimet amerikane për periudhën janar-shtator 2023 janë rreth 50 milionë euro më origjinë nga ShBA-të.

Në anën tjetër, ai thotë se edhe vitin që lamë pas, fatkeqësisht qeveria nuk i ka dhënë prioritet zonës ekonomike amerikane. Kështu, ai thotë se Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve amerikanë por edhe para partnerëve tjerë. Ai konsideron se shteti ka dështuar në promovimin e potencialeve për investime të huaja në vend.

“Ne në Oden Amerikane pavarësisht rritjes së vëllimit të investimeve të huaja direkte përgjatë periudhës janar-shtator të këtij viti për të cilën tashmë kemi të dhëna, besojmë se duhet të bëhet shumë më tej në promovimin e potencialeve që Kosova i ofron për tërheqjen e investitorëve të huaj. Këto potenciale nuk janë thjesht pjesë e një diskursi i cili nuk bazohet diku, realisht ekzistojnë potenciale të shumta dhe nuk po arrijmë t’i materializojmë, kjo është fatkeqësi. Natyrisht njëra prej arsyejeve kryesore pse nuk arrijmë t’i tërheqim investimet e huaja direkte është pashmangshëm edhe çështja e hapur me Serbinë, tensionet dhe konfliktet e armatosura që kanë ndodhur kohë pas kohe gjatë vitit 2023 në pjesën veriore të vendit. Për të mos e normalizuar gjithë këtë çështje, ajo çfarë mungon në vend është njëfarë balancimi i diskursit… Por çfarë shtetet bëjnë në anën tjetër që këto situata të mos i ndëshkojnë kur vjen puna për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik është që ata e balancojnë me një diskurs pozitiv, d.m.th promovim të investimeve, këtu ne po dështojmë. Po dështojmë, në rend të parë përgjegjësia rendon mbi institucionet e vendit, por natyrisht edhe mbi organizatat e tjera të cilat duhet t’i bashkohen njëfarë mënyrë promovimit të pozitivitetit edhe gjërave tjera pozitive që ky vend i ofron për investitorët, për turistet potencial”, thotë ai.

Duke folur për masat që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës tash e disa muaj, Zeka konsideron se ky është një dëm i madh për vendin, për çfarë thotë se institucionet e vendit duhet të tregohen më bashkëpunuese sa i përket kërkesave të komunitetit ndërkombëtar.

“Natyrisht pamundësia e institucioneve të vendit që të aplikojnë dhe përfitojnë nga këto instrumente financiare të para hyrjes, është një dëm jashtëzakonisht i madh. Ne kemi mjete të kufizuara buxhetore, edhe për investime infrastrukturore, por natyrisht edhe për ndërtim të kapaciteteve të shërbimit publik në përgjithësi. Kështu, secili cent, secili mjet shtesë të cilin ne jemi në gjendje ta observojmë, do të ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur në rrethana ku buxheti i vendit është jashtëzakonisht i kufizuar. Uroj që institucionet e vendit tonë të tregohen më bashkëpunuese për sa i përket kërkesave që komuniteti ndërkombëtar i ka, edhe besoj që në anën tjetër nuk na leverdisë që ne të mundohemi t’i fshehim këto kërkesa, meqenëse të njëjtat janë aty dhe kohë pas kohe na rikujtohen nga zyrtaret më të lartë të BE-së ose edhe të ShBA-ve. Institucionet e këtij vendi, qeveritë e ndryshme përgjatë viteve kanë marrë përsipër zotime të cilat ne duhet t’i zbatojmë që të mund të tregojmë që jemi shtet serioz dhe që mund të hymë dhe të mirëmbajmë marrëdhënie ndërkombëtare edhe me shtetet tjera dhe institucione ose organizata ndërkombëtare tjera”, thotë Zeka.

Sipas tij, situata aktuale e sigurisë ka ndikuar tek investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë.

“Pashmangshëm nuk ka as edhe një sekret, qoftë nëse udhëtojmë në ShBA apo në shtete tjera të Azisë, kishim mundësinë që këtë vit të ishim me një grup të bizneseve që u mbajt në Singapor, dhe kishim edhe dy forume dialogimi, dhe bizneset e atyre vendeve kanë pak informata për Kosovën dhe pyesin se sa sigurtë realisht është ky promovimi që po ja bëjmë dhe si mund të rrezikohen investimet e tyre të mundshme. Nuk ka asnjë dilemë, por në përgjithësi edhe sikur të mos ishin tensionet dhe rasti i vrasjes së policit dhe konflikti i armatosur në pjesën veriore, Kosova në përgjithësi gëzon një profil të ulët kur bëhet fjalë për brendin e saj në fushën ndërkombëtare. Këtu nuk po bëjmë sa duhet, dhe nuk po e balancojmë atë diskursin negativ që ndërtohet në dhe përreth Kosovës”, vijon ai.

I pyetur për investimet direkte amerikane, tregtinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë vitit të kaluar, ai thotë se vetëm për periudhën janar-shtator, janë rreth 47 milionë euro me origjinë nga ShBA-të.

“Nëse shohim totalin e investimeve nga periudha janar-shtator të vititi 2023 që është diku pak më pak se 613 milionë euro, diku rreth 47 milionë e kësaj shume janë më origjinë nga ShBA-të. Vitin 2022 realisht investimet amerikane janë renditur në vendin e 10 dhe vitin 2023 deri në fund të shtatorit renditen diku aty. Si përqindje është 7 për qind e totalit të investimeve të huaja që Kosova ka pranuar gjatë vitit 2022. Në dhjetor të viti 2022, në 3 mujorin e fundit ka pasur një rritje të menjëhershëm të investimeve amerikane. Presim që e njëjta të ndodhë edhe këtë vit, por shqetësimi kryesor mbeten sektorët ku bëhen këto investime. Sërish pas shumë viteve, ne me gjithë reformat që janë bërë në mjedisin e të bërit biznes, Kosova tërheq investime vetëm në sektorin e patundshmërive dhe ndërtimeve. Kjo nuk mjafton që ne të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të krijojmë vende afatgjate të punës. Realisht hapja e impianteve prodhuese, industriale në vend është goxha e mangët përgjatë tërë vitit dhe sërish kjo na sjell tek kjo pasqyrë e investimeve të huaja të cilën e kemi”, thotë Zeka.

Ndërkaq, zonën ekonomike amerikane në Gjakovë, Zeka e quan fatkeqësi nga ana e qeverive që nuk e kanë marrë me prioritetjetësimin e saj. Ai thotë se qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë të zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake.

“Për fatkeqësi është që megjithatë nuk është fare si prioritet, as nuk është përmend asnjëherë nga ana e kësaj qeverie, d.m.th prej periudhës së vitit 2021 e tutje, edhe pse gjithmonë ka zënë vend si njëri prej rekomandimeve të Odës Ekonomike Amerikane drejtuar Qeverisë. Ne nëse për hiç gjë, atëherë besojmë se vendimet e qeverive paraprake duhet të jetësohen, përndryshe Kosova paraqitet si partner joserioz qoftë para investitorëve potencial, në këtë rast amerikanëve, pra dhe para partnerëve tjerë. Qeveritë të cilat ndërrohen përgjatë viteve duhet pashmangshëm të vijojnë zbatojnë politikat ose vendimet që janë marrë nga qeveritë paraprake, përndryshe dalim jashtëzakonisht qesharak”, thotë Zeka.

Duke renditur sfidat në aspektin e zhvillimit të vendit, Zeka konsideron se shteti duhet të investojë më shumë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, pasi sipas tij është më lehtë për bizneset në të bërit biznes.

“Si sfidë gjatë vitit 2023 është mungesa e investimeve kapitale, nuk është thjesht se sektori privat nuk arrin të ruaj qoftë qarkullimin, qoftë profitabilitetin, ky nuk është i vetmi problem. Ne nuk arrijmë të përmirësojmë infrastrukturën tonë rrugore, hekurudhore, për shkak të moszbatimit të investimeve kapitale të cilat janë planifikuar për këtë vit. Pastaj vinë problemet tek ndërmarrjet e sektorit privat të cilat humbin mundësi të zhvillimit dhe të rritjes së tyre”, thotë ai.

Ndonëse Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Zeka thotë se nevojiten vite e dekada që Kosova të arrijë në nivelin e rritjes ekonomike të shteteve të BE-së.

Krejt në fund, Zeka vlerëson se nevojitet një dialog i sinqertë ndërmjet sektorit privat dhe atij publik. Sipas tij, ka takime, mirëpo rekomandimet e sektorit privat rrallë merren parasysh, për çfarë kërkon më shumë mbështetje për këtë sektor.

Vendi

United Hospital fuqizon shërbimet e kardiologjisë me Dr. Banush Gashin, specialist me 40 vjet përvojë në mjekësi

Published

on

Prishtinë – Përvoja shumëvjeçare, ekspertiza në trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe njohuritë e avancuara në fushën e aritmologjisë tashmë janë pjesë e ekipit të United Hospital. Institucioni shëndetësor njofton se në ekipin e tij mjekësor është bashkuar Dr. Banush Gashi, internist, kardiolog dhe aritmolog, me një karrierë 40-vjeçare në mjekësi dhe 24 vjet përvojë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e veta profesionale, duke sjellë për pacientët ekspertizë të specializuar në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Bashkimit të Dr. Banush Gashit me ekipin mjekësor të këtij institucioni i jepet rëndësi e veçantë, duke marrë parasysh përvojën e tij të gjatë në mjekësinë interne, kardiologji dhe veçanërisht në aritmologji – fushë e specializuar që merret me diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të ritmit të zemrës.

Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Gashi ka realizuar mbi 400 procedura në fushën e aritmologjisë dhe implantimit të pajisjeve kardiake. Përvoja e tij është plotësuar edhe përmes pjesëmarrjes në kongrese, trajnime dhe aktivitete profesionale ndërkombëtare në qendra të njohura evropiane, përfshirë Londrën, Parisin, Romën, Barcelonën dhe Vjenën.

Shërbime të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e zemrës

Me angazhimin e Dr. Gashit, pacientët e United Hospital do të kenë qasje në një gamë të gjerë ekzaminimesh diagnostikuese dhe procedurash specialistike kardiologjike.

Shërbimet përfshijnë:

Diagnostikimin kardiologjik: Ekokardiografi, testin e stresit dhe monitorimin Holter 24–72 orë për vlerësimin e aktivitetit dhe ritmit të zemrës.

Trajtimin e çrregullimeve të ritmit: Implantimin e stimuluesve kardiakë (Pacemaker DDD dhe CRT), si dhe kontrollin dhe ndërrimin e baterive të pajisjeve PM/ICD.

Procedurat specialistike: Perikardiocentezën dhe kardioversionin, sipas indikacioneve mjekësore.

Këto shërbime kanë rëndësi të veçantë për diagnostikimin në kohë, përcjelljen klinike dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje të ndryshme kardiovaskulare.

Përvoja dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit të zemrës

Sëmundjet kardiovaskulare kërkojnë vlerësim të kujdesshëm, diagnostikim të saktë dhe trajtim të individualizuar. Për këtë arsye, prania e specialistëve me përvojë të gjatë profesionale përbën një element të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor.

United Hospital, përmes zgjerimit të ekipit specialistik, synon të ofrojë shërbime bashkëkohore kardiologjike, duke vënë në dispozicion të pacientëve përvojën profesionale dhe teknologjinë diagnostikuese e terapeutike.

 

Kontakti për termine dhe informata:

UNITED HOSPITAL

046 60 70 70

M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë

United Hospital – ekspertizë profesionale dhe kujdes i specializuar për shëndetin e zemrës./rajonipress/

Continue Reading

Vendi

Hyn në fuqi Ligji për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka dekretuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës dy javë më parë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka njoftuar se gjatë ditës e ka pranuar nga Presidenca dekretin për shpalljen e ligjit.

Haxhiu ka thënë se me dekretimin e tij, ligji po hyn në fazën e zbatimit, duke theksuar se Kuvendi do ta përcjellë nga afër procesin e themelimit të Byrosë.

“Për secilin që ushtron funksion publik, është e qartë se çdo pasuri duhet të ketë burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Kuvendi do ta përcjellë nga afër ngritjen e Byrosë. Qytetarët do ta matin këtë ligj me rezultatet që do të japë”, ka shkruar Haxhiu.

Miratimi i ligjit në Kuvend ishte kundërshtuar nga deputetët e opozitës, të cilët kishin ngritur shqetësime lidhur me zbatueshmërinë e tij.

Nga 24 amendamentet e propozuara për këtë ligj, 12 ishin paraqitur nga opozita, ndërsa deputetët e partisë në pushtet kishin mbështetur vetëm njërin prej tyre.

/A.K/

Continue Reading

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 13 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998. 

13 nëntor 1992

“The Wall Street Journal” për rrezikun e luftës në Kosovë

Gazeta autoritative amerikane “The Wall Street Journal” në një kryeartikull të saj të botuar dje thekson se “diplomatë të shumtë ndërkombëtarë dhe organizata humanitare kanë paraparë se nëse lufta arrin në Kosovë do t’ia kalojë të gjitha tmerreve të mëparshme ballkanike”. Gazeta pohon se agresorët serbë janë duke zhvilluar një fushatë të spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë dy vjetëve të fundit. “Kjo është një spastrim etnik i heshtur”, i tha kësja gazete kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova duke bërë fjalë për nja 200 mijë shqiptarë që kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Republikën e Kosovës për shkak të kërcënimeve serbe.

 

13 nëntor 1993

Policia plaçkit dyqanet e shqiptarëve në Han të Elezit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Han të Elezit, njofton se policia financiare mbylli të vetmen furrë private në Han të Elezit, pronë e Ramadan Ymerit. Policia konfiskoi nga depoja e furrës 29 ton miell.

Të njëjtën ditë, policia financiare në dyqanin e Bedri Dacit konfiskoi ushqim për kafshë në një vlerë prej afro 12.000 markash gjermane.

 

13 nëntor 1995

Polici serb rrahu tri herë të miturin në Mitrovicë

Më 7 nëntor, rreth orës 10, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, një polic serb rrahu të miturin Daim H. Çubrelin (14) dhe ia plaçkiti atij 7 pako cigare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Po ky polic, më 11 nëntor, rreth orës 18, po ashtu në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, keqtrajtoi sërish Daimin, me pretekst se nuk deshi t’ia japë një pako cigare pa para.

Më 12 nëntor, rreth orës 12, në stacionin e autobusëve në Mitrovicë polici serb, i cili kishte rrahur dy herë Daim Çubrelin e rrahu sërish dhe ia plaçkiti 70 pako cigare.

 

13 nëntor 1996

Në Universitetet e Shqipërisë edhe maturantë shqiptarë nga Mali i Zi

Edhe maturantët shqiptarë të këtij viti nga Mali i Zi do të vazhdojnë studimet e tyre në universitetet e Shqipërisë pasi po tejkalohen disa vështirësi procedurale.

Fjala është për 24 kandidatë që përcaktoi komisioni përkatës i LD në MZ. Mirëpo, në ndërkohë Ministria e Arsimit e Shqipërisë miratoi vendimin për t’iu nënshtruar provimeve klasifikuese edhe studentët shqiptarë nga viset e ish-Jugosllavisë. Sipas komisionit të përmendur, kandidatët shqiptarë nga Mali i Zi nuk u paraqitën në këto provime për shkaqe parimore dhe kohore. Por, me kontaktet midis përfaqësuesve të LD në MZ dhe atyre të Qeverisë Shqiptare kjo çështje po merr zgjidhje pozitive. Kështu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi në takimin e tij të paradokohshëm me kryeministrin e Shqipërisë, Aleksandër Meksin, mori garancinë se studentët shqitparë nga Mali i Zi do të pranohen edhe këtë vit në universitetet e Shqipërisë. Kryetari Bardhi për çështjen e studentëve zhvilloi bisedime edhe me dr.Gjergj File, drejtor i Arsimit të Lartë. Në të mirë të realizimit pozitiv të kësaj çështjeje flet edhe vendimi më i ri i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, sipas të cilit “nga kuotat e përcaktuara për vitin mësimor 1996/97 mund të përfitojnë kandidatët shqiptarë me banim jashtë kufijve”.

 

13 nëntor 1997

Serbët e pranojnë disfatën me Kroacinë

Gazeta britanike “Indipendent” vendosjen e lidhjeve hekurudhore mes Serbisë e Kroacisë e vlerëson se serbët pranuan disfatën. Sipas kësaj gazete serbët tash sikur pranojnë se kufiri me Kroacinë është i përhershëm dhe i pandryshueshëm.

13 nëntor 1998

Uiliem Uoker: Ka shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë

Në një intervistë dhënë sot radio BBC-së shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uiliem Uoker duke u përgjigjur në pyetjen se për çfarë është biseduar në takimin e tij në Prishtinë me ndërmjetësin amerikan në Kosovë, Kristofer Hill, u përgjigj:

– Në thelb ambasadori Hill ishte për vizitë për disa arsye, jo më pak për t’u takuar edhe me mua, dhe për të na njoftuar se cili është statusi aktual i procesit të tij të negociatave shqiptaro-serbe. Është e qartë se kjo ka të bëjë me atë që ne po fillojmë të bëjmë këtu si p.sh. kur mund të filllojmë periudhën nëntëmujore sa i përket mbikëqyrjes së zgjedhjeve në Kosovë. Kjo vjen pas zgjidhjes politike, prandaj ne u desht të dëgjonim nga ambasadori Hill se si po ecen procesi, tha z.Uoker.

I pyetur se çfarë përshtypje kishte ai për procesin e negociatave dhe nëse ishte më afër arritja e një marrëveshjeje politike për Kosovën, z.Uoker tha:

– Ambasadori Hill na njoftoi me të rejat më të fundit, por ju duhet ta dini se unë ndodhem në Kosovë vetëm këto 24 orët e fundit dhe kjo ishte hera e parë që bisedova me z.Hill. Pra një pjesë e madhe kishte të bënte me sfondin e ecurisë së procesit. Por, do të thosha se informimi që më dha ambasadori Hill më bëri optimist se është duke shënuar progres.

Duke u përgjigjur në pyetjen se cilat janë përshtypjet e tij për gjendjen në terren, z.Uoker u përgjigj:

– Është e qartë se ka arsye për shqetësim të konsiderueshëm ndonëse kemi shënuar progres javët e fundit, dhe siç thashë dje rruga ende është e gjatë për të bërë diçka për sa i përket respektimit të marrëveshjes dhe premtimeve të palëve të përfshira por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ditëve të fundit çdo ditë kemi dëgjuar për incidente, prandaj edhe më tej kemi shqetësime serioze për sigurinë në Kosovë.

I pyetur lidhur me incidentet e fundti se kush është fajtor për vazhdimin e dhunës në Kosovë, ambasadori Uoker tha:

– Dy incidentet më të fundit për të cilat kam dëgjuar kanë të bëjnë me ato që këtu po quhen rrëmbime dhe duket sikur janë hakmarrje midis palëve. Njëra palë i filloi ato, ndërsa tjetra u hakmor, duke bërë pothuajse të njëjtën gjë. Nga informacionet që kam nuk jamë në gjendje tani të them se çfarë i kanë bërë palët njëra tjetrës. Por vetë fakti se këto incidente kanë ndodhur, përmbajnë shqetësim.

Në pyetjen tjetër se a do të jetë në gjendje Misioni Verifikues në Kosovë të ndikojë që incidentet e tilla të mos ndodhin në të ardhmen, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha:

– Mendoj se kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i jashtëm polak, Bronislav Geremek, tashmë ka thënë publikisht se ai beson se vetëm njoftimi për krijimin e Misionit Verifikues ka zbutur deri diku tensionet e këtushme. Sigurisht jo të gjithë tensionin por deri diku edhe fakti se ne kemi filluar të mbërrijmë dhe të tregojmë praninë tonë, do të ndihmojnë në këtë situatë. Se a do të ndikojë që njerëzit të ndihen rehat të gjithë që të kthehen në shtëpitë e tyre apo t’i kthehen jetës normale, kjo ende duhet të shihet, – tha ambasadori Uiliem Uoker.

 

Continue Reading

Të kërkuara