Shtëpia e Evropës në Kosovë ka hapur ekspozitën interaktive “Ridizajnim dhe riciklim në industrinë e modës” në Prishtinë, në të cilën janë ekspozuar produktet dhe aksesorët e modës të ndërmarrjes shoqërore “DYVO” dhe organizatës jo-qeveritare “Let’s do it Peja”.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se të dy këto organizata janë duke implementuar suksesshëm konceptin e ekonomisë qarkore të bazuar në aksiomën: redukto – ripërdor – riciklo, dhe në këtë mënyrë janë duke kontribuar në uljen e ndotjes dhe ngritjen e vetëdijësimit për mbrojtjen e mjedisit, si dhe në krijimin e produkteve atraktive nga industria e modës duke ripërdorur mbetjet e materialeve të ndryshme.
DYVO, një ndërmarrje shoqërore që vepron në Prishtinë, përdor mbeturinat në formë të plastikës akrilike dhe i rikrijon ato në aksesorë modernë, trendi dhe të qëndrueshëm mode. Ndërsa organizata “Let’s do it Peja” grumbullon rrobat dhe materialet tjera të papërdorshme, duke i ridizajnuar ato në veshje moderne.
Përpos aksesorëve dhe veshjeve të ekspozuara, në ekspozitën “Ridizajnim dhe riciklim në industrinë e modës” vizitorët kanë mundësi të mësojnë më shumë për plastikën dhe mënyrat kreative të ripërdorimit të saj, përmes kuizit, dokumentarit të shfaqur, infografikave dhe aktiviteteve të tjera interaktive.
Ekspozita e cila po qëndron e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe e cila mundësohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka për qëllim të promovojë metodat alternative dhe të qëndrueshme të trajtimit të ndryshimeve klimatike.
Ekspozita mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9:00 – 18:00, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.
Policia e Tiranës ka njoftuar se vetëm gjatë ditës së djeshme janë arrestuar 68 persona në lidhje me protestën e mbajtur në kryeqytet. Në mesin e të arrestuarve janë edhe shtatë të mitur, të moshës 15 deri në 17 vjeç, ndërsa ndaj 22 protestuesve të tjerë ka nisur procedimi penal.
Përplasjet fizike gjatë ditës së gjashtë të protestës shkaktuan të lënduar në të dyja palët, si dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa godina institucionesh ku u shfaqën edhe vatrat e para të flakëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e ndaluar dyshohen se kanë goditur zyrtarët policorë dhe godinat publike e private me gurë, sende të forta dhe lëndë piroteknike.
“Gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar 20 punonjës Policie. Personat e ndaluar kanë dëmtuar fizikisht efektivët si dhe kanë shkaktuar dëme materiale në godinat e institucioneve dhe në sinjalistikën rrugore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë. /E.A/
Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë – Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.
Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.
Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/