Lajmet

Hapet aplikimi për subvencione në bujqësi

Afati për aplikim fillon nga sot dhe përfundon më 12 prill 2024.

Published

on

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte/subvencione për 28 nënsektorë dhe kultura bujqësore.

Në njoftim thuhet se për sektorët të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2024, afati për aplikim fillon nga sot dhe përfundon më 12 prill 2024, në ora 16:00.

“Në kuadër të këtij Programi, MBPZhR-ja ka vazhduar me rritjen e përkrahjes, ku mbështetja për kulturën e grurit këtë vit varion nga 464 në 564 euro për hektarë. Ndërsa, për kulturën lavërtare të misrit, përkrahja do të jetë 329 € /ha, për elbin, thekrën dhe tërshërën 304 €/ha. Ndërkaq, një hektarë luledielli do të subvencionohet me 454 euro”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se përmes PD 2024, do të ketë rritje për vreshtarët në 1104 euro për çdo hektarë, ndërsa pemishtet ekzistuese do të subvencionohen me 504 €/ha. Rritje të përkrahjes ka edhe për sasinë e dorëzuar/shitur të frutave të mjedrës në 0.20 €/kg.

“Risi tjetër në këtë program është rritja e përkrahjes për kulturat perimtare në fushë të hapur dhe prioritizimi i atyre që është rritur kërkesa dhe të cilat kanë shënuar rritje në eksport, ku përfshihen speci – Varieteti Kurtovka dhe somborka, domatja, trangujt, qepa, patatja dhe hudhra, ku për këto kultura pagesat direkte nga 500 €/ha do të jenë 654 €/ha, ndërsa për fasulen monokulturë pagesat direkte nga 500 €/ha në 754 €/ha”.

Sipas njoftimit, këtë vit po vazhdon përkrahja edhe për perimet e tjera në fushë të hapur me 554 €/ha, ndërsa perimet në serra do të subvencionohen me 904 €/ha.

“Bimët mjekësore dhe aromatike, si dhe bimët mjaltëdhënëse do të subvencionohen me 504 euro për hektarë, si dhe do të ketë rritje të përkrahjes për sipërfaqet që janë të certifikuara në 304 €/ ha për Bujqësi Organike. Subvencionimi për lopë qumështore do të jetë nga 90 € për krerë, ndërsa ka rritje të përkrahjes për kafshët e imta nga 25 € ne 30 € për krerë, konkretisht për dhitë. Dyfishim i përkrahjes për kafshët e mëdha nga 90 € në 180 € për krerë, konkretisht për buallica. Dosat në riprodhim do të subvencionohen 25 €/krerë, si dhe vazhdon subvencionimi për zogjtë për majmëri apo broilerët me 0.20 euro për zog”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, fermerët/aplikuesit, që përfitojnë subvencionin për sipërfaqet e tokës bujqësore të mbjellë/kultivuar, njëkohësisht do të përfitojnë edhe nga subvencionimi i pjesshëm i çmimit të naftës për litër, në vlerë prej 0.36 €/litër, për sasinë e naftës prej 150 l/ha, e cila është e nevojshme për kultivimin e 1 ha të tokës bujqësore, dhe është vlerë shtesë mbi subvencionimin bazë për të gjitha sipërfaqet e tokës bujqësore që pranohen për subvencionim dhe që janë të parapara për t’u subvencionuar në këtë program.

Të gjithën të interesuarit, aplikimin për mbështetje në kuadër të PD 2024 mund ta bëjnë në Zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi, ndërkaq në rastet kur fermerët aplikojnë për disa kultura apo aktivitete bujqësore, plotësohet dhe dorëzohet vetëm një aplikacion.

Për më shumë informata, lidhur me procedurat e aplikimit për pagesa direkte, kriteret e vlerësimit fermerët mund të informohen në detaje në ëeb faqen e MBPZhR-së, https://ëëë.mbpzhr-ks.net/sq/subvencione dhe në ëeb faqen e AZhB-së, https://azhb-rks.net/sq/subvencione, si dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.

Lajmet

Shembet pjesërisht një ndërtesë shtatëkatëshe në Stamboll, disa persona mbeten nën rrënoja

Published

on

By

Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur pjesërisht në Stamboll, duke shkaktuar një operacion të madh kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 sipas kohës lokale, në lagjen Cevizli të distriktit Maltepe. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Sipas autoriteteve, ndërtesa ka gjithsej 12 apartamente dhe rreth 33 banorë, ndërsa në katin përdhes ndodheshin edhe disa biznese, përfshirë një punishte tekstilesh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara edhe nga qentë nuhatës, kanë nxjerrë deri tani gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të shpëtuarit janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.

Megjithatë, operacioni vijon, pasi besohet se persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me gjashtë nga personat që dyshohet se ndodheshin në pjesën e shembur.

“Është një ndërtesë me kat përdhes dhe gjashtë kate. Sipas të dhënave zyrtare, aty jetojnë 33 persona. Katër apartamente janë dëmtuar”, tha Gül.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të autoriteteve, dy persona nuk ndodheshin në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë tashmë janë shpëtuar.

Në vendngjarje janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe AFAD, agjencia shtetërore turke për menaxhimin e emergjencave të mëdha.

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se të gjitha institucionet shtetërore janë mobilizuar.

“Puna po vazhdon pa ndërprerje, me shumë kujdes dhe vendosmëri, duke mos lënë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt te qytetarët tanë nën rrënoja”, deklaroi Kurum. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës.  /TRT/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Shakira thyen rekord në Amazon Music, koncerti me Dua Lipën më i ndjekuri nga një artiste femër

Published

on

Amazon Music ka bërë të ditur se koncerti i Shakirës, i mbajtur më 3 tetor në Madrid, është bërë performanca e transmetuar drejtpërdrejt më e ndjekur nga një artiste femër në historinë e platformës.

Koncerti u transmetua në Amazon Music, Prime Video dhe Twitch, ndërsa u zhvillua në kuadër të turneut botëror të këngëtares kolumbiane, “Las Mujeres Ya No Lloran World Tour”, si pjesë e rezidencës së saj evropiane në Madrid.

Mbrëmja solli edhe një moment të veçantë për publikun, pasi Shakirës iu bashkua në skenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa. Dy artistet interpretuan së bashku, në një version akustik, këngën “Antología”.

Koncerti u mbajt në “Estadio Shakira”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar në kompleksin Iberdrola Music, në zonën Villaverde të Madridit.

Transmetimi rekord ishte pjesë e fushatës vjetore të Amazon Music, “Music Connects Us”, e cila këtë vit mban temën “The Women Shaping Latin Music” dhe i kushtohet grave që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e muzikës latine.

Amazon Music vlerësoi ndikimin e Shakirës në skenën ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një artiste që për më shumë se tri dekada ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për artistët latinë në tregun global.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Amazon Music, “Dai Dai”, bashkëpunimi i Shakirës me Burna Boy, është kënga më e dëgjuar në botë në platformë gjatë vitit 2026 deri më tani. Shakira është gjithashtu artistja latine më e dëgjuar në Amazon Music gjatë së njëjtës periudhë.

“Las Mujeres Ya No Lloran World Tour është bërë shumë më tepër nga sa mund ta kisha imagjinuar dhe jam shumë krenare për të”, është shprehur Shakira, duke thënë se është e emocionuar që këtë përvojë ta ndajë me fansat në mbarë botën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mitrovica mirëpret Samitin Ndërkombëtar të Rinisë për Paqe 2026

Published

on

Mitrovica ka mirëpritur “Balkan International Youth Summit for Peace 2026” (BIYSP), një samit ndërkombëtar që mblodhi të rinj nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.

Samiti u zhvillua nga 1 deri më 4 tetor, nën temën “Youth as Peace Practitioners: From Dialogue to Action”, ndërsa u mbështet financiarisht nga Ministria e Sportit dhe Rinisë.

Gjatë ditës së dytë, në emër të Ministrisë, fjalë përshëndetëse mbajti këshilltari i lartë i ministrit Blerim Gashani, Drilon Brahimi.

Ndërkaq, Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave për Rininë, mori pjesë në sesionin “Spotlight: Histori nga terreni”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në zhvillimin e politikave dhe programeve për të rinjtë.

Përmes diskutimeve, paneleve dhe shkëmbimit të përvojave, samiti synoi të fuqizojë rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe kohezionit shoqëror.

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë iniciativa që fuqizojnë të rinjtë dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FOTOIST 2026 rikthehet në Prishtinë me 36 ngjarje dhe 12 ekspozita fotografike

Published

on

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë FOTOIST rikthehet në Prishtinë për edicionin e katërt, duke sjellë një program me 36 ngjarje kulturore dhe 12 ekspozita fotografike ndërkombëtare.

Festivali po zhvillohet nga 29 shtatori deri më 16 tetor 2026 dhe përfshin ekspozita, ligjërata, debate, shfaqje filmash, promovime librash fotografikë, takime me artistë, portfolio reviews, si dhe aktivitete edukative e profesionale.

Hapja solemne e FOTOIST 2026 do të mbahet më 9 tetor, në orën 18:00, në Sheshin e Hotel Grandit, ku do të prezantohet ekspozita “Në Sytë e Tjetrit” e fotografit Korab Basha.

Pas ceremonisë, artistët, fotografët dhe publiku do të zhvillojnë një tur të përbashkët nëpër ekspozitat e festivalit, nga hapësirat e ish-Hotel Grandit deri te Barabar Centre. Autorët do të prezantojnë konceptin dhe procesin krijues të punëve të tyre.

Programi i festivalit ka nisur edhe para hapjes solemne. Më 29 shtator, në Galerinë Qahili, u hap ekspozita “Koha e Thyer” e Osman Demirit, ndërsa më 6 tetor u hap “Drita e Heshtjes” e Blerta Syla Suroit. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë prezantohet gjithashtu ekspozita “Kuti(a) e Kujtesës / The Memory Box” e Burim Myftiut.

Programi ekspozues do të përmbyllet më 13 tetor, në orën 19:00, në Paper Gallery, me hapjen e ekspozitës “Ujëgrame Cimatike” të Liona Vorfit.

Përmes 36 ngjarjeve kulturore, FOTOIST 2026 synon ta trajtojë fotografinë jo vetëm si medium artistik, por edhe si dokument, kujtesë, dëshmi dhe mjet komunikimi shoqëror.

Aktivitetet do të zhvillohen në galeri, institucione kulturore, hapësira universitare dhe ndërtesa me rëndësi historike në Prishtinë, duke e shndërruar qytetin në një hapësirë të ekspozimit dhe dialogut kulturor.

Në edicionin e katërt, festivali vazhdon bashkëpunimin me artistë, fotografë dhe institucione nga Kosova, rajoni, Evropa dhe më gjerë, me synimin për ta forcuar rolin e Prishtinës në skenën e fotografisë bashkëkohore në Evropën Juglindore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara