Lajmet

Hapet afati për aplikim për subvencionim të efiçiencës së energjisë

Ndryshohen disa kritere.

Published

on

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se sot është hapur afati për aplikim në fazën e parë për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Ministrja gjatë konferencës për media tha se afati për aplikim në fazën e parë është i hapur nga sot deri më 25 nëntor, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është më datën 9 dhjetor 2022.

“Që nga sot është hapur tanimë thirrja, në orën 12:00”, u shpreh ajo.

Në fazën e parë të 6 tetorit për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët, ministrja Rizvanolli u shpreh se kanë aplikuar 5 mijë e 992 qytetarë, ndërsa në fazën e dytë 2 mijë e 377, derisa tregoi se kanë përfitur mbi 2 mijë qytetarë.

“Sa i përket aplikimeve për thirrjen e parë të 6 tetorit, do të ndajë disa informata me ju, kanë aplikuar në total 5 mijë e 992 qytetarë, prej të cilëve në fazën e dytë pastaj, kanë aplikuar 2 mijë e 377. Domethënë 40 për qind e atyre që kanë aplikuar në fazën e parë e kanë vazhduar aplikimin në fazën e dytë. Sipas vendimeve të komisioneve që i kanë vlerësuar këto aplikime edhe në fazën e dytë, do të finalizohen 2 mijë e 228 marrëveshje, do të thotë 2 mijë e 228 qytetarë kanë përfituar, duke arritur vlerën për pagesë për 1 milion e 435 mijë e 800 euro”, tha ajo dhe shtoi se vlerësimet janë bërë nga katër komisione.

Rizvanolli deklaroi se komisioni ka pranuar gjithsej 14 ankesa.

“Përveç katër komisioneve të themeluara për vlerësimin e aplikimeve, Ministria menjëherë ka themeluar edhe komisionin e posaçëm të ankesave, në mënyrë që ankesat të adresohen në afat sa më të shkurtër. Komisioni i ankesave i ka pranuar 14 ankesa dhe i ka adresuar të gjitha”, u shpreh ministrja.

Rizvanolli deklaroi se nuk ka pasur asnjë rast të ndonjë ankesë të ndonjë keqpërdorimi apo shkelje të së drejtës. Ajo tha se ka pranuar edhe kërkesa për ndryshim të pajisjeve. Ministrja u shpreh se kanë pranuar që nga dita e parë qindra pyetje nga qytetarët dhe se janë munduar që shqetësimet e tyre t’i adresojnë.

Rizvanolli potencoi se në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë, janë ndryshuar disa kritere për subvencionim të efiçencës së energjisë, në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Sa i përket qytetarëve që janë në mbështetje të skemës sociale, kategoria 1 dhe 2 dhe e ndihmës sociale, është rritur subvencioni për inverterë, klimë efiçiente nga 40 për qind e vlerës me maskimun 400 euro që është për të tjerët, do të thotë për përfituesit e ndihmës sociale, tani klimën mund ta përfitojnë me një subvencion deri në 60 për qind të vlerës ose jo më shumë se 550 euro”, u shpreh ndër të tjera Rizvanolli.

Ajo potencoi se janë në komunikim me komunat dhe qendra për punë sociale, departamentin për mirëqenie sociale në Ministrinë e Financave, Punëve dhe Transfereve, në mënyrë siç tha ajo, që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për të ju ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit në platfomrën e-Kosova.

Ministrja tregoi se për nënat vetushqyese kanë paraparë subvencion më të lartë.

“Për nënat vetushqyese kemi paraparë gjithashtu një subvencion më të lartë, për stufat individuale me biomasë, për kategoritë tjera do të thotë është 70 për qind e vlerës, jo më shumë sesa 435 euro, për nënat vetushqyese do të subvencionohet deri në 90 për qind e vlerës investive, jo më shumë se 560 euro”, tha ajo.

Minsitrja Rizvanolli, ndër të tjera tregoi se kanë hapur një komunitet në viber me qëllim që t’i informojnë qytetarët edhe për subvencionet e ndryshme, masave prej të cilave mund të përfitojnë, por edhe për siç tha ajo, momentet kritike për furizim me energji elektrike.

Gjatë konferencës së të premtes, Rizvanolli tha se nuk ka ndonjë vendim të kohëve të fundit për mosndriçim të shesheve ose për mosndriçim gjatë festive të fundvitit.

Lajmet

FSK merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26” në Gjermani

Published

on

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i përfaqësuar nga një kompani këmbësorie e Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, ka marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Saber Junction 26”, të zhvilluar në Qendrën e Gatishmërisë Shumëkombëshe në Hohenfels të Gjermanisë.

Sipas FSK-së, kompania kosovare është integruar në Brigadën Ajrore 173 të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, përkatësisht në Batalionin 3-504 “Blue Devils”.

Pas fazës së planifikimit, koordinimit dhe trajnimit, pjesëtarët e FSK-së janë angazhuar në operacione të ndryshme në terren, përfshirë operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë ushtrim ka mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të komandimit dhe kontrollit, planifikimit dhe ekzekutimit të operacioneve, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me Ushtrinë Amerikane dhe forcat e vendeve partnere.

Integrimi i kompanisë së FSK-së në një formacion shumëkombësh ka shërbyer edhe për testimin e aftësive të saj në një mjedis kompleks dhe dinamik trajnues, krahas njësive partnere.

Gjatë “Observation Day”, aktivitetet e kontingjentit të FSK-së janë përcjellë nga Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, dhe rreshter majori i KFT-së, Naim Smakolli.

Pjesëmarrja në ushtrime të tilla, sipas FSK-së, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale, profesionalizmit dhe kapaciteteve për të vepruar krah për krah me ushtritë partnere në operacione shumëkombëshe./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë motoçikleta sekuestrohen në Pejë për kundërvajtje në trafik

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 10 shtator, në Pejë janë sekuestruar gjashtë motoçikleta për kundërvajtje në komunikacion.

Sekuestrimi është kryer nga Njësia e Trafikut për Qytet e Stacionit Policor në Pejë, në kuadër të planit operativ “Siguria në shkolla”, i cili do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Sipas Policisë, motoçikletat janë sekuestruar për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë drejtimin pa patentë shoferi, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion.

Policia ka paralajmëruar “zero tolerancë” ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik./A.K/

Continue Reading

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

Lajmet

Tenderi afro 400 mijë eurosh për kamionë në Ekoregjion, aktakuzë ndaj tre personave

Published

on

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, B.Sh., A.G. dhe R.Z., si dhe ndaj subjektit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 7 qershor 2023 dhe gjatë periudhës 18 shtator 2023 deri më 16 nëntor 2023, në Prizren, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit të KRM “Eko Regjioni”, në bashkëkryerje me zyrtarin e kësaj kompanie, A.G., kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe për subjektin juridik SH.P.K. “D.C & E”.

A.G. dhe B.Sh. akuzohen se, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimin publik, kanë krijuar mundësi që tenderin “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjioni’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, ta përfitojë SH.P.K. “D.C & E”.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime buxhetit të KRM “Ekoregjioni” i është shkaktuar dëm në shumën prej 233 mijë e 685.37 eurosh.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”. Sipas aktakuzës, ai u ka paguar B.Sh. dhe A.G. shpenzimet e një udhëtimi jashtë territorit të Kosovës, me qëllim të koordinimit të veprimeve inkriminuese dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Prokuroria pretendon se R.Z. paraprakisht kishte arritur marrëveshje të kundërligjshme me të pandehurit, përmes së cilës ishin përshtatur specifikat teknike të tenderit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara