Lajmet

Hapësira e mundësive: Panairi i kompanive austriake në UBT

Published

on

Ditën e enjte, kampusi inovativ i UBT-së u hapi dyert për mbi 20 kompanive austriake, duke organizuar një panair të rëndësishëm që bashkoi studentët dhe të diplomuarit në mundësi të reja profesionale. Ky eveniment ofroi një platformë të shkëlqyer për të prezantuar mundësitë e punës, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar kontakte të vlefshme në një ambient të ngrohtë dhe mbështetës. Në këtë mënyrë, panairi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të karrierave të suksesshme për të rinjtë kosovarë.

Panairi u hap në Bibliotekën e UBT-së, ku drejtori i Qendrës së Karrierës në UBT, Halil Bashota, ju drejtua studentëve dhe pjesëmarrësve, të cilët ishin në numër të madh. Duke i uruar të gjithëve mirëseardhje, Bashota vazhdoi të fliste për rëndësinë e këtij panairi, i cili ofron të rinjve kosovarë mundësinë për të përjetuar një eksperiencë të mirë dhe profesionale në botën evropiane.

Pas tij, Wilhelm Nest, drejtor i Advantage Austria theksoi rëndësinë e ndërlidhjes mes studentëve dhe tregut të punës në Austri. Ai ofroi një pasqyrë mbi jetën dhe mundësitë e punësimit në Austri, duke nënvizuar avantazhet që ky vend ofron për të rinjtë.

Mathias Bertsch përfaqësues në Wirtschafts-Standort Vorarlberg, Betriebsansiedlungs GmbH (WISTO), prezantoi mundësitë e jetës dhe punës në Vorarlberg, duke ndarë informacione të vlefshme mbi sektorët e zhvilluar dhe kërkesat për punë në këtë rajon.

Po ashtu, Simone Weiss dhe Jana Falkner përfaqësues nga Innovation Salzburg GmbH, paraqitën ofertat e punës në Salzburg, duke ofruar një pamje të qartë mbi mundësitë që ky qytet ofron për profesionistët e rinj.

Pas prezantimeve profesionale, në hollin e UBT-së u bashkuan të gjithë pjesëmarrësit dhe studentët për tu informuar në detaje me përfaqësuesit e kompanive austriake. Çdo kompani pjesëmarrëse kishte një shtand/tavolinë të caktuar, ku qëndronin deri në dy përfaqësues dhe ekspozonin materialet promovuese, përfshirë roll-ups, broshura, dhurata dhe informacion rreth mundësive të punës. Kjo u ofroi kompanive mundësinë për të prezantuar kompanitë dhe për të tërhequr interesin e studentëve.

Panairi përfshinte takime të planifikuara mes studentëve dhe të diplomuarve me përfaqësuesit e kompanive. Studentët ishin të inkurajuar të sillnin CV-të e tyre për të pasur një mundësi më të mirë për të diskutuar rreth mundësive të punës dhe për të ndarë informacionin e tyre profesional.

Ky panair krijoi mundësi unike për të prezantuar ofertat e kompanive austriake për studentët e UBT-së. Ngjarja ndihmoi studentët të identifikonin mundësitë e punës dhe të zhvillonin lidhje me punëdhënësit potencialë. Evenimenti përfundoi me një koktej të organizuar për studentët dhe stafin e UBT-së, një moment i shkëlqyer për të diskutuar dhe ndarë përvoja, si dhe për të forcuar marrëdhëniet mes studentëve dhe përfaqësuesve të kompanive.

Panairi i sotëm ishte një hap i rëndësishëm për të mbështetur studentët në kërkimin e mundësive të punës dhe për të ndihmuar në krijimin e një rrjeti profesional./UBTNews/D.E.

Vendi

LDK-ja mbështet zyrtarisht Bekim Sejdiun për President, u bën thirrje deputetëve për votim

Published

on

By

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht të mbështesë kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, në përputhje me procedurat statutare dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja bëri të ditur se marrëveshja e miratuar politike synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parandalimin e një krize të re institucionale në vend.

Subjekti opozitar vlerësoi se përvoja e gjatë e Sejdiut në fushën e së drejtës kushtetuese dhe në diplomaci e bën atë një kandidat të dinjitetshëm që garanton ushtrim të pavarur e të paanshëm të detyrës. Kryesia e LDK-së i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë propozim gjatë votimit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Edhe pak vende të lira në disa programe studimi Bachelor në UBT

Published

on

By

Për të gjithë maturantët që kanë marrë pjesë në afatin e dytë të Testit të Maturës dhe synojnë një arsim cilësor me standarde ndërkombëtare, zgjedhja e tyre e drejtë është UBT. Ata kanë mundësi të zgjedhin mes disa programeve studimore ku kanë mbetur edhe pak vende të lira për vitin e ri akademik.

Si institucioni arsimor lider në rajon për inovacion dhe teknologji, UBT ofron infrastrukturën më moderne dhe laboratorët më të avancuar për përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Përmes kurrikulave moderne të ndërtuara në bashkëpunim me universitetet më të njohura botërore, studentët përfitojnë dije praktike që u garantojnë punësim të shpejtë në tregun e punës.

Ky është shansi i fundit për të siguruar një vend në komunitetin më të madh të dijes dhe për të marrë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht. Regjistrimet po vazhdojnë në të gjitha kampuset e UBT-së, prandaj nxitoni të bëheni pjesë e suksesit dhe të ndërtoni karrierën tuaj të ëndrrave!

Continue Reading

Vendi

Skandali në BKS zgjerohet në 69 të pandehur: Ngrihen 35 prona dhe llogari bankare për dëmin mbi 1.2 milionë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar zgjerimin e hetimeve lidhur me keqpërdorimet financiare në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Me veprimet e fundit të ndërmarra më 1 shtator 2026, numri i të pandehurve ka arritur në 69 persona, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar ndaj BKS-së tashmë llogaritet mbi 1.2 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar ndaj 21 zyrtarëve të rinj të BKS-së, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”. Këta punonjës dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në transferimin e mjeteve financiare pa mbulesë, në vlera nga 2,000 deri në 53,000 euro për person. Ky aktivitet i kundërligjshëm i ka shkaktuar BKS-së një dëm shtesë prej rreth 200,000 eurosh, duke iu shtuar shumës fillestare prej 1,043,000 eurosh të identifikuar në janar.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani të drejtuesve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Paralelisht me procesin penal, me mbështetjen e Njësitit të Hetimeve të Integruara Financiare dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare, janë ndërmarrë masa për ngrirjen e pasurisë së fituar nga kjo veprimtari:

35 prona të sekuestruara: Janë ngrirë parcela kadastrale, banesa dhe garazhe që lidhen me tre të pandehurit kryesorë.

21 llogari bankare të bllokuara: Është urdhëruar ngrirja e menjëhershme e llogarive bankare të personave të dyshuar.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës konfirmuan se hetimet po vazhdojnë me intensitet për zbardhjen e plotë të kësaj skeme të keqpërdorimit dhe vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Islam Selmani i artë, medalja e 7-të për Kosovën

Published

on

By

Islam Selmani ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, duke fituar medaljen e artë dhe duke i sjellë Kosovës medaljen e shtatë në këto Lojëra.

Karateisti kosovar triumfoi në finale dhe u shpall kampion, duke shkruar një faqe të rëndësishme për karatenë e Kosovës.

Kjo është medalja e parë e artë për Kosovën në karate në “Taranto 2026” dhe medalja e shtatë e delegacionit kosovar.

Një paraqitje fantastike e Islam Selmanit, i cili tashmë është kampion i Lojërave Mesdhetare.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara