Botë

Hamasi dhe Fatahu afër marrëveshjes për qeverisjen e Gazës pas luftës

Published

on

Zyrtarët palestinezë thanë se Fatahu dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë afër arritjes së një marrëveshjeje për caktimin e një komiteti politik të teknokratëve të pavarur për të administruar me Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta.

Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë në mënyrë efektive do t’i jepte fund sundimit të Hamasit në Gazë dhe do të mund të ndihmonte në avancimin e bisedimeve për armëpushim me Izraelin.

Fraksionet rivale kanë bërë disa tentime të dështuara për t’u pajtuar që kur Hamasi mori pushtetin në Gazë më 2007. Izraeli ndërkaq ka hedhur poshtë mundësinë që Hamasi apo Fatahu të kenë ndonjë rol në Gazën e pasluftës.

Fatahu dominon në Autoritetin Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi.

Një zyrtar i Autoritetit Palestinez konfirmoi më 3 dhjetor se një marrëveshje është arritur pas bisedime disajavore në Kajro. Zyrtari tha se komiteti do të kishte 12-15 anëtarë, shumica nga ta nga Gaza.

Ky komitet do t’i raportonte Autoritetit Palestinez, i cili ka selinë në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhe do të punonte me palët lokale dhe ndërkombëtare për të lehtësuar ndihmën humanitare dhe rindërtimin e Gazës.

Një zyrtar i Hamasit tha se grupi radikal dhe Fatahu janë pajtuar për termat e përgjithshëm, por ende po negociojnë për disa detaje dhe për individët që do të ishin pjesë e komitetit. Ky zyrtar tha se marrëveshja do të bëhet publike pas një takimi të të gjitha fraksioneve palestineze në Kajro, pa dhënë një afat se kur do të mund të ndodhë kjo.

Dy zyrtarët folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar që të flisnin me gazetarët për këto negociata.

Izraeli ende nuk ka reaguar për këto raportime.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë luftën në Gazë derisa Hamasi të zhbëhet dhe dhjetëra pengje të lirohen. Ai ka thënë se Izraeli do të mbajë për një afat të pacaktuar kontrollin e Gazës, teksa çështjet civile do të administrohen nga palestinezët që nuk janë të lidhur me Autoritetin Palestinez apo Hamasin.

SHBA-ja ka bërë thirrje për revitalizimin e Autoritetit Palestinez në mënyrë që të qeverisë me Bregun Perëndimor dhe Gazën para formimit të një shteti të mundshëm. Qeveria izraelite, që kundërshton një shtet palestinez, raportohet se ka diskutuar për planet e pas luftës me Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën ka normalizuar raportet më 2020. Emiratet mbështesin një fraksion rival të Fatahut.

Zyrtari i Hamasit tha se marrëveshja do të përmbushte një nga qëllimet e luftës të Izraelit, që është dhënia fund e sundimit të Hamasit në Gazë.

Autoriteti Palestinez, që administron me pjesë të Bregut Perëndimor, njeh Izraelin dhe bashkëpunon për çështje të sigurisë, një politikë që nuk është popullore në mesin e palestinezëve, pasi shumë prej tyre e shohin si ndihmës të pushtimit.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë afër 1.200 persona – shumica civilë – dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe afër 100 pengje besohet se janë në Gazë dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 44.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë./REL/

Lajmet

Sulm masiv mbi Kievin: Zelensky akuzon Rusinë për shkelje të armëpushimit

Published

on

By

Një objekt kyç i energjisë që furnizon Kievin me ngrohje dhe energji elektrike, si dhe një ndërtesë banimi, janë goditur gjatë një sulmi me raketa balistike ruse. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili theksoi se goditja ndodhi pa asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se nga goditja e bllokut të banimit të martën vonë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur 21 të tjerë. Ai konfirmoi se janë goditur disa objekte energjetike në kryeqytet, ndërsa në orët e para të së mërkurës bëri të ditur se sulmet masive kanë ndërprerë rrymën në disa pjesë të Kievit. Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore pas shpalljes së alarmit të kuq.

Sulmet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se mes Rusisë dhe Ukrainës ishte rënë dakord për një armëpushim energjetik. Lidhur me këtë, Zelensky reagoi ashpër duke u shprehur: “Ukraina mbështeti një armëpushim energjetik. Rusia po synon edhe një central tjetër elektrik dhe jetët e njerëzve tanë. Kjo është plotësisht e padrejtë: kur ata po shkatërrojnë infrastrukturën tonë energjetike, dhe Ukraina nuk po merr as paralajmërime të hershme për lansimin e raketave balistike”.

Presidenti ukrainas shtoi se është me rëndësi që bota të mos heshtë dhe që Shtetet e Bashkuara të shohin qartë se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e luftës. Kjo është nata e dytë rresht që Kievi përballet me sulme të tilla, ndërsa Zelensky po përgatitet të takohet në London me kryeministrin britanik Andy Burnham për të diskutuar përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore.

Pas sulmeve të së hënës mbrëma, lindi spekulimi se SHBA-ja kishte ndërprerë qasjen e Ukrainës në inteligjencën kyçe për përgjimin e kërcënimeve. Megjithatë, Trump e mohoi këtë duke deklaruar: “Ne po i ndihmojmë ata dhe po ndajmë inteligjencë. Ne duam që lufta të përfundojë.” I pyetur për sulmet ruse mbi energjetikën, Trump përmendi se edhe Ukraina kishte goditur disa objekte një ditë më parë, ndërsa shmangu të konfirmonte nëse Rusia e kishte shkelur armëpushimin, duke shtuar se të dyja palët duan që lufta të përfundojë, por “nuk dinë se si të arrijnë atje”. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sulmohen me dronë dy anije në Detin e Zi pranë Bullgarisë, Radev kërkon ndihmën e NATO-s dhe BE-së

Published

on

By

Dy anije tregtare janë goditur nga dronë të martën në Detin e Zi, rreth 29 kilometra larg bregdetit të Bullgarisë, duke shkaktuar fundosjen e njërës prej tyre dhe nisjen e operacioneve të shpëtimit. Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, njoftoi se nga anija “Chelsea 3”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, janë evakuuar të gjithë 15 anëtarët e ekuipazhit, ku pesë prej tyre morën trajtim mjekësor për lëndime të lehta. Ndërkaq, nga anija e dytë e fundosur është shpëtuar një person.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurisë, Radev i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe bëri të ditur se Bullgaria po kërkon mbështetje nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Ndonëse autoritetet bullgare nuk kanë ende prova të drejtpërdrejta se kush qëndron prapa sulmit, Radev deklaroi se zhvillimet shkojnë në favor të Federatës Ruse.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan ashpër ngjarjen duke fajësuar Rusinë për cenimin e sigurisë detare dhe lundrimit të lirë në Detin e Zi. Ky incident vjen pas disa sulmeve të ngjashme të javës së kaluar ndaj anijeve tregtare në ujërat pranë Bullgarisë dhe Rumanisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Ish-komandanti ukrainas, Syrskyi: Kemi stabilizuar frontin dhe kemi ndalur përparimin e Rusisë

Published

on

By

Ukraina ka arritur të stabilizojë vijën e frontit dhe ka thyer aftësinë e Rusisë për të përparuar, falë humbjeve të mëdha që i ka shkaktuar ushtrisë ruse. Kështu deklaroi ish-komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Oleksandr Syrskyi, në intervistën e tij të parë për BBC-në që prej shkarkimit nga detyra gjatë verës.

Syrskyi hodhi poshtë kritikat se ishte konsideruar nga “shkolla e vjetër” për të udhëhequr një ushtri teknologjikisht të avancuar. Ai deklaroi se humbjet e Rusisë në luftë janë gjashtë herë më të mëdha se ato të Ukrainës — dhe deri në 11 herë më të larta nëse numërohen vetëm ushtarët e vrarë.

Sipas të dhënave, inteligjenca britanike vlerëson se Rusia ka humbur rreth gjysmë milioni ushtarë që nga nisja e pushtimit në vitin 2022, ndërsa vlerësimet amerikane flasin për rreth 150 mijë ushtarë ukrainas të vrarë deri në mesin e vitit 2026. Syrskyi bëri me dije se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Rusia arriti të merrte vetëm 61 kilometra katrorë, ndërsa raporte nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) konfirmojnë se gjatë shtatorit 2026, Moska humbi më shumë territor sesa që arriti të pushtonte.

Ish-komandanti sqaroi gjithashtu përplasjet e tij me ish-ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, të cilat çuan në shkarkimin e të dyve nga presidenti Zelensky. Ai theksoi se kishte mospërputhje në furnizime, pasi Fedorov prioritizonte dronët por neglizhonte pajisjet e tjera thelbësore tokësore. Pavarësisht kritikave, Syrskyi nënvizoi se nën drejtimin e tij përdorimi i dronëve arriti nivele rekord, duke krijuar për herë të parë Forcat e Sistemeve pa Ekipe, ku sot dronët shkaktojnë 80% të humbjeve ruse.

Duke arsyetuar operacionin e tij më të diskutuar — hyrjen e trupave ukrainase në rajonin rus të Kurskut në gusht 2024 — ai e quajti atë një domosdoshmëri që detyroi Moskën të riorientonte trupat dhe t’u jepte frymëmarrje brigadave ukrainase.

Në fund, Syrskyi iu drejtua aleatëve evropianë me një mesazh të qartë: të fillojnë të përgatiten për luftë tani dhe t’i lënë mënjanë iluzionet se konflikti nuk do të arrijë tek ata. Ai parashikoi se e ardhmja e luftës do të jetë edhe më teknologjike, me përdorim të inteligjencës artificiale dhe robotikës, por nënvizoi se roli kryesor në fushëbetejë do të mbetet gjithmonë ai i njeriut. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Trump pretendon “armëpushim energjetik” mes Rusisë e Ukrainës, Kievi raporton sulme të reja

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë daktord për një “armëpushim energjetik” me efekt të menjëhershëm, mirëpo pa dhënë detaje shtesë për marrëveshjen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i papritur nga ky njoftim, por konfirmoi se Kievi është i gatshëm të pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trump-it, Zelensky akuzoi Rusinë se goditi me dronë një central elektrik në Kiev dhe objekte energjetike në Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kërkesa e Trump-it ndaj Ukrainës për ndalimin e goditjeve mbi rafineritë ruse lidhet me një marrëveshje për importin e naftës dizele ruse, e cila ka pezulluar përkohësisht disa sancione me synim uljen e çmimeve të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo iniciativë ka nxitur kritikave të ashpra nga Zelensky, zyrtarë evropianë dhe politikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe BE-ja kanë shprehur mbështetje për idenë e një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik, ndërsa Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara