Aktualitet
Thaçi në Hagë: I vetmi kundërshtar i imi dhe i popullit të Kosovës ishte Millosheviqi
Published
5 hours agoon
By
UBTNEWSIsh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Prokurorisë gjatë procesit gjyqësor në Hagë, duke i cilësuar ato si thellësisht ofenduese për historinë e luftës në Kosovë.
“Pretendimi i prokurorisë për marrjen e kontrollit në Kosovë është thellësisht ofendues. Është ofendim për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për liri, ofendim për dhjetëra mijëra viktima të pafajshme të vrara gjatë masakrave, si dhe i padrejtë për përpjekjet e NATO-s dhe aleancës perëndimore, me të cilët unë bashkëpunova ngushtë”, deklaroi Thaçi.
Në vazhdim të fjalës së tij, ai theksoi se sipas bindjes së tij, përgjegjësia për ngjarjet në Kosovë i takon regjimit të atëhershëm serb.
“Më lejoni të përsëris një të vërtetë të përjetshme: i vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike ishte Slobodan Millosheviqi”, u shpreh ai para trupit gjykues.
Deklaratat e Thaçit u bënë në kuadër të paraqitjes së tij në gjykatë, ndërsa procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Thaçi: Për vendimin tim në 1998 jam krenar – nuk do të rrija duarkryq përballë shfarosjes së popullit tim
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vazhdimin e fjalës së tij para trupit gjykues në Hagë, theksoi se vendimi për t’u kthyer në Kosovë në vitin 1998 ishte krejtësisht i tij dhe se për këtë ndjehet krenar.
Në deklaratën e tij, Thaçi akuzoi regjimin e atëhershëm serb për plane shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Slobodan Milošević, plane për një gjenocid tjetër, për një gjenocid të ri në Kosovë”, u shpreh ai.
Thaçi tha se, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, ishte detyruar më herët ta lëshonte Kosovën për shkak të ndjekjes nga regjimi serb, i cili – sipas tij – e kishte dënuar në mungesë. Ai shtoi se i njëjti regjim kishte dënuar në mungesë edhe udhëheqës perëndimorë si ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeleine Albright, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder dhe ish-presidentin francez Jacques Chirac.
Duke folur për periudhën e luftës, Thaçi theksoi se nuk mund të qëndronte indiferent përballë masakrave ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
“Vendosa të kthehem në Kosovë në pranverën e vitit 1998. Ky vendim ishte krejtësisht i imi, sepse nuk mund të qëndroja anash derisa familja dhe populli im përballeshin me shfarosje. Bëra atë që do ta bënte secili prej jush nëse vendi dhe populli juaj do të përjetonin atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar dhe nuk bie pishman asnjëherë”, deklaroi Thaçi.
Thaçi nga Haga: “Akuzat nuk qëndrojnë, jam plotësisht i pafajshëm”
Në seancën e fundit, ku po paraqiten fjalët pëmbyllëse në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë dhe se ai është plotësisht i pafajshëm.
“Të nderuar gjyqtarë, për gati tri vite në këtë sallë gjyqi i keni dëgjuar akuzat e prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën dhe është vetëm një e vërtetë: që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. E kam thënë dhe e them sërish me bindje të plotë”, u shpreh Thaçi.
Ai shtoi se ndjen keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
“Unë e bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha ai.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka hyrë në një fazë të rëndësishme pas paraqitjes së argumenteve të palëve.
Mbrojtja e Krasniqit: Provat tregojnë pafajësinë e tij, ZPS po ndryshon qëndrime
Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, kërkoi nga trupi gjykues që ta shpallin klientin e tij të pafajshëm, duke theksuar se provat nuk e lidhin Krasniqin me përgjegjësitë e pretenduara.
Ellis kritikoi Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për ndryshimin e qëndrimeve lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarve bazuar në anëtarësinë e tyre në Shtabin e Përgjithshëm. “Vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument,” tha Ellis.
Ai theksoi se për çdo kontribut në NPK përgjegjësia duhet të identifikohet individualisht, përndryshe rasti i tërë duket sikur është kundër Shtabit të Përgjithshëm dhe jo katër të akuzuarve.
Ellis hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se Krasniqi kishte qenë epror i Bislim Zyrapit, duke theksuar se Zyrapi vetë ka pranuar se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit,” tha Ellis, duke përmendur Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.
Sipas mbrojtjes, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit dhe duke pretenduar se dëshmia e tij mbi Krasniqin është “i pabazuar”. Seanca u ndërpre për pauzë, dhe pas pushimit pritet që ish-eprorët e UÇK-së të deklarohen.
Roberts: ZPS-së i vjen turp për argumentet ndaj Selimit
Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për mënyrën se si ka paraqitur argumentet kundër klientit të tij.
“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha Roberts në nisje të fjalës së tij.
Ai theksoi se mbrojtja konsideron se pretendimet e ZPS-së janë të dobëta dhe të paqëndrueshme, duke lënë të kuptohet se klienti i tij nuk ka asnjë rol të vërtetuar në akuzat e ngritura.
Dixon: Nuk ka prova që Veseli ka qenë pjesë e NPK-së, thashethemet nuk vlejnë
Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se nuk ekzistojnë prova që lidhin klientin e tij me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Dixon theksoi se Veseli ka qenë për periudha të gjata jashtë vendit dhe, edhe kur ndodhej në Kosovë, ka marrë pjesë në shumë pak takime dhe ka vizituar rrallë Shtabin e Përgjithshëm.
“Veseli nuk ka komanduar ndonjë strukturë të inteligjencës apo askënd dhe nuk ka qenë aktiv në Drejtorinë Politike. Madje, as anëtarësia në këtë drejtori nuk është vërtetuar. Ai nuk ka pasur role kriminale,” tha Dixon.
Mbrojtësi i Veselit kritikoi gjithashtu përdorimin e një videoje nga ZPS, ku një dëshmitar pretendonte se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime. “Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë dhe mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar,” shtoi ai.
Dixon theksoi se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person në bazë të “provave të patestuara dhe thashethemeve”. Ai ripërsëriti se ZPS nuk ka asnjë provë që lidh Veselin me krimet e pretenduara dhe se të gjitha argumentet kundër tij janë të pabazuara.
Si shembull, mbrojtja kundërshtoi edhe dëshminë e një dëshmitari për ndalimet në Kleçkë, duke e konsideruar si “thashethem” dhe jo si provë të vlefshme.
Në fund, Dixon deklaroi se përpjekja e fundit e ZPS-së për ta lidhur Veselin me pikat e aktakuzës, e bërë të hënën, nuk ka ofruar prova të reja që të ndryshojnë këtë situatë.
Mishetiq: Nuk ka asnjë provë që Thaçi ka hartuar apo shpërndarë komunikatat e UÇK-së
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me kryerjen e krimeve apo me transmetimin e “qëllimit të përbashkët kriminal” të të akuzuarve.
Sipas Mishetiqit, nuk ka asnjë dëshmi që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se provat janë mbajtur të fshehura deri në dosjen përfundimtare, ndonëse dihej se mbrojtja do t’i kundërshtonte ato.
“Një problem tjetër i madh është mënyra e paraqitjes së provave dhe argumentimit ligjor nga ZPS-ja, duke i fshehur provat deri në dosjen përfundimtare. ZPS-ja i kuptoi boshllëqet e saj vetëm në javën e fundit, kur u paraqitën parashtrimet e mbrojtjes, dhe tani në kundërpërgjigje po ndryshon paraqitjen e saj si përpjekje për t’i mbushur këto boshllëqe”, tha ai.
Mishetiq solli si shembull pretendimet e ZPS-së se çështja e “kundërshtarëve” dhe “luftës speciale” është diskutuar vazhdimisht në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm. Ai theksoi se mbrojtja ka analizuar procesverbalet e 16 gushtit dhe 29 dhjetorit, ndërsa në dosjen përfundimtare përmenden edhe takime të tjera, si ato të 23 korrikut, 12 dhe 13 nëntorit, si dhe 20 dhe 30 dhjetorit 1998.
Sipas tij, këto takime janë cituar për të mbështetur paragrafin 25 të dosjes përfundimtare, por mbrojtja pretendon se ato nuk janë referuar më herët në mënyrë të qartë. “Nuk mund të pritet nga Thaçi që të trajtojë apo kundërshtojë prova që nuk janë përmendur nga ZPS-ja”, përfundoi Mishetiq.
Mishetiq: S’ka prova që Thaçi ishte i përfshirë në krime lufte
Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi se mbrojtja ka paraqitur argumente thelbësore që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e provave për përfshirjen e ish-presidentit në krime lufte. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë raport nga kryerësit e pretenduar të krimeve që e lidh Thaçin me veprime të paligjshme, si dhe nuk ka prova të besueshme që ai të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së apo në transmetimin e të ashtuquajturit “qëllim i përbashkët kriminal”.
Mishetiq shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar shpjegim racional për pretendimet se qëllimi i përbashkët kriminal është transmetuar përmes komunikatave, ndërsa theksoi se dëshmitë e paraqitura nga dëshmitarë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së nuk e implikojnë Thaçin në krime lufte apo në ndonjë politikë të pretenduar kundër kundërshtarëve. “Nuk ka asnjë raport nga kryerësit e krimeve për Hashim Thaçin… nuk ka prova të besueshme që ai kishte rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave,” u shpreh Mishetiq, duke shtuar se “ZPS-ja të hënën nuk kishte kundërpërgjigje apo argumente për t’i hedhur poshtë këto pika themelore.”
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur t’u përgjigjet pretendimeve të palëve, duke kundërshtuar qëndrimin e mbrojtjes së Rexhep Selimi se nuk është dëshmuar lidhja mes krimeve të pretenduara dhe të akuzuarit. Ai theksoi se “trupi gjykues nuk përballet me pyetjen nëse vuajtja ka ndodhur, por nëse ka prova që lidhin në mënyrë të ligjshme këtë vuajtje me krimet për të cilat akuzohet Rexhep Selimi”. Sipas tij, mbrojtja ka ngritur dy pretendime kryesore: “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis dëmit të pësuar nga viktimat dhe krimeve për të cilat janë ngritur akuza” dhe “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis krimeve dhe të akuzuarit Selimi”.
Në përgjigjen e tij, Laws u shpreh se “nuk ka kriter apo kusht ligjor për ne që të vërtetojmë ekzistencën apo lidhjen në mes krimeve dhe Selimit, jo në këtë fazë dhe në fakt në asnjë fazë”. Ai shtoi se pala që përfaqëson “nuk është përpjekur të vërtetojë një krim në lidhje me Selimin”, pasi roli i saj është të paraqesë informacione dhe prova për dëmin e viktimave. “Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat kundër Selimit, ajo është punë e prokurorisë”, përfundoi ai.
Hagë: Seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Në gjashtë seancat paraprake, fjalët përmbyllëse janë paraqitur nga prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje për palët. Siç u bë e ditur në seancën e së hënës, sot radhën për paraqitjen përfundimtare e ka mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Katër të akuzuarit kanë gjithashtu të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues. Në Hagë janë të pranishëm familjarë të tyre, si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili përfaqëson Qeverinë e Kosovës.
Para nisjes së seancës, Konjufca deklaroi se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se ata prej më shumë se pesë vitesh mbahen në paraburgim në Hagë. Ai e cilësoi gjykatën si një entitet që, sipas tij, ka pasur fokus të padrejtë ndaj UÇK-së.
“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kundër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha Konjufca. Ai shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.
Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.
Seanca e sotme zhvillohet një ditë pasi, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes dhe për të kërkuar një proces gjyqësor të drejtë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, kërkesë që ekipet mbrojtëse e kanë cilësuar si të barasvlershme me burgim të përjetshëm.
Zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë pritet të vijojnë gjatë ditës. /REL/
You may like
Lajmet
Kryeministri Rama niset drejt Washingtonit për themelimin e Bordit të Paqes
Published
48 minutes agoon
February 18, 2026By
UBTNEWS
Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washington, D.C., në përgjigje të ftesës së Presidentit Donald Trump për të marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, raporton A2CNN.
Ceremonia do të zhvillohet më 19 shkurt në Institutin për Paqe të Presidentit Trump, një moment ky që shënon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në këtë nismë, pas mungesës në takimin e parë ku rajoni u përfaqësua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministria bëri me dije se, pak ditë më parë, Rama deklaroi prerë se Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por do të kontribuojë me dinjitetin dhe respektin ndërkombëtar që ka fituar deri në këtë nivel të lartë diskutimi mbi të ardhmen e paqes.
Ky bord, i cili përbëhet nga 27 anëtarë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, synon forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe promovimin e një qasjeje të re për zgjidhjen e konfliktit global.
Trupi në fjalë është i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit në Gazë, si dhe për të kontribuar në qeverisjen dhe rindërtimin e zonës. Megjithatë, kjo nismë vjen në një klimë diplomatike komplekse, pasi pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian ende nuk i janë bashkuar këtij bordi. /A2CNN/
Aktualitet
Bisedimet “e vështira” të paqes Rusi-Ukrainë përfundojnë pa ndonjë kthesë
Published
2 hours agoon
February 18, 2026By
UBTNEWS
Bisedimet midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së të synuara për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë kanë përfunduar pa një kthesë. Takimet trilaterale, të mbajtura në Gjenevë, zgjatën deri vonë të martën, por zgjatën vetëm dy orë të mërkurën. Megjithëse i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff kishte shprehur optimizëm mbi bisedimet, të dyja palët, ajo ruse dhe ajo ukrainase, treguan se ato kishin qenë “të vështira”. Moska dhe Kievi mbeten shumë larg në çështjet kyçe të territorit dhe kushteve të një armëpushimi të mundshëm në konfliktin katërvjeçar, raporton BBC.
Duke pranuar se bisedimet ishin sfiduese, negociatori i Kremlinit Vladimir Medinsky shtoi se ato kishin qenë “profesionale” dhe tha se një takim tjetër do të zhvillohej “së shpejti”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu i përshkroi negociatat si “jo të lehta” për shkak të dallimit në pozicionet e të dyja palëve. Negociatori ukrainas Rustem Umerov mbajti një ton më pak pesimist, duke thënë se diskutimet kishin qenë “substanciale dhe intensive” dhe se ndonëse kishte pasur progres, asnjë detaj nuk mund të zbardhej në këtë fazë. Umerov u shpreh se kjo është një punë komplekse që kërkon rreshtim midis të gjitha palëve dhe kohë të mjaftueshme.
Pak para se të njoftohej përfundimi i bisedimeve, Zelensky akuzoi Rusinë se po përpiqet të zvarritë negociatat që mund të kishin arritur tashmë në fazën finale. Delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan për herë të fundit në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA në Abu Dhabi në janar, të cilat çuan në shkëmbimin e parë të të burgosurve pas disa muajsh. Të mërkurën, Zelensky la të kuptohej se një tjetër shkëmbim mund të jetë i afërt. Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili udhëhoqi përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ka dhënë shenja padurimi me bllokimin midis dy palëve.
Të hënën, ai tha se Ukraina kishte bërë mirë të vinte në tryezë shpejt, një ndjenjë të cilën Zelensky e ka hedhur poshtë që atëherë, duke thënë se nuk ishte e drejtë që vendi i tij të ishte ai prej të cilit kërkohej kompromis. Katër vjet pas fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, ekziston ende një distancë e konsiderueshme midis kërkesave të Moskës dhe asaj që Kievi mund të konsideronte si një paqe të drejtë. Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, e cila do të nënkuptonte heqjen dorë nga territori sovran ukrainas, përfshirë disa qytete të fortifikuara rëndë dhe një linjë të gjatë mbrojtëse në rajonin e Donetskut.
Shumë ukrainas besojnë se dorëzimi i atij territori do ta linte vendin të prekshëm ndaj një tjetër pushtimi rus. Të martën, Zelensky i tha medias amerikane Axios se çdo plan për të dorëzuar Donbasin do të refuzohej nga ukrainasit nëse do të vihej në referendum. Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje në bisedime është statusi i Centralit Bërthamor të Zaporizhzhia. Centrali, më i madhi në Evropë, ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022. Ukraina dëshiron që Moska ta kthejë atë dhe Zelensky ka thënë më parë se Kievi mund të ndajë kontrollin e centralit me amerikanët, një rregullim me të cilin Moska ka pak gjasa të pajtohet. /BBC/
Lajmet
Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Traumën e Luftës në Kosovë
Published
4 hours agoon
February 18, 2026By
ubtnews
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “From war to recovery: A multidisciplinary approach to Kosovo’s war trauma”, e organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).

Gjatë konferencës u theksua roli i institucioneve akademike në dokumentimin e krimeve të luftës, analizën kritike të pasojave dhe rëndësinë e mbështetjes së të mbijetuarve dhe viktimave.
Konferenca ofroi gjithashtu një platformë multidisiplinare për të diskutuar qasjet shkencore ndaj traumës së luftës, si dhe u potencua nevoja për bashkëpunim institucional dhe projekte kërkimore që mbështesin kujtesën kolektive dhe paqen e qëndrueshme.
Në këtë ngjarje, stafi i UBT-së kontribuoi me punimin shkencor “Preserving collective memory through architectural heritage documentation in post-war Kosovo”, njw punim i Dr. Fjollë Cakës, arkitekte, planifikuese urbane dhe sociologe.
Dr. Caka u përqendrua në zhvillimin urban të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mobilitetin dhe strehimin e qëndrueshëm, si dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, duke sjellë një perspektivë të rëndësishme multidisiplinare në diskutimin mbi rimëkëmbjen pas luftës.

Sport
Mario Ilievski, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovë
Published
4 hours agoon
February 18, 2026By
UBTNews
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka shpallur futbollistin më të dalluar të javës së 20-të në Superligë: Mario Ilievski i FC Prishtina.
Ilievski ishte protagonist absolut në ndeshjen kundër FC Llapi, ku Prishtina arriti fitore të thellë 4:1, me dy gola të shënuar nga vetë ai.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, duke e shpallur Ilievskin lojtarin më të mirë të javës.
Pas marrjes së çmimit, Ilievski u shpreh:
“Është kënaqësi të zgjidhesh lojtari më i mirë i javës. Kjo është një motiv shtesë për mua, por edhe për tërë ekipin. Pas ndeshjes me Ballkanin erdhëm të mërzitur, por penalltitë janë gjithmonë çështje fati. Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe një emër shumë i madh në të gjithë rajonin e Ballkanit, andaj do të luftojmë për kreun e tabelës, sidomos tani me trajnerin e ri, me të cilin po i përgatisim ndeshjet shumë mirë.”
Me këtë performancë, Ilievski konfirmon se është një nga lojtarët kyç të Prishtinës, dhe një faktor vendimtar në garën për kreun e Superligës.
Bashkimi dhe Trepça përballen sonte në finalen e Kupës së Kosovë
Kryeministri Rama niset drejt Washingtonit për themelimin e Bordit të Paqes
Bisedimet “e vështira” të paqes Rusi-Ukrainë përfundojnë pa ndonjë kthesë
Rektori Hajrizi mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Traumën e Luftës në Kosovë
REL: Osmani merr pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes në Uashington
Mario Ilievski, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovë
Dhuna në familje sërish dominon në raportin e Policisë
Këta janë sportistët më të paguar në Lojërat Olimpike në Itali
Kush ishte aktori fitues Robert Duvall, që ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
