Avokatja e Jakup Krasniqi, Alagendra Venkateswari, kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë lidhur me dokumentet e paraqitura si prova.
Ajo deklaroi se Prokuroria nuk angazhoi ekspert kaligrafik për vërtetimin e nënshkrimeve apo dokumenteve, por ka tentuar të verifikojë nënshkrimet përmes dëshmitarit të saj, Bislim Zyrapi. Sipas saj, vetë Zyrapi në një intervistë të dhënë për Prokurorinë në vitin 2019 kishte deklaruar se nuk e njeh nënshkrimin në fjalë.
Avokatja theksoi se fakti që në një dokument shfaqen fjalët apo emri i Krasniqit, nuk do të thotë se ai është autor i tij apo se nënshkrimi është i tij. Po ashtu, ajo argumentoi se sekuestrimi i një dokumenti nga banesa e tij nuk e bën atë automatikisht autentik dhe nuk përbën provë për përfshirje kriminale.
“Sikurse e dini shumë mirë z. Gjykatës, Prokuroria nuk thirr sikur vetëm një ekspert kaligrafik, por vetë u përpoq që të verifikonte nënshkrime në këto dokumente përmes Bislim zyrapit (dëshmitari i Prokurorisë). I njëjti dëshmitar që tha që nuk e njoh këtë nënshkrim dhe këtë e ka thënë në intervistën për prokurorin në vitin 2019-të. Fakti që fjalët e Jakup Krasniqit shfaqën në nëj dokument nuk nënkupton se ato fjalë i ka shkruar pikërisht Krasniqi e as nuk nënkupton së nënshkrimi është i tij. Thjeshtë për faktin që një dokument është sekuestruar nga banesa e tij, nuk do të thotë që është dokument autentik dhe që ai është autori i atij dokumenti dhe sigurisht që nuk vërteton asnjë lloj përfshirje kriminale nga ana a e Krasniqit”, tha ajo.
Mbrojtja e Jakup Krasniqi në Hagë: “Prokuroria ka dështuar të provojë akuzat”
Mbrojtja e Jakup Krasniqi ka nisur paraqitjen e fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm dhe kthimin pranë familjes.
Në hapje të deklaratave përmbyllëse, avokatja e tij, Alagendra Venkateswari, theksoi se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë lidhjen e klientit të saj me krimet e pretenduara në aktakuzë.
“Prokuroria ka dështuar për të vërtetuar lidhjen mes Jakup Krasniqit dhe krimeve të pretenduara dhe në veçanti që komunikatat e UÇK-së të hartuara nga Jakup Krasniqi kanë ndihmuar, inkurajuar ose kanë pasur ndonjë lidhje me këtë aktakuzë”, deklaroi ajo para trupit gjykues.
Sipas mbrojtjes, edhe provat materiale të paraqitura nga Prokuroria nuk qëndrojnë. Venkateswari përmendi materialet e sekuestruara në banesën e Krasniqit në nëntor të vitit 2020, si dhe dokumentet me prejardhje nga autoritetet serbe në Beograd.
“Materialet që janë sekuestruar në banesën e Krasniqit në nëntor të vitit 2020 dhe së dyti materialet që e kanë prejardhjen nga autoritetet serbe në Beograd, në lidhje me këto Prokuroria pret që ju t’u jepni atyre peshën e përshtatshme për provat që duhet të kishin pasur. Lidhur me këto dokumente, ne mendojmë se Prokuroria ka shtrembëruar relevancën dhe vlerën provuese të këtyre dokumenteve, për arsyen që duhet të bëhen të qarta dhe për këtë ju, të nderuar gjykatës, duhet të jeni tepër të kujdesshëm kur të mbështeteni në të dyja kategoritë e dokumenteve”, u shpreh ajo.
Mbrojtja këmbëngul se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme që e lidhin Krasniqin me përgjegjësi penale, duke kërkuar nga trupi gjykues një vendim lirues në përfundim të procesit gjyqësor.
Përfundon mbrojtja e Selimit: Avokati i kërkon gjykatës të shihen provat në tërësi
Mbrojtja e Rexhep Selimit ka përmbyllur deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale, ku avokati Geoffrey Roberts kërkoi pafajësinë e plotë të klientit të tij.
Gjatë fjalës së tij, Roberts argumentoi se Selimi nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore apo autoritet komandues, duke hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë për kontroll efektiv mbi vartësit.
Sipas mbrojtjes, edhe pse Selimi ishte një anëtar i njohur i UÇK-së, ai nuk kishte strukturë komanduese nën vete dhe provat e paraqitura kundër tij janë kontradiktore, të pabesueshme dhe të pabazuara.
“Selimi nuk ka qenë komandant. Nuk ka ushtruar asnjë përgjegjësi eprore në asnjë mënyrë dhe asnjë formë. Këtu përfshihet edhe autoriteti i pretenduar se Selimi ka qenë anëtar i këtyre strukturave pavarësisht se ai që në fillim ka qenë një anëtar i njohur i UÇK-së”, tha Roberts.
Roberts theksoi se trupi gjykues do të vërtetojë pafajësinë e Selimit nëse i shikon provat në tërësi, veçanërisht sa i përket pretendimeve për pjesëmarrje në krime. Pas përfundimit të kësaj mbrojtjeje, gjykata ka shkuar në pushim për të vazhduar më pas me deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e Selimit kundërshton zinxhirin komandues të pretenduar
Ndërsa vazhdojnë fjalët përfundimtare të mbrojtjes së Selimit, Eric Tully ka kundërshtuar pretendimin e Prokurorisë për ekzistencën e një zinxhiri komandues të rregullt.
Ai insiston se provat dokumentare, si kartat apo autorizimet, janë thjesht letra që nuk dëshmojnë një marrëdhënie reale epror–vartës dhe as fuqi urdhëruese të Selimit mbi personat në terren.
Avokati vë në dukje si dështim të akuzës faktin që nuk është paraqitur asnjë dëshmitar i vetëm që të konfirmojë se ka marrë urdhra drejtpërdrejt nga Selimi apo t’i ketë raportuar atij, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të krijojë një lidhje logjike mes këtyre dokumenteve dhe krimeve të pretenduara në aktakuzë.
“ZPS-ja flet në aktakuzë për autorizime dhe disa karta që janë pranuar si prova gjyqësore, por këto autorizime nuk janë as udhëzime e as urdhra për të vepruar. Ato nuk përcaktojnë marrëdhënie epror–vartës apo ndonjë marrëdhënie tjetër kontrolli nga Selimi apo persona të tjerë që i zotëronin këto dokumente. Trupi gjykues duhet të ketë parasysh se ZPS-ja nuk ka sjellë asnjë person të vetëm që dëshmon se e ka pasur këtë kartë, që do të shpjegonte funksionin dhe rëndësinë e saj, e jo më t’u përgjigjet pyetjeve të thjeshta si: ‘A keni marrë ndonjë urdhër nga z. Selimi?’ ose ‘A i keni raportuar atij?’. Gjithashtu, nga ZPS-ja nuk është vërtetuar lidhja mes këtyre kartave dhe krimeve të pretenduara”, tha avokati i Selimit.
Hagë: Mbrojtja e Rexhep Selimi vazhdon edhe sot me fjalët përfundimtare
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, edhe sot po vazhdon paraqitjen e fjalëve përfundimtare për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës Rexhep Selimi.
Para trupit gjykues, avokati i tij, Eric Tully, ka nisur fjalën përmbyllëse duke kundërshtuar fuqishëm pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Dokumentet jokonsistente, kontradiktore, shpeshherë të palidhura të hedhura në poshtë shënime tregojnë dëshpërimin e ZPS-së. Ndihemi të detyruar të theksojmë që ZPS nuk ka bërë as minimumin e mundshëm për të vërtetuar organizimet komplekse që i ka përshkruar në aktakuzë, as nuk ka ofruar prova se organi gramat ishin të vërteta dhe as nuk ka bërë përpjekje të dëshmojë që Selimi ishte në krye të saj”, deklaroi Tully para gjykatës.
Mbrojtja pritet të vazhdojë edhe gjatë ditës me elaborimin e argumenteve të saj, në përpjekje për të rrëzuar akuzat që rëndojnë ndaj Selimit.