Lajmet
Hadri tregon kur e ka parë Calin në Zllash, e falënderon për veprimtarinë e tij gjatë luftës
Dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes Betim Shala.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiDëshmitarja e katërmbëdhjetë e mbrojtjes së Salih Mustafës, Teuta Hadri ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 16 prill të vitit 1999 dhe ka qëndruar tre ditë ku ka dhënë ndihmë mjekësore për të plagosurit. Ajo i ka thënë trupit gjykues se në ditën e tretë i kanë nxjerrë të plagosurit dhe civilët nga ajo zonë për shkak të fillimit të ofensivës, ku sipas saj edhe e ka takuar Salih Mustafën të cilin në atë periudhë ajo e ka njohur vetëm si komandant Cali. Hadri ka thënë se në Zllash nuk ka pasur njerëz të ndaluar dhe as roje përreth shtëpive ku kanë qëndruar.
Dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e avokatit të mbrojtjes Betim Shala.
“Ofensiva ka filluar më 18 prill, ka filluar në mëngjes dhe jemi informuar nga ushtarët nuk kanë dalë komandantët, ata kanë bërë organizimet e veta, dhe kanë lajmëruar edhe teknikët medicinalë ‘doktoreshë të bëhemi gati se serbët po vijnë, forca të mëdha’, dhe filluan granatimet më 18 prill në mëngjes dhe ne jemi sistemuar, ushtarët në pikën e parë, neve na thanë mjekëve të dilni në pikën e dytë që kur ka të plagosur t’i tërheqim dhe t’u japim ndihmë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se në kohën e ofensivës e kishte takuar për herë të parë Salih Mustafën.
“Unë për herë të parë e kam parë një natë para ofensivës dhe ditën kryesisht si Cali e kam kuptuar ditën e ofensivës, një natë përpara vetëm si ushtar i UÇK-së i veshur si gjithë ushtarët e tjerë që merrnin pjesë aty në oborrin e shtëpisë kur kanë ecur i kemi përshëndetë si ushtarakë. Ndërsa ditën e 18, ditën e ofensivës e kam kuptuar vetëm me nofkën e tij Cali, i kam pyetur ushtarët sepse Cali ishte një komandant pedant i shkathët, ai djalë kishte lënë lirinë e vet, në vend se me ikë në Gjermani ai vinte aty me i mbrojt qytetarët, me mbrojt ushtrinë, me furnizime me ushqim me barna, krejt ato kanë qenë organizim i ushtarëve të UÇK-së. Më 18 kam pyetur kur është bërë ofensiva e madhe, kam pyetur kush është ky djalë, aty e kam kuptuar se është Cali”, ka shtuar Hadri.
Ajo ka deklaruar që në atë periudhë e kishte njohur atë vetëm me emrin Cali ndërsa kur është ngritur aktakuza e ka kuptuar se emri i tij është Salih Mustafa.
“Publikisht e falënderoj Calin dhe ushtarët e UÇK-së sepse falë tyre edhe unë sot jam gjallë, në organizmin që e kanë bërë të na mbrojtur neve, personelin e shëndetësisë, të plagosurit dhe civilët, për ndihmën që e kanë dhënë”, ka thënë ajo.
Teuta Hadri, e cila është mjeke me profesion, do të vazhdojë dëshminë e saj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë. Ajo është dëshmitarja e 14 e mbrojtjes së Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
4 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
4 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
5 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
5 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
