Lewis Hamilton ka mohuar se ekziston ndonjë problem besimi mes tij dhe ekipit të Ferrarit, pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të fundit lidhur me strategjinë e garave dhe komunikimin gjatë garës.
Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 ka injoruar dy herë brenda katër garave të fundit urdhrin e ekipit për të hyrë në bokse dhe për të ndërruar gomat, vendime që në të dyja rastet rezultuan në disavantazh për britanikun.
Rasti më i fundit ndodhi në Çmimin e Madh të Sao Paulos, më 8 nëntor, kur Hamilton vendosi të vazhdonte garën me goma të konsumuara, pavarësisht përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe shiut. Ai humbi kontrollin e veturës dhe doli nga pista, përpara se të hynte në bokse në xhiron pasuese.
Para Çmimit të Madh të Las Vegasit, Hamilton foli pozitivisht për raportin me inxhinierin e tij të garës, Carlo Santi, duke theksuar se komunikimi mes tyre është përmirësuar ndjeshëm gjatë këtij sezoni.
“Ne vazhdimisht po punojmë për komunikimin tonë. Këtë vit ka qenë shumë më mirë. Carlo ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Në ato dy raste, veçanërisht në të fundit, thjesht nuk e kisha informacionin e nevojshëm. Udhëzimin e mora në momentin e fundit”, deklaroi Hamilton.
Ai shtoi se ekipi do të vazhdojë të përmirësojë proceset e komunikimit, duke theksuar se të gjithë janë të bashkuar dhe po punojnë në drejtimin e duhur.Raporton BBC.
Problemi i mëparshëm kishte ndodhur në Çmimin e Madh të Singaporit, kur Hamilton vendosi të mos hynte në bokse gjatë periudhës së veturës virtuale të sigurisë (VSC), pavarësisht udhëzimit të ekipit. Më vonë, ai kërkoi falje për këtë vendim.
Ndërkohë, një tjetër temë diskutimi te Ferrari ka qenë raporti mes Hamiltonit dhe bashkëngasësit Charles Leclerc. Dy pilotët kanë konfirmuar se marrëdhëniet mes tyre janë të mira, pas një bisede sqaruese në Brazil, e cila erdhi pas incidentit në garën e Meksikës.
Në atë përballje, një kontakt mes dy pilotëve në xhiron e parë ua pamundësoi të luftonin për një rezultat të dyfishtë në podium, duke i hapur rrugën Max Verstappenit të Red Bullit drejt fitores.
Hamilton theksoi se nuk ka asnjë shqetësim për garimin përkrah Leclercit dhe se të dy tashmë i kuptojnë më mirë kufijtë dhe pritshmëritë e njëri-tjetrit.
“Charles është një pilot i shkëlqyer. E kemi diskutuar në detaje mënyrën se si duhet të sillemi në situata të tilla dhe është shumë e qartë se e kuptojmë njëri-tjetrin. I njohim kufijtë e njëri-tjetrit dhe objektivin përfundimtar, që është arritja e rezultatit më të mirë për ekipin”, u shpreh britaniku.
Edhe Leclerc konfirmoi se biseda mes tyre kishte shkuar shumë mirë dhe se tensionet ishin larguar brenda pak minutash.
“Diskutimi shkoi shumë mirë. Pas vetëm disa fjalive, tensioni që ekzistonte ishte zhdukur dhe gjithçka ishte në rregull. Të dy po punojmë për ta ndihmuar ekipin të sigurojë vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve”, deklaroi Leclerc.
Megjithatë, piloti nga Monako bëri të qartë se synimi i tij kryesor mbetet të fitojë të paktën një garë para përfundimit të sezonit.
Për këto zhvillime ka raportuar BBC Sport, duke theksuar se pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit, të dy pilotët kanë shprehur besim në bashkëpunimin e tyre dhe në objektivat e përbashkëta të Ferrarit.
D.L