Lajmet

“Grurin tonë s’e duan”: Fermerët kosovarë thonë se Serbia mbush tregun me grurë të vjetër

Published

on

Dhjetëra fermerë kosovarë – prodhues të grurit – u nisën të mërkurën drejt Prishtinës, për të protestuar para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Arsyeja? Çmimi i ulët – vetëm 17-18 centë për kilogram grurë – që, sipas tyre, u është caktuar nga mullisët vendorë, njëherësh blerësit kryesorë të prodhimeve të tyre.

“Po protestojmë për çmimin dhe për pisllëqet që janë duke i bërë, kryesisht mullisët”, tha Genc Mazreku, fermer nga Malisheva, për Radion Evropa e Lirë.

Shumë prej kolegëve të tij, që u nisën drejt Prishtinës me traktorë, u ndaluan nga policia dhe nuk u lejuan të hyjnë në qytet, pasi protesta nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht tek autoritetet, siç e kërkon ligji.

Mazreku tha se ka të mbjellë rreth 60 hektarë me grurë dhe se sivjet pret një rendiment prej afro 4 mijë kilogramësh për hektar.

Por, çmimi që po ofrohet nga mullisët, sipas tij, është tejet i ulët.

Ai e lidh këtë situatë me importin e “grurit të vjetër” nga Serbia, që, sipas tij, ndikon negativisht në tregun vendas dhe vlerën e prodhimit të fermerëve kosovarë.

“Çdo vit, kur vjen qershori, këta mullisë shkojnë dhe i pastrojnë ‘mbeturinat’ (e grurit) në Serbi dhe i sjellin në Kosovë. Gruri i para pesë vjetëve, i rezervave të Serbisë, vjen në Kosovë dhe e hanë shqiptarët. Grurin që korret këtë vit (në Kosovë), nuk e merr askush… ose të thonë 17 centë, 16 centë, si të kenë qejf”, u shpreh Mazreku i revoltuar.

Të dhënat nga Dogana e Kosovës konfirmojnë se Serbia është një prej vendeve kryesore prej nga importohet gruri në Kosovë.

Në periudhën janar-maj të këtij viti u importua grurë në vlerë prej rreth 7.9 milionë eurosh.

Pjesa më e madhe – mbi 7.2 milionë euro – u importua nga Serbia, ndërsa të tjerat nga Hungaria dhe Kroacia.

Radio Evropa e Lirë pyeti Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për vitin e prodhimit të grurit të importuar këtë vit, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Mazreku tha se mullisët e kanë rritur këtë vit edhe tarifën e ujemit – nga 18 për qind, sa ishte vitin e kaluar, në 24 për qind.

Ujemi është sasia e grurit që mullisi e mban për vete si kompensim për bluarjen.

Kjo do të thotë se për çdo 1.000 kilogramë grurë që fermeri sjell për bluarje, mullisi i merr 240 kilogramë.

“Bujkun e shkelin ku të munden. Ne nuk kemi ku t’i lëmë rezervat”, tha Mazreku.

Të njëjtin shqetësim ndau edhe Sali Ilazi, fermer nga komuna e Ferizajt.

Ai ka të mbjellë 127 hektarë me grurë, të cilin e vlerëson si të cilësisë së lartë.

“Vjet na e kanë paguar 20 centë. Tash është 18 centë. Me këtë çmim të grurit, ne nuk mund të mbulojmë (koston e prodhimit)… Çmimi real duhet të jetë 22 deri në 23 centë. Por, pse ta marrin grurin tonë, kur mund ta marrin nga Serbia… E, ai është i dorës së fundit”, sipas Ilazit.

Bashkëvendësi i tij, Aziz Halili, i cili ka të mbjellë rreth gjashtë hektarë me grurë, u shpreh gjithashtu i pakënaqur me çmimin që ofrohet nga mullisët.

Ai e konsideron atë të padrejtë, sidomos në raport me rritjen e çmimit të bukës.

“Shoqatat e mullisëve dhe bukëpjekësit fitojnë, e prodhimi ynë, që është kryesori, shkelet”, sipas Halilit.

Në protestë ishte edhe Ferat Xhaka nga Podujeva.

Ai tha se në komunën e tij, mullisët as që pranojnë t’ia blejnë grurin.

“Nuk e marrin fare. Kanë gjetur alternativa tjera, po e sjellin nga Serbia. Doganë ka pak për grurë dhe për këto produktet e bujqësisë. Neve na shkelin”, tha ai.

Si caktohet çmimi?

Kosova nuk ka një bursë për çmimin e grurit, prandaj mullisët bazohen në çmimet rajonale, thonë nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në raste të domosdoshme, mullisët nga Kosova importojnë grurë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Aktualisht, çmimi për 1 tonelatë grurë në rajon është më i ulët se në Kosovë.

“Në rajon, për momentin, sillet prej 150 deri në 170 euro për tonelatë”, thotë Zejnullahu.

Kjo do të thotë se çmimi për një kilogram është 15 deri në 17 centë.

Zejnullahu tregon se në Kosovë, aktualisht, ka nisur korrja e grurit vetëm në disa pjesë të Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, ndërkohë që në pjesët tjera, korrje-shirjet pritet të nisin nga java e ardhshme.

Ai thotë se mullisët kosovarë, të cilët grumbullojnë grurin, sapo kanë filluar këtë proces, por me çmime të ndryshme.

“Nuk kanë çmime të njëjta. Krejt varet nga kualiteti i grurit. Prej 170 (euro) deri në 190 (euro) për një ton”, thotë Zejnullahu.

Ai shpjegon se çmimi i grurit përcaktohet kryesisht nga cilësia, që lidhet ngushtë me pastërtinë e tij.

Sipas Zejnullahut, ndodh shpesh që gruri që sjellin fermerët kosovarë, nuk është i pastër.

“Ende kemi shumë kombajna, të cilat janë të vjetruara dhe hedhin shumë mbeturina në grurë. Mbeturinat nuk duhet të jenë më shumë se dy ose tre për qind, por në të shumtën e rasteve janë pesë deri në 10 për qind”, thotë Zejnullahu, duke shtuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në uljen e çmimit për kilogram.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për t’u informuar për mundësinë e adresimit të shqetësimeve të fermerëve kosovarë lidhur me çmimin e grurit dhe politikat mbrojtëse për prodhimin vendor, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Ministria nuk iu përgjigj as pyetjeve për sipërfaqen e mbjellë me grurë në Kosovë, pritshmëritë për rendimentet, nevojat totale për grurë dhe në ç’masë plotësohen ato nga prodhuesit vendorë.

Nga raportimet e mëhershme, Kosova ka nevojë për rreth 400 mijë tonë grurë në vit, por prodhimi vendor mbulon pak më shumë se 60 për qind të kësaj sasie.

Në vitin 2022, cilësia e grurit të prodhuar në Kosovë ishte nën standardet e zakonshme, ndërsa furnizimi nga importi u rrezikua për shkak të ndalimit të përkohshëm të eksportit nga Serbia – një masë kjo që pasoi krizën globale të tregjeve, si rezultat i luftës në Ukrainë.

Gruri, si lëndë e parë për prodhimin e miellit, konsiderohet një produkt strategjik për sigurinë kombëtare të Kosovës./REL

lajme

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.

Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.

Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.

Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.

Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.

D.L

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Vendi

Skenderaj: Qëlloi qenin me armë, policia ia sekuestron armën

Published

on

By

Një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qenit të një bashkëqytetari në Skenderaj. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 18 tetor, rreth orës 10:20.

Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie.

I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbi 140 fishekë të vjetër në një fushë në Gjakovë

Published

on

By

Gjatë ditës së djeshme, në një fushë të hapur në Gjakovë janë hasur disa municione të vjetra.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas marrjes së informacionit, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 144 fishekë.

Lidhur me rastin janë iniciuar hetimet dhe autoritetet po kryejnë procedurat e nevojshme. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara