Lajmet

Gruaja e të ndjerit David Bowie thotë se s’do të martohet më kurrë

Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 1990 pasi Iman u transferua për një kohë të shkurtër në Los Angeles.

Published

on

Ata u takuan me ndërmjetësimin e një shoku të përbashkët në Los Angeles. David Bowie ishte gjeniu i rock and roll-it dhe krijuesi i hiteve sikurse “Ziggy Stardust” dhe “Space Odity”. Iman ishte supermodele nga Somalia, që fliste pesë gjuhë, bukuria dhe inteligjenca e së cilës magjepsi botën e modës dhe më gjerë.

“David ishte dashuri në shikim të parë”, deklaroi mes tjerash Iman, bashkëshortja e të ndjerit, David Bowie.

Të martuar në Firence të Italisë më 6 qershor të vitit 1992, nuk kishte çift më të lezetshëm sesa David Bowie dhe Iman. Ata e gjetë lumturinë në qytetin e New York-ut.

“E njoh atë si David Jones, emri i tij i vërtetë. Jo si yll”, deklaroi Iman.

Storia e tyre e dashurisë ishte tejet private, por tani, mbi pesë vjet që nga vdekja e tij, ajo solli një linjë parfumi, Love Memoir, e disponueshme në HSN dhe hsn.com, dedikim për “romancën e tyre epike”.

Ideja i erdhi teksa po jetonte në shtëpinë e tyre në male në veri të New York-ut. Në vitet e para pas vdekjes së tij, kishte qenë e dhimbshme për të të kalonte shumë kohë atje.

“Unë thjesht u trishtova shumë dhe doja të kthehesha me nxitim në qytet. Mendova se e kisha tejkaluar (humbjen), por jo ende”, deklaroi ajo.

Por gjatë izolimit për shkak të pandemisë, ajo gjeti qetësi në pikturat e tij të preferuara, librat e tij të preferuar, dhe në perëndimet e diellit që të dy i donin.

Ishte një histori dashurie e nisur në vitin 1990 pasi Iman u transferua për një kohë të shkurtër në Los Angeles.

 “Unë kurrë nuk e kisha ndërmend të shkoja atje”, kujton ajo. “Nuk është një nga vendet e mia të preferuara. Është qytet i madh, por unë personalisht besoj tani se ky ishte fati im. Fati im më thirri të shkoja atje që të mund të takohesha me Davidin”.

Pas takimit të parë, ajo kujton se si fluturoi drejt Parisit për ta përcjellë shfaqjen e shokut të saj në pasarelë, Thierry Mugler. Kur ajo arriti në dhomën e hotelit, ishte e mbushur me trëndafila. Kur u kthye në Los Angeles, ai e priti në aeroport.

“Kështu filloi. Ai më ka tërhequr”, deklaroi ajo mes tjerash.

Ajo thotë se nuk mendon të martohet sërish. Kur vajza e pyeti rreth kësaj çështje, ajo tha: “Jo. Jo nuk do të martohem. Ende jam e martuar. Vite më parë dikush iu referua atij si bashkëshorti im i ndjerë, unë i thashë “Jo. Nuk është bashkëshorti im i ndjerë. Ai është bashkëshorti im”.

David Bowie vdiq më 10 janar të vitit 2016, në moshën 69-vjeçare, pas një beteje me kancerin./UBTNews

Vendi

Shtyhet seanca ku pritej të shqyrtohej Ligji për Specialen

Published

on

By

Vazhdimi i seancës së Kuvendit me tri pika të rendit të ditës, ndër të cilat ishte edhe shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Nënkryetari i Kuvendit, Aridan Gola, deklaroi se shtyrja e seancës erdhi pas “diskutimeve të ngjeshura” mes shefave të grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve politikë të këtyre grupeve.

Para orës 10:00, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa të dy u panë duke diskutuar edhe para nisjes së planifikuar të seancës. Pas takimit, Çitaku tha se nuk ka dallime për përmbajtjen e Ligjit, por vetëm për çështje procedurale.

Në rendin e ditës të kësaj seance, krahas rishqyrtimit të Ligjit që synon t’ia kufizojë mandatin Speciales, ishin paraparë edhe votimi i propozimrezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike, si dhe votimi i propozimrezolutës nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Vonohet seanca për Ligjin e Speciales

Published

on

By

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila kishte mbetur në gjysmë të premten dhe ishte thirrur të vazhdonte në orën 10:00, nuk ka nisur ende edhe pse ka kaluar më shumë se një orë.

Në rendin e ditës të kësaj seance është përfshirë edhe shqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndërkohë, është raportuar se ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Çitaku ka deklaruar se nuk ka dallime për përmbajtjen e ligjit, por vetëm sa i përket procedurave.

Për sot është paraparë të mbahet edhe një seancë e re plenare me 12 pika të rendit të ditës, fillimi i së cilës ishte planifikuar në orën 11:00. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

UBT pjesë e punëtorisë ndërkombëtare në Rodos në kuadër të projektit CORE ED Academy

Published

on

By

UBT është përfaqësuar në punëtorinë dyditore të mbajtur në Rodos të Greqisë, në kuadër të projektit “CORE ED Academy”, me temë “Adaptimi i profileve profesionale për drejtësinë për të miturit – Punëtori Kombëtare për diskutimin dhe validimin e profileve profesionale të përditësuara sipas qasjes ‘Pedagogy-First’”.

Aktiviteti është zhvilluar në hapësirat e University of the Aegean, ku partnerët e projektit janë mbledhur për të bashkëpunuar dhe diskutuar rreth zhvillimit dhe avancimit të fushës së drejtësisë për të mitur.

Gjatë punëtorisë, fokusi kryesor ishte te rishikimi dhe validimi i profileve profesionale të përditësuara, duke vendosur qasjen pedagogjike në plan të parë për përgatitjen dhe trajnimin e profesionistëve që punojnë me të miturit.

Nga stafi i UBT-së, në këtë punëtori e pranishme ishte Dekania e Fakultetit të Psikologjisë, Prof. Dr. Denis Çelçima dhe Prof. Dr Bleta Brovina.

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj shtetases së Maqedonisë së Veriut për mashtrim me prona, dëmi arrin në 320 mijë euro

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetaseje të Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, përmes përdorimit të autorizimeve të falsifikuara për shitjen e pronave në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, e pandehura dyshohet se kishte përdorur një autorizim të falsifikuar, kinse të lëshuar nga xhaxhai i saj, për të shitur pronat e tij në Kosovë.

Në bazë të aktakuzës, më 13 nëntor 2024, ajo dyshohet se kishte paraqitur dokumentacionin e falsifikuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me qëllim që të ndikonte në vendimmarrjen për njohjen e së drejtës së pronësisë mbi disa parcela në zonën kadastrale Petroviç, në Komunën e Shtimes. Prokuroria pretendon se përmes këtyre dokumenteve, gjykata kishte njohur të drejtën e pronësisë për një person tjetër.

Po ashtu, e pandehura akuzohet se gjatë vitit 2016 kishte mashtruar një blerës, duke ia fshehur faktin se nuk kishte autorizim të vlefshëm për shitjen e pronës. Pagesat bankare ishin bërë në emër të saj, ndërsa dëmi i shkaktuar, sipas Prokurorisë, arrin në 200 mijë euro.

Një rast tjetër i ngjashëm dyshohet se kishte ndodhur në vitin 2018, kur e pandehura kishte lidhur një parakontratë për shitblerjen e një prone në vlerë prej 170 mijë eurosh. Sipas aktakuzës, përmes përdorimit të autorizimit të falsifikuar, ajo kishte arritur që blerësit t’i njihej e drejta e pronësisë, duke i shkaktuar dëm pasuror prej 120 mijë eurosh.

Prokuroria e ngarkon të pandehurën me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara