Gruaja e Michael Schumacher ka folur për herë të parë në detaje për gjendjen shëndetësore të legjendës së Formula 1 pas aksidentit tragjik që e la në koma, rreth tetë vjet më parë.
Kampioni i shtatëfishtë nuk u pa në publik që kur përjetoi dëmtimin pothuajse fatal në tru gjatë skiimit në vendpushimin francez të Meribel, në dhjetor të vitit 2013. Gruaja e tij u përkujdes që gjendja e tij shëndetësore të mbahet private.
Duke folur në dokumentarin e ri të Netflixit për legjendën e F1, “Schumacher”, që tregon rrugëtimin e tij në karrierë, bashkëshortja e tij shpërtheu në lot për incidentin që ia ndryshoi jetën përgjithmonë asaj dhe familjes. Corinna zbuloi edhe fjalët e fundit të tij para aksidentit.
“Para se të shkojmë në Meribel më tha, “Bora nuk është optimale. Mund të shkojmë në Dubai dhe të shëtisim me parashutë atje. Asnjëherë s’e kam fajësuar Zotin për këtë çfarë ndodhi. Ishte fat i keq, madje fati më i keq që dikush mund ta ketë në jetë”, deklaroi ajo.
“Natyrisht, më mungon dhe jo vetëm mua. Fëmijët, familja, babai i tij, çdokush e ndjen mungesën e tij”, deklaroi ai.
Corinna e mbrojti bashkëshortin e saj shumë që nga aksidenti dhe zbuloi se si familja, saktësisht fëmijët janë përballur me situatën traumatike gjatë tetë viteve të fundit.
“Michael është këtu. Ndryshe, por këtu, dhe kjo na jep forcë. Ne jemi bashkë. Jetojmë bashkë. Marrim terapi. Po bëjmë gjithçka që ai të jetë mirë”, deklaroi ajo mes tjerash në dokumentarin që pritet të lansohet javën e ardhshme, ku ka edhe intervista dhe pamje të rralla të legjendës./UBTNews
Mediumi spanjoll Última Hora ka raportuar për situatën e Vedat Muriqi përpara përballjes së RCD Mallorca ndaj Real Madrid, duke theksuar dilemat e mëdha që ekzistojnë në kampin e ekipit.
Sipas “Última Hora”, rikthimi i Muriqit nga angazhimet me Kosovën ka qenë i vështirë si fizikisht ashtu edhe emocionalisht: “Sulmuesi kosovar kthehet në ishull pas dy ndeshjeve që kanë peshuar shumë në aspektin fizik dhe emocional, pikërisht në prag të një faze vendimtare për Mallorcën në garën për mbijetesë”.
Mediumi shton se sulmuesi “nuk ka pushuar aspak gjatë dritares së FIFA-s, përkundrazi, ka luajtur çdo minutë”, duke e bërë situatën edhe më delikate për stafin teknik.
Po ashtu, theksohet zhgënjimi i tij pas dështimit për t’u kualifikuar në Botëror: “Pas humbjes ndaj Turqisë, Muriqi u pa i dëshpëruar, duke mos arritur të realizojë një ëndërr që ai vetë e përshkroi si një ‘pavarësi e dytë’ për Kosovën”.
Në këtë kontekst, sipas raportimit, trajneri Martín Demichelis përballet me një vendim të vështirë: “Duke marrë parasysh të gjitha këto, si gjendjen emocionale ashtu edhe lodhjen fizike pas 180 minutash loje dhe duke parë kalendarin e ngjeshur që e pret Mallorca-n, lind një dilemë për trajnerin: a duhet të aktivizojë sulmuesin kryesor nga minuta e parë ndaj Real Madridit, apo të zgjedhë alternativa të tjera, si për shembull Mateo Joseph, dhe ta ruajë Muriqin për ndeshjet e ardhshme në shtëpi ndaj Rayo Vallecano dhe Valencia CF, ku Mallorca ka më shumë shanse për pikë”.
“Última Hora” nënvizon gjithashtu se jo vetëm Muriqi, por edhe disa lojtarë të tjerë janë të ngarkuar fizikisht dhe në rrezik pezullimi, duke e bërë edhe më kompleks planifikimin për këtë ndeshje.
Në përfundim, mediumi spanjoll vlerëson se: “Ka shumë në lojë dhe ka ardhur momenti kur nuk lejohet gabimi”, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për mbijetesën e Mallorcës në elitën e futbollit spanjoll.
Një nga ikonat më të mëdha të sportit kosovar, Nora Gjakova, ka hapur një kapitull të ri në karrierën e saj, këtë herë jashtë tatamit si garuese. Kampionia olimpike e Tokios 2020 ka nisur zyrtarisht rrugëtimin si trajnere në Federatën e Xhudos së Valonisë në Belgjikë.
Pas tërheqjes nga sporti aktiv më herët gjatë këtij viti, Gjakova i është bashkuar stafit të trajnerëve, ku do të punojë krah për krah me Pedro Guedes, me synimin për të zhvilluar gjeneratat e reja të talentëve belgë. Dyshja njihen më parë, pasi Guedes kishte kaluar një periudhë të shkurtër si trajner në Kosovë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Judo Wallonie Bruxelles shkruan: “Mirë se vini te Nora Gjakova në Xhudo Wallonie-Bruksel! Me krenari të madhe e mirëpresim Nora Gjakovën në ekipin tonë si trajnere. E mirëpresim në Belgjikë dhe i urojmë shumë suksese në aventurën e saj të re me JWB.”
Gabriele Gravina ka dhënë dorëheqjen zyrtarisht nga posti i Presidentit të Federatës së Futbollit të Italisë, pas dështimit të kombëtares italiane për t’u kualifikuar në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi.
Dorëheqja e tij u paraqit gjatë një mbledhjeje urgjente të këshillit të përgjithshëm, pas humbjes së Italisë në finalen e play-off-it të Kupës së Botës kundër Bosnjë dhe Hercegovinës, të martën në mbrëmje.
Gravina kishte mbajtur postin më të lartë në futbollin italian që nga tetori i vitit 2018. Gjatë mandatit të tij, Italia fitoi Kampionatin Evropian Euro 2020, por gjithashtu dështoi të kualifikohej në Kupat e Botës 2022 dhe 2026.
Me konfliktin në Lindjen e Mesme ende të pazgjidhur, ekzistonin dyshime mbi pjesëmarrjen e Iranit në Botërorin “FIFA 2026”. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i dha fund këtyre dyshimeve gjatë një ndeshjeje miqësore ndërmjet Iranit dhe Costa Rica-s në Antali, Turqi.
“Irani do të jetë në Botëror, kjo është arsyeja pse ndodhem këtu. Madje ju siguroj se do të luajë në SHBA”, deklaroi Infantino.
Kjo vjen pas kërkesës së Federatës së Futbollit të Iranit për garanci mbi sigurinë dhe pjesëmarrjen e tyre në turne. Megjithatë, mbetet për t’u parë reagimi i Iranit ndaj deklaratës së presidentit të FIFA-s.