Lajmet

Greqia dhe Turqia fajësojnë njëra-tjetrën për rreth 100 emigrantë që u gjetën të zhveshur në kufi

Frontex konfirmoi për AFP mbërritjen e grupit në rrethana për të cilat pala greke tha se dërgoi një “imazh çnjerëzor”.

Published

on

Nëntëdhjetë e dy emigrantë u gjetën pothuajse të zhveshur dhe të mavijosur pasi dyshohet se u detyruan të kalonin lumin Evros nga Turqia në Greqi, tha Athina të dielën, një akuzë e mohuar ashpër nga Ankaraja.

Agjencia kufitare e BE-së Frontex konfirmoi për AFP mbërritjen e grupit në rrethana për të cilat ministria greke për mbrojtjen civile tha se dërgoi një “imazh çnjerëzor”.

“Oficerët e Frontex raportuan se migrantët u gjetën pothuajse të zhveshur dhe disa prej tyre me lëndime të dukshme”, tha Paulina Bakula, zëdhënëse e organizatës.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha në një postim në Twitter se ishte“thellësisht e shqetësuar nga raportet tronditëse dhe imazhet e 92 personave, të cilët u raportuan se ishin gjetur në kufirin tokësor greko-turk, të zhveshur nga rrobat”.

Bakula, duke folur nga selia e Frontex në Varshavë, tha se oficerët e Frontex-it punuan me autoritetet greke për t’u ofruar migrantëve – kryesisht afganë dhe sirianë – ndihmë të menjëhershme.

Ajo shtoi se organizata kishte informuar zyrtarin e të drejtave themelore të agjencisë për një shkelje të mundshme të të drejtave.

Ministri grek për mbrojtjen civile, Takis Theodorikakos, akuzoi Turqinë për “instrumentalizimin e emigracionit të paligjshëm”.

Duke folur në televizionin Skai, Theodorikakos tha se shumë nga emigrantët i thanë Frontex se“tre automjete të ushtrisë turke i kishin transferuar” në lumë që vepron si një kufi natyror.

Në një sërë komentesh ashpra në Twitter, presidenca turke mohoi çdo përgjegjësi për emigrantët dhe fajësoi Greqinë për situatën “çnjerëzore”.

“Ne i bëjmë thirrje Greqisë që të heqë dorë nga trajtimi i ashpër ndaj refugjatëve sa më shpejt të jetë e mundur, të pushojë akuzat e pabaza dhe të rreme kundër Turqisë”, shkroi ndihmësi kryesor i shtypit i presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fahrettin Altun.

“Me këto përpjekje të kota dhe qesharake, Greqia i ka treguar edhe një herë mbarë botës se nuk respekton dinjitetin e refugjatëve duke postuar fotot e këtyre njerëzve të shtypur që ka deportuar pas zhvatjes së pasurisë së tyre personale”, shtoi ai në tweetet në turqisht, greqisht dhe anglisht.

Zëvendësministri i Brendshëm i Turqisë, Ismail Catakli i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë atë që në një postim në Twitter i quajti “manipulimet dhe pandershmërinë e saj”.

Ministri grek për migracionin dhe azilin, Notis Mitarachi, e kishte përshkruar incidentin të shtunën si një “turp për qytetërimin”.

Athina përballet rregullisht dhe mohon akuzat nga OJQ-të dhe mediat se në shumë raste ka kërkuar të shtyjë migrantët në Turqi ilegalisht, ndonjëherë duke përdorur forcë.

Muajin e kaluar, Erdogan përdori një fjalim në OKB për të akuzuar Greqinë për transformimin e Detit Egje në një “varrezë” me “politika shtypëse” mbi emigracionin./UBTNews/

Vendi

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së

Published

on

By

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasada Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, vizitoi Qytetin e Mençur të UBT-së, ku u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Gjatë takimit u theksua roli i UBT-së si institucion i arsimit të lartë që po vendos standarde të reja në ndërlidhjen e arsimit me sipërmarrjen dhe industrinë. Modeli i zhvillimit të UBT-së, i bazuar në integrimin strategjik të arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të biznesit, u vlerësua si një qasje vizionare që sjell rezultate të matshme.

Rektori Hajrizi prezantoi para delegacionit ekosistemin unik të UBT-së, ku përmes Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan ndërthuren laboratorët e avancuar, teknologjitë e sofistikuara dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me industrinë. Ky mjedis krijon ura konkrete mes akademisë dhe sektorit privat, duke përgatitur studentët për tregun global të punës.

U theksua se UBT, si anëtar Premium i OEGJK-së, luan rol kyç në lidhjen e Kosovës me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Gjermani, Austri dhe më gjerë. Partneritetet e forta ndërkombëtare dhe orientimi praktik e bëjnë UBT-në një pikë natyrore takimi ndërmjet dijes akademike dhe zhvillimit ekonomik.

Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm, fuqizimin e inovacionit dhe thellimin e bashkëpunimit akademik ndërkufitar. Shkalla e zhvillimit të UBT-së, qartësia strategjike dhe fryma sipërmarrëse lanë përshtypje të veçantë te përfaqësuesit gjermanë, të cilët shprehën gatishmërinë për ta ndërtuar këtë momentum të përbashkët edhe në të ardhmen.

Continue Reading

Vendi

Siemens Healthineers viziton UBT-në, theksohet potenciali për bashkëpunim në mjekësinë digjitale

Published

on

By

Një delegacion nga kompania globale Siemens Healthineers, e njohur për lidershipin në teknologjitë mjekësore, digjitalizimin klinik dhe zgjidhjet e avancuara të e-Health, ka vizituar Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT në Lipjan.

Delegacioni i Siemens Healthineers u mirëprit nga Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik. Me këtë rast, Rektori Hajrizi prezantoi zhvillimin strategjik të UBT-së, programet në shkencat shëndetësore, teknologji dhe inxhinieri, si dhe kapacitetet infrastrukturore që ofron Parku Shkencor për kërkim, inovacion dhe ndërlidhje të drejtpërdrejtë me industrinë.

Gjatë vizitës në laboratorë, qendra simulimi dhe hapësira kërkimore, u diskutua konkretisht mbi rëndësinë e sistemeve të menaxhimit spitalor dhe ndërtimit të një sistemi të integruar shëndetësor.

Në këtë kontekst, ekosistemi i Qytetit të Mençur të UBT-së u vlerësua si hapësira e përshtatshme për zhvillimin e projekteve pilot në shëndetësi digjitale, trajnime profesionale për stafin mjekësor, si dhe partneritete strategjike që mund të kontribuojnë në modernizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Continue Reading

lajme

Presidentja Osmani u prit në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio

Published

on

By

Në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, D.C., dhe në shënim të 18-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Departamentin e Shtetit në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Në një takim të shkëlqyeshëm dhe të përzemërt, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për ftesën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia bëri Kosovës për të qenë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes dhe pjesë e takimit inaugurues. Ajo po ashtu shprehu falënderimet për garancat e fuqishme që Presidenti Trump i dha dje për paqen në rajonin tonë dhe, me këtë rast, e falënderoi edhe Sekretarin Rubio për lidershipin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces.

Në këtë takim u diskutuan çështje të partneritetit strategjik, nga fusha e sigurisë rajonale dhe diplomacisë, deri te ekonomia dhe mbrojtja. Ajo, në veçanti, theksoi disa procese me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon: fuqizimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, anëtarësimin e Kosovës në NATO, rëndësinë strategjike të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në ekonomi dhe mbrojtje.

Presidentja e falënderoi Sekretarin Rubio për mbështetjen e fuqishme amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja theksoi rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çlirimin,

shtetndërtimin dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, si dhe rëndësinë e veçantë të pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të misionit të NATO-s, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në këtë frymë, ajo nënvizoi se rruga natyrore e këtij partneriteti strategjik është anëtarësimi i Kosovës në NATO, proces ky i domosdoshëm për të siguruar paqe afatgjatë në rajonin tonë.

Presidentja gjithashtu theksoi rëndësinë e avancimit të dialogut strategjik bilateral Kosovë–SHBA si mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Për më tepër, ajo theksoi se partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përbën interes jetik kombëtar dhe është ekzistencial për Republikën e Kosovës, duke vënë në pah prioritetet strategjike për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani: Sakrifica e minatorëve u kthye në kushtrim lirie

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot grevën historike të urisë së minatorëve të Trepça, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të rezistencës për liri.

Në mesazhin e saj, Presidentja rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth 1,350 minatorë nisën grevën kundër politikave shtypëse të regjimit hegjemonist serb. Të barrikaduar në thellësitë e minierës së Stan Tërgut për tetë ditë me radhë, ata u shndërruan në simbol të guximit dhe dinjitetit.

Sipas Presidentes Osmani, rezistenca e minatorëve krijoi solidaritet dhe unitet popullor në mbarë Kosovën, duke dridhur themelet e një pushteti që promovonte diferencim dhe pabarazi.

“Sakrifica e tyre u kthye në kushtrim lirie dhe dëshmoi se rruga drejt lirisë hapet nga guximi i atyre që nuk dorëzohen”, thuhet në mesazhin e Presidentes.

Grevës së minatorëve të Trepçës i njihet një rol i rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, si një akt që mobilizoi qytetarët dhe forcoi përpjekjet për liri dhe të drejta të barabarta.

Continue Reading

Të kërkuara