Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se po e vendos Departamentin e Policisë Metropolitane të Uashington D.C. nën kontrollin federal dhe po dërgon Gardën Kombëtare në qytet, duke thënë se ky veprim synon rivendosjen e rendit në kryeqytetin e vendit.
“Po e aktivizoj zyrtarisht nenin 740 të Aktit të Rregullave të Brendshme të Distriktit të Kolumbias, e dini se çfarë është ai, dhe po e vendos Departamentin e Policisë Metropolitane të DC nën kontroll të drejtpërdrejtë federal”, tha Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti u tha një turme gazetarësh se veprimet e tij vijnë ndërsa diçka ka dalë jashtë kontrollit, por ne do ta vendosim nën kontroll shumë shpejt, siç bëmë në kufirin jugor.
Trump njoftoi gjithashtu vendosjen e trupave të Gardës Kombëtare për të ndihmuar forcat lokale të rendit.
“Po e dërgoj Gardën Kombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e ligjit, rendit dhe sigurisë publike në Uashington, DC, dhe atyre do t’u lejohet ta bëjnë punën e tyre siç duhet”, shtoi Trump.
Akti i Rregullave të Brendshme i vitit 1973 i lejon presidentit të marrë kontrollin e policisë së qytetit për 48 orë nëse ai “përcakton se ekzistojnë kushte të veçanta me natyrë emergjente”, gjë që kërkon përdorimin e departamentit për qëllime federale. Presidenti mund ta mbajë kontrollin e departamentit për një periudhë më të gjatë nëse njofton kryetarët dhe anëtarët e lartë të komiteteve të kongresit që merren me çështjet legjislative që kanë të bëjnë me Uashingtonin. Çdo kërkesë për kontroll mbi departamentin e policisë së qytetit për më shumë se 30 ditë duhet të miratohet në ligj.
Presidenti tregoi se synon ta zgjasë marrjen e kontrollit federal përtej afatit fillestar 48-orësh dhe do t’i njoftojë zyrtarisht palët përkatëse.
I shoqëruar nga zyrtarë të lartë të administratës, Trump u zotua gjithashtu të ndërmarrë veprime agresive për të adresuar mungesën e strehimit dhe varfërinë në kryeqytet.
“Kemi lagje të varfra këtu. Po i heqim qafe. E di që nuk është politikisht korrekte”, tha Trump.
Rreth 800 ushtarë të Gardës Kombëtare të Uashington DC do të ofrojnë mbështetje administrative dhe logjistike, si dhe mbështetje fizike për forcat e rendit, gjatë mobilizimit të tyre në Uashington DC, thuhet në një deklaratë të sotme nga Ushtria.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha në një konferencë shtypi së bashku me Trump tha se Garda do të fillojë të vërshojë në Uashington këtë javë.
Trupat do të jenë në statusin e Titullit 32, që do të thotë se janë nën autoritetin lokal, por financohen nga qeveria federale. Trupat në statusin e Titullit 32 gjithashtu nuk i nënshtrohen Aktit Posse Comitatus, i cili u ndalon anëtarëve të shërbimit amerikan të marrin pjesë në aktivitete të zbatimit të ligjit.