Lajmet

Gratë pas suksesit të Festivalit të Sarajevës – një histori që nisi në kohë lufte

Published

on

Festivali i Filmit në Sarajevë ka një histori të veçantë, e cila nis gjatë viteve të luftës dhe rrethimit të qytetit.

Në vitin 1993, në Sarajevën e rrethuar, u krijua kinemaja e luftës Apollo, si një mënyrë për t’u përballur me realitetin e vështirë dhe për të ruajtur një ndjenjë normaliteti përmes artit dhe filmit.

Dy vite më vonë, nga e njëjta frymë lindi Festivali i Filmit në Sarajevë, i cili me kalimin e viteve u shndërrua në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë në rajon.

Gratë kanë pasur një rol të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e festivalit. Izeta Građević, e cila ishte pjesë e Obala Art Center që nga fillimet, ka qenë drejtoreshë kreative e festivalit dhe ka kontribuar në krijimin e identitetit të tij vizual, përzgjedhjen e filmave dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme.

Edhe Elma Tataragić është pjesë e historisë së festivalit që nga edicioni i parë në vitin 1995. Sot ajo është e angazhuar në përzgjedhjen e filmave për disa prej kategorive kryesore, duke kontribuar në promovimin e autorëve dhe historive të reja nga rajoni.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Rada Šešić, e cila prej vitesh drejton përzgjedhjen e konkurrencës së filmave dokumentarë. Përmes programit dhe punëtorisë Docu Rough Cut Boutique, ajo ndihmon projekte filmike që janë ende në fazën e montazhit të zhvillohen dhe të gjejnë rrugën drejt publikut.

Festivali ka shënuar gjithashtu historinë e tij me aktore dhe regjisore që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në kinematografinë rajonale dhe ndërkombëtare. Aktorja kroate Marija Škaričić ka fituar tri herë çmimin Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë.

Ndër figurat e njohura që kanë qenë pjesë e festivalit është edhe regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić, ndërsa në historinë e tij kanë marrë pjesë edhe emra të mëdhenj të kinematografisë botërore.

Angelina Jolie, Isabelle Huppert dhe Meg Ryan janë nderuar me Zemrën e Nderit të Sarajevës, ndërsa këtë vit pjesë e festivalit do të jetë edhe aktorja britanike Emily Watson, dy herë e nominuar për çmimin Oscar. Ajo pritet të kryesojë jurinë kryesore dhe të nderohet gjithashtu me Zemrën e Nderit të Sarajevës.

Edicioni i këtij viti dëshmon gjithashtu për rritjen e rolit të grave në regjinë filmike. Nga nëntë filmat artistikë në konkurrencën kryesore, gjashtë janë realizuar nga gra, mes tyre Urša Menart, Dina Duma, Kosara Mitić, Blerta Basholli, Sandra Wollner dhe Ana Urushadze.

Ky përfaqësim shkon përtej statistikës dhe dëshmon se perspektiva femërore po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në kinemanë bashkëkohore të rajonit dhe Evropës./A.K/

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT akreditohet nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS)

Published

on

By

UBT forcon edhe më tej pozitën ndërkombëtare në sport dhe shëndetësi. Instituti i Mjekësisë Sportive (ISM) në UBT është pranuar zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (FIMS) si Collaborating Centre of Sports Medicine, duke e bërë pjesë të rrjetit global të institucioneve të specializuara në këtë fushë.

Kjo njohje i hap UBT-së mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, kërkim shkencor, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim profesional, duke sjellë më afër Kosovës ekspertizën dhe praktikat bashkëkohore të mjekësisë sportive.

Përfshirja në rrjetin e FIMS është pjesë e vizionit të UBT-së për të ndërtuar një ekosistem ku sporti, shëndetësia, edukimi dhe shkenca janë të integruara. Në këtë ekosistem, një rol të rëndësishëm ka edhe Fakulteti i Shkencave të Sportit dhe Lëvizjes, duke lidhur përgatitjen akademike me performancën sportive, rehabilitimin dhe mjekësinë sportive.

Për të rinjtë nga Kosova dhe rajoni, kjo do të thotë më shumë mundësi për të mësuar, bashkëpunuar dhe zhvilluar karrierën në një fushë që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në botë.

Kjo arritje i bashkohet edhe aktiviteteve të tjera të UBT-së në këtë fushë, përfshirë Konferencën Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive, e cila këtë vit zhvillohet për herë të dytë, në muajin tetor, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Vendi

Përparim Rama nënshkruan peticionin për përgjegjësi penale ndaj Kurtit

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se i është bashkuar qytetarëve dhe ka nënshkruar peticionin që kërkon përgjegjësi penale për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kritikuar mënyrën e qeverisjes së Kurtit dhe raportin e tij me institucionet e drejtësisë.

Sipas Ramës, Kurti ka shpërfillur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka kritikuar dhe përçmuar prokurorët e Republikës së Kosovës, si dhe ka përdorur paranë publike për përfitime elektorale.

Rama ka thënë se këto veprime, sipas tij, përbëjnë rrezik për demokracinë dhe shtetin dhe se për këtë arsye ka nënshkruar peticionin që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Kushtetueses dhe keqpërdorimin e parasë publike.

Ai ka vlerësuar se pjesëmarrja e qytetarëve në këtë peticion tregon rritje të vetëdijes qytetare dhe ka theksuar se askush nuk duhet të jetë mbi Kushtetutën dhe ligjin.

“Nuk është pronë e një partie, e aq më pak e një njeriu”, ka shkruar Rama, duke iu referuar Kosovës./A.K/

Continue Reading

Vendi

E uroj për Kurban Bajram pastaj e goditi në qafë me thikë – ngritet aktakuzë për vrasjen e rëndë në Mitrovicë

Published

on

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, në banesën e viktimës E.I.

Prokuroria pretendon se A.S. kishte shkuar në banesën e viktimës, ku ndodheshin edhe i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe vajza e tij gjashtëvjeçare.

Sipas përshkrimit të aktakuzës, pasi viktima i kishte hapur derën, i pandehuri e kishte përshëndetur, përqafuar dhe uruar për festën e Kurban Bajramit. Më pas, pasi kishte hyrë në kuzhinë, dyshohet se kishte nxjerrë një thikë dhe e kishte goditur viktimën në pjesën e përparme të qafës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Viktima nuk kishte arritur të dërgohej në spital dhe kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri më pas kishte tentuar ta sulmonte edhe S.I., duke synuar ta godiste në pjesën e fytit. I dëmtuari kishte arritur t’i shmangej goditjes, por ishte goditur në fytyrë, në pjesën e hundës dhe buzës, duke pësuar lëndime të lehta trupore.

Me ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i ngarkohen dhe të dënohet sipas ligjit.

I pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vrau me thikë 20-vjeçarin francez në Ksamil – arrestohet autori 29-vjeçar, ishte fshehur në bagazhin e një makine

Published

on

Është arrestuar në Fier Sokrat Vata, autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez Miguel Mendes mëngjesin e sotëm në Ksamil.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Entjola Budo, ai u arrestua në Fier, aty ku ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.

Autori i dënuar në Angli në vitin 2024 për trafik droge e kishte goditur 20-vjeçari disa herë me thikë në shpinë dhe në kraharor dhe vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

20-vjeçari francez ndodhej në Ksamil së bashku me një grup francezësh të ardhur për turizëm në Ksamil. Ndërsa autori, 29-vjeçari Sokrat Vata, ishte i punësuar si roje plazhi te hoteli përkatës.

Sokrat Vata u arrestua në Angli pasi u përfshi në dy raste të ndjekjes nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.

Në 30 prill, policia në Kembrixh e pikasën duke drejtuar një makinë tip Toyota të vjedhur. Vata tentoi të largohej, por pasagjeri zbriti nga makina dhe ai vijoi arratinë në këmbë. Gjatë ndjekjes, hodhi një pako kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Me vete iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Ndërkohë, në një rast tjetër në Kent, më 13 prill, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në makinë u gjetën qese me kokainë dhe targa.

Vata u arrestua më pas dhe përfundoi përpara Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit, ku pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Ai u dënua me pesë vite burg. /TCh//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara