Lajmet

Granti i katërt s’është realizuar ende, AKK fajëson Kurtin e Muratin

Ibrahimi thotë se formimi i grantit të katërt nuk është jetësuar ende dhe se dëmet janë të mëdha për nivelin lokal.

Published

on

Kërkesa e kamotshme e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) për formimin e grantit të katërt nuk është realizuar. Për këtë dështim, AKK po fajëson ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Problem tjetër për nivelin lokal janë Kontrata kolektive e Ligji për Prokurim Publik.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se formimi i grantit të katërt nuk është jetësuar ende dhe se dëmet janë të mëdha për nivelin lokal. Ndonëse thotë se kanë marrë premtime nga Kurti e Murati për këtë Projektligj, të njëjtit e kanë tërhequr mbrapa.

“Granti i katërt në takimin që është mbajtur  më shtator të vitit 2022 në atë kohë granti i katër përkatësisht që është Ligji për Financa Lokale ka qenë i paraparë të amandamentohet dhe të finalizohet dhe të aprovohet në kuvendin e Kosovës. Pas takimit që kryetarët e Komunave në atë kohë që kanë pas me kryeministrin Kurti prezent ka qenë edhe ministri Murati pas atij takimi pas disa javësh, ministri Murati ka vendos që ta tërheq projektligjin për Financa Lokale nga strategjia legjislative dhe në atë kohë është ndaluar të punohet në këtë projektligj. Kjo ka qenë kërkesa kryesore dhe është kërkesa kryesore e kryetareve të Komunave ku ne nuk kemi marrë përgjigje edhe pse kryeministri në takime paraprakë është zotuar se në të gjitha kërkesat e kryetareve do të ktheje përgjigje me shkrim deri më tani nuk ka ndodhur”, thotë Ibrahimi, teksa evidenton edhe një problem tjetër të komunave. Bëhet fjalë për kontratën kolektive kundrejt punonjësve të arsimit në Kosovë.

Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit – nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit. Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit.

“Problemi tjetër serioz ku komunat ballafaqohen jashtëzakonisht shumë me probleme financiare është kontrata kolektive. Edhe këtë vit me dhjetëra miliona euro kanë me ju marrë komunave padrejtësisht edhe pse kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror, këto janë dy kërkesa kryesore nga Komunat e Kosovës drejtuar nivelit qendror dhe ku kërkojnë zgjidhje po zgjidhje ende nuk kemi”, u shpreh Ibrahimi.

Dëme të mëdha sipas Ibrahimit po u shkakton edhe Ligji për Prokurim Publik, për shkak se Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk i kthen përgjigjet me kohë.

“Çështja tjetër është ligji për Prokurim Publik. Po kemi probleme sa i përket zbatimit të ligjit mbi Prokurimin Publik për shkak burokracive të parapara në ligjin aktual dhe në bashkëbisedim me kryetaret e komunave, Organi Shqyrtues i Prokurimit pothuajse në shumicën e rasteve nuk i kthen përgjigjet me kohe dhe pastaj po vonohen procedura. Problem tjetër që është identifikuar nga kryetaret e Komunave, është bartja me vonesë e mjeteve financiare nga niveli qendror në nivelin lokal”, tha Ibrahimi.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara