Live

Grajewski: Konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë

Published

on

Partneriteti i Rusisë me Iranin është bërë një nga partneritetet strategjike më me ndikim në peizazhin e sotëm gjeopolitik.

Megjithëse Moska dhe Teherani nuk kanë krijuar një aleancë ushtarake formale, bashkëpunimi i tyre në fushat e dronëve, inteligjencës, shmangies së sanksioneve dhe sigurisë së brendshme është thelluar që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet Rusi-Iran në Universitetin Sciences Po në Paris dhe në Institutin Carnegie, shpjegon se si konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë, si dhe deri në ç’masë Rusia është e gatshme të shkojë për ta mbështetur Iranin.

Radio Evropa e Lirë: Si po ndikon partneriteti gjithnjë e më i ngushtë mes Rusisë dhe Iranit në luftën në Ukrainë dhe në konfliktin e ri në Lindjen e Mesme?

Nicole Grajewski: Ajo që është mjaft e qartë nga lufta aktuale [në Lindjen e Mesme] dhe lufta në Ukrainë, është se sa e ndërthurur është bërë marrëdhënia mes Rusisë dhe Iranit dhe sa shumë është transformuar ajo.

Për shembull, Irani e furnizoi Rusinë me dronët Shahed, të cilët u përdorën gjerësisht në Ukrainë. Në këmbim, Rusia i ofroi Iranit mbështetje të rëndësishme në fushën e imazheve satelitore, e ndoshta edhe ndihmë për identifikimin e objektivave, si dhe trajnim, mbështetje operacionale dhe shkëmbim të të dhënave.

Pra, është krijuar një lloj sinergjie që lindi nga lufta në Ukrainë dhe që tani po reflektohet edhe në konfliktin aktual. Për më tepër, shumë nga kërcënimet me të cilat përballen ukrainasit çdo ditë, janë të njëjtat me të cilat po përballen aktualisht edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik.

Gjatë luftës, Ukraina iu drejtua partnerëve të Gjirit për bashkëpunim në mbrojtjen kundër mjeteve ajrore pa pilot dhe dronëve.

Ka shumë lidhje mes këtyre dy luftërave dhe mendoj se është gabim të analizohen veçmas, sepse ato janë të lidhura ngushtë, jo vetëm për shkak të dy aktorëve kryesorë të përfshirë, por edhe përmes teknologjive të njëjta dhe shkëmbimit të burimeve.

Radio Evropa e Lirë: Teknologjia iraniane e dronëve dhe raketave ka qenë thelbësore për fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Por, tani kur Irani po përballet me kërcënime në rritje në Gjirin Persik, a po ia kthen Moska këtë mbështetje, apo po i ruan burimet e veta ushtarake për luftën në Ukrainë?

Nicole Grajewski: Nuk është e qartë se çfarë teknologjie ruse është transferuar dhe cilët komponentë kanë përfunduar në dronët iranianë.

Është e qartë se strategjia, taktikat dhe madje edhe mënyrat e operimit të Iranit janë përmirësuar dhe se ato kanë ngjashmëri me mënyrat se si Rusia i ka përdorur këto sisteme në Ukrainë.

Megjithatë, nuk shohim që Rusia t’i ketë transferuar Iranit ndonjë sistem të madh armësh. Rasti i fundit i raportuar ishte ai i gazetës Financial Times për një marrëveshje mbi sistemet portative ruse të mbrojtjes ajrore Verba MANPADS – (një marrëveshje e raportuar në dhjetor të vitit 2025, sipas së cilës Irani do të blinte raketa ruse tokë-ajër).

Që nga fillimi i luftës, nuk ka pasur ndonjë transferim të drejtpërdrejtë të një sistemi të plotë armësh.

Por, duke qenë se Irani ka – ose të paktën ka pasur para luftës – një industri të zhvilluar të mbrojtjes dhe një kompleks të fuqishëm ushtarako-industrial, Rusia mund ta furnizojë me komponentë dhe nënkomponentë që i mundësojnë Iranit t’i përmirësojë gradualisht dronët e tij.

Mësa dimë deri tani, ka disa tregues se kjo po ndodh, megjithëse ende nuk ka prova përfundimtare që identifikojnë saktësisht se cilët komponentë janë transferuar.

Radio Evropa e Lirë: Irani, prej kohësh, është mbështetur te Rusia për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe luftës elektronike. Duke pasur parasysh kërkesat e luftës në Ukrainë, a ka ende Rusia kapacitet ose vullnet politik për ta forcuar mbrojtjen e Iranit?

Nicole Grajewski: Varet se për çfarë po flasim, sepse Rusia është më e aftë në prodhimin e disa sistemeve sesa të tjerave.

Për shembull, një pjesë e madhe e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit në fushën e luftës elektronike, vjen nga Rusia. Ndërkohë, nuk dihet nëse Moska i ka transferuar edhe kapacitete sulmuese të luftës elektronike, të cilat, thjesht, nuk janë bërë publike.

Po ashtu, nuk është e qartë nëse Rusia e ka ndihmuar Iranin që t’i rindërtojë sistemet e radarëve që janë shkatërruar. Edhe kjo është një fushë ku ajo mund të ofrojë mbështetje.

Çështja më e rëndësishme – dhe këtu lidhemi sërish me luftën në Ukrainë – janë sistemet e mbrojtjes ajrore. Rusia gjendet në një pozitë të vështirë për t’ia ofruar Iranit, sepse i duhen edhe për nevojat e veta në Ukrainë. Nga ana tjetër, edhe Iranit i mungojnë burimet financiare për t’i blerë ato.

Megjithatë, Rusia mund ta ndihmojë Iranin në mënyra të tjera, duke ia përmirësuar gradualisht kapacitetet ushtarake. Kjo mund të përfshijë armë të lehta ose komponentë për dronë.

Prandaj, nuk është e saktë të thuhet se Rusia është aq e angazhuar në luftën në Ukrainë sa nuk mund t’i ofrojë Iranit asnjë lloj mbështetjeje. Përkundrazi, ajo ende është në gjendje ta ndihmojë Teheranin në fushat ku ka më shumë nevojë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar se, pas zhvillimeve në Siri dhe në Venezuelë, Rusia rrezikon të krijojë përshtypjen se është një aleate që qëndron pranë partnerëve vetëm kur i leverdis. Nëse Irani do të përballej me një krizë ushtarake që do ta rrezikonte vetë ekzistencën e regjimit, a do të ndërhynte Moska, apo do ta linte Teheranin të përballej i vetëm?

Nicole Grajewski: Kjo është një pyetje shumë interesante. Deri tani nuk e kemi parë një situatë të tillë në konfliktin aktual, edhe pse në disa momente dukej se Republika Islamike e Iranit po përballej me një kërcënim ekzistencial.

Irani është shumë ndryshe nga Siria për Rusinë. Ai është kryesisht i pavarur, ka kapacitetet e veta dhe është në gjendje ta sfidojë drejtpërdrejt fuqinë amerikane në mënyra që Siria apo Venezuela nuk mundeshin.

Gjithashtu, Irani ka një organizim ushtarak shumë më të zhvilluar dhe të institucionalizuar, të shtrirë në të gjithë vendin.

Prandaj, deri më tani, nuk kemi parë që Rusia të ketë qenë e domosdoshme në këtë kuptim.

Megjithatë, nëse situata do të arrinte në prag të një lufte civile ose të një kaosi të përhapur, me shembjen e regjimit dhe krijimin e një vakumi të ngjashëm me atë që pamë në Siri, atëherë besoj se Rusia do të përfshihej.

Kjo mund të nënkuptojë dërgimin e forcave speciale ose, ndoshta, të kontraktorëve privatë ushtarakë.

Nuk besoj se do të shihnim një dislokim të madh të ushtrisë ruse apo një fushatë ajrore si ajo në Siri. Ndërhyrja do të ishte shumë më e kufizuar dhe do të përqendrohej në ofrimin e mbështetjes operacionale për ato struktura të Qeverisë iraniane që Rusia do të zgjidhte t’i mbështeste.

Radio Evropa e Lirë: Paqëndrueshmëria në Gjirin Persik i rrit çmimet globale të naftës – gjë që i shkon për shtat ekonomisë ruse të luftës. Në të njëjtën kohë, nafta ruse e shitur me zbritje konkurron drejtpërdrejt me eksportet iraniane në tregjet aziatike. A e pengon kjo konkurrencë energjetike Rusinë dhe Iranin të bëhen aleatë të vërtetë ekonomikë?

Nicole Grajewski: Problemi është se marrëdhëniet ekonomike mes Rusisë dhe Iranit nuk kanë qenë kurrë veçanërisht të forta. Vëllimi i tregtisë mes dy vendeve është, në fakt, relativisht i vogël, megjithëse është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Një nga arsyet është se të dyja vendet importojnë dhe eksportojnë pothuajse të njëjtat produkte. Edhe Rusia, edhe Irani janë eksportues të energjisë, prandaj ekonomitë e tyre nuk janë plotësuese në aspektin tregtar.

Konkurrenca në tregun e energjisë është bërë një pikë tensioni për Iranin që nga lufta në Ukrainë. Rusia ka hyrë në tregjet e zeza ku Irani tradicionalisht ka shitur naftën e tij. Ajo është zgjeruar edhe në tregun e të ashtuquajturave ‘rafineri çajnikësh’ në Kinë – rafineri të vogla dhe të pavarura që, prej kohësh, kanë qenë një kanal i rëndësishëm për eksportet iraniane.

Përveç kësaj, Rusia ka marrë edhe një pjesë të kapaciteteve të transportit detar që Irani përdorte më parë, duke zgjeruar flotën e saj të ashtuquajtur ‘në hije’, e cila përdoret për të shmangur sanksionet.

Kjo ka krijuar, padyshim, tensione mes dy vendeve, ndaj mendoj se dimensioni ekonomik ka qenë gjithmonë pjesa më e dobët e marrëdhënies së tyre.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve kanë krijuar forma krejtësisht të reja bashkëpunimi. Ky është një nga paradokset që karakterizon marrëdhënien mes Rusisë dhe Iranit.

Radio Evropa e Lirë: Kina blen sasi të mëdha nafte si nga Rusia, ashtu edhe nga Irani. Si ndikon përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik në marrëdhëniet e Pekinit me Moskën dhe Teheranin?

Nicole Grajewski: Marrëdhëniet e Kinës me të dyja vendet janë jetike për mbijetesën e tyre. Pekini ka siguruar komponentë të rëndësishëm dhe mbështetje financiare, të cilat e kanë ndihmuar si Rusinë, ashtu edhe Iranin t’i përballojnë konfliktet me të cilat janë përballur.

Por, Kina nuk përfiton nga paqëndrueshmëria në Ngushticën e Hormuzit në të njëjtën mënyrë si mund të përfitojë Rusia.

Pekini ka marrëdhënie të gjera tregtare me monarkitë e Gjirit dhe varet në masë të madhe nga furnizimet me energji që vijnë nga ky rajon.

Prandaj, në disa raste, Kina është treguar më e përmbajtur dhe është përpjekur të gjejë mënyra për t’i ulur tensionet.

Rusia, nga ana tjetër, nuk ka qenë në gjendje ta luajë këtë rol, pjesërisht sepse nuk gëzon më të njëjtin besim në vendet e Gjirit si para fillimit të luftës në Ukrainë.

Mendoj se në vendet e Gjirit, Rusia tashmë perceptohet si shumë më e afërt me Iranin, megjithëse ato ende duan të ruajnë marrëdhënie praktike me Moskën. Pra, situata është mjaft komplekse.

Ndërkohë, Kina krijon edhe një element konkurrence, sepse si Rusia, ashtu edhe Irani duan të ruajnë qasje sa më të favorshme në tregun kinez. Pra, në përgjithësi, Pekini ka mbajtur një qëndrim shumë më të moderuar sa i përket përshkallëzimit të tensioneve.

Radio Evropa e Lirë: Në hulumtimet tuaja të fundit keni argumentuar se Rusia e ndihmon Iranin ta ruajë stabilitetin e sistemit të tij politik gjatë periudhave të trazirave të brendshme. Sa e rëndësishme është ekspertiza ruse në kontrollin e informacionit dhe shtypjen e protestave për mbijetesën e Republikës Islamike?

Nicole Grajewski: Irani ka mësuar shumë nga Rusia, që nga koha e të ashtuquajturave ‘revolucione me ngjyra’ dhe e protestave të brendshme në Rusi, veçanërisht sa u përket metodave të kontrollit autoritar. Po ashtu, ka mësuar shumë edhe nga Kina, sidomos për mënyrën e bllokimit të internetit.

Gjatë valës së fundit të protestave, Irani shkoi shumë më larg se në të kaluarën. Ai zbatoi bllokime shumë më të përzgjedhura të internetit, ndërsa, njëkohësisht, arriti t’i mbante funksionale shërbimet kryesore brenda vendit – diçka që më parë e kishte të vështirë ta bënte.

Kjo bart disa nga karakteristikat e ndihmës ruse ose kineze. Rusia dhe Irani kanë, gjithashtu, marrëveshje bashkëpunimi mes shërbimeve të tyre të sigurisë së brendshme që datojnë rreth vitit 2014, dhe me kalimin e viteve e kanë zgjeruar këtë bashkëpunim.

Marrëveshja për Sigurinë e Informacionit, e nënshkruar në vitin 2021, përfshin dispozita për mbështetje të ndërsjellë dhe shkëmbim të të dhënave në fushën e sigurisë kibernetike. Prandaj, Rusia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar as aparati represiv i vetë Iranit. Ai ka kapacitete të konsiderueshme për të vepruar edhe i vetëm, por është e qartë se ka përfituar nga mbështetja e shteteve të tjera autoritare me mendësi të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Raportet sugjerojnë se Rusia i ka ndarë Iranit të dhëna satelitore për identifikimin e objektivave ushtarake. Deri ku është e gatshme të shkojë Moska në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, pa rrezikuar një përballje të drejtpërdrejtë me Perëndimin?

Nicole Grajewski: Pjesa më e madhe e mbështetjes që Rusia i ka ofruar Iranit, është bërë nën një mbulesë mohimi të besueshëm. Moska i ka mohuar pretendimet për ndihmë satelitore ose i ka minimizuar ato, duke thënë me ironi se kjo nuk është ndryshe nga mbështetja që Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës.

Rusia nuk ka qenë e gatshme të deklarojë hapur se është e përfshirë në këtë konflikt – gjë që është e kuptueshme duke pasur parasysh marrëdhëniet e saj me shtetet e Gjirit.

Në të njëjtën kohë, retorika e Moskës ndaj monarkive të Gjirit është bërë dukshëm më kritike, veçanërisht për shkak të pranisë së bazave ushtarake amerikane në këto vende – madje më kritike sesa ishte gjatë Luftës 12-ditore.

Nuk do ta përshkruaja Rusinë si pasive. Përkundrazi, ajo po i ofron mbështetje Iranit në mënyra që i lejojnë asaj ta mohojë përfshirjen e drejtpërdrejtë.

Shkëmbimi i imazheve satelitore dhe i të dhënave nuk është i njëjtë me transferimin e armëve. Po ashtu, nuk shohim trupa ruse të dislokuara në terren.

Në vend të kësaj, Rusia po i përmirëson gradualisht kapacitetet ushtarake të Iranit, veçanërisht në fusha si inteligjenca e bazuar në satelitë, ku Teherani ka mangësi të konsiderueshme.

Megjithatë, Moska nuk po përgatitet t’i bashkohet konfliktit si pjesë e një koalicioni ushtarak.

Radio Evropa e Lirë: A po arrijnë sanksionet perëndimore dhe përpjekjet për të izoluar Rusinë dhe Iranin që t’i dobësojnë këto dy vende, apo po e forcojnë partneritetin e tyre strategjik në plan afatgjatë?

Nicole Grajewski: Një gjë është shumë e qartë: pasi vendosen, sanksionet janë shumë të vështira të hiqen, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Ka pasur disa përjashtime për Rusinë – për shembull, në sektorin e naftës – të lidhura me zhvillimet që përfshijnë Iranin, por, në përgjithësi, sanksionet mbeten në fuqi.

Irani ka qenë nën një regjim shumë më të gjerë sanksionesh sesa Rusia, por sot të dyja vendet gjenden në një pozitë të ngjashme në arenën ndërkombëtare.

Në një masë, po, dy vendet janë bërë më të izoluara. Por, në të njëjtën kohë, kanë gjetur mënyra të reja për të bashkëpunuar. Bashkëpunimi i tyre për t’iu shmangur sanksioneve është zgjeruar ndjeshëm dhe është bërë një element i rëndësishëm i marrëdhënies mes tyre.

Është e vështirë të thuhet nëse sanksionet i kanë afruar drejtpërdrejt Rusinë dhe Iranin, por është e padiskutueshme se ato kanë krijuar fusha të reja bashkëpunimi.

Në veçanti, Rusia ka mësuar shumë nga përvoja e gjatë e Iranit në gjetjen e mënyrave për t’i anashkaluar dhe shmangur sanksionet.

Burimi: Radio “Evropa e lirë” / Përgatiti: Valona Tela

Continue Reading

Lajmet

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet ruse dëmtojnë rëndë rrjetin energjetik të Ukrainës, Kievi deri në 20 orë në ditë pa rrymë

Published

on

By

Qytetarët e Ukrainës po përballen me një dimër të rëndë dhe reduktime drastike të energjisë elektrike, teksa sulmet intensive ruse kanë shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës energjetike të vendit. Në kryeqytetin Kiev, disa familje po kalojnë deri në 20 orë në ditë pa rrymë, ujë dhe ngrohje.

Një nga banoret e kryeqytetit, Daryna Kulchytska, nënë e dy fëmijëve që jeton në katin e shtatë të një ndërtese, tregon se jeta e përditshme është shndërruar në një garë me kohën për të gatuar, për të punuar dhe për t’i ndihmuar fëmijët me detyrat para se të ndalet rryma dhe të ndalen pompat e ujit.

“Ditëve të fundit kemi pasur energji elektrike vetëm katër ose pesë orë, dhe jo në të njëjtën kohë. Për dy orë kemi rrymë, pastaj për tetë orë nuk kemi… Shikon jashtë dhe nganjëherë nuk sheh asgjë. Ke një qytet të madh përreth, por nuk sheh asgjë sepse nuk ka dritë”, shprehet Kulchytska.

Orari i reduktimeve të planifikuara është vendosur qysh në tetor, duke nisur më herët dhe duke zgjatur më shumë se dimrin e kaluar. Zyrtarët ukrainas paralajmërojnë se jeta për miliona qytetarë mund të bëhet e paqëndrueshme nëse furnizimi nuk mbahet të paktën katër orë në ditë.

Për të kuptuar përmasat e krizës, mjafton gjendja në njërin prej termocentraleve më të mëdha të Ukrainës, i cili është shndërruar në një grumbull hekurishtesh pas një sulmi me raketa balistike. Punëtorët e energjisë po rrezikojnë jetën çdo ditë për të riparuar dëmet, ndërsa puna e tyre ndërpritet çdo 15 deri në 30 minuta nga sirenat e sulmeve ajrore.

“Është e vështirë emocionalisht, sepse ne tashmë e kishim riparuar këtë vend, e vumë sërish në punë, dhe tani ndodhi përsëri. Dhemb, por ne vazhdojmë të punojmë”, deklaroi Vadym Bobyr, udhëheqës i ekipit të sanimit në termocentral.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në Ukrainë (DTEK), Maxim Timchenko, ka paralajmëruar se shkalla dhe fuqia e sulmeve ruse është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar, duke e vënë rrjetin e degraduar nën presion të jashtëzakonshëm. Sipas tij, për shkak të alarmeve të vazhdueshme ku punëtorët arrijnë të punojnë vetëm një ose dy orë produktive në ditë, rindërtimi i termocentralit të dëmtuar do të zgjasë të paktën deri në verën e ardhshme. /BBC/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Universiteti kinez në listën e zezë blen çipat e ndaluar Nvidia

Published

on

By

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me Ushtrinë Çlirimtare Popullore ka blerë çipat e fuqishëm të inteligjencës artificiale Nvidia H200 gjatë muajit të kaluar, me gjithë faktin se ndodhet në listën e zezë të eksportit të SHBA-së.

Dokumentet e prokurimit publik tregojnë se Universiteti Politeknik i Veriperëndimit (Northwestern Polytechnical University), i caktuari në listën e sanksioneve për kërkime ushtarake dhe zhvillim të raketave, ka blerë dy çipa H200 për shumën prej 874,700 juanësh (rreth 123 mijë dollarë) përmes një furnizuesi lokal në Kinë. Po ashtu, institucioni ka siguruar qasje me qira në serverë që përmbajnë procesorë të tjerë të ndaluar si Nvidia A100, A800 dhe H100.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Drejtori Ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, përballet me presion dhe hetim të rritur nga Kongresi amerikan lidhur me përpjekjet e tij për lehtësimin e kufizimeve të shitjes së çipave në Kinë. Ligjvënësit amerikanë kanë ngritur shqetësime se qasja e Kinës ndaj kësaj teknologjie përshpejton zhvillimin e sistemeve ushtarake dhe analizave inteligjente nga Pekini zyrtar. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara