Lajmet

Goran Stanishiq dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën.

Published

on

Goran Stanishiq është dënuar me 20 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.

Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Lajmet

UBT pjesë e Konferencës së Turizmit dhe Mikpritjes: theks mbi zhvillimin ekonomik dhe trashëgiminë kulturore

Published

on

By

Përfaqësues të Fakultetit të Turizmit në UBT, Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj dhe Prof. Fatmire (Shala) Dreshaj, morën pjesë në Konferencën e Turizmit dhe Mikpritjes, e organizuar nga EDUCO – Kontur III në Prizren.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. Dr. Kushtrim Dreshaj prezantoi punimin shkencor me temën “Roli i Turizmit të Qëndrueshëm dhe Eko-Turizmit në zhvillimin ekonomik”, në bashkëautorësi me Prof. Fatmire (Shala) Dreshaj. Prezantimi vuri theksin në rëndësinë e turizmit të qëndrueshëm dhe eko-turizmit si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik, ruajtjen e mjedisit dhe avancimin e mirëqenies së komuniteteve lokale.

Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave ndërmjet profesionistëve, studiuesve dhe akterëve të fushës së turizmit dhe mikpritjes, duke nxitur dialogun mbi zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori në Kosovë dhe rajon.

Përveç prezantimeve akademike, pjesë e konferencës ishte edhe promovimi i trashëgimisë kulturore, ku u prezantuan veshjet tradicionale nga rajoni i Prizrenit, duke përfshirë:

  • zanatin e filigranit,
  • grimin tradicional të nuses nga Zhupa,
  • veshjet tradicionale nga rajoni i Zhupës dhe Hasit.

Këto prezantime theksuan lidhjen e fortë ndërmjet turizmit, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke e bërë trashëgiminë kulturore një element të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë.

Gjatë takimit u diskutua për procesin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ndaj në këtë kontekst, Presidentja theksoi rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve.

Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori McGurk diskutuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis institucioneve të Kosovës dhe OSBE-së në funksion të forcimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Lajmet

Edhe pak ditë kanë mbetur për aplikim: UBT International Smart Schools organizon edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë

Published

on

By

UBT International Smart Schools njofton se kanë mbetur edhe pak ditë për aplikim në edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, i cili do të mbahet më 21 shkurt dhe është i dedikuar për të gjithë nxënësit e klasave të 9-ta në Kosovë.

Ky test përfaqëson formatin e vetëm të këtij lloji në vend dhe ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive akademike të nxënësve, duke u ofruar atyre mundësi reale për të fituar bursa studimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Sipas organizatorëve, testimi do të zhvillohet online dhe pa pagesë, duke u mundësuar nxënësve pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Testi ndahet në katër pjesë kryesore: Gjuhët dhe Komunikimi (Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze), Shkencat e Natyrës (Biologji, Kimi dhe Fizikë), Shkencat Shoqërore (Histori dhe Gjeografi), si dhe pyetje nga Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

UBT International Smart Schools fton të gjithë nxënësit e interesuar që të shfrytëzojnë këtë mundësi unike për të testuar njohuritë e tyre dhe për të hapur rrugën drejt një arsimi cilësor dhe inovativ.

Aplikimi është i hapur dhe mund të bëhet online përmes linkut zyrtar: TESTI PROVUES I ARRITSHMËRISË, ndërsa për informacione shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Mospërputhje votash, nis hetimi në Drenas

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit, Prokuroria, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të këtij procesi në Drenas.

Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave që lidhen me këtë çështje.

Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër edhe procesin e rinumërimit në komunat e tjera që bien në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullim informatash.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë.

Continue Reading

Të kërkuara