Të famshmit dhe aktivistët e njohur rreth botës po i bashkohen eventit “Global Citizen Live” për një ditë të plotë, për të fuqizuar kampanjën rreth mbrojtjes së planetit dhe luftimit të varfërisë.
Billie Eilish, The Weeknd dhe Lizo janë vetëm disa nga yjet që do të paraqiten në “Global Citizen Live”, një event virtual për 24 orë me performance direkte nga gjashtë kontinente. Ky event do të mbahet të shtunën e 25 shtatorit.
Me transmetim direkt nga Central Park në New York, the Champ de Mars në Paris dhe lokacione të tjera rreth botës, në këtë shfaqje do të marrin pjesë Ed Sheeran, BTS, Coldplay, Shawn Mendes, Andrea Bocelli, Metallica, Lorde, Doja Cat, Keith Urban, Usher, H.E.R., Duran Duran, Femi Kuti dhe Lang Lang. Edhe emrat e artistëve të tjerë që do të performojnë në këtë event do të bëhen të ditur së shpejti.
Eventi është pjesë e planit global të rimëkëmbjes, një kampanjë që synon t’i jap fund pandemisë COVID-19. Po ashtu është pjesë e kampanjës së vazhdueshme për të nxitur bizneset dhe filantropët të përdorin burimet e tyre “për të mbrojtur dhe restauruar të paktën 1 miliard pemë deri në vitin 2022 për të parandaluar ndryshimin e klimës; dhe për të siguruar ushqim për më shumë se 40 milionë njerëz në prag të urisë”./UBTNews
Në Policinë e Kosovës janë raportuar tri raste të dhunës në familje brenda një dite në rajone të ndryshme të vendit.
Në Lipjan, një grua ka raportuar se ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj.
Pas intervistimit të palëve në stacionin policor, prokurori ka vendosur që rasti të shkojë në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër ka ndodhur në Mitrovicë, ku po ashtu një grua ka pësuar dhunë nga bashkëshorti i saj. Pas konsultimit me prokurorin, palët janë liruar dhe rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Malishevë është arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht të fejuarën e tij. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa procesi ndaj tij do të zhvillohet në procedurë të rregullt.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sørensen.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, fokusi kryesor i takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe reformat e nevojshme në këtë rrugëtim.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e linjëzimit të plotë të politikës së jashtme të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian, si një përcaktim strategjik i vendit. Po ashtu, një vend të rëndësishëm në bisedime zuri edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, krahas angazhimit të institucioneve për përmbushjen e reformave evropiane.
Përveç agjendës integruese, Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm Sørensen diskutuan edhe për aktualitetet e fundit politike dhe zhvillimet e brendshme në vend. Në këtë takim, Kryeministri ishte i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë të kabinetit të tij.
Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të rënda që ka pësuar teksa ishte duke punuar në një kompani në rrugën “Industria” në Shtime.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku viktima, burrë, u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Ferizajt, por mjekët vetëm kanë mund të konstatojnë vdekjen e tij.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës është gjetur pa shenja jete një burrë në Prishtinë.
Ngjarja është raportuar rreth orës 23:50, me ç’rast në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë mjekët dhe njësitë relevante policore.
Sipas njoftimit zyrtar, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen” për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.