“Radio nga valët në rrjet”, është libri i radhës i autores Prof.Dr.Gjylije Rexha, që u botua më 23 nëntor të këtij viti.
Në këtë libër, autorja ka sintetizuar njohuritë e saj mbi ‘medien e sfondit’, ka trajtuar radion në funksionin e saj gjithëpërfshirës, duke iu kundërvënë të gjitha teorive dhe qasjeve që kanë parashikuar “shuarjen” e saj.
Në një intervistë në Radio Campus, Rexha foli rreth vështirësive që ka hasur gjatë botimit të librit dhe të mirat që përfitohen nga ky libër.
“Përgatitja e librit ka nisur prej kohësh. Nuk ka qenë fare e vështirë duke marrë parasysh se libri përmbledhë çështje të cilat kanë dalë prej gjeneratës në gjeneratë, gjatë punës me studentët e UBT-së”, tregoi ajo.
Ajo tutje shtoi se në vendin tonë ka shumë studentë të entuziazmuar dhe që do t’i shërbenin botës së medias me përkushtim dhe korrektësi.
“Ka jashtëzakonisht shumë të rinj të entuziazmuar në fushën e medias. Në fund të kursit të çdo gjenerate kemi arritur që të marrim përgjigjje të tilla të cilat na dëshmojnë që ka shumë të rinj të cilët janë në gjendje që të punojnë radio dhe t’i shërbejnë botës së medias”, shtoi Rexha.
Ndërkaq, e pyetur nëse radiogazetaria po e humb vlerën apo rëndësinë në publikun kosovar, ajo ka treguar që duhet të jepet më shumë përkushtim për të mos u zbehur media e sfondit.
“Nëse bëni një debat të gjatë në radio, askush nuk do të ju dëgjojë sepse do të shndërrohet në një monotoni që nuk ofron dinamikë. Prandaj është e rëndësishme dinamika që ofrojmë për të mos humbur interesimi në radio”, ka thënë ajo.
Për fund, prof. Gjylije Rexha dha edhe një këshillë për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë t’i shërbejnë botës së medias.
“Së pari, për ata të cilët dëshirojnë të nisin rrugën e studimeve, ejani në UBT – studioni Media dhe Komunikim, përfshihuni në Campus Radio. Mos u dekurajoni nga fakti që mund të thonë se radio është media që nuk ka aq shumë dëgjueshmëri, sfidoni veten”, ka shtuar prof. Gjylije Rexha.
“Radio nga valët në rrjet” është libri i tretë i publikuar nga prof. Gjylije Rexha pas librave “Etosi i humbur” dhe “Politics and the Public Media in Kosovo”./UBTNews
Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.
Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.
“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.
Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/
Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbajë më 13 nëntor një koncert të veçantë muzikor, nën drejtimin e dirigjentit Artan Liçaj.
Në këtë mbrëmje do të interpretojnë edhe solistët Lorenc Radovani në violinë dhe Fatma Spahiu në piano.
Programi artistik përfshin vepra të kompozitorëve Gara Garayev dhe Felix Mendelssohn Bartholdy, si dhe premierën e veprës “Echoes of Spring” nga kompozitori Shpëtim Saraçi.
Koncerti do të nisë në orën 19:00, në sallën “Ferdinand Deda”, ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë një mbrëmje me muzikë klasike dhe interpretime artistike.
Galeria Kombëtare e Kosovës QAFA ka njoftuar se ekspozita “Imazhe Migrues” e artistes Bora Baboçi do të jetë e hapur për publikun deri më 11 dhjetor 2026.
Ekspozita mund të vizitohet nga e marta deri të premten, në orarin 10:00–18:00, ndërsa të shtunën dhe të dielën nga ora 10:00 deri në 17:00.
Të gjithë të interesuarit mund ta vizitojnë ekspozitën në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës QAFA, në Prishtinë.
Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.
Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.
Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.
Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.
Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.
Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.