“Radio nga valët në rrjet”, është libri i radhës i autores Prof.Dr.Gjylije Rexha, që u botua më 23 nëntor të këtij viti.
Në këtë libër, autorja ka sintetizuar njohuritë e saj mbi ‘medien e sfondit’, ka trajtuar radion në funksionin e saj gjithëpërfshirës, duke iu kundërvënë të gjitha teorive dhe qasjeve që kanë parashikuar “shuarjen” e saj.
Në një intervistë në Radio Campus, Rexha foli rreth vështirësive që ka hasur gjatë botimit të librit dhe të mirat që përfitohen nga ky libër.
“Përgatitja e librit ka nisur prej kohësh. Nuk ka qenë fare e vështirë duke marrë parasysh se libri përmbledhë çështje të cilat kanë dalë prej gjeneratës në gjeneratë, gjatë punës me studentët e UBT-së”, tregoi ajo.
Ajo tutje shtoi se në vendin tonë ka shumë studentë të entuziazmuar dhe që do t’i shërbenin botës së medias me përkushtim dhe korrektësi.
“Ka jashtëzakonisht shumë të rinj të entuziazmuar në fushën e medias. Në fund të kursit të çdo gjenerate kemi arritur që të marrim përgjigjje të tilla të cilat na dëshmojnë që ka shumë të rinj të cilët janë në gjendje që të punojnë radio dhe t’i shërbejnë botës së medias”, shtoi Rexha.
Ndërkaq, e pyetur nëse radiogazetaria po e humb vlerën apo rëndësinë në publikun kosovar, ajo ka treguar që duhet të jepet më shumë përkushtim për të mos u zbehur media e sfondit.
“Nëse bëni një debat të gjatë në radio, askush nuk do të ju dëgjojë sepse do të shndërrohet në një monotoni që nuk ofron dinamikë. Prandaj është e rëndësishme dinamika që ofrojmë për të mos humbur interesimi në radio”, ka thënë ajo.
Për fund, prof. Gjylije Rexha dha edhe një këshillë për të gjithë studentët të cilët dëshirojnë t’i shërbejnë botës së medias.
“Së pari, për ata të cilët dëshirojnë të nisin rrugën e studimeve, ejani në UBT – studioni Media dhe Komunikim, përfshihuni në Campus Radio. Mos u dekurajoni nga fakti që mund të thonë se radio është media që nuk ka aq shumë dëgjueshmëri, sfidoni veten”, ka shtuar prof. Gjylije Rexha.
“Radio nga valët në rrjet” është libri i tretë i publikuar nga prof. Gjylije Rexha pas librave “Etosi i humbur” dhe “Politics and the Public Media in Kosovo”./UBTNews
Filmi shqiptar “Burri i Shtëpisë”, me regji nga Andamion Murataj, është shpërblyer me çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (BIF&ST).
Juria vlerësoi në mënyrë të veçantë interpretimin e Drita Kaba Karagës, duke e cilësuar atë si të thellë dhe mbresëlënës. Filmi u vlerësua në seksionin “Meridiana”, duke u renditur ndër projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Gjatë marrjes së çmimit, regjisori Andamion Murataj u shpreh i emocionuar për rikthimin në Bari pas shumë vitesh, duke theksuar se filmi nuk është vetëm shqiptar, por një bashkëprodhim shqiptaro-italian. Ai falënderoi bashkëpunëtorët dhe institucionet që mbështetën realizimin e projektit që në fazat e para.
Juria ndërkombëtare, e përbërë nga emra të njohur të kinematografisë, vlerësoi interpretimin e Karagës si një portretizim të fuqishëm dhe kompleks të një personazhi që sfidon normat, duke trajtuar tema si identiteti dhe amësia.
“Burri i shtëpisë” sjell në qendër historinë e një burrneshe në një shoqëri moderne shqiptare në ndryshim të vazhdueshëm. Performanca e Drita Kaba Karagës u konsiderua si një nga pikat më të forta të festivalit, duke u vlerësuar për mënyrën e natyrshme dhe të fuqishme të interpretimit të një personazhi kompleks.
Kori i Filharmonisë së Kosovës ka zhvilluar provat e përbashkëta me Konzertchor Münster për koncertin që mbahet sot.
Dy koret do të interpretojnë veprat “Requiem für Mignon” nga Robert Schumann dhe “Ballin Lartë!” nga Valton Beqiri.
Ky koncert shënon një moment të rëndësishëm për Filharmoninë e Kosovës, pasi për herë të parë Orkestra dhe Kori i saj do të performojnë në sallën prestigjioze të Filarmonisë së Berlinit në Berlin.
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të programit GENESIS, i cili synon fuqizimin profesional të të rinjve në fushën e animacionit dhe zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Programi u realizua nga Anibar në bashkëpunim me Institut français du Kosovo dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, duke përfshirë trajnime, masterclass-e, mentorim dhe prezantime projektesh me mundësi edhe për promovim ndërkombëtar.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse u prezantuan projektet e pjesëmarrësve dhe u shpërndanë certifikatat, ndërsa ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e industrisë kreative dhe përkrahjen e të rinjve.
Ndërkohë, Anibar vazhdon të mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit me një program trevjeçar, duke dëshmuar rolin e saj të rëndësishëm në skenën kulturore dhe kreative në vend.
Në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës prezantoi premierën e shfaqjes “Bidermani dhe Zjarrvënësit”, duke i dhënë publikut një mbrëmje të veçantë artistike.
Nën regjinë e Agon Myftarit, vepra e Max Frisch-it u interpretua me mjeshtëri nga aktorët, duke trajtuar dilema të thella morale dhe ekzistenciale, dhe duke reflektuar mbi përgjegjësinë individuale dhe shoqërore përmes simbolikës së zjarrvënësve.
Shfaqjen e ndoqën ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, zëvendësministrja e Kulturës, Tijana Veljković, si dhe kryesuesja e Këshillit të Teatrit Kombëtar, Visare Aliu.
Kjo premierë është edhe një dëshmi e energjisë krijuese dhe përkushtimit të aktorëve dhe të gjithë profesionistëve të teatrit, që vazhdojnë të sjellin vepra që nxisin reflektim dhe dialog.