Gjykata Supreme ka njoftuar se është shpallur e paligjshme dhe është shfuqizuar rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësve është refuzuar me të cilën kanë kërkuar që të detyrohet e paditura: Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), me seli në Prishtinë, që të nxjerrë aktin nënligjor normativ në përputhje me dispozitat ligjore.
“Gjykata Supreme e Kosovës në çështjen juridike në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësve: L.F., A.V., A.L.Z., Xh.I., P.Gj., L.B., H.S., M.R., A.I., S.T., të cilët i përfaqëson Ardian Bajraktari, avokat, sipas autorizimit, kundër të paditurës: Zyra e Kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përfaqësuar nga Ministria e Drejtësisë – Avokatura Shtetërore, avokat Bedri Krasniqi, me bazë juridike: shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Rregulloren (ZKM) Nr.04/2025 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, me kërkesë për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit, në shqyrtimin gjyqësor publik, të mbajtur në praninë e palëve ndërgjyqëse, më datë 22 shtator ka aprovuar pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësve në fjalë”.
“Po ashtu, është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Rregullores, deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë”, thuhet tutje në njoftim./D.B/EO