Lajmet

Gjykata Speciale i refuzon dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë: Janë të parëndësishme

Published

on

Pjesa më e madhe e provave të prezantuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë, nuk janë pranuar në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

Kështu kanë vendosur gjyqtarët e rastit, duke theksuar se përgjithësisht këto dëshmi, janë komplet të parëndësishme për procesin ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, që po zhvillohet në Hagë.

Cilat prova u rrëzuan dhe pse?

Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte dorëzuar materiale të shumta, dëshmi të shkruara, video-incizime të cilat sipas tyre, dëshmojnë se në Kosovë ka qenë gjendje kaosi, dhe shumë krime janë kryer në shenjë hakmarrjeje nga individë pas krimeve të Serbisë në zona të ndryshme.

Pas kërkesës së Jakup Krasniqit, Prokuroria e Hagës kërkoi që këto prova të krimeve serbe të refuzohen, dhe realisht pjesa më e madhe e tyre u refuzuan.

Prova me numrin 11 përmbante një material të BBC, ku kishte video-incizime të ndryshme që dëshmonin për krimet e Serbisë në Kosovë. Megjithatë, kjo për gjyqtarët e Speciales është e parëndësishme. Ata vendosën ta pranojnë një pjesë krejt të shkurtër të materialit, aty ku UÇK-ja iu ndihmonte hetimeve të mundshme, por jo edhe dëshmive për krimet e Serbisë.

“Duke iu kthyer Provës së Propozuar 11, Paneli vëren pretendimin e Mbrojtjes së Krasniqit se videoja lidhet, ndër të tjera, me pasojat e krimeve serbe të kryera kundër popullsisë shqiptare, natyrën mbrojtëse të organizatës së UÇK-së, pretendimet për përfshirjen e UÇK-së në zhdukjen dhe vdekjen e individëve, trupat e të cilëve u gjetën në rrethana të pashpjegueshme dhe aktet e mundshme të hakmarrjes nga popullsia civile. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 11, Paneli vëren se pjesa e parë e videos lidhet kryesisht me krimet që dyshohet se janë kryer nga forcat serbe në Rahovec dhe përreth. Paneli kujton qëndrimin e tij se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe janë përgjithësisht të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Paneli konsideron se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se pjesa e parë e videos është relevante për këtë çështje”, thuhet në këtë vendim.

Gjyqtarët e Hagës e refuzuan një tjetër prove të propozuar nga Jakup Krasniqi, e që lidhej me raportet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas gjyqtarëve, këto nuk janë relevante, ngjashëm siç konstatoi edhe për dëshmitë e krimeve serbe.

“Lidhur me Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues vëren parashtrimin e Mbrojtjes së Krasniqit se ajo lidhet me marrëdhënien midis LDK-së dhe UÇK-së, dhe sugjerimin se ato nuk ishin opozitë dhe kishin qëllime të përbashkëta. Pasi shqyrtoi Provën e Propozuar 15, Trupi Gjykues nuk e konsideron përmbajtjen e saj, siç përshkruhet aty, të jetë relevante për qëllimet e përbashkëta të pretenduara të UÇK-së dhe LDK-së në asnjë mënyrë relevante për këtë çështje. Trupi Gjykues vëren se, ndërsa një pjesë e Provës së Propozuar 15 përmend denoncimin e LDK-së për krimet e kryera nga forcat serbe, kjo pikë është kryesisht relevante për krimet e kryera nga forcat serbe, të cilat janë të parëndësishme përveç nëse lidhen ndryshe me akuzat kundër të Akuzuarit. Prandaj, Trupi Gjykues konstaton se Mbrojtja e Krasniqit nuk ka arritur të vërtetojë se Prova e Propozuar 15 është relevante për këtë çështje”, thuhet më tutje në këtë vendim.

Për këto prova, ditë më parë Prokuroria Speciale e Hagës kërkoi që të mos pranohen. Në anën tjetër, muaj më parë, Gjykata Speciale kishte pranuar prova që zyrtarisht iu takonin institucioneve të Beogradit zyrtar./S.K/EO/Nacionale/

Continue Reading

Vendi

Ekzekutohen pagesat për Masat Aktive të Tregut të Punës dhe Pushimin e Lehonisë

Published

on

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se janë ekzekutuar pagesat për përfituesit e Masave Aktive të Tregut të Punës dhe për Pushimin e Lehonisë.

Sipas njoftimit të ministrisë, përfituesit e të dyja skemave kanë marrë pagesat përkatëse, duke mundësuar realizimin e mbështetjes financiare të paraparë për ta.

Ministria ka bërë të ditur se procesi i pagesave është përfunduar për përfituesit e të dy kategorive./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ulen çmimet e mjeteve shkollore, pakicat duhet t’i shesin të paktën 15% më lirë

Published

on

Qeveria ka marrë vendim për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, në kuadër të masave për të lehtësuar shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor.

Nga sot deri më 30 shtator, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të ofrojnë ulje prej të paktën 15%, krahasuar me çmimet që kanë qenë në fuqi në qershor.

Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh, si çanta, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, ngjyra, plastelinë, flomasterë, markerë, tempera, furça, vizore, goma, mprehëse, gërshërë, futrola, ngjitëse, kompasë, kalkulatorë, dosje dhe materiale për punë praktike.

Sipas Qeverisë, tregtarët janë të detyruar të shfaqin përkrah çmimit të ri edhe çmimin e vjetër të produktit, të vlefshëm më 1 qershor 2026, në mënyrë që konsumatorët të mund të verifikojnë uljen.

Qeveria ka vlerësuar se kjo masë synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur shpenzimet për përgatitjen e fëmijëve për vitin shkollor janë më të larta./A.K/

Continue Reading

Vendi

Studio regji, aktrim dhe dramaturgji në UBT — në programin Artet Dramatike

Published

on

By

Programi i Arteve DramatikeUBT është ndërtuar për ata që duan të bëhen profesionistë të përgatitur, jo vetëm të talentuar. Ky është programi më inovativ i nivelit bachelor në fushën e arteve dramatike, me tri orientime specializimi: aktrim, regji dhe dramaturgji.

Aktrimi të përgatit për skenën, kamerën dhe mikrofonin, duke ndërtuar trupin, zërin, teknikën dhe interpretimin. Regjia të mëson të lexosh një tekst, të ndërtosh një vizion dhe të udhëheqësh një ekip nga ideja e parë deri në shfaqjen ose projektin e përfunduar. Dramaturgjia të përgatit për të shkruar tekst skenik dhe skenar, për të ndërtuar personazhe, konflikt dhe strukturë. Të tri orientimet ndajnë një bazë të përbashkët dhe punojnë bashkë në prodhime konkrete sikurse ndodh në industri reale.

Misioni i programit të Arteve Dramatike është të përgatisë profesionistë krijues dhe kritikë, që kontribuojnë në zhvillimin kulturor në Kosovë dhe më gjerë. Kjo nënkupton një qasje që e ndërthur artin me mendimin kritik: studenti nuk mëson vetëm si të krijojë, por edhe çfarë kuptimi ka një vepër, si komunikon me publikun dhe çfarë përgjegjësie mbart ndaj shoqërisë ku lind.

Programi ofron njohuri të avancuara në teori dhe praktikë dramatike, duke e lidhur bazën teorike drejtpërdrejt me punën në sallë provash dhe në set. Në të njëjtën kohë, nxit zhvillimin e kapaciteteve krijuese origjinale në aktrim, regji dhe dramaturgji, duke inkurajuar gjuhën artistike personale të secilit student në vend të formulave të gatshme. Përgjegjësia etike dhe profesionale është pjesë e formimit, jo shtesë e tij.

Studentët mësojnë standarde të qarta në prodhimin artistik, në punën me ekipin dhe në raportin me publikun, sepse arti i mirë ndërtohet mbi besim dhe disiplinë. Krahas kësaj, programi pajis studentët me aftësi ndërdisiplinare që funksionojnë njëkohësisht për teatër, film dhe media digjitale. Kjo qasje e gjerë nuk është rastësore. Arti dramatik i sotëm nuk jeton më vetëm në një skenë: një aktor filmon serial dhe luan në teatër, një regjisor kalon nga shfaqja në përmbajtje digjitale, një dramaturg shkruan tekst skenik dhe skenar njëkohësisht. Programi është ndërtuar mbi këtë realitet, me punë ekipore dhe prodhime konkrete gjatë studimeve, sepse eksperienca fitohet duke krijuar, jo vetëm duke lexuar për krijimin.

Të diplomuarit dalin të përgatitur për një spektër të gjerë rrugëtimesh profesionale: aktorë në teatër, film dhe televizion, regjisorë të shfaqjeve skenike dhe projekteve audiovizive, dramaturgë dhe skenaristë, krijues përmbajtjeje për media digjitale, si edhe kritikë, studiues, pedagogë dhe menaxherë projektesh kulturore.

Ky program i drejtohet të gjithë atyre që kanë pasion për skenën dhe rrëfimin, që duan të zhvillojnë zërin e tyre artistik dhe të punojnë me disiplinë profesionale. Nuk kërkohet të jesh i përsosur, kërkohet të jesh i gatshëm për të punuar.

Nëse skena, kamera dhe rrëfimi i historive të tërheqin, ky program është vendi ku ky pasion kthehet në profesion. Në UBT do të gjesh mentorë, ekip dhe hapësirë për të provuar dhe për të krijuar. Talenti e hap rrugën, puna e ndërton karrierën. Zgjidh orientimin tënd — aktrim, regji apo dramaturgji, apliko në programin e Arteve Dramatike në UBT dhe fillo atje ku fillojnë historitë.

Continue Reading

Lajmet

Caktohet seanca për 53 të akuzuarit për krime lufte në Kosovë

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 53 personave të akuzuar për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile”.

“Departamenti Special, njofton opinionin publik se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PS.nr.66/2023, e cila ka për objekt shqyrtimi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës – PPS.nr.60/2010 të datës 23.12.2024, kundër të pandehurve Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikolla Miqunoviq, Millovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Millan Kotur, Radomir Çoliq, Danillo Zeçeviq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçillo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshаn, Predrag Stojanoviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shqepanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Llekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashçeviq, Zoran Mirkoviq, Dushan Prashçeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçillo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajlloviq, Mirash Gegoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçillo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçillo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq”.

Sipas njoftimit të gjykatës, aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 23 dhjetor 2024.

Gjykata njofton se, me propozim të Prokurorisë Speciale, procedura gjyqësore do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Përmes njoftimit publik, gjykata u ka bërë thirrje të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjykata ka kërkuar nga të gjithë personat që kanë informacione relevante për vendndodhjen e të akuzuarve që këto të dhëna t’ua përcjellin Policisë së Kosovës ose organeve të tjera kompetente.

Seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar të mbahet më 15 shtator 2026, në ora 09:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë në Hajvali, Objekti D.

Seancën do ta udhëheqë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra./E.O/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara