Aktualitet

Gjykata i cakton një muaj paraburgim të dyshuarit, për vrasjen në Viti

Published

on

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve B. R.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 13.07.2021, rreth orës 11:00, në rrugën “Kemajl Azizi” në Komunën e Vitisë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. R. nga Vitia. Pas një konflikti fizik në mes pandehurit dhe dy viktimave A. R. dhe B. B., të njëjtit janë takuar përsëri përball Shkollës “Hoxhë Jonuzi” në Viti, ku dy viktimat kanë ndal veturën e tyre, me shkopinj druri në duar, me qëllim që prapë të konfrontoheshin fizikisht me tani të pandehurin B. R., i cili në atë moment del nga vetura e tij dhe me armë zjarri – pistoletë të prodhimit Tisas Tig 14, gjuan nëntë herë në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri A. R. nuk u mbijeton plagëve dhe ndërron jetë, ndërsa viktima B. B. nga Spitali i Gjilanit transferohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për kurim mjekësor të mëtutjeshëm.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari e procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, pasi që ka vlerësuar se këto rrethana janë të mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale, duke pasur parasysh edhe veprën e rëndë, ku parashihet dënim jo më pak se 10 vite burgim.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 23 qershor 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Shqipëria, viti i mbrapshtë 1997

 23 qershor 1993

Represioni i policisë serbe kundër shkollës shqipe po vazhdon kudo në Kosovë

Vala e represionit të policisë serbe kundër shkollës shqipe po vazhdon me intensitet të shtuar në të gjitha komunat e Kosovës. Dje, policia serbe ishte në Shkollën fillore “Çajupi” në Vushtrri dhe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Izet Morinën. Me atë rast policia konfiskoi 35 dëftesa të klasës së tetë, ndërsa drejtori i kësaj shkolle u mbajt në të ashtuquajturën bisedë informative rreth tri orë në stacionin e policisë në Vushtrri. Po ashtu dje në Vushtrri, policia serbe arrestoi edhe Ismail Berishën, drejtor i Shkollës fillore “Ali Kelmendi”, i cili nga inspektorët serb u mor në pyetje rreth tri orë. Në lokalet e kësaj shkolle, policia serbe bastisi edhe lokalet e Këshillit për financim komunal. Edhe në Shkollën fillore “Zija Prishtina” të Vushtrrisë, policia serbe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Ibrahim Kuçin.

Gjatë ditës së djeshme, aksione të këtilla policore për pengimin e shkollës shqipe kishte edhe në Suharekë. Dje, rreth orës 11, policia serbe arrestoi drejtorin e Shkollës fillore “7 Marsi” në Suharekë. Gjatë arrestimit, policia serbe konfiskoi 16 dëftesa, ndërsa në “bisedë informative” u mor edhe pedagogu i kësaj shkolle, Hamdi Spahiu.

Edhe në Gjakovë e rrethinë, po vazhdon i njëjti trend policor. Në Shkollën fillore “Rilindja” të fshatit Dobrigjë, policia serbe arrestoi drejtorin e kësaj shkolle, Tomë Gjergjin, konfiskoi vulën, ndërsa drejtori e mori në bisedë informative rreth dy orë në lokalet e stacionit të policisë në Gjakovë. Policia serbe kështu veproi edhe në fshatin Rogovë. Edhe këtu konfiskoi vulën e kësaj shkolle, arrestoi drejtorin, Islam Gashin, të cilin e maltretoi fizikisht. Po kështu u veprua edhe në Shkollën fillore “Selman Riza” të Piskotës, me ç’rast u arrestua drejtori, Qemajl Dulatahu.

Organet e policisë serbe në Gjakovë, për sot ftuan që të lajmërohen në polici këta persona: Ilaz Dainë, drejtor i Shkollës fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë dhe Sali Vulën, sekretar i kësaj shkolle, Islam Gashin, drejtor i Shkollës fillore “Gani Hoxha” të fshatit Rogovë, si dhe arsimtarin e kësaj shkolle, Musa Shalën, Jonuz Ismailin, drejtor i Shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” të fshatit Ponoshec, Nezir Mustën, drejtor i Shkollës fillore “Bajram Sadrija” të fshatit Berjan, si dhe Rasim Hamzën, drejtor i Shkollës fillore “Jahë Salihu” të fshatit Molliq.

Edhe në Deçan, dje rreth orës 15, policia serbe arrestoi Isuf Ismajlajn, drejtor i Shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”, i cili nga inspektorët serbë u mor në pyetje rreth katër orë. Gjatë ditës së djeshme u arrestua edhe Sali Haxhosaj, drejtor i Shkollës fillore të fshatit Irzniq, i cili edhe pas tetëmbëdhjetë orëve ende po mbahet në stacionin e policisë në Deçan dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë. Si kusht për lirimin e tij, policia serbe ka kërkuar nga kujdestarët e klasëve të teta që në stacionin e policisë në Deçan, t’i dërgojnë të gjitha dëftesat e klasëve të teta! Për sot, është ftuar për në organet e policisë edhe Haki Islamaj, drejtor i

Shkollës fillore të Isniqit, ndërsa merret vesh se dje, u arrestua edhe Demë Sallaj, drejtor i Shkollës fillore në Junik si dhe u konfiskuan të gjitha dëftesat e klasëve të teta.

 

23 qershor 1994

Gjykimi në Prishtinë

Dje, ditën e tretë të procesit të montuar politik kundër 14 shqiptarëve në Prishtinë, deklaratat e tyre i dhanë Agim Krasniqi dhe Ibush Kelmendi.

Agim Krasniqi (1956), nga Drenoci i Malishevës, me vendbanim në Prishtinë, kapiten në ish-APJ, tash kryetar i Degës III të LDK-së në Prishtinë, tha se është torturuar pandërprerë prej 16 deri më 30 shtator të vitit 1993. Inspektorët, tha ai, e kanë përdorur gjatë torturimit edhe elektroshokun. Në trupin tim kanë mbetur njollat e përdorimit të dhunës, tha Agim Krasniqi dhe shpjegoi se nuk u është bërë e mundur mbrojtësve të tij që të sigurojnë certifikatën përkatëse nga eksperti i mjekësisë ligjore.

Duke folur për aktivitetin e tij në LDK, ai tha se kjo parti ka vepruar legalisht dhe se LDK-ja është një forcë reale politike. Gjatë fjalës së tij spjegoi se para arrestimit është marrë dy herë nga policia, e cila ia ka bastisur shtëpinë. Inspektorët serbë, tha ai, ia kanë sharë vazhdimisht nënën dhe i janë kërcënuar në forma të ndryshme. Agim Krasniqi spjegoi edhe se si policia ka bastisur zyrat e Degës III të LDK-së në Prishtinë, se si janë arrestuar dy anëtarë të Kryesisë së asaj dege, se ata janë rrahur nga policia dhe se si policia e ka marrë dokumentacionin e kësaj dege.

Ibush Kelmendi (1952), nga Sllatina e Vogël afër Prishtinës, ish-kryeshef i Shtabit Komunal të Mbrojtjes Territoriale, hodhi poshtë në tërësi akuzën e serbëve të instaluar në Prokurorinë e Prishtinës.

Ibush Kelmendi tha se është torturuar në mënyrën më çnjerëzore. Në shtëpinë time, gjatë bastisjes, tha ai, milicët kanë marrë një revole me leje dhe dy libra, njëri prej tyre doracak për eprorët ushtarakë rezervë dhe tjetri libër me titullin “Velike pretenzije prema SFRJ”. Ibush Kelmendi tha se kundër tij është përdorur edhe elektroshoku. Ai spjegoi edhe për rolin e dyfishtë të të ashtuquajturit gjyqtar hetues. Zvonimir Maksimoviq gjatë procedurës së hetuesisë i ka thënë disa herë Ibushit se duhet të flasë, sepse ka përgatitur gjoja kryengritjen e armatosur.

Ibush Kelmendi spjegoi se si janë krijuar dy letra të shkruara nga ai dhe të cilat gjenden në dosjen e procesit kundër 14 shqiptarëve. Inspektorët më qitën përpara një letër dhe një laps dhe më thanë shkruaj çka të diktojmë ne. Sipas diktatit të tyre, spjegoi Ibushi, shkruajti “…pranoj të japë deklaratë para gjykatësit hetues”. Ndërsa në letër tjetër Ibush Kelmendi u detyrua të shkruante: “nuk kam nevojë për mbrojtës”. Në të njëjtën mënyrë tha ai i ka nënshkruar edhe procesverbalet për kinse marrjen në pyetje para gjykatësit serb.

Procesi i montuar kundër 14 shqiptarëve vazhdoi sot me marrjen në pyetje të Halil S.Ramës, Xhelil M.Ramës dhe Salih Çitakut.

 

23 qershor 1995

Kryetari Rugova bisedoi me Senatorin amerikan Robert Dol

 

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova u takua dje në Uashington me liderin e shumicës në Senatin amerikan, Robert Dol.

Kryetari Rugova e njoftoi senatorin Dol me zhvillimet më të reja në Kosovë dhe për represionin e shtuar serb që ka përfshirë të gjitha shtresat e popullsisë.

Dr. Rugova tha se në Kosovë vazhdojnë të ndiqen aktivistët politikë, arsimor dhe humanitarë, gjë që krijon një gjendje tendosjeje të vazhduar. Shiptarët, përkundër represionit dhe dhunës së regjimit serb, vazhdojnë me politikën e rezistencës paqësore, duke i dhënë kontribut të çmueshëm ruajtjes së paqës në rajon. Në saje të kësaj maturie dhe vetëdijes së lartë politike është arritur evitimi i një konflikti në Kosovë që do të përfshinte tërë rajonin.

Kryetari i Republikës së Kosovës tha se është e nevojshme marrja e Kosovës nën mbrojtje ndërkombëtare. Administrimi civil ndërkombëtar do të evitionte rrezikun e shpërthimit të konfliktit të hapur dhe do të krijonte parakushtet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me bisedime, tha dr. Rugova.

Senatori Robert Dol, i cili është njohës i mirë i gjendjes në Kosovë dhe i çështjes shqiptare e rrethanave në rajon, tha se çështja e Kosovës është preokupim i vazhdueshëm i Senatit Amerikan dhe se SHBA-të përkrahin të drejtat legjitime të popullit shqiptar të Kosovës.

Senatori Dol përkrahu kushtëzimin e sanksioneve ndaj Serbisë dhe Malit të Zi me zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

Kryetari Rugova pati dje edhe dy takime të vëçanta me Senatorin amerikan Riçard Llugar dhe me ish-ambasadorin amerikan në Beograd, Uoren Zimerman.

Senatori Llugar, kryetar i komitetit të Senatit për politikë të jashtme, shprehu përkrahjen e fuqishme për shqiptarët e Kosovës, të cilët, siç tha ai, i janë nënshtruar një represioni sistematik e brutal të regjimit të Millosheviqit.

  1. Llugar vlerësoi lart politikën e kryetarit Rugova dhe maturinë e popullit shqiptar të Kosovës.

Ndërsa në takimin e përzemërt të kryetarit Rugova me Uoren Zimermanin u bisedua për aspekte të ndryshme të realitetit politik, social e ekonomik në Kosovë dhe për mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

  1. Zimerman tha se problemi i Kosovës duhet të zgjidhet në pajtim me vullnetin e shprehur politik të popullit.

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova bisedoi dje në Uashington me ndihmëssekretarin e shtetit amerikan për të drejtat e njeriut, Xhon Shatak (John Shattuck).

Shatak i tha kryetarit Rugova se “kërcënimi i kërshëndellave” që presidenti Bush e Klinton i kanë drejtuar Serbisë është i qëndrueshëm në politikën amerikane.

Administrata amerikane ka respekt të madh për mençurinë që keni treguar në ruajtjen e paqës në këto kohë të tensioneve të mëdha, tha Xhon Shatak.

Kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, pasi bëri një paraqitje të gjendjes së përgjithshme në Kosovë, foli për projektin politik të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pas shpërbërjes së ish-federatës jugosllave, populli i Kosovës është përcktuar me referendum për pavarësinë dhe neutralitetin e Ksovoës. Këtë përcaktim populli e ka verifikuar edhe me akte tjera të shrpehjes demokratike të vullnetit politik dhe për këtë kemi koncezusin e plotë të të gjitha subjekteve politike në Kosovë, theksoi dr. Rugova.

Kryetari Rugova i tha ndihmëssekretarit Shatak se vënja e përkohshme e Kosovës nën një administrim civil ndërkombëtar do të krijonte parakushtet e domosdoshme për zgjidhjen e problemit me mjete politike dhe do të evitonte rrezikun e përhapjes së konfliktit në Kosovë.

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova falënderoi SHBA-të për ndihmat humanitare për popullin e Kosovës dhe për përkahjen e zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës.

SHBA-të janë shteti i parë që ka sjellë ndihma humanitare në Kosovë, theksoi dr. Rugova.

Ndihmëssekretari amerikan për të drejtat e njeriut tha se ndihmat dhe përkrahja amerikane për popullin e Kosovës nuk do të mungojnë as në të ardhmen. SHBA-të janë të vetëdijshme për vështirësitë me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës. Administrata amerikane mbështetë zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, tha ai.

 

23 qershor 1997

Shqipëri: Mesatarisht mbi 10 të vrarë në ditë

 

Sa po afrohet data e zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, tensionet po shtohen gjithnjë e më shumë. Njoftime të ditëve të fundit kanë bërë të ditur për numër të madh të eksceseve dhe për paspjë edhe të numrit të madh të qytetarëve të vrarë. Mesatarja e njerëzve të vrarë brenda 24 orëve, gjatë javëve të fundit, vazhdimisht ka kaluar numrin dhjetë.

Për ilustrim po sjellim njoftimin për 20 qershorin, ditë kur, sipas burimeve zyrtare, u vranë me armë zjarri 11 veta dhe u plagosën pesë të tjerë.

Po sipas burimeve zyrtare të Shqipërisë, deri tash, që nga fillimi i trazirave, janë vrarë mbi 1600 veta. Burimet jozyrtare, ndërkaq, flasin për një numër më të madh të viktimave, që e kalon edhe shifrën 2000.

 

23 qershor 1998

Banorët e Bellaqevcit të Madh u larguan natën nga fshati

Gjendje shumë e tensionuar mbretëron sot në komunën e Obiliqit dhe të Prishtinës. Në orën 03:00 pas mesnate një pjesë e madhe e popullsisë së fshatit Bellaqevc i Madh është larguar nga fshati i vet prej frikës së ndonjë sulmi të mundshëm të forcave serbe.

Qindra fëmijë, gra e pleq kanë shkuar në drejtim të fshatit Lismir dhe në drejtim të Fushë Kosovës e Prishtinës, njofton KI i Aktivit të LDK-së në Lismir të Fushë-Kosovës.

Në fshatin Bellaqevc ndodhet Mihja Sipërfaqësore e thëngjillit që përdoret në termocentralet e Kosovës.

Mbi Prishtinë dhe rrethinë sot prej mëngjesit kanë fluturuar aeroplanë ushtarakë dhe helikopterë.

Ndërkohë njoftohet se një pjese të madhe të Prishtinës sot i është ndërprerë rryma elektrike.

 

Klinë: Dhjetë të plagosur tri ditët e fundit

Gjatë tri ditëve të fundit në fshatrat Dush, Gjurgjevik i Madh, Jashanicë, Jellovc, Cerovik, Siçevë e Gjurgjevik të Madh të komunës së Klinës forcat serbe kanë gjuajtur rreth 500 granata.

Burimet e Degës së LDK-së në Klinë njoftojnë në këtë komunë janë plagosur 10 qytetarë shqiptarë, katër prej të cilëve janë banorë të fshatit Jashanicë e Epërme. Ndër të plagosur janë edhe Mark Mirdita nga Koshi, Imer Musaj dhe një fëmijë 13 vjeç, të dy nga Stapanica, dhe një i ri nga Siçeva.

Po këto burime bëjnë të ditur se gjatë luftimeve të sotme në Stapanicë janë plagosur dy të rinj.

Nga granatat e forcave serbe në këto fshatra janë rrënuar e janë djegur shumë shtëpi. Në Jellovc janë dëmtuar e djegur shtëpitë e Ibish Racit, Tafil Zekës dhe Daut Racit; në Gjurgjevik të Madh janë granatuar shtëpitë e Xhemë Berishës, të Gjergj, Llesh dhe Pashk Prenajt; në Dush janë janë dëmtuar shtëpitë e Avdyl, Sokol e Rexhep Marmullaku ndërsa në Jashanicë të Ulët u është vënë zjarri lagjeve Shlivova dhe Bekaj.

Ndërsa KMDLNJ njofton se fshatrat: Grabanicë, Dollovë, Bokshiq e Qeskovë, të cilat ishin në shënjestër të sulmeve serbe për javë me radhë, tani po mbahen të bllokuara tërësisht dhe në to nuk mund të hyjë askush. Në qytetin e Klinës, ndërkaq, mbretëron një gjendje shumë e rëndë. Në këtë qytet, përveç forcave policore, tanimë janë vendosur edhe shumë qytetarë serbë e malazias të larguar nga disa fshatra. Nëpër rrugët e qytetit vërehen vetëm ushtarakë, policë, paramilitarë e civilë serbë, me lloj-lloj uniformash dhe të maskuar, si dhe mjete luftarake të llojeve të ndryshme. Qendra e qytetit ësdhtë shndërruar në një poligon të makinerisë luftarake serbe.

 

Në Mirenë u gjet një kufomë e një mashkulli

NKMDLNJ në Lipjan njofton se dje, më 22 qershor, barinjtë e fshatit Mirenë kanë gjetur kufoma e një mashkulli, të moshës rreth 50 vjeçare.

Sipas dëshmitarëve, viktima është vrarë më parë, sepse kufoma është karbonizuar dhe është dëmtuar nga shpezët. Dyshohet se kufoma është sjellë në Mirenë nga ndonjë vend tjetër.

Kufoma ka të veshur një triko të kaltërt me vija dhe pantollona ngjyrë të kaltërt të mbyllët.

Continue Reading

Lajmet

“The Guardian”: Planet e Jared Kushner ndezën “Revolucionin e Flamingove” dhe revoltën kundër qeverisë

Published

on

By

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka publikuar një artikull të gjatë dhe të detajuar mbi protestat që po tronditin Shqipërinë. Sipas medias ndërkombëtare, ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projekteve turistike të Jared Kushner dhe Ivanka Trump, tashmë është shndërruar në një valë të madhe zemërimi popullor ndaj establishmentit politik dhe “klasës oligarkike”.

Në shkrimin e saj të titulluar “Duam një Shqipëri të re”: Protestat kundër resortit të mbështetur nga Jared Kushner kthejnë zemërimin nga qeveria, gazetarja Helena Smith përshkruan se si planet për ndërtimin e resorteve luksoze në Ishullin e Sazanit dhe në gadishullin e Zvërnecit kanë nxitur një kryengritje që nuk ishte parë që nga rënia e komunizmit.

Sazani: Nga një “parajsë e vogël” në qendër të përplasjes

Artikulli e nis rrëfimin me dëshminë e Ina Shkurtit, një kartografe 32-vjeçare, familja e së cilës kishte emigruar në SHBA kur ajo ishte 11 vjeç. Për të dhe për shumë shqiptarë, Sazani është një vend i shenjtë kujtimesh.

“A jam e tërbuar? Sigurisht që po,” thotë Shkurti për The Guardian. “Sazani është ishulli ynë i vetëm. Është një parajsë e vogël që ka një vend të veçantë në zemrat e shqiptarëve. Që të vijnë disa çiftesh të pasur, ta zhvillojnë dhe të na ndalojnë qasjen, ky do të ishte një krim.”

Lindja e “Revolucionit të Flamingove”

The Guardian raporton se protestat tashmë njihen gjerësisht si “Revolucioni i Flamingove”, për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë që këto projekte paraqesin për mjedisin dhe ekosistemet delikate, veçanërisht në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Narta, ku ndodhen rrugët migruese të qindra shpendëve të rrallë.

“Kjo qeveri nuk na përfaqëson më,” shton Shkurti. “Ajo ka zgjedhur të përfaqësojë investitorët oligarkë si Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Këto protesta nuk do të ndalen, edhe nëse tashmë nuk bëhet fjalë ekskluzivisht vetëm për ta.”

Sipas artikullit, me mijëra qytetarë, përfshirë shumë pjesëtarë të diasporës që kanë fluturuar posaçërisht nga SHBA dhe Evropa, u mblodhën në Tiranë gjatë fundjavës në tubimin më të madh të shënuar deri më tani.

Rama refuzon të tërhiqet, ekspertët paralajmërojnë rrezik

Në shkrim vërehet se këto protesta — të cilat janë pa liderë dhe jopartiake — kanë kapur në bafsi zyrtarët në Tiranë dhe Bashkimin Evropian.

Përballë thirrjeve të përditshme për dorëheqje, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përgjigjet me nervozizëm, humor dhe një “idhnim të fshehur me vështirësi”, por duke refuzuar prerazi të tërhiqet. Ai e ka mbrojtur investimin prej 1.4 miliardë eurosh, duke e quajtur atë jetik që Shqipëria të bëhet “destinacioni më tërheqës i turizmit elitar në Mesdhe”.

Nga ana tjetër, Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit Shqiptar për Studime Politike, i cituar nga The Guardian, paralajmëron se situata është e rrezikshme:

“Qeveria, siç duket, nuk dëshiron të besojë se të gjithë këta njerëz në rrugë janë kundër saj. Kjo mungesë dialogu, kjo mungesë empatie dhe ky refuzim për të gjetur një zgjidhje është i rrezikshëm.”

Kronologjia e dhunës në terren

Artikulli kujton se kanë kaluar tre javë që kur protestat shpërthyen për herë të parë, pasi buldozerët nisën të pastronin pjesë të pyjeve dhe dunave të lashta në zonën e mbrojtur përballë Sazanit.

Tensionet arritën kulmin kur protestuesit u përballën me kompanitë private të sigurimit që kishin ngritur rrethime për të bllokuar publikun. The Guardian përmend edhe pamjet e rënda ku një pronar i tokës lokale u filmua duke u zvarritur i prangosur nga rojet private mbi terrenin shkëmbor, ndërsa oficerët e policisë, në mënyrë kontradiktore, zgjodhën të mos ndërhynin. /The Guardian/ /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Prizren: Humb jetën një punëtor pasi u zu nga vinçi i rrëzuar në vendin e punës

Published

on

By

Një punëtor ka humbur jetën paraditen e së hënës në Prizren, pasi është zënë nga një vinç që u rrëzua në një punishte.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Arbana, ku sipas informacioneve fillestare, vinçi është rrëzuar gjatë punës, duke lënë të bllokuar një punëtor.

Pas incidentit, kolegët e viktimës kanë tentuar ta nxjerrin atë nga vendi ku ishte zënë, por fatkeqësisht ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Indeksonline ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen momentet pas rrëzimit të vinçit dhe përpjekjet e punëtorëve për të shpëtuar kolegun e tyre.

Autoritetet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pritet të sqarojnë rrethanat e plota të aksidentit./Indeks online/ /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Evropa goditet nga temperaturat deri në 40°C, shënohen tre të vdekur në Francë

Published

on

By

Një valë e jashtëzakonshme e të nxehtit afrikan ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, duke sjellë temperatura ekstreme që kanë kapërcyer vlerën prej 40°C. Përveç rrezikut mjedisor, kjo situatë ka shënuar edhe viktimat e para në njerëz.

Sipas autoriteteve vendase, të paktën tre persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë e goditjeve nga nxehtësia dhe temperaturat e larta anormale për këtë periudhë. Viktimat raportohet se kanë pësuar arrest kardiak për shkak të ekspozimit të gjatë në diell dhe pamundësisë së trupit për të përballuar vapën mbytëse.

Shërbimet meteorologjike në Francë, Spanjë dhe Itali kanë lëshuar alarme të kuqe për disa rajone, duke i bërë thirrje popullatës të shmangë daljet e panevojshme gjatë orëve të mesditës.

Franca ka hapur qendra emergjente të ftohjes nëpër qytetet kryesore dhe ka kufizuar qarkullimin e disa automjeteve për shkak të rritjes së nivelit të ozonit në ajër.

në Spanjë dhe Itali Parashikohet që vala e të nxehtit të zgjasë edhe për disa ditë të tjera, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre pyjore.

Mjekët dhe autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje urgjente për kujdes të shtuar, veçanërisht ndaj të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike. Ata këshillojnë konsumimin e rregullt të ujit, qëndrimin në ambiente të mbrojtura me ajër të kondicionuar dhe shmangien e aktiviteteve të rënda fizike në ambiente të hapura.

Meteorologët paralajmërojnë se këto valë të nxehti ekstrem po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në Evropë, si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike globale. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara