Lajmet

Gjykata Evropiane kërkon nga Rusia më shumë angazhim në parandalimin e dhunës në familje

Kjo ndodhi krahas “problemeve sistematike në sigurimin e ndjekjeve penale dhe dënimeve”.

Published

on

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka kërkuar Rusisë që të trajtojë “shkallën marramendëse” të dhunës në familje ndaj grave, përcjell UBT News.

Gjyqtarët i bënë thirrje Moskës të prezantojë masa të reja krahas “problemeve sistematike në sigurimin e ndjekjeve penale dhe dënimeve”.

Vendimi erdhi pas një rasti që përfshinte katër gra ruse, të cilat ishin abuzuar nga partnerët e tyre. Gjykata Evropiane tha se autoritetet ruse kishin dështuar t’i mbronte ato nga dhuna dhe t’i përgjigjeshin rasteve të tyre siç duhet.

Një prej grave u rrëmbye nga burri i saj në vitin 2017 dhe iu prenë duart me sëpatë në një pyll. Më vonë ajo rifitoi funksionin e kufizuar të dorës së majtë, ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 14 vjet burg.

Moska u urdhërua t’u paguajë katër grave gjithsej mbi 450,000 euro dëmshpërblim, shpenzime mjekësore dhe tarifa ligjore.

Gjykata rekomandoi që Rusia duhet të bëjë “ndryshime urgjente në ligjin dhe praktikën e brendshme për të parandaluar shkeljet e ngjashme”. Rusisë i’u kërkua që të prezantojë një përkufizim ligjor të dhunës në familje në forma të ndryshme, si dhe urdhra kufizues dhe mbrojtës.

Mari Davtyan, avokate dhe aktiviste për të drejtat e grave që përfaqësonte dy gra në këtë rast, ka përshëndetur këtë vendim.

“Nuk është hera e parë që gjykata vëren dështimin e Rusisë për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen nga dhuna në familje, por këtë herë gjykata theksoi qartë dhe në detaje masat që Rusia duhet të marrë”, tha Davtyan në një postim në Facebook.

Përpjekjet e mëparshme për të krijuar masa kundër dhunës në familje që do të parandalonin këto krime janë përballur me rezistencë nga autoritetet ruse.

Sulmi ndaj një anëtari të familjes në vend aktualisht klasifikohet vetëm si kundërvajtje e dënueshme me gjobë prej vetëm rreth 60 €./UBTNews/

Lajmet

Ndahet nga jeta legjenda e rock-ut David Clayton-Thomas

Published

on

David Clayton-Thomas, këngëtari kanadez dhe frontmeni i grupit legjendar Blood, Sweat & Tears, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Fituesi i çmimit Grammy u nda nga jeta në mënyrë paqësore të mërkurën në një spital në Toronto, ka bërë të ditur publicisti i tij, Eric Alper. Shkaku i vdekjes nuk është bërë publik.

Clayton-Thomas ishte një nga zërat më të njohur të muzikës jazz-rock dhe interpretoi hite si “You’ve Made Me So Very Happy”, “And When I Die” dhe “Spinning Wheel”. Gjatë karrierës së tij shiti mbi 40 milionë disqe dhe konsiderohet një nga artistët që ndikoi në zhvillimin e këtij zhanri muzikor.

Ai iu bashkua grupit Blood, Sweat & Tears në vitin 1968. Albumi me të njëjtin emër u shit në mbi 10 milionë kopje në mbarë botën, qëndroi shtatë javë në krye të klasifikimit Billboard dhe fitoi pesë çmime Grammy, përfshirë edhe çmimin për Albumin e Vitit, duke lënë pas edhe albumin Abbey Road të The Beatles.

Në vitin 1970, grupi u bë formacioni i parë rock që zhvilloi një turne në Evropën Lindore, pas një kërkese të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më vonë u zbulua se Clayton-Thomas ishte përballur me një ultimatum për ta zhvilluar turneun në këmbim të qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai u largua nga grupi në vitin 1972 për shkak të lodhjes nga turnetë e shumta, por më vonë publikoi mbi një duzinë albumesh solo dhe iu rikthye Blood, Sweat & Tears në fillim të viteve 1980.

David Clayton-Thomas lë pas dy vajzat e tij, Ashleigh Clayton-Thomas dhe Christine Graham. Sipas publicistit të tij, në një datë të mëvonshme do të organizohet një koncert përkujtimor në nder të jetës dhe muzikës së tij, ndërsa të ardhurat do t’i dedikohen organizatës bamirëse Peacebuilders Canada. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Spekulimet shtohen, Taylor Swift dhe Travis Kelce mund të martohen në Madison Square Garden

Published

on

Spekulimet për martesën e këngëtares me famë botërore Taylor Swift dhe yllit të NFL-së, Travis Kelce, janë shtuar pas raportimeve se është paraqitur një kërkesë për mbylljen e disa rrugëve pranë Madison Square Garden në New York gjatë fundjavës së 4 Korrikut.

Zëdhënësja e zyrës së kryetarit të New Yorkut, Dora Pekec, konfirmoi për BBC se në fillim të qershorit është dorëzuar një kërkesë për mbylljen e rrugëve rreth arenës nga 2 deri më 4 korrik. Megjithatë, ajo nuk bëri të ditur se kush e ka paraqitur kërkesën, ndërsa CNN raportoi se emrat e Swift dhe Kelce nuk figurojnë në dokumentacion.

Sipas The New York Times, disa lojtarë të ekipit Kansas City Chiefs, ku luan Kelce, kanë rezervuar dhoma hoteli në afërsi të arenës. Po ashtu, policët e Amtrak, që kujdesen për sigurinë në stacionin Penn Station poshtë Madison Square Garden, janë njoftuar të jenë të përgatitur për një dasmë të mundshme të Swift gjatë fundjavës festive.

Raportimet thonë se më 2 korrik mund të organizohet një ceremoni private me rreth 100 të ftuar, ndërsa më 3 korrik një festë më e madhe, ku nuk përjashtohen edhe performanca muzikore.

Lajmi ka ngjallur reagime të shumta mes fansave. Disa e kanë cilësuar Madison Square Garden si një zgjedhje të pazakontë për një martesë, duke menduar se Swift do të zgjidhte një ambient më romantik, si rezidenca e saj në Rhode Island. Të tjerë, megjithatë, e konsiderojnë arenën një vend simbolik, pasi ajo lidh botën e muzikës dhe sportit, dy fushat ku çifti ka ndërtuar karrierën.

Një tjetër arsye që përmendet është siguria e lartë që ofron arena, me hyrje private dhe masa të rrepta që do ta bënin të vështirë fotografimin e çiftit dhe të ftuarve nga paparacët.

Taylor Swift dhe Travis Kelce njoftuan fejesën e tyre në muajin gusht, ndërsa deri më tani nuk kanë konfirmuar zyrtarisht datën apo vendin e martesës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Një grua gjendet pa shenja jete në Lipjan, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

Një grua ka humbur jetën në rrethana ende të panjohura në Lipjan.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 25 qershor, rreth orës 09:55, nga një dëshmitare, e cila ka njoftuar se viktima kishte rënë papritur në tokë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Hetim mbi vdekjen”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar gjashtë raste të dhunës në familje të regjistruara më 25 qershor në komuna të ndryshme të vendit, ku katër persona janë arrestuar.

Në Graçanicë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, tre meshkuj u përfshinë në një përleshje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre u liruan në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, një grua u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një grua tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara u dërgua në mbajtje.

Në Viti, një grua raportoi se ishte sulmuar fizikisht nga një mashkull pas një mosmarrëveshjeje verbale. I dyshuari u arrestua dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje.

Në Pejë, një grua raportoi se kishte qenë vazhdimisht viktimë e dhunës fizike dhe psikike nga një mashkull, ndërsa së fundi kishte pranuar edhe telefonata kërcënuese prej tij. Pas intervistimit, palët u liruan në procedurë të rregullt hetimore.

Në Deçan, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se sulmoi fizikisht një mashkull tjetër. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Ndërkaq, në Mitrovicë, një mashkull u arrestua pasi dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje. Edhe në këtë rast, viktima pranoi trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara