Lajmet

Gjykata e dënon edhe një person tjetër për sulmin ndaj KFOR-it

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar Llazar Dejanoviqin me tetë muaj burgim dhe një gjobë prej 10.000 eurosh, pasi ai arriti marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë lidhur me pjesëmarrjen në protestën e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzoi Dejanoviqin për veprën penale sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm.

Avokati i Dejanoviqit, Lubomir Pantoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se në dënimin e tij me burgim është përfshirë edhe koha që ai e ka kaluar në paraburgim prej 20 qershorit të këtij viti, që nënkutpon se atij i kanë mbetur vetëm katër muaj burgim për t’i shlyer.

Përveç Dejanoviqit, në Kosovë deri tani janë arrestuar edhe dhjetëra persona të tjerë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por shumica kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Dhuna në Zveçan kishte shpërthyer pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si pasojë e dhunës kishin mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

KFOR-i ka thënë më herët se sulmi ndaj ushtarëve të tij ishte kryer “pa asnjë provokim” dhe se ishte “plotësisht i papranueshëm”.

KFOR-i gjithashtu tha se shpresonte që edhe autoritetet në Beograd do t’i hetojnë personat që pas trazirave “u kthyen në Serbi”, dhe se pret që të gjithë autorët të “procesohen me urgjencë”.

Institucionet përkatëse në Serbi deri më tani nuk janë deklaruar për këtë çështje, pra nuk dihet nëse autoritetet serbe po zhvillojnë ndonjë proces kundër personave që kanë marrë pjesë në sulmin ndaj KFOR-it.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX./REL/

Lajmet

Superliga e Kosovës: FC Prishtina vazhdon e shkëputur në krye, Drenica gozhdon Llapin dhe Malisheva befason Ballkanin

Published

on

By

Fundjava në Superligën e Kosovës ka dhuruar emocione të mëdha dhe lëvizje me rëndësi në tabelën e klasifikimit.

FC Prishtina po vazhdon e vetme marshimin në krye të tabelës pasi mposhti Gjilanin me rezultat 1–2 si mysafire, duke ruajtur ecurinë perfekte prej 18 pikëve të plota nga 6 ndeshje.

Nënkampionia dhe ndjekësja e parë, Malisheva, arriti një fitore tejet të vlefshme në shtëpi duke mposhtur Ballkanin me rezultat 2–1 dhe duke u konsoliduar në vendin e dytë me 16 pikë, derisa mysafirët nga Suhareka mbeten në kuotën e 10 pikëve.

Fitoren më bindëse të kësaj xhiroje e regjistroi Drenica, e cila dhuroi spektakël para tifozëve të saj duke e mposhtur Llapin me rezultat të thellë 4–0, rezultat ky që e ngjit Drenicën në kuotën e 9 pikëve dhe e lë Llapin në zonën e rrezikshme me vetëm 3 pikë.

Tri pikë tejet të rëndësishme në udhëtim mori edhe Drita, e cila mposhti Dukagjinin 1–2 në Klinë, duke u ngjitur në pozitën e katërt me 11 pikë, prapa Dukagjinit që qëndron i treti me 12 pikë.

Ndërkohë, Feronikeli mori një fitore shprese në shtëpi ndaj KF Vushtrrisë me rezultat 3–1, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve, përderisa vushtrriasit mbeten në fund të tabelës pa asnjë pikë të grumbulluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dy persona dyshohet se sulmuan me thikë një burrë në Skenderaj

Published

on

Në Skenderaj, më 20 shtator 2026, rreth orës 22:20, është raportuar një rast i cilësuar si vrasje në tentativë.

Sipas Policisë, një burrë kosovar është sulmuar fizikisht dhe me thikë nga dy të dyshuar, meshkuj kosovarë.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Për rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

FSK e dyta në garën ushtarake në ShBA, shkëlqen ushtaraku Ismail Ahmeti

Published

on

By

Tre pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfaqësuar me sukses Kosovën në “Garën për Luftëtarin më të mirë” e cila u mbajt në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Gardës Kombëtare të Ajovës.

Gjatë katër ditëve sa zgjati ky aktivitet, ushtarakët iu nënshtruan sfidave të ndryshme me karakter ushtarak, të cilat vunë në provë të fortë përgatitjen e tyre fizike e mendore, aftësitë taktike si dhe qëndrueshmërinë.

Sukses të veçantë në këtë garë shënoi pjesëtari i FSK-së, OR3 Ismail Ahmeti, i cili arriti të renditet në mesin e finalistëve dhe të sigurojë vendin e dytë, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi.

Pjesëmarrja e pjesëtarëve të FSK-së në këtë garë vendimtare shërben si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, testimin e kapaciteteve profesionale, si dhe për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti nderon në New York vëllezërit Bytyqi: “Koha nuk e zbeh krimin”

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në New York në kujtim të vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, të cilët i ka përshkruar si luftëtarë të lirisë nga Batalioni Atlantiku, qytetarë amerikanë dhe dëshmorë të kombit shqiptar.

Kurti ka bërë të ditur se në homazhe ishte së bashku me familjen Bytyqi, kryebashkiaken e Fairview City, Violetta Berisha, përfaqësues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe kolegë e bashkëpunëtorë.

“Vëllezërit Bytyqi, me veprat e tyre fisnike, përfaqësojnë vlerat më të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit tonë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se sakrifica e tyre, sipas tij, nderon edhe mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara, e cila i qëndroi pranë Kosovës gjatë periudhave më të vështira.

Kurti ka treguar se gjatë takimit, Ilir Bytyqi ka rrëfyer për burgosjen e tre vëllezërve të tij, transferimin, torturimin dhe vrasjen e tyre.

Sipas Kurtit, trupat e vëllezërve Bytyqi u gjetën më vonë në një varr masiv, ndërsa rasti mbetet një nga çështjet për të cilat, sipas tij, ende nuk është vendosur drejtësi.

“Kalimi i kohës nuk e zbeh krimin dhe as nuk e shuan detyrimin për përgjegjësi”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë për Yllin, Agronin dhe Mehmet Bytyqin.

Në fund, Kurti ka shprehur mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe mërgatën shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara