Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë. 100 prokurorë dhe qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e votës së lirë.
Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë më (28.12.) të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet që të zhvillohet procesi i votimit. Ky mekanizëm ka certifikuar listat votuese dhe të partive politike, si dhe ka përcaktuar edhe qendrat e votimit në të gjithë Kosovën dhe jashtë saj.
Procesi teknik ka përfunduar
Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit ditën e dielë hapen nga ora shtatë e mëngjesit dhe mbyllen në 19-të të mbrëmjes.
Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Qendra votimi ka edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të botës. Mbi 84 mijë qytetarë jashtë Kosovës kanë aplikuar për votim dhe nga to 76 mijë aplikime janë miratuar, që përfshijnë votimin me postë dhe votimin fizik në ambasada dhe konsullata të Kosovës. Vëzhgues ndërkombëtarë monitorojnë procesin
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Një delegacion i vëzhguesve do të jetë edhe nga Parlamenti Evropian. Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë procesin e zgjedhjeve, duke u fokusuar siҫ thuhet në njoftim në “respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit”. “Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, iu bën thirrje shtetasve rezidentë dhe atyre jorezidentë që ta ushtrojnë të drejtën e votimit. “Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik”, thotw Radoniqi. Ai kërkoi nga zyrtarët e angazhuar që t’i respektojnë ligjin e rregullat zgjedhore.
“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ-ja ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, u shpreh Radoniqi.
Masa sigurie para zgjedhjeve
Për të garantuar një proces të drejtë votimi pa probleme, janë të angazhuar qindra forca policore, ndërsa rreth 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës. Zyra e Prokurorit të Shtetit njofton se qëllimi kryesor i angazhimit të 100 prokurorëve është “mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor”.
“Ata do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve”, thuhet në njoftim të zyrës së prokurorit. Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë pranë prokurorive kompetente çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës nga ana e saj thekson, se “në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët”. Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit garon edhe Lista Srpska, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me insistimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes në këtë organ, edhe kësaj radhe tentoi që mos ta certifikojë Listën Srpska, por ishte Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, që urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Srpska dhe kjo parti tashmë zyrtarisht merr pjesë në zgjedhje.
Analistët politikë, nga ana e tyre, thonë se zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë karakterizohen nga fakti se janë zgjedhje të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional të krijuar për më shumë se nëntë muaj pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, kur asnjë parti nuk arriti të formojë qeverinë. Prania ndërkombëtare në Kosovë përmes ambasadorëve të vendeve të QUINT-it vazhdimisht bën thirrje që zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të zhvillohen në mënyrë të rregullt, të lirë dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik për të ardhmen evropiane të vendit. Bashkimi Evropian, në një deklaratë të mëhershme, ka thënë se një proces zgjedhor i besueshëm është kusht thelbësor për rikthimin e plotë të bashkëpunimit me institucionet evropiane, zhbllokimin e ndihmave financiare, si dhe avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. /DW/