Gjimnazi ‘UBT’, një model ekselent mësimor, i cili kombinon mësimdhënien kurrikulare me teknologjinë e informacionit – Classroom 3.0, do të hapet në shtator të këtij viti.
Përmes ofrimit të një arsimi të gjerë, të bazuar në dije e të orientuar në gjeneratën e ardhshme të teknologjisë, gjimnazi ‘UBT’ do t’u mundësojë nxënësve që t’i zbulojnë pikat e tyre të forta dhe të arrijnë standardet më të larta.
Përfundimin e Gjimnazit ‘UBT’ nxënësit do ta kurorëzojnë me shumë njohuri të fituara, aftësi të zbuluara e kualifikime të arritura, me të cilat do ta ndërtojnë suksesshëm të ardhmen e tyre.
Presidenti dhe themeluesi i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka thënë me këtë rast se synimi i Gjimnazit ‘UBT’ është që të nxis zhvillimin e talentit të nxënësve dhe të eksplorojë potencialin e tyre, në mënyrë që ata pasi ta kenë përfunduar këtë cikël mësimor të jenë të gatshëm të përdorin mundësitë e pakufizuara që na ofron e ardhmja.
“Me këtë model të shkollimit ne do t’ua bëjmë të mundur nxënësve të gjimnazit tonë që të realizojnë imagjinatën e tyre e cila i ka ndjekur ata çdo ditë, nga lindja e diellit e deri në perëndim të tij, secilën natë plot ëndrra e secilin mëngjes plot shpresë – duke ua përmbushur synimet e tyre e hapur derën e suksesit”, theksoi Hajrizi.
Një ambient frymëzues, me mësimdhënës të mirëkualifikuar, të dëshmuar e inovativ, me klasa moderne e praktike, me hapësira të veçanta për argëtim, edukimin fizik e mësimin praktik, Gjimnazin ‘UBT’ e bëjnë unik e të pakonkurrencë në ndërtimin e gjeneratës së artë të Kosovës.
Classroom 3.0 do të jetë një fushë e veçantë e fokusit të gjimnazit tonë për të nxitur dhe zhvilluar talentët e rinj, duke kërkuar përsosmërinë edhe jashtë aktivitetit të rregullt mësimor.
Gjimnazi ‘UBT’ krahas mësimit kurrikular u mundëson nxënësve që të punojnë edhe në projekte të veçante, në aktivitete jashtëshkollore, të angazhohen në ngjarje të ndryshme e të zhvillojnë talentet e tyre në laboratorët e ndryshme të Parkut Shkencor e Inovativ të UBT-së.
Pishinë noti e ushtrimesh fizike, salla tenisi e fusha futbolli, basketbolli e volejbolli, laboratorë mjekësorë e sera të veçanta të prodhimeve bio ushqimore, do të krijojnë momente të paharrueshme e atmosferë të papërshkrueshme pozitive e frymëzuese për secilin nxënës.
Gjimnazi ‘UBT’ do të jetë i bazuar në shkollat më të mira evropiane dhe amerikane duke gërshetuar brenda një sistemi përvojat më të mira.
Për informacione më të hollësishme rreth Gjimnazit ‘UBT’ ju lutem klikoni në linkun: Gjimnazi UBT
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka konstatuar gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, por se bashkëpunimi mes LVV dhe LDK nuk garanton automatikisht përfundimin e këtij procesi.
Sipas Kurtit, të dy partitë politike disponojnë 81 vota, dhe nga ky numër mund të bjerë vetëm një deputet, por jo më pak se 80. Ai ka vlerësuar takimet me Abdixhikun dhe me Bedri Hamza nga PDK-ja si konstruktive dhe me përmbajtje pozitive.
“Zellë për zgjedhje të reja nuk shoh as te LDK, as te PDK, dhe kjo më jep shpresë që nuk do të ketë zgjedhje të reja,” tha kryeministri.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar takimin mbi dyorësh me Kurtin si konstruktiv dhe me përmbajtje të qartë. Ai ka shtuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje klasike mes partive ose konsensus mbi një kandidat të vetëm, dhe se LDK nuk ka plan të hyjë në qeveri./Kosovapress/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.
Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.
Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.
Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.
Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.
Gjatë takimit, Konjufca informoi Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.
Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.
Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.
Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.