Lajmet

Gjermani:Më shumë të rinj pa punë dhe pa arsimim profesional

Published

on

Në Gjermani po rritet përqindja e të rinjve që nuk arrijnë më të kalojnë me sukses nga shkolla në tregun e punës. Sipas një eksperteje, në këtë mënyrë Gjermania po humbet edhe fuqi punëtore të rëndësishme të kualifikuar.

Dhjetë për qind e të rinjve të moshës 20 deri në 24 vjeç në Gjermani nuk ishin as të punësuar dhe as në ndonjë program arsimi apo trajnimi gjatë vitit 2025. Këtë e bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave në Wiesbaden. Kjo përqindje është rritur vazhdimisht vitet e fundit. Në vitin 2022 ajo ishte ende 8,8 për qind.

Arsyet janë të ndryshme. Statisticienët iu referuan Raportit Kombëtar për Arsimin për vitin 2024, sipas të cilit 25 për qind e personave të prekur në Gjermani konsideroheshin si në kërkim pune. Megjithatë, dy të tretat e tyre nuk ishin fare të disponueshëm për tregun e punës. Arsyet më të shpeshta të përmendura ishin detyrimet për kujdes familjar dhe kufizimet shëndetësore.

“Perspektivë e pasigurt për të ardhmen”

Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Sociale (WSI), pjesë e Fondacionit Hans Böckler të afërt me sindikatat, e vlerësoi këtë zhvillim në Gjermani si “shqetësues”.

Për të rinjtë e prekur kjo nënkupton “një perspektivë të pasigurt për të ardhmen dhe me shumë gjasa një karrierë profesionale të vështirë dhe me pengesa”, tha drejtoresha shkencore e WSI-së, Bettina Kohlrausch.

“Për tregun gjerman të punës kjo do të thotë se humbasin specialistë të rëndësishëm dhe fuqi punëtore e kualifikuar.”

Kohlrausch theksoi se nevojiten urgjentisht më shumë oferta cilësore të formimit profesional dhe më shumë mbështetje për të rinjtë, në mënyrë që ata të mund të përfundojnë me sukses rrugën drejt një profesioni dhe më pas drejttregut të punës.

Sipas saj, një garanci e vërtetë për formimin profesional do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. “Megjithatë, për këtë qëllim rregulloret ekzistuese duhet të zgjerohen dhe të zhvillohen më tej.”

 

Përqindje relativisht e ulët e grupit “NEET”

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, përqindja e Gjermanisë mbetet ende e ulët. Mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Evropian ishte 12,9 për qind për grupmoshën 20 deri në 24 vjeç.

Ky grup njihet ndërkombëtarisht si NEET (“Not in Employment, Education or Training”), që do të thotë persona që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsimim dhe as trajnime profesionale.

Përqindja më e ulët u regjistrua në Holandë me 5,6 për qind, pasuar nga Suedia me 7,3 për qind dhe Çekia me 7,6 për qind.

Përqindja më e lartë u shënua në Rumani me 22,8 për qind, Bullgari me 17,3 për qind dhe Francë me 16,2 për qind. Për Luksemburgun nuk kishte të dhëna aktuale.

Situatë e ndryshme mes qytetit dhe zonave rurale

Në Gjermani, gratë e reja preken pak më shpesh nga kjo dukuri sesa burrat e rinj. Ky dallim vihet re edhe në mesataren e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, një pamje jo e njëtrajtshme shfaqet kur krahasohen qytetet me zonat rurale. Në Gjermani, të rinjtë që jetojnë në qytete të mëdha janë më shpesh pa punë ose pa formim profesional sesa ata që jetojnë në zonat rurale. Në nivel të përgjithshëm të Bashkimit Evropian, situata është e kundërt: të rinjtë në zonat rurale preken më shumë nga ky fenomen sesa ata në qytete. /DW/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbi 1 mijë raste të dhunës në familje u raportuan në Kosovë gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026

Published

on

By

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një prej problemeve më serioze sociale në Kosovë. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë raportuar gjithsej 1,341 raste të dhunës në familje, duke përfshirë viktima të gjinive dhe grupmoshave të ndryshme. Kjo i i bie se në Kosovë mesatarisht raportohen më shumë se shtatë raste të dhunës në familje çdo ditë.

Sipas statistikave për viktimat e përfunduara me fatalitet, janë evidentuar gjashtë persona të vrarë – katër burra dhe dy gra. Ndërkaq, sa i përket dhunimeve seksuale të raportuara brenda familjes, janë regjistruar dy raste, përkatësisht në Pejë dhe Gjilan.

Për sa u përket urdhrave për mbrojtje të përkohshme emergjente, janë lëshuar gjithsej 77 urdhra. Mitrovica shënon numrin më të lartë të shqiptimit të këtyre urdhrave, e ndjekur nga Prishtina dhe Gjakova me nga tetë raste, si dhe Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani me nga tri raste secili.

Nga raporti i Ministrisë së Drejtësisë rezulton se numri më i lartë i kryesve të dhunës në familje i përket grupmoshës 30-40 vjeç, ku shumica e viktimave janë gra. Ndërkaq, mosha më e prekur e viktimave i përket grupmoshës 20-30 vjeç.

Sa i përket rajoneve, Prishtina prin me numrin më të madh të raportimeve për dhunë në familje me 441 raste. Pas saj renditen:

  • Mitrovica: 174 raste
  • Gjakova: 165 raste
  • Peja: 162 raste
  • Gjilani: 150 raste
  • Prizreni: 135 raste
  • Ferizaj: 114 raste

 

Continue Reading

Lajmet

Joe dhe Shirley DioGuardi, lobistët e njohur amerikanë, pajisen me shtetësi të Kosovës

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i ka dorëzuar zyrtarisht dekretin e shtetësisë së Kosovës ish-kongresistit amerikan Joe DioGuardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Ceremonia e dorëzimit të dekretit u zhvillua në ambientet e zyrës së Presidencës.

Joe DioGuardi, ish-drejtues i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, njihet si një nga miqtë e mëdhenj të Kosovës dhe zë i fuqishëm në SHBA në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së vendit. Po ashtu, edhe Shirley Cloyes DioGuardi ka vepruar për vite me radhë në promovimin e çështjes së Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Uashington.

Me rastin e dorëzimit të dokumenteve, Haxhiu i uroi ata për marrjen e shtetësisë.

“Për mua është nder i veçantë t’ua uroj shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe t’ju them mirësevini në mesin e qytetarëve të saj, mirësevini në shtetin tuaj të dytë, në Republikën e Kosovës”, deklaroi Haxhiu. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

PDK-ja dhe AAK-ja mblidhen në Kuvend, akuzojnë pushtetin për mospërgjegjësi

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur sërish sot në Kuvendin e Kosovës, ku kanë drejtuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për uzurpim të institucioneve dhe prirje për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja.

Gjatë këtij takimi, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, deklaroi se karriget e zbrazëta në sallën e Kuvendit pasqyrojnë ikjen e pushtetit nga përgjegjësitë që i takojnë. Ajo theksoi se kërkesa e tyre e vazhdueshme ka qenë që shteti të punojë në shërbim të qytetarëve dhe jo për interesa partiake.

“Demokracia nuk matet vetëm në ditën kur numërohen votat, por çdo ditë pas zgjedhjeve. Për gati 2 vjet Kosova ka pritur që përgjegjësitë të merren, dhe pas 6 vjet qeverisjeje, çfarë kanë bërë të tjerët nuk mund të jetë përgjigje, sepse përgjegjësia ju takon juve. Jemi vetëm pak ditë larg shtatorit dhe prindërit ende përballen me pasiguri për librat e fëmijëve të tyre”, deklaroi Jashari. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

14 armë të sekuestruara dhe 4,855 gjoba në Rajonin e Prishtinës gjatë një jave

Published

on

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë realizuar gjatë javës së kaluar 65 urdhëresa të gjykatës, në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara.

Prej tyre, 47 urdhëresa kanë qenë për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime dhe raste të tjera.

Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresat gjyqësore.

Gjatë së njëjtës periudhë, në Rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 14 armë zjarri.

Policia ka shqiptuar gjithashtu 4,855 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Prej tyre, 466 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara