Kryeministri i Pakistanit, Shebaz Sharif, është zotuar se do të kundërpërgjigje, pas sulmeve ajrore të Indisë, që lanë të vdekur dhjetëra persona, teksa tensionet mes dy fuqive – që kanë armë bërthamore – kërcënojnë që të përshkallëzohen edhe më shumë.
Takimi i Komitetit Kombëtar për Siguri i Pakistanit më 7 maj përfundoi me vendimin për të autorizuar ushtrinë e shtetit për t’u kundërpërgjigjur.
“Komiteti Kombëtar për Siguri i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të njohë peshën e veprimeve të paprovokuara dhe ilegale të Indisë dhe ta mbajë përgjegjëse për shkeljen flagrante të normave ndërkombëtare dhe ligjeve”, u tha në deklaratën e lëshuar nga zyra e Sharifit.
Në njoftim u shtua se India “edhe një herë ka nxitur zjarr në rajon”.
Disa orë para këtij njoftimi, forcat indiane goditën caqe në mbarë Kashmirin, e administruar nga Pakistani, dhe në provincën Punxhab të Pakistanit.
India tha se kreu sulme “precize” kundër “terroristëve” pas një sulmi në Kashmirin, e administruar nga India, dy javë më parë, kur u vranë 26 turistë hindu.
India tha më herët se dy ose tre të dyshuar të atij sulmi ishin shtetas pakistanezë, por nuk dhanë detaje apo ndonjë dëshmi. Pakistani ka mohuar se është i përfshirë në këtë sulm.
Ushtria pakistaneze tha se vetëm civilë u vranë gjatë sulmeve ajrore të 7 majit, duke shtuar se numri i viktimave është 26, ndërkaq 46 të tjerë janë plagosur.
Më pas, grupi militant me seli në Pakistan, Jaish-e-Mohammed, përmes një deklarate tha se dhjetë anëtarë të familjes të liderit të grupit, Maulana Masood Azhar, janë vrarë gjatë sulmeve.
Ky njoftim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Ndërkaq, Pakistani ka pretenduar se ka rrëzuar disa avionë indianë dhe të dyja palët kanë vazhduar të garantojnë përtej Vijës së Kontrollit – kufirit de facto në Kashmir – që nisën që nga sulmi i prillit.
Këto janë luftimet më të ashpra mes dy palëve në më shumë se dy dekada. Pakistani ka thënë se sulmet e Indisë janë “akt flagrant i luftës”./REL/