Kulturë

Gjermani: Do të ketë dënime me burg për protestuesit që dëmtojnë artin

Ministri i Drejtësisë tha se ligji përveç gjobave parashikon edhe dënime me burg, ligj i cili sipas tij, do të zbatohet.

Published

on

Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann tha se dënimet me burg janë të mundshme kundër aktivistëve të klimës që bllokojnë rrugët dhe dëmtojnë artin.

“Kushdo që hedh lëng ose sende mbi veprat e artit mund të përgjigjet penalisht nëse vepra arti dëmtohet. Bllokimi i rrugëve mund të karakterizohet si detyrim. Dhe nëse për këtë pengohet ardhja e një ambulance, është e mundur edhe akuza për shkaktim të lëndimit trupor nga pakujdesia”, tha ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann.

Ai tha se ligji përveç gjobave parashikon edhe dënime me burg për këto lloj krimesh.

“Këto ligje duhet të zbatohen”, tha Buschmann.

Javët e fundit, aktivistët mjedisorë të grupit Last Generation kanë shkaktuar reagime të ndara nga publiku me veprime spektakolare, si hedhja e bojës mbi veprat e artit në muze apo bllokimi i rrugëve.

Gjatë bllokadës së fundit të një rruge të Berlinit, mjetet e emergjencës mbërritën me vonesë të madhe në vendin e një aksidenti trafiku ku një çiklist mbeti i plagosur rëndë.

Përfaqësuesit e protestuesve mohuan përgjegjësinë për incidentin, duke pretenduar se automjetet e urgjencës u ngadalësuan sepse përdoruesit e rrugës nuk krijuan një vendkalim mesatar në rrugë për policinë dhe automjetet e urgjencës, siç kërkohet nga rregullat e trafikut në rast bllokimi trafiku në autostradë.

Renate Kuenast, një politikane nga Partia e Gjelbër në pushtet, tha se kjo formë proteste çon në një rrugë pa krye.

“Mendoj se nuk ka kuptim kur më shumë diskutohet forma e protestës dhe çështja e legjitimitetit të kësaj lloj proteste sesa vetë përmbajtja. Ajo të çon në një rrugë pa krye”, tha Kuenast.

Kryetarja e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffay, kritikoi këto forma proteste, duke vlerësuar se ato kërcënojnë sigurinë publike të qytetarëve.

Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz së fundmi deklaroi se nuk i miraton këto forma proteste.

Anëtarët e lëvizjes “Brezi i fundit” thanë se me veprimet e tyre duan të përshpejtojnë vendimmarrjen që do të çonte në ngadalësimin e ndryshimeve klimatike.

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara