Pavarësisht nëse jeni duke zgjedhur një veshje për një fluturim të shkurtër apo për një distancë të gjatë, është e rëndësishme që të ndiheni rehat dhe në të njëjtën kohë të qëndroni “larg telasheve”. Më poshtë gjeni disa këshilla për t’i bërë udhëtimet tuaja sa më të rehatshme duke ju treguar se çfarë nuk duhet të vishni. Fluturim të mbarë!
1. Rroba të ngushta
Xhinset tuaja të ngushta mund t’ju duken shumë mirë në trup, por mund ta bëjnë fluturimin e pakëndshëm. Zgjidhni diçka që lejon qarkullimin e duhur të gjakut.
2. Lente kontakti
Në një avion, lagështia mesatare mund të arrijë deri në 20%, gjë që do t’i bëjë lentet tuaja të thahen dhe të shkaktojnë acarim në sy. Nëse keni një fluturim të gjatë, rekomandohet që t’i hiqni lentet, veçanërisht nëse do të flini.
3. Materiale që mund të marrin flakë shpejt
Edhe pse emergjencat e fluturimit janë të pazakonta, është gjithmonë mirë të jesh i përgatitur. Disa materiale ose detaje veshjesh si thekët apo pëlhurat shumë të holla, nëse mundeni, ndosha do ishte mirë t’i evitonit.
4. Takat e larta
Siguria e aeroportit do t’ju kërkojë të hiqni këpucët. Jo vetëm që pjesa e takës mund të përdoret potencialisht për të ruajtur sende të ndaluara, por shpesh këpucët me takë kanë një bazë metalike, që do të ndezë alarmin. Askujt nuk i pëlqen të qëndrojë zbathur në dyshemenë e aeroportit. Për më tepër, këmbët tuaja mund të fryhen gjatë fluturimit, kështu që këpucët e ngushta duhet të shmangen. Edhe një herë: Vishni diçka të rehatshme.
5. Edhe nëse është verë, në avion do të jetë freskët
Fluturimet shpesh mbahen në anën më të ftohtë për të parandaluar, në rastet më ekstreme, të fikëtit. Fakti që nuk lëvizni, do t’ju bëjë të keni edhe më shumë ftohtë. Prandaj, kini parasysh këtë kur të përzgjidhni veshjen.
6. Aksesorë metalikë, ose veshjet që kanë copëza metalike
Mund të ketë metal në vendet që nuk do t’i prisnit, të tilla si këpucët, mbështjellësit e çamçakëzit dhe telat e brendshëm në reçipeta. Nëse nuk i keni këto, do të kaloni shumë më shpejt në sigurinë e aeroportit.
7. Veshjet e komplikuara
Nuk do donit ta gjenit veten në tualetet e ngushtë të avionit, duke u përpjekur të hiqni jumpsuit-in tuaj. Duke menduar këtë dhe faktin që do qëndroni ulur për ca orë, zgjidhni veshjet më të rehatshme.
8. Parfum
Teksa fluturoni, do të jeni në një zonë të vogël, por të mbushur plot. Shmangni parfumet e rënda për hir të bashkëudhëtarëve tuaj.
9. Pëlhura që sjellin kruarje
Vishni materiale me të cilat mund të merrni frymë lirisht dhe që nuk ju acarojnë lëkurën, për shembull në zonën e fytit, siç ndodh me bluza/veshje të caktuara.
10. Bluza me tekst ose grafike fyese
Ka njerëz që u është ndaluar të vazhdojnë fluturimin për shkak të mënyrës së veshjes. Arsyet mund të jenë të shumëfishta: Shumë dekolte, bluzë me shkrim ofendues, këmbë të zhveshura etj. Edhe pse disa nga këto vendime janë të diskutueshme, përpiquni të qëndroni të arsyeshëm kur zgjidhni veshjen tuaj.
Aktori i njohur Pierce Brosnan beson se koleg i tij Callum Turner posedon të gjitha cilësitë e duhura për t’u veshur me kostumin e agjentit legjendar 007. Ish-interpretimi i famshëm i James Bondit ka vlerësuar se 36-vjeçari ka praninë, fizikun dhe karizmën e nevojshme për të marrë përsipër këtë rol ikonik.
Brosnan, i cili portretizoi agjentin britanik në katër filma ndërmjet viteve 1995 dhe 2002, tregoi për revistën Vanity Fair se e admiron Turnerin, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në filmin “The Only Living Boy In New York” të vitit 2017.
“Callum Turner është dikush me të cilin kam punuar dhe është një aktor shumë i fortë,” u shpreh Brosnan, duke shtuar se mezi pret të mësojë emrin e pasardhësit të Daniel Craig dhe të festojë zgjedhjen e tij.
Ndonëse Turner është përfolur gjatë si një nga favoritët kryesorë për këtë post, vetë ai ka mohuar të ketë ndonjë informacion zyrtar rreth kastingut. “Di po aq sa dini edhe ju. Miqtë e mi më pyesin vazhdimisht, ndërsa unë nuk di asgjë,” kishte deklaruar ai më parë.
Brosnan po ashtu shfaqi entuziazmin e tij për projektin e ardhshëm të franshizës, i cili do të drejtohet nga regjisori vizionar Denis Villeneuve. “Besoj se do të mbetemi të mahnitur. Mënyra se si ai ndërton historinë dhe përdor kamerën është e jashtëzakonshme, prandaj filmi do të jetë vërtet madhështor,” përfundoi ai. /E.A/
Një grup shkrimtarësh, gazetarësh dhe përfaqësuesish të komunitetit shqiptaro-amerikan kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë në Washington, në kuadër të një turi kulturor dhe historik për t’u njohur nga afër me një prej institucioneve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Vizita u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e drejtuar nga presidenti Adi Memeti.
Për këtë përvojë ka shkruar shkrimtarja dhe gazetarja Keze Kozeta Zylo, në një artikull të publikuar më 1 nëntor në gazetën Illyria, ku ka ndarë përshtypjet nga vizita dhe rëndësinë historike të ambienteve të rezidencës presidenciale.
Gjatë turit, pjesëmarrësit vizituan disa prej ambienteve më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Dhomën e Gjelbër, Dhomën e Kuqe dhe Dhomën e Kaltër. Ata panë gjithashtu Sallën e Ngrënies Shtetërore, e cila përdoret për darka zyrtare dhe pritjen e personaliteteve të huaja.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin Mhill Vela, ish-president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, profesori Bexhet Asani, sekretar i shoqatës, si dhe gazetarët Ibadete dhe Shkumbin Tetaj.
Pjesë e grupit ishin edhe gazetarët e Zërit të Amerikës, Laura Kondi dhe Shaqir Salihu, gazetarja Eva Dori, shkrimtaret Merita Bajraktari dhe Luz Thaqi, si dhe Vilma Tafaj.
Në aktivitet mori pjesë edhe Qemal Zylo, themelues dhe drejtor i televizionit Alba Life dhe i shkollave shqipe në New York, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Organizatorët e kanë konceptuar këtë aktivitet si vizitë kulturore dhe historike. Nuk është raportuar për ndonjë takim me presidentin amerikan Donald Trump apo me përfaqësues të administratës së tij.
Vizita përbën një mundësi për pjesëmarrësit që të njihen më nga afër me historinë presidenciale amerikane, ndërsa aktivitetet e tilla dëshmojnë angazhimin e organizatave shqiptaro-amerikane në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në diasporë.
Kosova dhe Italia kanë ndërmarrë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e kinematografisë, me synimin për të krijuar mundësi të reja për realizimin e projekteve të përbashkëta filmike.
Gjatë qëndrimit në Romë, me rastin e pjesëmarrjes në Festivalin EuroBalkan Film, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, së bashku me ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, janë takuar me drejtorin e përgjithshëm për Kinemanë dhe Audiovizualin në Ministrinë e Kulturës së Italisë, Giorgio Carlo Brugnoni.
Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, ku u diskutua për thellimin e marrëdhënieve kulturore dhe kinematografike ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit u dakordua që të nisin përgatitjet për hartimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëprodhimin e filmave mes Kosovës dhe Italisë.
Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet industrive filmike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin profesional e artistik.
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare dhe zgjerimit të prezencës së filmit kosovar në arenën evropiane.
Dalina Haxhiu është fituesja e çmimit të parë në edicionin e parë të “Akordeve për Fëmijë”. Ajo u shpërblye me Okarinën e Artë për Fëmijë, për këngën “Ëndrra ime s’fle”, duke u renditur në krye të garës muzikore.
Çmimin e parë, Dalinës ia ndau kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Okarinën e Argjendtë për Fëmijë, çmimin e dytë, e fitoi Rita Krasniqi me këngën “Soprano”, ndërsa Okarina e Bronztë për Fëmijë iu nda Marin Kerit për këngën “Ëndrrat s’kanë kufij”.
Çmimi për tekstin më të mirë shkoi për Aksa Sulejmanin, për këngën “Lëshoni pëllumbat”, me tekst të autorit Valon Gashi.
Në këtë edicion garuan 15 artistë të rinj, të cilët interpretuan drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestra, duke sjellë në skenë këngë me mesazhe për ëndrrat, dashurinë, paqen dhe vetëbesimin.
“Akordet për Fëmijë” u organizuan për herë të parë në kuadër të Festivalit të Këngës në RTK “Akordet e Kosovës”, duke krijuar një hapësirë të veçantë për talentet e reja dhe për prezantimin e krijimtarisë së tyre muzikore./A.K/